Arkitektura në Iliri
Banesa nga prehistoria deri në vitin 168 p.e.sonë
– Arkitektura Sepulkrale
– Arkitektura e kultit
– Teatrot
– Shëtitoret
– Sporti dhe Stadiumet
– Ndërtime Inxhinerike
– Rrugët dhe Urat
– Banesa nga prehistoria deri në vitin 168 p.e.sonë
Banori i periudhës së hershme (2.6 milion-100.000 p.e.s.) dhe të mesme të Paleolitit (100-30.000 p.e.s.) ishte Njeriu i Neandertalit (Homo Neanderthalensis). Për shkaqe misterioze, të panjohura deri sot, neandertalasit u zhdukën nga fundi i paleolitit të mesëm (40.000 p.e.s.), për t’ja lënë vendin njeriut të Cro-Magnonit, species së njeriut të sotëm (Homo sapiens sapiens). Gjurmët e para të jetës në arealin Ilir, të Paleolitit të Mesëm dhe Paleolitit të Lartë (30.000-12.000 p.e.s.), i përkasin pikërisht Homo sapiens sapiensit, gjuetar dhe mbledhës frutash.
Gjatë periudhës së akullnajave (110.000-12.000 p.e.s.), veçanërisht në maksimumin e tyre (25.000 p.e.s.), kufiri i jetës, ai i permafrostit, kalonte në cakun e sipërm të gadishujve Iberikë, Apeninë dhe Ballkanikë. I ftohti dhe nevoja për ushqim e përqendruan njeriun evropian në tre rifuxhio, treva strehime: në Gadishullin Iberik, Ballkanin Qendror dhe Ukrainë.
Rreth 12.000 vjet p.e.s. akujt u tërhoqën dhe jeta u bë e mundur edhe në viset e tjera evropiane. Ndërkohë, qëndrimi i gjatë, i izoluar i tre grupeve të mësipërm solli mutacione, shndërrime të ADN-së së tyre, duke u veçuar në tre të quajtur haplogrupe. Prej tyre Rlb vijoi përhapjen nga Spanja në Skoci, I-ja nga Ballkani Qendror në tërë Evropën qendrore dhe në Skandinavi dhe Rla në vendet Sllave dhe Pakistan. Kjo do të thotë se flora, fauna dhe njerëzit të cilët tani banojnë Evropën Qendrore, nga Austria në Suedi, fillimisht kanë qenë banorë të territoreve që përkojnë me Ilirinë dhe Greqinë kontinentale.
Kjo lëvizje u krye me një shpejtësi tepër të ulët: rreth 1 km në vit. Si e tillë, shtrirja në eneolit, periudhën e bakrit, ende nuk e kishte arritur gadishullin Skandinav, ndërsa pas kësaj periudhe gjurmët e njeriut dëshmohen edhe në këtë gadishull. Organizimi i parë shoqëror në këto troje, i përket periudhave mesolitike dhe neolitike (9.000-4100 p.e.s.), të cilat përkojnë me lulëzimin e bashkësisë matriarkale. Krahas gjuetisë dhe peshkimit, gjatë revolucionit neolitik lindi bujqësia, zbutja e kafshëve, endja dhe poçaria, e cila, përveç anës utilitare, fitoi dhe vlera artistike.
Neoliti i mesëm (5800-4800 p.e.s.) shënjon një rritje të mëtejshme të popullatës dhe një lidhje më të mirë midis grupeve të vendosur në njësitë gjeografike. Mbështetja e kulturës materiale në elementët e trashëguar dëshmon vazhdimësinë dhe zhvillimin mbi bazën autoktone. Kjo vërehet veçanërisht në periudhën pasuese, atë të neolitit të vonë (3800-2600 p.e.s.) dhe eneolitit, bakrit (2600-2100 p.e.s.).
Gjatë kësaj periudhe, si rrjedhojë e dyndjes së popullsisë nomade të stepave lindore, në krahinat e tjera ballkanike, ndodhën ndryshime të forta etnike. Në të kundërt, në territoret e zëna më tej nga Ilirët nuk vërehet ndonjë ndërprerje e kulturave, përkatësisht përzierje etnike. Përdorimi i veglave prej bakri gjatë kësaj periudhe, më saktë prej bakri arsenikal, ndonëse jo dhe aq të forta por sidoqoftë më të volitshme se ato prej guri, po i hapte rrugën një shoqërie e cila vazhdonte të mbështetej në pronën e përbashkët, por tashmë në gjirin e familjes patriarkale, me një diferencim të punës brenda saj.
