Vaxhid Sejdiu me arsimdashës të tjerë, pishtarë të mbajtjes gjallë të gjuhës dhe shkollës shqipe në Mërgatë

Prof. Ahmet Qeriqi

Shkruan: Prof. Ahmet Qeriqi

Libri,  “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”,  e profesor dr. Vaxhid Sejdiut është një enciklopedi e llojit të vet, në të cilën është përmbledhur po thuajse tërë aktiviteti i autorit dhe i sa e sa mësuesve, mësimdhënësve, mësimdhënëseve, veprimtarëve e arsimdashësve shqiptarë, të cilët me mund e përpjekje të pandërprera, në kushte gjithnjë sfiduese, ia kanë dalë dhe po ia dalin ta mbajnë gjallë gjuhën dhe shkollën shqipe në Kantonin e St. Gallenit në Zvicër, me aq sa ua kanë lejuar dhe ua lejojnë kushtet, në rrethanat ekzistuese shpeshherë të pafavorshme, të vështira dhe me plot sfida.

Isuf Bytyçi: Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit – Vatër e bashkimit kombëtar

Autori, Vaxhid Sejdiu, është emër i njohur i shkencës, kulturës, arsimit por edhe veprimtar i palodhshëm në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ka një biografi të pasur të aktivitetit arsimor, pedagogjik, letrar, publicistik, të gjitha këto të vëna në shërbim të kombit e Atdheut, në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve, sidomos në Mërgatë, ku “lufta” për të ruajtur gjuhën e traditën, aq sa mund të ruhet, është një luftë e vështirë dhe shumë e dhembshme për shkak se proceset nëpër të cilat po kalon mërgata jonë, janë të lidhura me gjendjen dezintegruese që mbretëron në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore dhe në Mal të zi.

Pamundësia e krijimi të faktorit unik kombëtar, shqiptar, të ndarë në pesë shtete, ka bërë që të mos kemi një qëndrim të unifikuar  në segmentet më të rëndësishme të jetës kombëtare, shoqërore, ekonomike, politike, arsimore, kulturore, diplomatike, etj.

Duke qenë të ndarë në pesë shtete, edhe pse në një kompaktësi etnike territoriale, ne nuk kemi arritur të faktorizohemi në nivelin e kombeve që janë  faktorizuar shtetet e kombet e Ballkanit e më gjerë.

Mungesa e krijimit të faktorit unik shqiptar, është shprehur dhe shprehet edhe në raport me Mërgatën, jo vetëm në Zvicër, ku ajo është mjaft mirë e organizuar edhe për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë atje, por jo edhe në Gjermani, Austri, Francë e në shtete të tjera të Evropës e më gjerë.

Pavarësisht kësaj, me aq sa kanë lejuar kushtet e rrethanat, arsimdashësit shqiptarë, veprimtarët, aktivistët, krijuesit,  zyrtarët shqiptarë  të integruar në qeverisjen e vendit ku jetojnë e të tjerë,  kanë arritur të mbajnë gjallë frymën e përgjithshme kombëtare, gjithnjë në përpjekje për ta ruajtur sa më shumë identitetin, gjuhën, kulturën, traditën e brezave të rinj që lindin atje,  deri në ati nivel që mund të ruhet falë një angazhimi të gjithanshëm dhe të pandërprerë.

Në këtë mes ka bërë emër të mirë sidomos, profesor doktor, Vaxhid Sejdiu me bashkëpunëtorët e tij të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare që jetojnë dhe veprojnë veçmas në kantonin e St. Gallenit, në Zvicër.

Monografia: “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar” pasqyron më së miri aktivitetin e gjithanshëm, të pandërprerë dhe të vazhdueshëm të “rilindësve” të kohës sonë, të cilët kanë ngarkuar mbi supet e tyre barrën e rëndë për ta ruajtur gjuhën shqipe dhe për ta transmetuar te brezat e shqiptarëve të rinj, në një shtet ku liria e shprehjes, besimit, gjuhës dhe e përkatësisë kombëtare nuk njeh diskriminim klasik, sikur në disa shtete të tjera e veçmas në shtetet e Ballkanit. Pavarësisht kësaj, pakicat e ndryshme kombëtare që jetojnë në Zvicër, orientim primar kanë integrimin e përgjithshëm në shtetin ku jetojnë, qoftë përkohësisht, qoftë ku mendojnë të jetojnë përgjithmonë.

Në kushte dhe rrethana të tilla, ruajtja e gjuhës, e identitetit dhe traditës kulturore është një sfidë individuale,  familjare e të gjithë shqiptarëve dhe pjesëtarëve të pakicave të tjera kombëtare që jetojnë atje dhe që duan ta ruajnë identitetin e tyre gjuhësor.

Por ajo që vërehet  nga leximi i librit, “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”, është treguesi më i mirë i  pasqyrimit  të gjendjes reale, që mbretëron në këtë kanton, sa u përket shqiptarëve, të cilët duken shumë të mobilizuar për ta ruajtur gjuhën e kulturën e tyre  jo në dëm të integrimit, por brenda mundësive reale që i lejon gjendja e tillë, ku individi flet pa pengesë dy e tri gjuhë, ashtu sikur i kemi folur gjithnjë gjatë historisë, madje edhe në trojet tona, duke qenë me shekuj nën robërinë e perandorive të mëdha të botës.

Mundësitë që ofron sot zhvillimi i teknologjisë informative, niveli gjithnjë në përsosje i këtij komunikimi ka përparësisë e veta, të cilat i kanë shfrytëzuar dhe pritet t i shfrytëzojnë edhe brezat e ardhshëm. Shembulli i prezantuar në këtë libër lidhur me përpjekjet që janë bërë prej më shumë se 30 viteve për ta ruajtur gjuhën, shkollën, arsimimin elementar  flet vetvetiu me shembuj të shumtë të aktiviteteve të pandërprera të qindra e mijëra mësuesve, veprimtarëve, krijuesve vullnet-mirë dhe të orientuar drejt në qasjet e tyre për të kontribuar gjithandej ku mund të lihen gjurmë, ndikim dhe përparim të brezave, pa ua  dëmtuar rrugën e tyre të integrimit të domosdoshëm.

Libri ka vlera të shumta përshkuese, analiza, komente, vështrime, aktivitete konkrete në shkollat e ndryshme, në klube, shoqata, organizata. Ilustrimet e prezantuara, po thuajse në çdo faqe të librit tregojnë më së miri se deri ku është shtrirë aktiviteti i përgjithshëm i tërë një armate arsimtarësh, veprimtarësh e personalitetesh, që kanë dhënë dhe po japin një kontribut të çmuar, në drejtim të ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor të shqiptarëve kryesisht mbi baza vullnetare.

Autori i librit, Vaxhid Sejdiu,  është njohës i thellë i metodologjisë së punës shkencore, andaj edhe ka arritur që brenda një libri pre 475 faqesh të integrojë një lëndë shumë reprezentative, e cila pasqyron në mënyrë të tërësishme tërë atë aktivitet shumëvjeçar, duke mos lënë anash as edhe detale me interes të punës dhe angazhimeve të tij personale, por edhe të stafit e stafeve me të cilët ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon, në këtë veprimtari të dobishme, atdhetare, për ruajtjen e gjuhës shqipe, me aq sa lejojnë edhe kushtet objektive e subjektive. Puna dhe aktiviteti i prezantuar në këtë monografi flet vetvetiu, se cili është niveli që mund të arrihet me vullnet, besim në forcat që disponon individi dhe një  kolektiv  i organizuar për mrekulli (RKL).