Nga Guximtar Labënishti
Është nder dhe përgjegjësi për mua të prezantoj para jush, por njëkohësisht edhe e vështirë që në pak minuta të gjenden fjalët e duhura për ngjarje të rëndësishme si kjo rreth 40 vjetorit të bashkimit të grupeve atdhetare në një, në Lëvizjen Popullore të Kosovës, parardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të Kosovës.
Lëvizja Popullore e Kosovës shtrihej në të gjitha trojet e pushtuara shqiptare, edhe këtu në Strugë, pasi emri Kosovë nënkuptonte të gjitha trojet etnike nën ish Jugosllavi; kjo organizatë, në kushtet e vështira të pushtimit, shtypjes, shfrytëzimit të egër jugosllav ndaj shqiptarëve asokohe, me përpjekje të mëdha, me vetëdijen e plotë të sakrificës përgjatë rrugës së lirisë, i përballoi me sukses të gjitha, mandej arriti ta tejkalojë edhe periudhën e alternativave të rrejshme të fillimviteve ‘90 që ofronin gjoja rrugëdalje nga kushtet e robërisë me mjete paqësore. LPK nga të gjitha këto doli edhe më e fuqishme, e krijoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përfundimisht, në aleancë me Nato-n arriti edhe çlirimin e Kosovës nga thundra gjakatare sërbe.
Rastësisht ndodhi që ky përvjetor të bëhet njëkohësisht me më shumë aktivitete tjera në lidhje me ngjarje të rëndësishme historike dhe kombëtare në muajin nëntor, por nuk duhej anashkaluar asesi, pasi edhe Struga asokohe, si gjithmonë përgjatë historisë, e kishte rolin e vet të rëndësishëm dhe mori pjesë active në të.
Kur bëhet fjalë për përkujtimin e ngjarjeve të rëndësishme historike-kombëtare, aq shumë ka për të thënë, aq alternativa, sa nuk di çfar’ të zgjedhësh më parë, sidomos për efekt kohe kjo, andaj unë kam vendosur ta kap mesazhin nga viti jo aq i largët ’82, mesazhin e bashkimit, unitetit kombëtar, sakrificës. Pa njerëzit e gatshëm për veprim pa marrë parasysh rreziqet, sakrificat nuk do ishim ne këtu sot, andaj respekti kryesor është për ta, për njerëzit tanë, djemtë e vajzat, që në kohën e duhur e bënë punën e duhur, vetëm me synimin e kauzës kombëtare para vetes. Respekti kryesor u takon dëshmorëve të kauzës kombëtare, gjaku i tyre është udhërrëfyes i pagabuar në rrugën e dritës-lirisë!
Jemi në mes të shumë përvjetorëve, nëntorin e ngjarjeve të shumta me rëndësi historike-kombëtare, t’i respektojmë ato në maksimum, se kjo është historia jonë ndritshme, ngjarjet në të janë të lidhura domosdoshmërisht, pasojnë njëra-tjetrën, lidhen dhe ndikohen mes veti, andaj nëse na pëlqen ta shohim veten në anën e duhur, të ndritur të saj, le ta marrim mesazhin e duhur nga ajo, por më e rëndësishme është të punojmë sot në përputhje me atë mesazh dhe kërkesat e kohës, pasi sot bëhet historia dhe ndërtohet ardhmëria!
Fatkeqësisht, shoqëria jonë karakterizohet nga shumë fenomene negative si: korrupsioni e krimi në të gjitha nivelet shoqërore-politike, përmbysje e sistemit të vlerave, nepotizmi, paaftësia në vendet e punës apo mungesa e parimit të meritokracisë, cilësia e ulët e arsimit në të gjitha nivelet e sidomos diskriminimi kronik në baza etnike. Duhet patur shumë kujdes në zgjedhjen se kush na përfaqëson në nivele të ndryshme shoqërore e politike. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë i meritojmë fenomenet negative që na ndodhin e që do na sjellin vetëm të këqia: varfëri, skamje, tensione ndëretnike, konflikte, pasiguri, largim të rinisë jashtë dhe zbrazje e vendit në kërkim të një vendi e jete më të mire diku atje larg. Fatkeqësisht kuptohet se atje diku, ai vend ka pronar e mund të qëndrosh aty vetëm si shërbyes dhe pa dinjitetin e duhur, qofshin ato edhe pallate mbretërore!
Kemi një rini të mrekullueshme, ajo është pasuria më e madhe sot dhe e ardhmja e shoqërisë nesër, në kuptimin e mbajtjes së përgjegjësisë shoqërore. Sa do investojmë te rinia sot, ashtu do e kemi të ardhmen nesër, rrugë tjetër të mire nuk ka, të këqia po, ka plot!
Ne brezi i rritur nuk duhet t’ua përcjellim brezit të rij difektet dhe të metat tona, që i kemi mjaft, por vlerat tona, që fatmirësisht i kemi edhe ato; ta edukojmë rininë në atë frymë, se vetëm ajo është rruga e duhur. Sidomos kujdes në edukimin e brezave për bashkëjetesë edhe me të ndryshëm nga ne, por vetëm si të barabartë, të lirë. Andaj këto manifestime, në nder të ngjarjeve me vlera të larta historike-kombëtare le të jenë mësim për të gjithë ne sot dhe për një të ardhme më të mire.
