Tufë poezish nga poeti Emin Z. Emini

Shkruan: Emin Z. Emini

Hapa e ecje

bojërash ylberi do shtrihet 
velenxë e dhirtë prej flokësh dëbore
sqimëplotë do mbulonjë 
mesnatën e moshës në kukëza

hënë e zverdhur turpit 
për zvjerdhjen e yjeve 
që në vetmi e heshtje 
të digjen i la mbi malet e kreshpëruara
gjerësa qumështi i mëllënkshur 
derdhet droçkash

qielli shkrihet kokrrizash
qeleshet përskuqen

nëpër rrudhat e shekujve 
dhëmbja ka frulluar e përcëlluar 
plagët e kafshimit të pamëshirshëm

pa patur gjëkundi dritë 
në tunelin pa frymëmarrje
mbi gjolet e gjakut kuqezi
në mëngjes 
do mbinjë një portokalle

e bota do thërres
oleee
dil moj keçe dil mor djalkë
pëllumbat e bardhë 
therrorë qiellit iu dhanë

lartësish së tija varur 
zuri të valonjë
flamur i sqaqur i lirisë së munguar

paskëtaj me pahir 
ndërruar paskësh gjithçka dioptri

tani përse na zuri pingërima
gjëma

ku mbet sqep i totemit të kryqëzuar
për të arnuar torzon e shpirtit e trupit

mëmëdhe 
edhe kur s’të dua mëmëdhe
merrmë në gji
mua të pandreqshmin e devotshëm 
me trajtë antikrishti

Telat

mesnatë
erë dimrake frullonte në qytetin e boshatisur
tek-tuk lëvizte ngadalë ndonjë makinë
ndanë rrugës të kërrusura të thata
degët e pemëve kërcisnin nga acari

telat e ndarë të korentit
vijëzonin qiellin e mortisur

era me duart e akullemta
çupërisht i lidhi gërshet’ telat e ngrirë

të marrosur
mizorisht u perqafuan
fatalisht u puthën

e para puthje xixa u nxorri
puthja e dytë flakë i ndezi
e treta i shkrumboi

degët panë si zjarri i tyre
pa i djegur ato
dogji dimrin

befas belhollës
telit të fortë pra
iu shprish gërsheta
u këput
këmbë e kokë ra përtokë

mes qiellit e tokës
në heshtje
të vetmuarit i plasi zemra

një plakë kërcure që kishte harruar nga i bie dera e shtëpisë
në mjekrrën sqepar
teksa ndukte dy-tri qimet e gjata të thinjura
u lut për shpirtin e tyre

kush nuk beson se kjo është vdekja më njerëzore
dashuria

Asnjërës sime

ka shumë moira sot
siç për shembull
eva e pamëkatshmja e mollës së mëkatit 
doruntina e nëntë varreve të konstantinëve
zhan d’ark eskimezja anonime ana frank
lukja virgjër që shiste mishtë e saj strukur në lëkurën e huaj
monaliza që ua ka vjedhur me sytë vëngër buzëqeshjen vejushave
elektra e pakompleks
lolita e mikut tim të çmendur pas bukurisë së fajshme
që fëmijërinë ia maste me inch me foot me spermë
nënëshenjta bojëgjakja gonxhja
spikerja e parashikimit të motit në televionin kombëtar kamboxhian
ajkuna ana rihanna artemida aida
helena e trojës së rrënuar nga shprishja e gërshetit të saj
aktorja e teatrit të rrugëve
desdemona dora d’istria diana
gruaja ime princesha kontesha dukesha mbretëresha e esha pafund
pijanece heroina perëndesha e shejtane
dhe për shembull edhe gra të tjera
kukulla e kukudhe e kukuvajka
floçka e feçka e ferra

ka shumë moira sot

dhe je ti moirë
që je të gjitha bashkë
që nuk je asnjëra nga këto

Dashnorët e përçdovitshëm

bojaxhesha fytyrëstërpikur 
nga qiejt që s’mbajnë
tund e shkund bishtin e pelës

havaja ndërron çehre

gafil e kapi peizazhin
vjeshtës i zuri ndyshk 
unaza në gisht

fustani i brymtë
fërshëllen farfurit

dhëndrit e bardha i mungon

me thonjtë e egër ia shqyen ngjyrat
dashnorës së përçdovitshme

kurvëplaka gjetherënë 
e ka me hak të nxjerrë
buzëkuqin e fshehur në arkë

edhe pa të
të pakurorë
tinëz natës së vonë 
vjeshtë e dimër 
cullak
keqas kryqëzojnë këmbët
në të njëjtin shtrat