Zoti atë ditë nuk ishte në Dubravë

(Në kujtim të masakrës së Dubravës)

Sali Bytyqi

Nga Sali Bytyqi

Zoti atë ditë nuk ishte në Dubravë

Më 22 maj 1999 në Dubravë mungoi Zoti.
Ishim ne, në njërën anë
Në tjetrën serbët.

Zoti nuk ishte aty.
Ishim ne shqiptarët pa asgjë
Ishin serbët të armatosur deri në dhëmbë.

Zoti mungoi atë ditë në Dubravë.
Përndryshe, si do të lejonte të ndodhte ajo që ndodhi?
Si nuk do t’i pëlciste zemra kur të shihte gjithë ato viktima?

Përse nuk e ndalonte gjakderdhjen?
Përse rrinte aq indiferent Zoti?!
Zoti atë ditë nuk ishte aty.

Vetëm ne ishim dhe serbët.
Prandaj serbët vranë aq sa vranë
Prandaj serbët e ndaluan vrasjen kur deshën vetë.

Po, më 22 maj 1999 Zoti na braktisi
Na la të vetëm përballë serbëve të etur për gjak
Zot nuk kishte në Dubravë atë ditë.