Arkitektura e kultit
Monumentet e kultit u shfaqën mjaft vonë në Iliri, nga gjysma e dytë e shek. IV. p.e.s. dhe me përmasa minimale, 3 herë më të vogla se tempulli më i vogël grek. Këto ndërtime të mbyllura, helenët nuk i kategorizonin tempuj/banesa të perëndive, por thesaurose, ndërtime për ruajtjen e thesareve a blatimeve. Në shikim të parë, kjo duket si një prapambetje në fushën e arkitekturës. Por fortifikimet e fuqishme të shek. VI/V p.e.s. si dhe përmasat dhe cilësia e banesave, teatrove dhe shëtitoreve të shekujve V/III p.e.s., aspak inferiore ndaj ndërtimeve të tilla në qytetet greke, tregojnë se arsyeja është krejt tjetër. Kjo shfaqje e vonë dhe përmasat imcake të ndërtimeve të kultit, shpjegohen me dasitë rituale, me karakterin krejt të ndryshëm të besimit ilir të bazuar në traditën para/proto Indo-Europiane (PIE), kuintesencë e së cilës ishte adhurimi i natyrës në natyrë. Presioni i këtij besimi u ndje edhe në qytetet-koloni, ku u parapëlqyen hyjnitë e lashta ktonike dhe objektet e natyrës. Shtrirja uniforme e kësaj dukurie nga Istria në Gjirin e Ambrakisë, dëshmon një botë uniforme shpirtërore, përkatësisht të njëjtën bazë etnike. Simbolika ilire, prej së cilës njihen mbi 60 elemente, shtjellohej rreth forcave dhe elementeve të natyrës. Në Ilirinë e Jugut ajo përqendrohej rreth tokës dhe gjarprit, simbolit ktonik të tokës dhe persistencës së jetës, dhe në Ilirinë e Veriut rreth diellit. Nëse është e bazuar hipoteza se emri “perëndi” e ka rrënjën tek perëndimi i diellit, kjo do të na çonte drejt një kulti diellor. Dielli përfaqësohej nga rrathët bashkë-qendrorë, helika, grup -rrathët, rrota diellore, dielli i Verginas, svastika/kryqi i thyer dhe triskelioni.
Nderimi i kultit të diellit në arkitekturë: dëshmohet në vendbanimin prehistorik të Gajtanit, ku muret e fortifikimit “mbroheshin” prej rrathësh bashkë-qendrorë me gurëc dhe në Rifnik dhe Donja Dolina, ku vatrat e banesave të hekurit të parë zbukuroheshin me svastika dhe meandra. Trajtimi i kujdesur, i tregon këto të fundit altarë të diellit dhe ngrohtësisë së vatrës familjare. Së fundi, Maksimi i Tirit shkruan “Paionët e adhurojnë diellin, të cilin e përfytyrojnë si një disk të vogël majë një shtylle të lartë” (M. Tir. Or. 2. 8).
Nderimi i kultit të diellit si presion i besimit vendas, u ndje edhe në qytetet -koloni. Sipas Herodotit, “Në Apolloni ka tufa të mëdha me dele, te cilat i janë kushtuar Diellit… Natën ato ruhen nga qytetarët më të shquar (450 p.e.s. Hdt. 9. 93)”.
Kulti i gjarpër/dragoit (dracoi, draecena), të cilin miti e lidh me emrin e ilirëve, krejt i papranuar nga besimi grek, haset nga periudha e bronzit e deri më sot. Dragoi ngadhënjen kundër armikut bashkë me luftëtarët ilirë në paftat e mesit në Selcë dhe Gostilje, gjarpri shfaqet në qeramikën prehistorike në Dodonë, byzylykët e grave dhe shket në altorelievet, kolonat dhe amforat. Monedhat e Amantias dhe Kasopeas paraqesin gjarprin kulaç, të Bylisit rreth bririt të bollëkut dhe Olympias rreth shkopit. Në monedhat e kolonive greke në Dalmaci, simbolet e kolonistëve, shqiponjë a kaproll, sulmojnë gjarprin, simbolin ilir. Kur të dy palët pajtohen gjarpri dhe sulmi i simboleve të kolonistëve ndaj tij zhduken.
