Shqipëria dhe Kosova prezantojnë tekstin e përbashkët- “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I

Qendra e Botimeve për Diasporën, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të Republikës së Kosovës, prezantoi ditën e sotme tekstin e përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I.

Ky tekst është produkt i fazës së parë të punës së Komisionit të Përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën. Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, u shpreh se ky takim shënjon një arritje të rëndësishme në procesin e njësimit të politikave të të dy vendeve në fushën e mësimdhënies në Diasporë. Tashmë, në shkollat shqipe jashtë vendit, Shqipëria dhe Kosova do të kenë të njëjtën qasje ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, duke vërtetuar se diaspora dhe gjuha shqipe na bëjnë bashkë duke shkrirë të gjitha dallimet gjeografike, historike, politike e kulturore. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, në fjalën e saj u shpreh se është e vetëdijshme që ka akoma punë për të bërë, por puna e arritur deri tani është tregues i një bashkëpunimi të mirë. Ky hap i parë do të ketë dobinë e vet me përafrimin e fëmijëve në Diasporë me gjuhën shqipe. Znj. Nagavci vijoi se është e rëndësishëm njohja e gjuhës së vendit pritës dhe po aq i rëndësishëm njohja e gjuhës amë. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë një obligim të jashtëzakonshëm që të punojnë më shumë për të krijuar mundësitë më të mira për fëmijët shqiptarë në Diasporë për të rritur interesimin për gjuhën shqipe.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës shprehet e bindur se ky produkt është rezultat i punës së përbashkët dhe tregues që do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e mundësive sa më të mira për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, në fjalën e saj u shpreh se mësimi i gjuhës shqipe është një nga faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. “Ne për vite me radhë kemi dërguar tekste në Diasporë dhe kjo falë punës së Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe punës së Qendrës së Botimeve për Diasporën. Diaspora shqiptare është një pasuri e madhe dhe është në interesin tonë të ruajmë gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar, sidomos te fëmijët në Diasporë”, tha ajo. Ministrja Kushi vijon fjalën e saj me rezultatet e punës së bërë deri tani nga puna dhe bashkëpunimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Përfaqësuesi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, drejtori i përgjithshëm, z. Sokol Dedja, në fjalën e tij përgëzoi punën për krijimin e tekstit të përbashkët Shqipëri-Kosovë edhe në emër të Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Shqipëria dhe Kosova kanë përgjegjësinë dhe detyrimin që nëpërmjet bashkëpunimit të institucioneve të tyre dhe politikës së jashtme nëpërmjet përfaqësive diplomatike të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar. Rritja e cilësisë së arsimimit të fëmijëve shqiptarë në Diasporë përmes mësimit të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare mbetet, përveçse detyrim edhe mision i rëndësishëm për të gjithë ne, pasi Diaspora është front i punës sonë të përbashkët. Ai e mbylli fjalën e tij duke theksuar se puna do të vazhdojë në mënyrë që çdo anëtar i Diasporës ta ndjejë atdheun pranë vetes. Kryetarja e Komisionit të Përbashkët, znj. Anila Ferizaj, në fjalën e saj falënderoi dhe shprehu mirënjohje për ministritë e arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës për mbështetjen prej viti 2015 dhe Ministrin e Shtetit për Diasporën. Në vijim ajo shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë mësuesit shqiptarë në Diasporë, të cilët me misionin e tyre fisnik, me sakrificat dhe përkushtimin ruajnë dhe promovojnë gjuhën shqipe, prindërit që janë të ndërgjegjësuar për t’i dërguar fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe për fëmijët që ndjekin kurset e mësimit të gjuhës shqipe me dëshirën për të njohur gjuhën dhe kulturën e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Ajo falënderoi edhe anëtarët e Komisionit që kanë punuar me përkushtim, profesionalizëm dhe me dashuri për finalizimin e këtij procesi. Ky tekst i përbashkët përcjell mesazhin e rëndësishëm që ne kemi qenë bashkë në këtë rrugëtim dhe duke investuar së bashku për fëmijët shqiptarë në Diasporë ne kemi investuar në të ardhmen e kombit. Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën i ngritur në zbatim të Marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur në Tiranë, më datë 23.03.2015, ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë”, e që ka në përbërjen e tij anëtarë nga ministritë e arsimit dhe diasporës të të dy vendeve, ka punuar për gati dy vite për harmonizimin e legjislacionit të dy vendeve, miratimin e standardeve të përbashkëta për tekstet mësimore në diasporë, duke shtruar kështu rrugën për një politikë të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për mësimdhënien në diasporë.

Qendra e Botimeve për Diasporën, në përmbushje të misionit të saj për mbështetjen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 756, datë 23.9.2020, “Për funksionimin e Komisionit të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për miratimin e teksteve të përbashkëta për diasporën”, ka ushtruar rolin e koordinatorit dhe mbështetësit të procesit të njësimit të teksteve mësimore për diasporën(diasporashqiptare)