Tufë poezi nga Hasan Qyqalla

LULËGONXHE

Bart dhembjet nën sqetull
Në prehër shuan etjet, ne gjoks urinë
Me shpirtin madhor, gjer në ringjallje!

Trotuaret shtohen me varfëri
Çdo gur kalldrëmi një qiri ndezë
As shiu, as bora, as stuhitë se ndalin.

Dora miklon fytyra te zbehta
Përkëdhel fijet e zjarrit
Portat rrinë hapur
Sot e njëqind vjet të përmotshme!

Ne bijtë e shekullit të ri
Në çdo pragstinë
Ulem në prehrin tënd me lule në dorë
Unë dhe Ti jemi: Ëmë e birë!

LULEBORË

Në blozën e shpirtit, si ta prek me dorë
Çeli leht petalet, aromëngjyrë Luleborë!

Si në teatër, tragji-komedi shekspiriane
Dashnor Venediku, vdesin e ringjallen sonte.

Komet e meteorë, tani qetë…qetë shuhen
Kot së koti është, jet’ e ëndërr shprushen.

Seç vret guximi, fjalën peng – lënë
“Luleborë”- më quajnë, gjithë në Adanë !

U njohëm n’teatër, ngjyrosëm dashurinë
Kur thanë Lulebore, në shpirt mërdhinë!

DHIAT… !“

Nuk di pse rrjedhë loti ditën me Diell
Me Hënën fjalos kokëvarë tek parmaku
Mbyllë me shtat kyçe kalëron në dell
Nat’ e zbrazët ç’prafullon zjarr oxhaku.

Heshtë kur flet apo flet me heshtjen tej
Kurrë mos vdis me fjalën e pathënë
Dhe krojet e lotëve të kthehen në liqej
Ters i Pojanit sa nata-dita pengzënë…!

Sodit copëplagën mesnatën Hije trishtë
N’vrushkull lotësh nxjerr helm gjarpri
Eh… pse truan motin për çastin e brishtë
„Dhiat’ e vjetër“, gjoksnjom mërgimtari…!

NJOHJA ME ELIN NGA ÇAMËRIA

Jam molisur nga udhëtimet e gjata,
N’pritje t’këngës Çamëria shurdhër fle
Unë thyej kufi shtetesh e futem n’atllase
Më thuaj ku të lashë? Të pyes ku më le?

Me vizën e kuqe n’indeksin e kaftë
Për disa muaj do çmallemi në valë
Ty çame e njomë vesa mos te raftë
Shqip kur më pyete:_”Si të thonë,or djalë?”

Unë emër Orienti, ti paksa Helenase
Gjurmonim rrënjët në buzë të detit,
-Jam deg’e degdisur,-the,-s’jam Kretase
-Shikim’ i parë si goditje e tërmetit!

Tok takuam Nolin ne teatrin antik
Dramë arvanitase luante çuditërisht
Loti i vakët mbi faqe të rrëshqet
Kodi i gjakut tuaj foli arbërisht.

-Ç’ke zemër të pyeta me qetësi
-Duke ndjerë tënden zbrazëtirë-hon
-Fjala zemër, si në shqip u gjegje
-N’asnjë gjuhë BESA nuk tingëllon!

U njohëm që të vuajmë,apo kush na ndau?
Ti ngele në ishull,unë kthyer n’atdhe
U dogjën dhe letrat,syri shqip qau
S’më kujtohet ku të lashë? e di ku më le!?

Në fillim të kthimit e mora disi lehtë
Madje s’thosha dot as fjalën “dashuri”
Por tërësisht i qullur nga stuhia jote 
Thellë në zemrën time po ndjeje mërdhi!

Mbaje premtimin me forcën e dëlirësisë
Letrat e malluara si rërë e zhuritur
Ruaje emrin tënd Eli e Çamërisë
E yllta ime arbëreshë gjakshprishur!

Nëse më pret diku, pse këtë s’ma the
Nuk di që të lashë,nuk di që më le
Nëse më lexon, të lus për një Ftesë
Çamërisht më fto kurrë të mos vdes.

Atje do të vij prapë në një ditë gushti
Trageti i fundit do më sjellë në Kretë
Të të gjej gjurmët në hirin nga prushi
Apo vetmin të zgjoj në plazhin e shkret.

TA BËJMË SHQIPËRINË …

Atje ku bebzë e Tokës buron gjak
Atje ku Bes’ e Flamur n’arkë, n’miqësi
Atje ku n’bisht ngreh kokë bajlozi plak
Krenarisht ajo Tokë quhet Shqipëri…

Atje ku janë ndërtuar kullat Dardane
Bajraqet ngritur lart në atë Troll
Loja e fëmijëve në gjuhë Ilirjane
Atje, ajo Tokë quhet Kosovë…

Atje ku fushëmejdanet kundërmojnë barot
Ku “Kali i Trojës” merr turr e vrap
Ku loket përkundin djepat me këngë e lot
Ajo palcë Tok’ e bekuar, Kosovë quhet prap…

Atje ku ëmbël përkdhelen valët e detit
Ku Nora e Kelmendit shkroi “parahistori”
Atje ku Oso Kuka n’krye t’arbanasëve të kepit
Derdhi gjakun shqip vetëm për Abëri…

Atje ku flasim, qajmë e qeshim edhe sot
Ku u mbajt kongresi n’zemër të Manastirit
Bilbilat e kombit n’akord me gaz e lot
N’Abetare të shkruhet kjo Tokë është ILIRI…

Atje ku vampirët sot luajnë lojën e djallit
Sofrat janë shtruar me bukë, krip e zemër
Është këngë e plumb roje majë lisit të malit
Luginë e Shqiponjave ju thonë për emër…

Atje ku edhe sot pallen bijtë e Helen – usit
Edhe ai Dhe është i shqipeve Çamëri
Për ne tash po vie (ndoshta) treni i fundit
Unik në një Truall, ta bëjmë Shqipërin – SHQIPËRI.

VDEKJA KRENARE
-Familjes Jasharaj-

U përkula para Teje: t’më dëftosh Ti, o Trim
U gjunjëzova para syve: t’thellë sa deti I Arbërit
U përshëndetëm pa zë: për Nder të fisit tim
U ndamë në heshtje: unë n’udhën e mërgimtarit.

Shqiponjë në këngë Kosove
Gjergj epokal i trungut të ri
Baladë shekulli hyre prore
Kandil kombi i brezit të ri…

Fryj një çast puhi marsi: flladit qerpikun e atdhetarit
Ndal rënkimin lum Prekazi: flakadan përtej malit
Zjarr, o trim nga trimëritë: Kosovë djep i Shqiptarit
„Ndal!“ – i the dhunës barbare mbi bijtë e Arbërit.

Kur këndohen këngë Lirie
Sjell voglushët çdo shkurt e mars
Të takoj në tel poezie
Dritë, legjendë,…histori në laps…!