Zot i truallit të shtëpisë dhe zot i tokës, gjarpri mendohet simbol i kulteve të lashta, për çka krishterimi u mundua ta çrrënjosë atë: Sipas Hieronimit, në v. 365 në Epidaur erdhi Shën Hilarioni i cili mundi dhe vrau “dragoin e madh që njerëzit e quanin Boa” (Hieron.Vita Hilar.3.2), por paradoksalisht dëshmitë e këtij kulti në arkitekturë hasen në kishat paleokristiane, në Paleokastër ku simbol i parë është gjarpri dhe Glamoç, ku vëllezërit Dioskurë mbajnë gjarpërinj në duar. Vitorja, gjarpri i shtëpisë që vazhdon të nderohet edhe sot e kësaj dite, dëshmon këmbënguljen e këtij kulti. Besimi në natyrë i forcave dhe elementeve të natyrës pati për faltore shpellat, drurët dhe burimet. Në Butrint, objekt adhurimi ishte burimi mineral në qendër të agoras. Në qytetin Ilir në Belsh, në breg të liqenit të Seferajt, janë zbuluar figurina terakote të shek. III p.e.s. dhe kocka kafshësh të flijuara, të hedhura në ujë gjatë ceremonive të kultit. Terakotat, që i përkasin një hyjneshe ilire të njësuar me Aferditën,” tregojnë se ceremonia kryhej në natyrë, në ujërat e liqenit. Ky nderim dhe adhurim i ujërave dëshmohet dhe në tokat e Japodëve në Bihaç dhe të Liburnëve në Flanonë.
Teatrot
Burimet shkrimore dhe gjurmimet, na njohin me 21 teatro të periudhës klasike dhe helenistike (Dyrrah, Apolloni, Dimal, Nikaia/Klos, Bylis, Foinike, Antigonea, Buthrot, Gitana/Gumenicë, Dodona, Elea/Velian, Elina/ Elimokastron, Kasopea 1, Kasopea 2, Argos Amphilochikon/Lutro, Arpitsa, Klimatia, Ambrakia 1, Ambrakia 2) Këta teatro përbëjnë 12 % të bashkësisë së teatrove të shek V-III p.e.s. dhe, së bashku me 5 teatrot në Maqedoni, (Dion, Aegai (Vergina), Pella Filipi, Mieza), janë teatrot e vetëm jashtë territorit të commonwealth-it helen.
Qytetet e pajisura me teatër janë kryesisht kryeqytete formacionesh shtetërore (Ambrakia e Pirros, Foinike e Lidhjes Epirote), kryeqendra koinoni (Nikaia/Bylis, Kasopeia e Kasapëve, Buthroti i Prasaibëve, Elea e Eleatëve), apokia (Apollonia, Dyrrah) dhe kryeqendra religjioze (Dodona).
Pajisja me teatër edhe e qendrave të vogla qytetare si Buthroti (5 ha), le të kuptosh për një numër më të madh të tyrin: Jashtë çdo dyshimi, ai ka qenë i pranishëm në qytetet e mëdha, veçanërisht në kryeqendrat politike të bashkësive etnike (koinori) dhe qytetet koloni (apokici). Nga ana tjetër, prania e këtij teatri vetëm në Ilirinë e jugut, tregon se procesi i akulturimit dhe kulturimit në zonat e kontaktit të drejtpërdrejtë me botën helene ishte më i fuqishëm se në pjesët e tjera të arealit ilir.
Jo rrallëherë, forma, madhësia dhe kapaciteti i teatrove janë konsideruar të dhëna terciare, të vlefshme “për të impresionuar njeriun e rrugës.” Ndërkohë këto të dhëna thyejnë kornizën e teatrit si “send në vete për vetveten”, duke u kthyer atë në një aparaturë matëse demografike, ekonomike dhe politike. Nisur nga kapaciteti, teatrot ndahen në të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj. Në teatrin e vogël (1700-2500 spektatorë) renditen Buthroti, Kasopeia 2, Ambrakia 2, në të mesmin (3500- 7500 spektatorë) Nikaia, Gitana, Kasopea 1, Bylisi, Veliani, Velçista, në të madhin (13000-30000 spektatorë) Foinike, Dodona dhe Apollonia, 3 ndër 7 teatrot më të mëdhenj të botës antike.
