Tufë poezi nga autorja Erina Çoku

Erina Çoku

Erina Çoku boton triologjinë “Frymë” – tri vepra poetike të mëvetësishme: “Fill”,
“Rrëfime të vogla për shenja të mëdha”, “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”

DY FJALË LEXUESIT

I dashur lexues,

“Fill”, “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” dhe “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, janë tri vepra poetike të mëvetësishme, të cilat të marra së bashku formojnë një të tërë – trilogjinë “Frymë”.

Kjo jetë është një udhëtim. Jemi duke udhëtuar pandërprerë në gjithçka: në kohë e në hapësirë, gjithmonë shtegut për diku, gjithherë diçka duke bërë. Një cikël udhëtimesh, udhësh, që nga rrethi në rreth të çojnë, ku? Nëse jemi me fat, të gjitha udhët na çojnë më lart, më larg, por në rastin më të mirë, ato në fund kthehen te vetja e te gjithësia që na rrethon, shkrirë në një.

“Fill” është përpjekja e parë dhe më e vështirë e këtij udhëtimi nga vetja – te vetja – përmes vetes, drejt gjithësisë. Një përpjekje për të çarë koracën, për të dalë gjallë, shëndoshë e mirë dhe për të vijuar udhëtimin. Përpjekje, e cila zhvillohet e bëhet një betejë e madhe për të mbijetuar, për të jetuar. Është një kapje në një fill, në cilindo fill, për gjallim: për të dashur e për t’u dashur; për të njohur e për t’u njohur.

E gjitha kjo, duket si një përvojë e parë e njohjes me botën. Por jo. Unë e quaj një përpjekje për t’u gjetur së brendshmi, për të kuptuar anatominë e vetes (duke shmangur kështu autopsinë e vetes), pasi thellë-thellë, ky udhëtim (kjo njohje) është e vetmja njësi matëse që na është dhënë për të kuptuar botën e të tjerët, dhe për t’u vendosur në një vend më të qëndrueshëm në hapësirën e këtyre dy të fundit.

Filli shumë i hollë (gati i padukshëm) që mund të shenjojë jetën tonë si shpëtim a mbrojtje, shpesh mund të jetë një fjalë, një ndijim (sytë e dikujt, dora e prindit, zëri i fëmijës), një lule, pemë a gur a veç një dritëz, që në dëshirën për t’u mbushur me frymë, merr një fuqi hyjnore.

Përpjekja për të dalë në breg, për t’ia dalë dallgëve e për të mbetur gjallë ka një adrenalinë, një dhembje të shkëlqyer forcuese dhe është e vetmja mënyrë për t’u lindur, mes dhembjes, frikës e të qarave. Këtë e kemi provuar ditën që lindëm, por nuk e mbajmë mend, edhe pse është një model që e përdorim gjatë gjithë jetës për të mbetur në jetë e për t’u rilindur, nëse është nevoja.

Libri “Fill” dëshmon rënien e krijesës në ujë dhe daljen e saj në breg shëndoshë e mirë, me ndihmën e një filli që përgjatë udhëtimit, lundrimit, betejës merr forma e rëndësi të ndryshme, por mbetet gjer në fund shpëtimtar.

“Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” është rrethi tjetër i gjallimit. Kapja pas jetës, frymës dhe gjetja e fijeve që na mbajnë gjallë, mbeten pjesë e mënyrës sonë të funksionimit, por duke hyrë në një fazë të re frymimi unë përpiqem të rrëfehem, të dëshmoj.

Prej daljes gjallë, kërkohet mbetja gjallë, njohja e frymës me qëllim ruajtjen e saj. E gjitha në përpjekje për t’u afruar me hyjnoren, universin. E gjitha, duke ndier veten si pjesë të së tërës dhe të tërën si një mëvetësi të papërsëritshme.

Janë rrëfime të lëna në libër (ku libri bëhet fryma vetë, ëndrra, zemra, tempulli etj.) që tregojnë se gjithçka që prekim e na prek lë shenjë në ne (e anasjellë), ndërkohë që pranojmë se ne vetë jemi një shenjë në gjithësi.

Vetëdijesimi se jemi gjallë për pak kohë na tremb, por pajtimi me këtë cikël jete që ka fillim e mbarim, si pjesë e një tjetër cikli që ka fillim e mbarim (ku mbarimi i diçkaje bëhet fillimi i një tjetre) është një lloj fuqie tjetër. Një fuqi e re që siguron paqe, qëndrueshmëri dhe ndoshta një shteg për të mbetur gjallë dhe për t’u pajtuar me gjallimin vetë.

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje” matet me kohën e pakohë të jetës dhe plotëson, por nuk e mbyll udhëtimin e frymës në tempujt që i kemi gjithmonë me vete: trupin, shpirtin dhe hapësirën mes tyre. Një udhëtim i vetëdijshëm përbrenda, i zhvilluar në kohë paqeje e kërkimi shpirtëror: kohë kur plagët shkaktuar prej furtunave tashmë të mbyllura vijojnë të krijojnë një hartë force e shëndeti në trup e shpirt.

Ky udhëtim, tashmë i shkarkuar nga nocioni kohë dhe hapësirë, dëshiron të rrëfehet prej meje si një e tashme (lexuar në të shkuarën dhe dëshmuar në të ardhmen) ku dëftej pa frikë banesat e mrekullueshme ku unë si udhëtar kam gjetur strehë përtëritëse: vetminë, dashurinë dhe përsiatjen (që poetikisht e kam emërtuar në këtë vëllim “qyteti i ideve të kulluara”– “vend” imagjinar për t’u menduar e kthjelluar).

