Shtegtime nëpër Atdhe – Vau i Dejës – qyteti i ndërtuar mbi qytetin e zhdukur mesjetar

Berat Luzha

Vau i Dejës – qyteti i ndërtuar mbi qytetin e zhdukur mesjetar

Nga Berat Luzha

Qyteza e sotme Vau i Dejës është qyteti i dikurshëm mesjetar i zhdukur i Dejës apo i Danjës. Vau i Dejës ndodhet në Zadrimën e epërme, nën pendën dhe hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe në brigjet e lumit Drin, aty ku Drini del nga malet në fushën e Zadrimës. Vau… është një qytezë e vogël historike në rrethin dhe qarkun e Shkodrës, rreth 18 km nga Shkodra dhe 35 km nga Lezha. Është qendër e bashkisë e 47 fshatrave dhe gjashtë njësive administrative. Bashkia ka rreth 50 mijë banorë, kurse njësia administrative e Vaut të Dejës – rreth 13 mijë banorë.
Vau i Dejës njihet si vendbanim që nga kohët ilire, gjë që e vërtetojnë shumë varreza të zbuluara ilire. Deja ose Danja, përmendet si peshkopatë e varur nga kryepeshkopata e Tivarit në shek. XI. Ishte qytet strategjik, me histori interesante edhe në epokën e Skënderbeut. Deja kontrollonte rrugën e karvanëve, d.m.th. kalimin e Drinit me lundra primitive në Vaun e Dejës, pasi për kalimin e lumit paguhej taksë e majme.
Qyteti i Dejës në shek. XIV u mor nga Principata e Balshajve, kurse në vitin 1396 Gjergji II Balsha ia dorëzoi Venedikut. Në vitin 1423 Deja ra nën turqit, është çliruar nga turqit në vitin 1443, kurse në vitin 1445 ishte bërë mollë sherri mes feudalëve të kohës, Nikollë Dukagjinit dhe Lekë Zaharias. Në konfliktin mes këtyre familjeve feudale është vrarë L. Zaharia, kurse pastaj nëna e Lekës ia dorëzon qytetin sërish Venedikut. Për shkak se Skënderbeu e kërkonte qytetin me çdo kusht, filloi një luftë mes forcave të Skënderbeut dhe Venedikut. Rrethimi i qytetit nga forcat e Skënderbeut, në vitet 1447 – 1448, doli i pasuksesshëm. Dejën e rimorën osmanët nga venedikasit në vitin 1479, kur qyteti merr tatpjetën drejt shkatërrimit përfundimtar. Sot në qytetin e vjetër mund të shihen vetëm disa mure të kështjellës dhe gërmadhat e një kishe. Kështjella e Danjës, ku gjendet Kapela e Zonjës së Dejës, e ndërtuar për nder të fitoreve të Gjergj Kastriotit ndaj venedikasve, ndodhet në një kodër shkëmbore në lartësi mbidetare 120 m. Kjo kështjellë e shek. XIV, si qendër e rëndësishme episkopale e ushtarake dhe si pikë strategjike e kontrollonte rrugën Shkodër – Prizeren dhe fushën e Zadrimës me rrugët drejt Shkodrës e Lezhës. Në këtë kështjellë ndodhet Kisha e Shën Markut, që përmendet në vitin 1400, e shpallur monument kulture në vitin 1984.
Vau i Dejës shtrihet në krye të një fushe të gjerë e të begatshme, fushës së Zadrimës, zonë kjo e njohur për prodhime bujqësore dhe blegtorale. Para viteve ’90-ta banorët e Vaut të Dejës dhe rrethinës punonin në hidrocentral, në fabrikën e bakrit dhe në bujqësi e blegtori. Edhe sot HEC-et e mëdha Vau i Dejës e Koman, si dhe HEC-et e vogla private Ashta 1 dhe Ashta 2 prodhojnë energji elektrike. Pos prodhimit të energjisë elektrike, liqeni i Vaut të Dejës e përmbytë fushën e Nënshkodrës me rastin e shkarkimeve të ujit gjatë shirave të mëdha. Sipërfaqet e rrjedhat ujore përbëjnë pasuri të madhe natyrore, siç janë liqeni i Vaut të Dejës dhe lumenjtë Drini e Gjadri, që krijojnë kushte dhe mundësi reale për zhvillimin edhe të turizmit natyror, të peshkimit etj. Megjithë pasuritë natyrore që ka treva e Vaut të Dejës, niveli i papunësisë dhe i emigrimit është shumë i lartë.
Liqeni i Vaut të Dejës është krijuar me ndërtimin e digës së hidrocentralit në lumin Drin në Va të Dejës. Është liqeni i parë artificial i ndërtuar dhe i fundit i kaskadës së Drinit. Liqeni ka tri diga, më e larta është 90 metra. Punimet për ndërtimin digave të HEC-it dhe krijimin e liqenit, me sipërfaqe prej 25 km2 e thellësi më të madhe 52 m., kanë filluar në vitin 1967. HEC-i ka pesë turbina, secila me nga 50 MW, gjithësej 250 MW. Tri turbinat e para janë lëshuar në prodhim në vitin 1970, dy turbinat e fundit, në vitin 1975. Pos rëndësisë ekonomike, viteve të fundit liqeni është kthyer edhe në një destinim i rëndësishëm turistik. I rrethuar nga malet me pyje të pasura të pishave, liqeni paraqet peisazh mjaft tërheqës. Pos peshkimit në liqenin e Vaut të Dejës ndodhen plazhe të vogla dhe organizohen shëtitje me barka.