Prej tyre teatri i Foinikes me diametër 135 m dhe kapacitet 20-22500 spektatorë, renditet bashkë me Hefesin i treti, pas Argosit (154 m) dhe Sirakuzës (139.5 m). Teatrot e Dodonës dhe Apollonisë me diametër 129 dhe 124 m dhe kapacitet 15-18000 dhe 14-17000 spektatorë, renditen të gjashtët dhe shtatët pas teatrove në Argos, Foinike, Sirakusa, Hefes dhe Megalopolis, duke ia kaluar dukshëm teatrove në Epidaur, Sikyona dhe Korinth.
Gjurmimet dhe gërmimet për tetarin janë të mangëta dhe studimet rrallëherë të plota. Por jo vetëm kaq: Hidhësia e debateve të fillimshekullit, solli një frikë dhe nause të studimeve për teatrin, të karakterizuar bukur mirë nga shprehja “problematika e teatrit antik mund të dalë nga këneta ku e kanë fundosur, vetëm nëpërmjet një pune tejet voluminoze, mbresëlënëse dhe kolegjiale”. Për fatin e keq kjo shprehje mbetet aktuale, ndonëse sivjet ajo feston 100 vjetorin e saj.
Kërkimi i pikave repere për analizën tipologjike, tregoi sesa reale është kjo thënie dhe cili është kualiteti i postulateve tabu. Që nga më i thjeshti, nga numri i spektatorëve që herë del 6 herë më i madh dhe herë 6 herë më i vogël, nga aktorët që i vënë të recitojnë në “hatlla”, majë tjegullave të çatisë, dhe deri tek rikonstruksionet e tilla të skenave, që lejojnë ndjekjen e shfaqjeve nga vetëm 13 % e spektatorëve. Kjo dhe sugjerimi i Einstein-it “dysho në gjithçka”, më detyroi që shembujt analogë t’ia nënshtroj analizës ndërdisiplinore dhe mos t’i pranoj symbyllas. Rezultatet janë befasuese.
Arkitekturën e teatrit nuk e kam kundruar si kategori hegeliane “send më vete, për vetveten”, të ngurtësuar në kohë dhe hapësirë, por si kategori dialektike, të zhvillueshme në kohë dhe hapësirë. Në kuptimin se aq sa pjesa teatrale evoluoi në funksion të frymës dhe kërkesave të kohës, aq edhe arkitektura e teatrit evoluoi në funksion të pjesëve teatrale. Postulati cinik i Bernard Shaw “asnjë autor i kualifikuar dhe i padalë mendsh, nuk do të shkruante pjesë teatrale që nuk do mund të viheshin në jetë nga aktori ose inxhinieri i skenës”, është mjaft domethënës.
Këtij cinizmi do t’i shtoja edhe se “askush i padalë mendsh, nuk do të ndërtonte një teatër nëse nuk do kishte spektatorë, qoftë dhe minimalisht të kulturuar. Një sërë elementësh të këtyre teatrove (të humbur a të paqartë kudo tjetër), lejojnë rikonstruksione mjaft bindëse, të datueshme prerë. Kjo na jep të drejtën morale të përgjithësimit për mbarë teatrin e shekujve V/III p.e.s.
Shëtitoret
Nga tërë gjinitë arkitektonike të antikitetit, më e frekuentuara ishte shëtitorja. Nëse ndërtimet e tjera shoqërore: tempujt, teatrot dhe stadiumet funksiononin periodikisht, përgjatë ditëve të festave të perëndive përkatëse, festivaleve dhe olimpiadave, në shëtitoret jeta pulsonte çdo ditë, absolutisht laike dhe e zhveshur nga emocionet.
Element thelbësor i tyre është galeria e mbuluar, ku në kohë me diell të fortë ose shi, të zakonshme për këto gjerësi gjeografike, shëtitej dhe këmbehej mendimi i lirë, kusht ky jetësor për një shoqëri demokratike. Si e tillë prania e shëtitoreve në Iliri është dëshmi materiale e shoqërisë qytetare dhe ndjekjes prej saj të ritmeve mon-dane të botës civile. Në kushtet e mungesës së burimeve shkrimore, kjo dëshmi fiton vlerën e dokumentit historik në shkallën më të lartë të vërtetësisë.
Corso, xhiroja e bulevardit e deri viteve 80 të shekullit të shkuar, e cila përveçse në vendet e Mesdheut nuk haset tjetërkund, ripërsërit në thelb shëtitjen në shëtitoret. Kjo tregon se ato u krijuan dhe u zhvilluan mbi bazën e një temperamenti, të njëjtit modus vivendi (mënyre të caktuar jetese) dhe klime të përafërt: reshjesh të forta në dimër dhe dielli të fortë në verë.
