Salman Rushdie: Shkruaj për lexuesit, jo për kritikët

S’mund t’ia lejosh vetes të mendosh për kritikën kur po shkruan librin. Është tepër e vështirë ta shkruash librin dhe në të njëjtën kohë, të rrekesh të hamendësosh si do të jetë reagimi kritik ndaj tij. Por them se i përfytyroj mjaft mirë lexuesit e mi. Ndërsa vitet mbi supe më shtohen, interesohem gjithnjë e më shumë për mënyrën se si lexojnë njerëzit, çfarë ka të ngjarë t’i largojë dhe t’i tërheqë. Jam bërë më i vetëdijshëm për lexuesin. Them se kur isha më i ri thjesht shkruaja; nëse lexuesit shfaqeshin diku, shumë mirë, nëse jo, s’prishte punë. Kam pasur një lloj qëndrimi shumë më të ashpër. Por tani jam vërtet i interesuar të lexohem, për dukurinë e leximit dhe si, nëse informacionin e jep në rendin e saktë, mund të tregosh gjëra shumë të ndërlikuara, të cilat për lexuesin bëhen të rrokshme, kanë lidhje me ta dhe u ngjallin dëshirën për t’i zbuluar. Për shembull, në rastin tim, gjithmonë kam menduar që komedia ndihmon shumë. Mendoj se nëse arrin t’i bësh njerëzit të qeshin, mund t’u thuash gati çdo gjë. Nëse s’i bën dot të qeshin, s’do të duan të të dëgjojnë për një kohë të gjatë. Kjo është e para. Por për kritikët, për një lloj reagimi kritik ndaj asaj që shkruaj, s’mendoj dot. Dua të them se në këtë moshë kupton se ka njerëz që s’do ta pëlqejnë çfarëdo që të shkruash.

Kësisoj, e dija që mund të shkruaja librin më të mirë që mund të shkruaj dhe sërish do të kishte disa që thjesht s’do ta pëlqenin, dhe s’ka gjë për t’u çuditur këtu. Kjo është arsyeja pse në librari ka lloje të ndryshme librash, që njerëzit të zgjedhin atë që u pëlqen. Prandaj s’më shqetëson kjo. Përnjëmend s’më shqetëson reagimi i kritikës. Kur ke shkruar disa libra, e ke të qartë drejtimin nga do të shkosh. Këndvështrimi im është: tani për tani do të shkoj në këtë drejtim dhe vërtet shpresoj se dëshironi të vini me mua. Shpresoj ta shijoni udhëtimin dhe kështu me radhë, por nëse, për çfarëdo arsyeje, s’mund të më shoqëroni në këtë udhëtim, unë do të vazhdoj të ndjek rrugën time. Dhe atëherë merr me vete kë të mundesh në këtë arrati. Mendoj se, në përgjithësi, kam pasur goxha shumë shoqërues gjatë arratisjeve të mia. Mund të parashikoj se kur ndodh aksident me kritikën letrare gjatë udhëtimit, sepse e marr me mend, por në njëfarë mënyre kjo s’ka rëndësi.
Dua të them, mbaj mend që në një lloj epoke të parainternetit kishte një kohë kur revista të ndryshme letrare përdoreshin për të botuar recensione në mënyrë anonime dhe më e famshmja Times Literary Supplement s’i përmendte kurrë emrat e kritikëve të saj. Ideja ishte që të krijohej përshtypja që ishte Times që po jepte mendimin e saj për veprën tënde dhe jo një individ. Dhe pastaj në kohë tjetër, them se diku në vitet 1980, kjo politikë u ndryshua duke vënë emrat e kritikëve. Menjëherë vlerësimet u bënë shumë më të matura, sepse emri i kritikut i bashkëngjitej kritikës letrare.
S’ka dyshim se mënyra si jetojmë me internetin është gjysmë imagjinare. E para, njerëzit përdorin emra të rremë gjatë gjithë kohës, përdorin vazhdimisht pseudonime dhe për këtë arsye, mund të shpikin vetveten për të qenë në internet pa i pyetur se kush janë. Mendoj se kjo mund të jetë e mirë dhe e keqe. E shoh qartë se çfarë ndodh në pjesë të botës që janë shoqëri më pak të hapura, që anonimati i lejon njerëzit të shprehen pa frikë. Dhe mendoj se ka një lloj lojcakërie në këtë. Shpik për veten një emër të çmendur dhe mbase mund të jesh një person pak më ndryshe me atë personalitet sesa të mundesh të jesh si vetvetja. Kështu, ka shumë për të thënë për këtë çështje. Dua të them se më pëlqen shumë lojcakëria dhe një lloj aspekti çlirues i saj.
Një lloj shqetësimi që kam për disa përdorues anonimë të internetit është se kjo krijon deri diku dukurinë e karremit. Duke qenë plotësisht i sigurt pas ekranit të emrit imagjinar, ti mund të jesh shumë, shumë i pasjellshëm. Kam frikë ndonjëherë se po bëjmë të mundur të kemi një brez njerëzish shumë të vrazhdë që mund të flasin në internet në një mënyrë që kurrë s’do të flisnin nëse do të ishin në dhomë me ty. Ky është shqetësimi im. Por mendoj se, në përgjithësi, është një hapësirë e gjallë. Është një hapësirë ku njerëzve u pëlqen të jenë shpikës dhe imagjinues për veten e tyre dhe teknologjia u lejon ta bëjnë këtë.

