Në përpjekjet e vazhdueshme për sensibilizimin, rritjen e numrit të nxënësve dhe hapjen e klasave të reja me mësim plotësues në gjuhën shqipe në landin e Bavarisë. LAPSh-i jo vetëm që punon në këtë drejtim, por është bashkëpunues dhe kërkon nga çdo bashkëkombës, shoqatë, prindër dhe njerëz me ndikim, që së bashku të punojmë në ruajtjen e gjuhës amtare te fëmijët tanë. Duke hapur këtë dritare sjellim ngrohtësinë, rrezen e atdheut, ruajmë identitetin, fëmijën nga asimilimi!
Duke vlerësuar gjuhën amtare vlerësojmë atdheun, mbi të gjitha e bëjmë më të dashur gjuhën shqipe te fëmijët mërgimtarë. Ky angazhim për mësimin plotësues vije në saje të kryesisë, aktivistëve dhe mësimdhënësve të LAPSh-it, të cilët mbështesin pafundësisht mbarëvajtjen e këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe jetik për fëmijët tanë në diasporë.
Vetëdijesimi i bashkëkombësve, rritja e numrit të nxënësve, hapja e klasave të reja në shumë qytete të Bavarisë dhe ato që presin për t’u hapur dita-ditës na dëshmon se kemi vullnet për ruajtjen e gjuhës amtare te fëmijët tanë, që pa fajin e tyre janë larg atdheut.
Si shumë qytete tjera të Bavarisë, që presin hapjen e klasave të reja, së shpejti pritet të hapet klasë në gjuhën shqipe edhe në qytetin e Weissenburg-ut. Për këtë klasë kërkojmë një mësimdhënës i cili plotëson kriteret e mësimdhënies (për informim shtesë na shkruani në Email: info@lapsh-bavari.de).
LAPSh-i ju bënë thirrje gjithë shqiptarëve që jetojnë në Weissenburg me rrethinë bëhuni pjesë e atyre prindërve të cilët ju kanë bashkangjitur thirrjes tonë, për t’i dërguar fëmijët në shkollën shqipe, që ua mundësoni fëmijëve tuaj të mos e harrojnë gjuhën amtare, shqipen e bukur!
Me respekt LAPSh-i në Bavari
koordinatori Mustafë Krasniqi