Rreth vëllimit poetik“Tempull i braktisur” i autorit Fran Tanushi

Nikollë Loka
Nikollë Loka


Nga Nikollë Loka

Në thelb natyra e poezisë varet nga natyra e poetit. Por, poezia sjell reflektime dhe ndjesi që e kapërcejnë botën e një individi e të disa individëve, në përpjekjen për të rrokur fatin kolektiv të një populli. Ky fat kolektiv është i pranishëm edhe në vëllimin poetik “Tempulli i braktisur” i autorit Fran Tanushi, që në fakt për nga tematika është një vijimësi e tre vëllimeve poetike të autorit, duke shënuar një hap më tej në mjeshtërinë e artit të tij poetik.
Tempulli (nga latinishtja templum) është një ndërtesë e rezervuar për ritualet dhe aktivitetet shpirtërore të tilla si lutja dhe sakrifica, ku ka një përqendrim të madh shpirtëror shoqëruar me sakrifica të mëdha, nganjëherë dhe vetëmohuese.
“Tempulli i braktisur” i poetit Fran Tanushi është vetë atdheu, i cili nuk i mban dot bijtë e tij, që në përpjekje për mbijetesë janë shpërndarë nëpër botë, me shpresën e pashuar të rikthimit një ditë, për të jetuar a për të vdekur.
Autori e sheh traditën, gjuhën e dheun e vendit të vet si një ushqim të fuqishëm shpirtëror, që e rivitalizon diskursin historik dhe e përmbush individin shpirtërisht. Emigrantët, kudo që të jenë, e marrin atdheun me vete dhe jetojnë brenda tij, duke krijuar një realitet të munguar, si thelbi i identitetit të tyre, ashtu siç e shpreh autori: Në tempullin e braktisur/ dhe nga Zoti harruar/ bien këmbanat/ këmbana zgjimi.
Tanushi e hap vëllimin poetik me poezinë antologjike “Këmbanat e Tembullit të braktisur”, por tempullin si metaforë e sjell dhe në poezitë e dytë “Titull i fshehur”, ku shprehet: Murg i tempullit të braktisur / si një statuj e përunjur bri udhës/ elegjisë i vuri pike//. Në poezinë e tretë “Templarë të përzënë”(templarët janë kalorësit e ngarkuar që të mbronin një tempull) plotësohet ideja e braktisjes. Në vend që ta mbrojmë dhe të sakrifikohemi aty, (a nuk është tempulli vendi i sacrifices)(!), largohemi, siç thotë poeti “me pendesën e mohimit të ndërgjegjes”. Poezia e Tanushit arrin ta tejkalojë zymtësinë e horizonteve, pasi sipas tij : Braktisja s’e shemb dot një tempull/ zëvrarë mësojnë urtinë e heshtjes//. A nuk i braktisën tempujt e tyre hebrenjtë për rreth dymijë vjet, por u kthyen fuqishëm në Tokën e premtuar, të gatshëm për sakrificë dhe për lutje!
Poezia e Fran Tanushit shprehet me një gjuhë që tërheq vëmendjen. Rreth metaforës së “Tempullit”, poeti Tanushi ka dhe krijime të tjera si: ”Jeruzalem”, “Natë vjeshte”, “Malli që djeg”,”I kujt është Atdheu”, “Molla e Kuqe” etj. Poezia në krijimet e tij nuk është thjeshtë fjalë që shkon, por edhe mbishkrim që gdhendet në kujtesë, apo epitaf që përjetësohet mbi varre. Fjala e thënë dhe ajo e nënkuptuar transformohen vazhdimisht në metafora, jo aq për të treguar, se sa për t’u transformuar. Poezia e Tanushit përmban një mister që të fton ta zbulosh. Ajo transformohet në një lutje, duke fituar dimensionin hyjnore, sidomos kur lidhet me metaforën e tempullit.
Përmes poezisë së Franit lexuesi ka fuqi për ta rigjallëruar të shkuarën e vet. Pse jo, kur përmes letërsisë mund të formësohet e ardhmja.
Poezia e Franit është një udhëtim jetësor në kërkim të rrënjëve, është poezi e rikthimit te vetja. Libri “Tempull i braktisur” është ndërtuar mbi katër cikle poetike: “Tempull i braktisur”, “Brazdë vragësh”, “Në atelie” dhe “Pa skaj”. Cikli i parë është Tempulli i braktisur sendërtuar mbi sfazimin e rrugëtimit historik të individit. Është vazhdim konceptual i vëllimit të mëparshëm “Shkarpa”. Cikli i dytë i këtij vëllimi “Brazdë vragësh” është vazhdimësi e këtij fataliteti historik. Pjesët më interesante të vëllimit poetik, janë dy ciklet e fundit; “Në atelie” dhe “Pa skaj”, ku autori shfaq risi krahasuar me vëllimet e mëparshme, duke eksperimentuar në trajta, lëndë dhe gjuhë poetike.
Tanushi është mjeshtër në përdorimin e metaforave që shprehin emocione sipërore, ndjenja të përziera, marrëdhënie të ndërlikuara dhe delikate që priren ta tejkalojnë përditshmërinë. Vargjet e këtij libri kanë ngarkesë emocionale me këndvështrime të veçanta psiko-sociale dhe me shtresëzime të ideve. Loja me dritën dhe errësirën dhe bota e pasqyrës vijnë përmes metaforash të konsoliduara, si dhe gjendjesh e refleksesh të natyrshme.
Poezia e Franit përmban një gjuhë që është shumë më tepër sesa një mjet kumti, është thirrje e brendshme për të rigjetur vetëveten nëpër kohë. Ai e përdor me mjeshtëri fjalën, i jep reliev, lartësi dhe dendësi. Fjala e Tanushit nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe simbolikisht lëviz në të shkuarën dhe në të ardhmen, duke komunikuar në kohë reale. Poeti është mjeshtër i përdorimit të detajeve dhe shtresave kuptimore të thella, duke sjellë risi në imazhe, mendim, stil dhe në teknikat poetike. Poezia e Franit edhe në vëllimin “Tempulli i braktisur” vjen si intrepretuese e jetës nga perspektiva e atdheut të munguar.
Në vëllimin “Tempulli i braktisur, poeti e kapërcen ndjesinë e përshtatjes, duke kaluar në realitete të reja, si sfidë ndaj fatit të vet. Ato realitete veprojnë në kohë, kalojnë në të ardhmen, por kanë ekzistencë përmes kujtesës edhe në të kaluarën.
Poeti Fran Tanushi na dha poezi me domethënie të mëdha ekzistenciale të jetës në lëvizje, duke na kujtuar se fjala poetike ka aftësi të na i mbajë gjallë vlerat tona më të shtrenjta. Fjala e poetit të ndjerë Fran Tanushi, na e mban përjetësisht të gjallë kujtimin për të si mjeshtër i fjalës, si shok, mik dhe bashkëkohës i yni.
Ne jetuam dhe vazhdojmë të jetojmë në kohën e Fran Tanushit, ndërsa ai u largua në përjetësi, duke na lënë si kujtim vargjet e tij.