Stoa arkaike, e vogël dhe e mbyllur, lidhet pazgjidhsh-mërisht me tempujt. Ndonëse e shpërndarë uniformisht në tërë botën helene, ajo nuk dëshmohet në Iliri, as edhe në qytetet koloni. Stoa e parë e ngjashme me këtë tip, stoa kurative e Butrintit, shfaqet nga fundi shek. V p.e.s. kur në Greqi ky tip ishte zhdukur nga qarkullimi. Ndonëse strukturalisht e ngjashme me stoat arkaike helene, tiparet e saj janë krejt vetjake, çka tregon se stoa që në fillesën e saj nuk ripërsëritën mekanikisht repertorin e mëparshëm, por kërkoi dhe gjeti forma të reja. Si e tillë arkitektura e tyre pati që në start tipare novatore, të lira nga kanunet dhe tradita.
Në të kundërt me stoan arkaike, shëtitoret e periudhës helenistike dëshmohen që në fillesat e kësaj periudhe, që nga mesi i gjysmës dytë të shek. IV p.e.s.(Apolloni, Kasopea, Dimal, Nikae, Bylis), duke u shpeshtuar ndjeshëm në fillimet e shek. III p.e.s. (Apolloni, shëtitorja Bylis, Antigonea, e tempullit Dodona, Gitana (Gumenicë), Elea (Velian), Batia (Rizovuni), e teatrit Kassopea).
Përveç Greqisë së mirëfilltë kontinentale, shëtitotet përfaqësohen fare dobët edhe në rajonet e tjera helene, gjithsej me pesë shembuj: Katër nga Magna Graecia (Selinus, Heloros, Morgantina, Megara Hyblaia) dhe vetëm një nga pellgu i Mesdheut (Cyrene). Parë në këtë optikë, numri relativisht i madh i shëtitoreve të njohura, 15 të tilla, dhe trajtimi i përkujdesur, dëshmon për një peizazh të pasut dhe sqimatar arkitektonik. Por ndërsa në vendet e tjera, shëtitoret në shek II-I p.e.s. njohën një periudhë lulëzimi, ngjarjet politiko-ushtarake në lliti e këputën këtë proces në çerekun e fundit të shek 3, pas fillimit të luftërave me Romën (219/218 p.e.s.). Ekspedita e egër romake e v. 168 p.e.s., e cila shkatërroi pët një orë 70 qytete i dha fund kësaj gjinie. Ndonëse shëtitoret i përmbahen parimeve të përgjithshme, në trajtimin planimetrik dhe elementet e tyre arkitektonike vërehen një sërë zgjidhjesh të veçanta, të cilat i dallojnë ato nga simotrat bashkëkohëse. Në shembujt e tyre më të arritur shihet gëzimi për eksperimentim, për gjetje formash të reja dhe shkëputje nga kanonizmi i ngurtë tradicional. Ndër to Apollonia, përfaqëson kulmin teknik dhe arkitektonik të mbarë shëtitoreve të botës antike, duke arritur apexin e papërsëritshëm të kësaj gjinie. Ndërkohë Apollonia 2 është pjesë organike e repertorit Ilir dhe jo helen, pasi, ndryshe nga tempujt, ajo u ndërtua në fillimet e shek. III p.e.s. kur qyteti ishte pjesë e shtetit të Pirros. Dhe jo vetëm kaq: tërë elementet dhe konceptet e projektimit të saj lidhen vetëm me një shkollë arkitektonike, atë të Pirros.
Sporti dhe Stadiumet
Përgatitja fizike si synim teotik për përsosjen morale dhe fizike dhe synim praktik për përgatitjen e luftëtarëve të shkathët, fillimisht dëshmohet në qytetet-koloni nëpërmjet institucionit të efebit, djemve mbi 18 vjeç, të cilët për marrjen e të drejtave të plota qytetare duhet të kryenin stërvitjen dhe shërbimin dyvjeçar. Poliedrizmin e kësaj përgatitjeje e dëshmon relievi arkaik (shek. VI p.e.s.) nga Epidamni (Durrësi), ku paraqiten pajimet kryesore të efebit: arribali, vazoja e vajit për lyerjen para mundjes, strigila- spatula për heqjen e llumit pas stërvitjes në palestër dhe diptyhu, tabela e palosshme me dyllë për mësimet në gjimnaz. Më tej, krahas qyteteve-koloni (apoikid), ky institucion dëshmohet nga prania e peripolarkut, komandantit të efebëve territorialë, në rrethinat e Apollonisë, Rabije (Ballsh) dhe Rizon.