Shënime për letërsinë dhe kombin

Mëllenja po këndon Cilgëri te pyllishta
Pa pushim si rrjedha mbi gurët e myshkëta
S’është aq e moçme sa thithëlopa e Cors Fochno-s
Me lëkurën e ngjitur në kocka.

1
Pak shkrimtarë i këndojnë me kaq pasion tokës së të parëve të tyre sa R. S. Thomas-i, një nacionalist uellsian i cili, me anë të poezive që sjellin në vëmendje, pohojnë, kthehen në rapsodi, krijojnë mite, kërkon të shkruajë për kombin si qenie e ashpër lirike. Megjithatë, është po ky R. S. Thomas, i cili po kështu shkruan:

Urrejtjes i duhet një kohë e gjatë
për t’u rritur dhe kjo imja
ka nisur të rritet qysh kur linda;
S’ushqehet nga toka mizore,
por prore
e kam për veten k’të urrejtje, ësht’ imja

Është befasuese të shohësh se sa hapur pranohet diçka e përafërt me urrejtjen për veten në vargjet e një bardi kombëtar. Por ndoshta vetëm kështu mund të shkruajë një shkrimtar nacionalist. Kur imagjinata merr dritë nga pasioni, atëherë ajo sheh errësirën ashtu si dhe dritën. Të ndiesh në mënyrë kaq të egër, do të thotë të ndiesh njëherazi përçmim dhe krenari, urrejtje dhe dashuri. Ky përçmim krenar, kjo dashuri urrejtëse, shpesh ngjallin ndaj shkrimtarit zemëratën e kombit. Kombi kërkon himne, flamuj. Poeti të jep paqetësi. Zhele.
2
Ekzistojnë lidhje mes zhvillimit historik të “narrativës” binjake të romanit dhe shtetit-komb. Shtjellimi i një rrëfenje në fletën e bardhë drejt synimit të fundmë ngjan me imazhin që ka për veten një komb, që përshkon historinë për të përmbushur fatin e tij të paracaktuar. Pavarësisht sa tërheqës mund të jetë një paralelizëm i tillë, unë e shoh atë me shumë rezerva. Njëmbëdhjetë vjet më parë, në kongresin e famshëm të PEN në Nju-Jork, shkrimtarët e botës diskutuan “Imagjinatën e shkrimtarit dhe imagjinatën e shtetit”, një temë e cila ka shkëlqimin e temës së parapëlqyer të Norman Mejlërit, një vizion që pa dyshim ai e ka pasur kur shkruante.
Është e habitshme se në sa mënyra mund të interpretohet kjo “dhe” në titullin e konferencës. Për shumë nga ne, do të thotë “kundër”. Shkrimtarët afrikano-jugorë, Gordimer-Coetzee, në kohën e aparteidit u rreshtuan kundër përkufizimit zyrtar të kombit, duke e shpëtuar ndoshta kombin e vërtetë nga ata që e kishin marrë peng. Xhon Apdajk krijoi një himn lavdërues për kutitë e vogla postare të Amerikës, të cilat për të ishin emblema të përhapjes së lirë të ideve. Danilo Kiš na ka dhënë një shembull “të shakasë” që ka bërë me të shteti: një letër që ai mori në Paris, ishte nisur nga ajo që atëherë quhej Jugosllavi. Brenda zarfit të vulosur, në fletën e përparme të zarfit, ishte stampuar fjalia: “Kjo letër është e pacensuruar.”
3
Kombi ose bën pjesë të tij shkrimtarët e vet më të mëdhenj (Shekspiri, Gëte, Tagore) ose kërkon t’i shkatërrojë ato (ekzili i Ovidit, ekzili i Soyinka-s). Këto fate nuk janë kaq të ndara nga njëri-tjetri. Mosnderimi i shkrimtarëve nuk është i denjë për letërsinë; shkrimtarët e mëdhenj shkaktojnë trazim në mendje dhe në zemër. Ka nga ata që besojnë se persekutimi është diçka e mirë për shkrimtarët. Kjo nuk është e vërtetë.
4
Kini parasysh shkrimtarin që e sheh veten si zëri i një kombi. Bëhet fjalë për kombin e racës, gjinisë, orientimit seksual. Kjo është rryma e re e të “të folurit në emër të…”. Kini parasysh ata që flasin në emër të…” Kjo rrymë e re kërkon, lartësohet, thekson pozitiven, paraqet udhëzime turbulluese morale. Tmerrohet nga kuptimi tragjik i jetës. Ta shohësh letërsinë si pashmangshmërisht politike, do të thotë që vlerat politike të zëvendësojnë vlerat letrare. Kjo e vret mendimin. Kini kujdes!