Kontrata më e sigurtë është me popullin, andaj investimi kryesor është po aty. Të përpiqemi të gjithë sa më shumë në ngritjen e vetëdijes kolektive, se vetëm ashtu gjërat bëhen më lehtë, andaj arsimedukimi cilësor duhet të jetë në plan të pare, vlerat etiko-morale, profesionale, kombëtare dhe njerëzore duhet të prijnë, normat morale dhe juridike duhet të jenë në shërbim të së mires së përgjithshme e jo të individëve dhe grupeve!
Kur themi popull, atëherë mendojmë në secilin prej nesh që duhet ta bëjë punën e vet më së miri, duke nisur nga intelektualë, politikanë e përgjegjës të ndryshëm në pozita të larta shoqërore-politike e deri te punëtori e fshatari, bujku e bariu, nxënësi e studenti, burra e gra, djem e vajza, të barabartë e secili sipas mundësive dhe aftësive; mos shohim te njëri-tjetri gabime e te vetja përsosmëri, por ta ulim pak kryet dhe të shihemi më mire në pasqyrë, se patjetër do ketë diçka që nuk bën apo mund të bëhet më mire edhe te ne!
Shteti maqedon në fillimvitet ’90 shpalli pavarësi, por duke mos e përfillur fare vullnetin e shqiptarëve; kjo tregon dhe koha e dëshmoi qartë, se shteti gjoja i ri ka ndër mend të vazhdojë me praktikat e vjetra, në stilin ish jugosllav ndaj nesh, hegjemoni, dominim dhe diskriminim etnik.
Për dallim prej të shkuarës, ka edhe zhvillime pozitive, por jo aq sa duhet e sa na takon, pasi këtu ku jemi, në vendin tonë, autoktonë e me rrënjë më të vjetra se kushdo tjetër, akoma nuk jemi sa duhet edhe në shtetin tonë; në kushtetutë nuk kemi emër të plotë, por gjysmak, kemi statusin e pakicës, gjuha jonë shqipe dhe gjoja zyrtare nuk ka emër, por numër, 20%, që do ishte qesharake po mos ishte tragjike! Por, mos harrojmë se sot kemi përfaqëuesit tonë në të gjitha nivelet politike dhe shoqërore, edhpse jo në nivelin e duhur, prandaj përgjegjësia duhet kërkuar edhe tek ata.
Ky shtet i cunguar, nuk mund asesi të shtrihet mbi ne si popull e si teritor e të na injorojë kaq ulët; kjo strukturë e ashtuquajtur RMV nuk mund të qëndrojë pa shqiptarët komb në rrënjët e saj, prandaj duhet një marrëveshje e re, jo kopje e asaj të Ohrit e paskonfliktit të v. 2001, me korniza të shpifura, por vetëm duke bërë ndryshimet e duhura juridike-kushtetuese dhe zbatimin e tyre në praktikë: himni, flamuri me simbolet tjera, emri i shtetit, të gjitha këto duhet të ndryshojnë dhe të na përshtaten edhe ne; trajtimi i barabartë në të gjitha nivelet, lokale dhe shtetërore, gjuhët e njëri-tjetrit në shkolla fëmijët t’i mësojmë reciprokisht e jo vetëm njëanshëm si deri më sot, se vetëm ashtu mund ta ndiejmë shtetin si tonin, asesi ndryshe.
Para se të synojmë integrime globale evropiane, e para e punës t’i kryejmë punët në oborrin tone, mandej shohim bashkë më tutje, përndryshe nuk shihet perspektivë e mire për këtë shtet dhe imponohen alternativa tjera dhe legjitime zgjidhjeje. Bashkimi kombëtar mbetet alternativë e vetme e drejtë nëse dështojnë tjerat, si që është dëshmuar tashmë.
Fronti për kauzën kombëtare është shumëdimenzional: i gjërë, i gjatë, i thellë, i shtrirë në kohë e hapësirë, jo çdokush e përballon atë!
Si rezultat i pluralizmit politik kemi më shumë parti politike në baza etnike, por kur është në pyetje interesi kombëtar duhet të bëhen të gjitha bashkë, por realisht nuk ndodh kjo, pse?! Shqiptarët duhet të bashkëpunojnë ngushtë si komb në të gjitha fushat, duke nisur nga Shqipëria administrative, Republika e Kosovës dhe pjesët tjera nën Mal të Zi, Sërbi dhe këtu nën Maqedoni. Si pjesë e botës globale kapitaliste që jemi, mirëpresim erërat e ngrohta dhe pozitive nga jashtë, por mos harrojmë se mund të fryjnë edhe erëra të acarta veriu, apo nuk shihet sa një mal kërcënimi sërborus mbi trojet tona etnike në veri!?
Gjaku i dëshmorëve të atdheut
Amanet që nuk falet kurrë
LAVDI (Gazeta Lëvizja)