Puthja e parë

Kozeta dhe Qemal Zylo

Nga Kozeta Zylo

Puthja e parë

(Në 50 vjetorin e puthjes së parë
1971-2021)

25 shtatori erdhi me gjethe të diellta në gji,
Në drurët me ketrusha papritur më shfaqesh ti,
Me shpirtin e zjarrtë dhe mjaltin në buzë,
Ne kete 50 vjetor më dhuron një puthje të trendafiltë në gushë.

Vështrimin kam tretur tek puthja e parë,
Por më shumë syrit tënd që është aq magjepsës,
Sepse më ndjen, më puth, sjellë fantazi,
Si Hëna kur derdh dritën me aq magji.

Në pemët me flokë të verdha derdhur nëpër degë,
Prek kujtimet e moshës me mollëzat e gishtrinjve,
Dhe ndjej puthjet e etura të çara porsi shegë,
Dhe një flaut ngjethës që luan me fyejtë e brinjëve.

Puthja 50 vjeçare ngre gjokset e rinisë,
Dhe në muzgun e florinjtë, drithmë, eci majave,
Nën vesën e petaleve qesh pakufi,
Natyrisht pranë tyre dehur jam me ty.

25 Shtator kthehu përsëri!
50 vjet s’të kemi tradhtuar ty!