5
Po ju them që pasaporta ime është jeshile. Amerika po vë shpatullat e mia të hajthme në rrotën e historisë. Për të farkëtuar çelikun e shpirtit tim, ndërgjegjen e pakrijuar të racës sime. Shqipëria e Kadaresë, Bosnja e Ivo Andriçit, Nigeria e Achebe-s, Kolumbia e Garzía Markezit, Brazili i Jorge Amado-s tregon që shkrimtarët e kanë të pamundur të mohojnë ngadhënjimin e kombit, shkulmat e tij në gjakun tonë. Shkrimësia si harta e një vendi: si hartografi e imagjinatës. (Ose siç mund ta shkruajë teorika moderne kritike sot, “Imagi/ Nation”. Në shkrimet më të mira, sidoqoftë, harta e një vendi është harta e botës.
6
Historia është bërë e diskutueshme. Si pasojë e Perandorisë, në epokën e superfuqisë, pas “gjurmëve” të thjeshtëzimeve që na japin satelitët, zor të biem dakord për thelbin e debatit, e jo më për kuptimin e tij. Letërsia bëhet pjesë e këtij qarku. Historianët, zotët e medias, politikanët, nuk e vrasin mendjen për ndërhyrjen e bezdisshme të letërsisë, por ky i paftuar është kokëfortë. Në këtë atmosferë të paqartë, mbi këtë tokë të nëpërkëmbur, në këto ujëra të pista me baltë, letërsia ka lëndën e saj të parë.
7
Nacionalizmi po kështu mund t’i korruptojë shkrimtarët. Të tilla ishin ndërhyrjet helamtisëse të Vide Limonovit për luftën në ish-Jugosllavi. Në kohën e nacionalizmave në kuptimin më të ngushtë të fjalës, në kohën e nacionalizmit si thirrje për luftë e fisit, shkrimtarët mund ta gjejnë veten duke shqiptuar këto klithma lufte të fiseve të tyre. Sistemet e mbyllura kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e shkrimtarëve. Kjo është arsyeja pse është shkruar kaq shumë për burgjet, forcat policore, spitalet, shkollat. A është kombi një sistem i mbyllur? Në këtë moment të ndërkombëtarizimit të gjithçkaje, a ekziston ndonjë sistem që mund të mbetet i mbyllur? Nacionalizmi është “revolta ndaj historisë”, e cila kërkon të mbyllë atë që nuk mund të mbahet më e mbyllur. Të vendosë kufij tek ajo që duhet të jetë pa kufij. Letërsia e mirë shkruan për një komb pa kufij. Shkrimtarët që kanë shkruar për ekzistencën e kufijve janë shndërruar në roja kufiri.
8
Nëse shkrimësia kthehet në mënyrë të përsëritur te kombi, ajo po ashtu në mënyrë të përsëritur largohet prej tij. Qëllimisht çrrënjosja intelektuale (Naipaul) e sheh botën si një inteligjencë të lirë, duke shkuar atje ku është veprimi dhe duke ofruar raporte. Intelektuali, qëllimisht i paatdhe (V.S Naipaul), e sheh botën ashtu si mund ta shohë një njeri me inteligjencë të lirë, duke dëshmuar ngjarjet ashtu si ndodhin. Intelektuali i paatdhe, kundër vullnetit të tij (një kategori shkrimtarësh në të cilën bëjnë pjesë shumë shkrimtarë të shkëlqyer arabë), refuzon mbylljen në një rreth refuzues për të. Një paatdhesi e tillë përbën një humbje dhe mall të madh. Por edhe fitore. Kombi pa kufij nuk është fantazi.
9
Një pjesë e madhe e letërsisë së epërme nuk ka nevojë për përmasën e të qenit publik. Agonia e saj vjen nga brenda. Sfera publike s’është asgjë, ashtu siç nuk ishte për shkrimtaren amerikane Elizabeth Bishop. Burgu-liria-lënda e shkrimësisë është diku tjetër.
Nina nana.
Kombet zemërohen,
Shuhen si të mos ishin kurrë.
Hija e koçekut të misrit një kafaz i madh
mbi mur

(Marr nga portali “ExLibris”/ gazeta e përjavshme letrare & kulturore).

Përktheu: Granit Zela