TË GJITHË SË BASHKU MUNDEMI-TË DISKUTOJMË…

SHKRUAN: MUSTAFË KRASNIQI

        Bisedë e Lirë

Pse prindi nuk e dërgon fëmijën në shkollë?

Thërras të gjithë bashkëkombësit,  te të gjitha trojeve shqiptare, të Shqipërisë Etnike, të bashkuar të veprojmë për të shpëtuar pjesën më vitale të kombit, fëmijët tanë mërgimtarë!
Fëmijët të cilët, pa fajin e tyre, brezi i dytë ka filluar ta belbëzoj gjuhën e bukur, gjuhën shqipe. Pra, nëse ne dhe institucionet tona rrinë të heshtura, në përgjumje, ka drojë se e ardhmja e tyre do të vije deri te asimilimi!
Për të mos u përsëritur këto skenat të dhimbshme të asimilimit, ne, shqiptarët kudo që jemi së bashku të punojmë në këtë drejtim, pa ndikime fetare, politike dhe ato partiake.

Të nderuar bashkëkombës mërgimtarë, kudo që jeni, fëmijëve tanë mërgimtarë t’ju ofrojmë dashuri për atdheun, gjuhën amtare!  Duke parë një situatë tepër shqetësuese te mërgata jonë shqiptare, konkretisht për shkollën shqipe, ne duhet të marrim përsipër një nismë serioze e me sfida të mëdha, për të ruajtur fëmijët tanë nga asimilimi. Duke kërkuar një bashkëpunim të ngushtë me faktorë të rëndësishëm institucional dhe atë të mërgatës (me mësimdhënës, ambasada, përfaqësitë konsullore, shoqatat, bizneset, këshillat e prindërve dhe me prindërit në përgjithësi), me qëllim që ta kemi një mërgatë të fuqishëm dhe të bashkuar në unifikimin e mërgatës shqiptare, në vetëdijesimin e ruajtjes së gjuhës amtare. Përmes opinioneve, analizave dhe përvojave të përgjithshme,  shkencëtarisht, ta japim një mendim mirë të studiuar, se si duhet t’i qasemi këtij fenomeni në të ardhmen, së bashku me institucionet tona përkatëse, Shqipëri-Kosovë “Pse prindi nuk e dërgon fëmijën në shkollë”?  Dhe mbi bazën e kësaj pyetje  të nxirret në pah gjendja reale, duke analizuar dhe studiuar në detaje, se ku qëndron problemi i fëmijëve shqiptarë, i atyre fëmijëve që nuk e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare!

Për këtë, të gjithë ta japim të mundurën, ashtu siç dimë dhe mundemi, për të arritur deri te qëllimi i arritjes, që prindërit të mos i ndalin fëmijët e tyre nga mësimi i gjuhës shqipe e, fëmijët ta vijojnë mësimin plotësues me dëshirë dhe të jenë të bindur se gjuha amtare duhet ruajtur dhe mësuar, sepse përmes saj identifikohen, ruajnë kulturën, historinë dhe traditën shqiptare.

Nëse duam, së bashku mundemi dhe do t’ia arrijmë qëllimin, vizionin dhe misionin e rrugës së rilindësve, që gjuha shqipe te fëmijët tanë të mos harrohet, por të mbetet e shenjtë dhe shpirtërore, nëse ne ua ofrojmë rrugëzgjidhje të mundshme, e t’i bindim prindërit!

Të nderuar bashkëkombës, seriozisht ta marrim këtë nismë, ata që kanë ide, opinion, këshilla, së bashku të diskutojmë dhe të nxjerrim një mendim të përbashkët dhe të bashkuar, pa pretendime partiake, fetare inatesh, po thjeshtë për interesin e fëmijëve tanë mërgimtarët, që ata të ndjenë më afër gjuhën shqipe. Atë në shkollën shqipe me mësim plotësues!

Unë po ju drejtohem si një bashkëkombës i juaj, mërgimtarë, i përvujtur me këto halle që i keni ju dhe gjithë mërgata shqiptare dhe për të diskutuar po i shtroj disa pyetjeje për diskutim dhe uroj që të jemi serioz, pa emocione dhe fyerje, se shpesh po ngjet që po tejkalohet qëllimi i përgjithshëm në individualizëm.

Të mundohemi t’i shtjellojmë këto pyetje, po që ka edhe të tjera gjatë diskutimit mundemi t’i vejmë në diskutim.

 pyetjet:

  1. Sa jemi duke punuar, si komunitet shqiptar, për ta sensibilizuar çështjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, tek bashkëkombësit mërgimtarë?
  2. Si duhet të veprojmë, për ngritjen e vetëdijes kombëtare, për ta ruajtur gjuhën te fëmijët mërgimtarë?
  3. A duhet të jemi një zë, për mërgatën shqiptare, për ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë?
  4. A duhet të jetë i domosdoshëm unifikimi i diasporës shqiptare, për shkollën shqipe?
  5. Ku qëndron problemi, që fëmijët nuk e vijojnë mësimin e gjuhës shqipe?
  6. Forma e qasjes, për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqipe, sipas jush cila është?
  7. Çfarë duhet të bëjmë ne si komunitet i mërgatës, që fëmijët t’i sjellim në mësimin plotësues?
  8. Ku mendoni se qëndron problemi, që prindërit shqiptarë-mërgimtarë nuk janë të bindur, që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollën shqipe?
  9. A  është i rrezikshëm asimilimi, te fëmijët tanë shqiptarë-mërgimtarë? – Nëse; po! Pse? – Nëse; Jo! Pse?

Bashkëkombës së bashku mundemi t’ia arrisim qëllimin, vizionin dhe misionin , ndërsa ata që duan të kenë shkrime rrethe kësaj teme, shkrimet i dërgoni në emailin: infouraebashkuar@gmail.com

Të diskutojmë për të arritur qëllimin tonë!