Urim i Ministrit të Shtetit, Pandeli Majko, për Ditën e Diasporës Shqiptare

Nga Pandeli Majko

Nga Pandeli Majko – Sot në 18 Dhjetor, në Ditën e Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, uroj me zemër të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë të Diasporës kudo ku janë nëpër botë.

Diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në Rilindjen Kombëtare dhe fitimin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Pa përpjekjet e patriotëve shqiptarë në Diasporë, gjuha, identiteti dhe pavarësia jonë do të ishin rrezikuara.

Diaspora e Re shqiptare është ndër Diasporat më aktive në shumë shtete të Evropës. Kontributi i përfaqësuesve të Diasporës sonë, si asaj të mëparshme dhe asaj të re në vendet ku ndodhet është tërësor, në të gjitha sferat e aktivitetit shoqëror dhe ekonomik.

Shqiptarët e Diasporës janë shquar dhe shquhen për punë intensive dhe të përkushtuar, aftësi krijuese, integritet, profesionalizëm dhe sjellje të përgjegjshme në jetën në komunitet. Kontributi i tyre në Atdhe është i jashtëzakonshëm. Dijet që kanë sjellë në Shqipëri kanë mundësuar suksesin e qindra mijëra nismave në fushat shoqërore, kulturore e artistike, por edhe të dhjetëra mijëra sipërmarrjeve në ekonomi. Në 3 dekadat e fundit 1991-2019 përllogariten rreth 21 miliardë euro të hyra në Shqipëri nga dërgesat e Diasporës, si asaj të re dhe të mëparshme.

Qeveria shqiptare ka përkushtuar njerëz dhe fonde për të ndihmuar që Diaspora shqiptare të lidhet më fort me vendlindjen. Janë krijuar dhe po konsolidohen struktura si Agjencia Kombëtare e Diasporës (http://akd.gov.al/) , Fondi i Zhvillimit të Diasporës (https://www.adfd.al/), Qendra e Botimeve për Diasporën (http://qbd.gov.al/ ), Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët(http://qspa.gov.al/, Dhoma e Biznesit të Diasporës ((http://adbc.gov.al/) apo Rrjeti i Profesionistëve të Diasporës (https://rrjetiprofesionisteve.al/ ).  Po punohet në sistem dhe në vijimësi që interesimi i shumë sipërmarrësve të Diasporave tona për të investuar në Atdhe të konkretizohet sa më mirë dhe më shpejt.

Brenda tre viteve, nga viti 2017 janë miratuar dy strategji kombëtare për Diasporën. Në 1 janar hyn në fuqi Strategjia e Re Kombëtare e Diasporës 2021-2025.

Falenderoj partnerët ndërkombëtarë, Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), Bashkëpunimi Zviceran (SECO) dhe Bashkëpunimi Italian (Cooperazione Italiana in Albania), Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Misionin e Bashkimit Europian dhe Zyrën e Bankës Botërore në Tiranë por edhe shumë institucione të tjera, për ndihmën e tyre të pakursyer në fuqizimin e aktivitetit të disa prej strukturave të mësipërme.

Falenderimi më i madh shkon për shqiptarët që japin kontributin e tyre larg vendlindjes, por që sytë e mendjes dhe të zemrës i kanë aty ku flitet shqip.

Ju faleminderit dhe gëzuar Ditën e Diasporës Shqiptare! ( Nga Portali Diaspora Shqiptare)