Marrja pjesë në Lojërat Olimpike të qyteteve koloni dëshmohet mjaft herët: Në veriperëndim të stadiumit të Olimpit, ndodhet një tarracë e gjatë dhe e ngushtë, ku vargëzohen një sërë thesaurosesh, tempujsh të vegjël ku vendoseshin blatimet e pjesëmarrësve në garat olimpike. Sipas Pausanias, thesaurosi i tretë dhe i katërt ishin të Epidamnit/Durrësit (Paus. 2. 19. 8).
Prej tyre sot ruhet vetëm njeri, i tipit distil me ante (6,5 x 10 m). Thesaurosi, ndahet në parakthinën me ballin e hijeshuar nga dy kolonat mes anteve dhe kthinën ku vendoseshin blatimet. Datimi i thesaurosit në harkun kohor 560-mesi shek. V p.e.s. dëshmon pjesëmarrjen e rregullt të Epidamnit që në garat e hershme olimpike.
Në përshkrimin e mëtejshëm të Olimpit, Pausania ndal në një përmendore, sipas tij të veçantë: “Sipër Pantarkut është karroja e Kleosthenit nga Epidamni, e punuar nga Agelaidi… Kleostheni fitoi në olimpiadën e (512 p.e.s.), me ç’rast i kushtoi (Zeusit) veç shtatores së dy kuajve edhe shtatoren e tij dhe të karrocierit të tij… Në karro shkruhet me vargje elegjiakë Detari Kleosten nga Epidamni më vuri këtu, pasi fitoi me kuaj garën fisnike të Zeusit.” (Paus. 2. 6. 10).
Fragmenti tjetër i Pausanies “Këtu gjenden shtatoret e vrapimit të femijëve, Meneptolemit nga Apollonia e bregut të Jonit dhe Filosit nga Korkyra (Paus. 2. 14. 13)”, dëshmon shpalljen kampionë olimpikë të këtyre dy fëmijëve. Çmimi prej 50 kanash vaji ulliri që i jepej fituesit të vrapit të femijëve Qoeraia), dy herë më i lartë se çdo çmim tjetër, tregon se në këto qytete garave dhe përgatitjes fizike që në moshën fëminore, i kushtohej një kujdes i veçantë.
Nga fillimi shek. IV p.e.s., pas nisjes së procesit të akulturimit, përgatitja e institucionalizuar fizike nis edhe në qytetet autoktone. Dëshmi për këtë janë listat e thearodokoive, kasnecëve që ftonin qytetet dhe bashkësitë (koinoti) për pjesëmarrje në lojërat panhelenike. Në listën e thearodokoive të Epidaurit, të viti 360 p.e.s., grishen në një përzierje shtetesh, qytetesh dhe koinonesh Apeiros
(Epiri), Pandosia (Kastri), Kassopea, Thesprotoi (Tesprotët), Korkyra (Korfuzi) Chaonia (Kaonia), Artichia (?), Molossoi (Molosët), Ambrakia (IG IV2,1. 95. 23-32)6.
Në listën e thearodokëve të Argosit (330-320 p.e.s.), krahas tyre shfaqen edhe [Phoinjike, [Hemai]ra dhe [Apo]lonia (SEG 23.189.10-16)7. Mjaft më e plotë është lista e viteve 230-220 p.e.s., e thearodokëve të Delfit, ku grishen sportistët nga Dodone (Dodona), Foinike (Finiqi), Kemara (Himara), Orikos, Bylis, Apollonia, Daulia (?), Abantia (Amantia), Dyrrachion (Durrësi). Kjo listë tregon edhe se procesi i akulturimit ishte shtrirë mirë edhe në Ilirinë Jugore.
Sipas një pllake mermeri të gjetur në Delos, një ndër qendrat ku zhvilloheshin gara sportive ishte edhe Apollonia, ku festa e Nymfave kremtohej me lojëra sportive.