Koha jonë është e kufizuar, koha për të gëzuar të gjallët është e kufizuar. Ne jetojmë sot, duke e ditur se ka mbarim, por edhe identifikohemi si një premtim për të nesërmen, që do të bëhet një e tashme. Nuk e dimë si, nuk e dimë kur.

A është e bukur vetmia? Është pjesë e jona, po aq sa edhe dëshira për të mos qenë të vetmuar. Kuptimi me vetminë, kalimi i shtruar dhe i qetë (aq sa është e mundur) nëpër të, çon në një vetëdijesim të ri, në një gjendje të re që lajmon aftësinë tonë për të dashur e për t’u shkrirë me tjetrin e gjithësinë.

Një bashkudhëtar fantazmagorik, si Uka: një Û (uri), Ujë (mëkim), Uk-Ujk (zjarr e Tokë) dëshire e dashurie, sa i vërtetë – sa i shpikur, në një ëndërr e zhgjëndërr jete, është dëshmi rritjeje shpirtërore të gruas brenda gruas, të burrit brenda gruas, të botës që rri ndërmjet të dyve, të njeriut që edhe në vetminë e tij më të skajshme nuk është asnjëherë vetëm.

Një bashkudhëtar, si Zoti i kudogjendur, si njeriu i dashur, si tjetri a si Toka e Qielli, përplotëson universin dhe mua vetë, teksa kërkohem e gjehem – copëz gjithësie.

I gjithë libri është një dashuri historie shpirti dhe ashtu siç ndodh në një histori dashurie, ai dëshmon: kohën e vetmisë që çon në një kohë kërkimi dashurie; njohjen e dashurisë që çon në njohjen e trupit, shpirtit; dashurinë që fitojmë për gjithsej na rrethon.

Secili vëllim ka diçka nga vëllimi tjetër: një farëz e mbjellë në vëllimin e parë, me shumë gjasë çelet plotësisht në vëllimin e dytë ose të tretë; një perceptim i nisur në të dytin merr formën e vet të plotë në të tretin; një trajtë kuptimore e nisur në të parin përfundon në të dytin a të tretin; një cikël në vëllimin e tretë e ka zanafillën në të parin e kështu me radhë.

Brenda tri rrathëve ka sa e sa rrathë të vegjël që t’i vetë do t’i zbulosh bashkë me mua.

Uroj ta lexosh me dashuri e të gjesh diçka nga vetja!

JEMI GJALLË GJER NË MBRËMJE

Jemi gjallë gjer në mbrëmje
dhe të gjallë endim një litar gjer në qiell
mbahemi, kalamendemi lehtë
mbahemi, shpirtin thurim me diçka
pastaj në mbrëmje shtrihemi në shtrat
me kujtesën e qiellit si brengë të pambaruar.

Mandej flemë e shohim një ëndërr
sikur jemi gjallë gjer në mëngjes.

Aty në ag zgjohemi, e kujtojmë dashurinë.
Se jemi gjallë. Prandaj jemi gjallë.
Gjer në mbrëmje, sërish.

ZEMRA JOTE

Sekondë,
gjithsej çahet e të hyj në zemër.

Kubé e kuqe, jam brenda teje
tkurresh të më përqafosh
lëshohesh të më lësh të gjallë.

Sekondë,
jam orë e gjakut tënd.

Gjithë trupin ta shëtis
gjithë mendjen ta banoj
gjithë shpirtin gjallë ta mbaj.

Sekondë,
sikur bota të matej me jetën në zemër.

KUR TË SHKOSH TE ZOTI

Kur të shkosh te Zoti – te Zoti kur të shkosh
fjalët e mëdha do të të shpjegojnë fjalët e vogla
dhe fjalët e vogla do të të tregojnë për fjalët e mëdha.

Ti nuk do të pyesësh: Përse?
Ti do ta dish, përgjigjen.

Kur të shkosh te Zoti – te Zoti kur të shkosh
vetëm dashurinë do të marrësh
vetëm dashurinë do të kesh.

Ti mos pyet: Përse?
Ti do të më kesh përgjigje.

Kur të shkosh te Zoti – te Zoti kur të shkosh
bota e gjitha brenda teje do të kthehet,
fillimi e mbarimi në një.

Ti nuk do të thuash: Përse?
Ti do të jesh përgjigjja.

(Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2022)

I dashtun Ukë,

Mbramja afrohet pa u ndi,
bishë pa dhambë me na ngranë kohën.
Trupi e ndien ethen, qetësi nuk gjen.

Diçka gjakun do ta pushtojë.

Ti ke pa një andërr,
trupin mbushë me ndjesi sa me plasë.
E çka? Fli o i fjetun, fli.

Mbramja afrohet
e si dora ime e dridhun
bie pa fjalë flokëve tu.

Andrra jote asht e imja.

Unë nuk mundesha me fjetë,
e ajo erdh me gjetë strehë te ti,
pushtue krijesës që je.

Po çka? Edhe në andërr ti…

Ajo drenushë, jam unë dashnue me sytë e tu.
Ai ujk e dre, jam unë shpërba pa u gjetë në ty.
Ajo andërr jam unë, unë brenda teje.

Po ti fli o i fjetun e mos u tut.

A don t’bahem gjahtar, t’i vras krijesat e egra pyjeve tu?
A don t’bahem zanë, t’i mbledh andrrat para nate?
A don me fjetë, t’bahem unë gjumi yt?

Mbramja po vjen, e bashkë me mu pushtohet frymës tande.

*Nga libri: “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”