Kështjella e Vigut, e shpallur monument kulture në vitin 1973, daton që nga koha e perandorit romak me prejardhje ilire, Dioklecianit, si një garnizon ushtarak në rrugën e rëndësishme Lis – Naisus, aty ku rruga kryqëzohej me rrugën Shkodër – Orosh.
Në malin e Shën Mëhillit në mesjetë ngrihej qyteti i Sapës, i cili kishte dioqezën dhe kështjellën e fortifikuar. Kështjella e Sapës, e shek. XIV – XV, e shpallur monument kulture në vitin 1963, ndodhet në fshatin Nënshat. Qyteti i Sapës është shkatërruar nga tartarët në shek. XIII.
Në një ishull në liqenin e Vaut të Dejës, i formuar pas ndërtimit të digës, ndodhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës ose, siç njihet sot, kështjella e Shurdhahut. Qyteti i Sardës, rreth 15 km nga Vau i Dejës, deri në shek. XV ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore, ipeshkvore dhe stacion pushimi. Nga viti 1431 deri në vitin 1491 Sarda ishte dioçezë në vete, pastaj iu bashkua Dioçezës së Sapës. Sarda ishte vendbanimi i familjes së Dukagjinëve, ku kjo familje kishte pallatin mbretëror. Pushtimi otoman e ka shkatërruar në vitet 1474 – 1479. Sot Sarda është pikë turistike në një ishull të pabanuar në liqenin e Vaut të Dejës, ku ende ndodhen rrënojat e Pallatit dhe e një kishe romake.
Një monument i rëndësishëm kulture në rrënoja është Kisha e Shën Mërisë, e ndërtuar rreth viteve 1300 në luginën e malit të Dejës. Thuhet se kisha është vizituar nga qifti Gjergj dhe Donika Kastrioti, kurse në afërsi të saj ndodhet varri i Princit të Danjës, Lekë Zaharisë.
Në fshatin Kukël, afër Bushatit, ndodhet Qendra Muzeore kushtuar poetit kombëtar, Ndre Mjedjes. Qendra përbëhet nga kisha dhe qela (shtëpia ku ka banuar 30 vjet poeti). Objekti i qelës është ndërtuar në vitin 1906 dhe i kishës në vitin 1913, kurse shtëpi-muze është shpallur në vitin 1962. Në vitin 1991 shtëpia-muze “Ndre Mjedja” ishte mbyllur e materialet ishin bartur në Muzeun Historik të Shkodrës.
Në Temal ndodhet Nekropoli, që njihet në arkeologji si “Kultura e Komanit”, i shpallur monument kulture në vitin 1973. Nekropoli i shekujve VI – VIII, me 150 varre të zbuluara, shtrihet në një kodër 586 m mbi nivelin e detit dhe në sipërfaqe prej 1 hektar. Vendbanimi mesjetar i Komanit, është monument kulture që nga viti 1963 dhe, në vitin 2015 është shpallë zonë arkeologjike.
Në këtë zonë, si theksuam, ndodhen shumë monumente të trashëgimisë kulturore e historike dhe monumente natyrore, si: kështjellat Shurdhahu, Sarda, Sapa, Dalmece, Danja, Vigu, qendra muzeale “Ndre Mjedja”, kisha të vjetra, shpella e objekte tjera me vlera të larta natyrore, historike e arkeologjike. Mirëpo, qyteza e Vaut të Dejës duhet të vizitohet, para së gjithash, për historinë e saj. Natyra e bukur e Vaut të Dejës, me liqenin, malet e kodrat përreth, të veshura me gjelbërim, krijon pamje magjepse, bukuri të rralla. Ky vend u siguron turistëve plazh, peshkim, piknik, shëtitje me barka në liqen, kanotazh, kalërim, vizitë objekteve historike etj. Një kuriozitet i veçantë i liqenit dhe i kësaj zone është kalërimi. Kuajt janë të një race të zgjedhur, elegant…, të cilët, gjatë kalërimit futen në liqen bashkë me kalorësin.