Mbishkrimet e zbuluara në Nikaia (Klos, Fier) dhe Heraklea Lynkestis (Manastir, Maqedoni), përmendin gjimnaziarkun, nëpunësin e ngarkuar me ndjekjen e përgatitjes fizike, organizimin e festave dhe drejtimin e lojërave. Renditja e tij në Nikaia fill mbas Prytanit dhe Strategut, e tregon atë një ndër funksionarët më të rëndësishëm të qytetit.
Përgatitjen fiziko-ushtarake të qytetarëve, e dëshmon drejtpërsëdrejti mbishkrimi sipas të cilit “garën e vrapimit hoplit (vrapit me armatim të plotë) në Amfiareion të Oropos e fitoi Sostratos, Bylin nga Nikaia dhe tërthorazi statuetat e bronzta të punishteve lokale. Ndër to, nga 15 statuetat e gjetura në Amantia, tre janë luftëtarë dhe gjashtë atletë, njëri prej të cilëve boksier. Për ushtrimin e këtij sporti në Epidamn/Durrës sërishmi na bën të njohur Pausania, i cili bën të ditur se “e di mirë sesi Argasit vepruan me Kreugun prej Epidamni. Megjithëse Kreugu vdiq, Argasit i dhanë atij kurorën e Nemejve, pasi Damokseni prej Sirakuze i cili u ndesh me të, shkeli marrëveshjet e pranuara prej tyre (Paus. 8. 40).” Dëshmi e ushtrimit të boksit edhe në Amantia është statueta e bronztë e boksierit, një nga paraqitjet më të arritura të body language-X. të një boksieri që mezi pret hyrjen në ring, krejt i vendosur për të fituar.
Në dy nga statuetat e Amantias, paraqiten efebë, njëri duke u lyer me vaj para garës së mundjes, ndërsa tjetri me disk në dorë, gati për të hyrë në garën e pentatlonit. Dy statueta të tjera nga zona të thella fshatare, njëra nga Hotova e Përmetit dhe tjetra nga Mborja e Korçës, paraqesin garuesit e vrapimit të armatosur, vrapimit hoplit. Paraqitja e tyre me kallçina, mbrojtëse kërcinjsh, i daton statuetat para vitit 450 p.e.s. E vetmja statuetë e njohur antike, e cila paraqet atletin e kërcimit së gjati, vjen nga Selca e Poshtme. (shek. IV/III p.e.s.). Ky kërcim, krejt ndryshe nga i sotmi, nuk bëhej me vrapim, por nga një tra i fiksuar, duke marrë hov me anë të luhatjes së kundrapeshave në duar.
Dëshmi më e drejtpërdrejtë e përgatitjes fizike janë stadiumet në Amantia, Dodonë dhe Bylis, tre ndër 20 stadiumet e njohura të antikitetit pararomak. Ndërkohë stadiume kanë pasur detyrimisht edhe qytetet e tjera të fuqishme, të paktën Dyrrahu dhe Apollonia ku dhe zhvilloheshin gara sportive me karakter panqytetar.
Ndërtime Inxhinerike
Burimet e shkruara, dëshmojnë për një rrjet të zhvilluar rrugor të pajisur me ura. Sipas Polibit, në vitin 216 p.e.s. “Theodoti dhe Filostrati i shkruan Perseut që të vinte sa më shpejt. Mbreti u nis menjëherë, por atë (diku mes Tepelenës dhe Përmetit) e ndalën Molosët qe kishin zënë urën e lumit Aoou (Vjosa) (POLYB. 27. 16)”. Po sipas Polibit, në v. 231 p.e.s., “Epirotët pasi arritën në Foinike, e ngritën lëmin buzë lumit që rrjedh pranë qytetit… Për siguri ata shkulën edhe drurët e urës mbi lumë. Ilirët pasi vendosën drurët mbi urë, e kaluan lumin pa pësuar gjë” (POLYB 2.5).
Rrugët dhe Urat
I) Periudha nga shekulli V p.e.s.- shekulli II p.e.s., e cila shënon kohën e lindjes dhe zhvillimit intensiv të qyteteve dhe shteteve skllavopronaare ilirë dhe epirotë.
II) Periudha nga shekulli II p.e.s.-shekulli VI e. sonë që përfaqëson periudhën e sundimit romak e bizantin të hershëm, ku përfshihet dhe periudha e antikitetit të vonë (shek.IV-VI).
——————–
Burimi: https://balkancultureheritage.com/find/Arkitektura_n%C3%AB_Iliri/931 ( Nga Pashtriku)