Fan Sian Noli

Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Trakë. Noli ishte me prejardhje nga Kolonja. I ati, Stiliani, shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Noli shkollën fillore dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht »Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet« të Sami Frashrit. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, tëBostonit (marr nga interneti).

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur, 
rraskapitur dhe katosur 
po vajtonj pa funt, pa shpresë, 
anës elbë-s, anës spree-së. 
ku e lam’ e ku na mbeti, 
vaj-vatani e mjer mileti, 
anës detit i palarë, 
anës dritës i paparë, 
pranë sofrës i pangrënë, 
pranë dijes i panxënë, 
lakuriq dhe i dregosur, 
trup e shpirt i sakatosur. 
se ç’e shempnë derbederët, 
mercenarët dhe bejlerët, 
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë, 
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë, 
se ç’e pren’ e se ç’e vranë, 
Ç’e shkretuan anembanë, 
nënë thundrën e përdhunës 
anës vjosës, anës bunës. 

Çirem, digjem i vrerosur, 
sakatosur, çarmatosur, 
as i gjall’, as i varrosur, 
pres një shenj’ e pres një dritë, 
pres me vjet’ e pres me ditë, 
se ç’u tera, se ç’u mpaka, 
se ç’u çora, se ç’u mplaka, 
lark prej vatrës dhe prej punës, 
anës rinit, anës tunës. 
Çakërdisur, batërdisur, 
përpëlitur dhe zalisur, 
ËndËronj pa funt, pa shpresë, 
anës elbë-s, anës spree-së. 
dhe një zë vengon nga lumi, 
më buçet, më zgjon nga gjumi, 
se mileti po gatitet, 
se tirani lebetitet, 
se pëlcet, kërcet furtuna, 
fryhet vjosa, derdhet buna, 
skuqet semani dhe drini, 
dridhet beu dhe zengjini, 
se pas vdekjes ndriti jeta 
dhe kudo gjëmon trumbeta. 
ngrehuni dhe bjeruni, 
korini dhe shtypini, 
katundar’ e punëtorë, 
që nga shkodra gjer në vlorë! 
ky ilaç e ky kushtrim 
më bën djal’ e më bën trim, 
më jep forc’ e më jep shpresë, 
anës elbë-s, anës spree-së. 
se pas dimrit vjen një verë, 
që do kthehemi njëherë, 
pranë vatrës, pranë punës, 
anës vjosës, anës bunës. 
arratisur, syrgjynosur, 
raskapitur e katosur, 
brohoras me bes’ e shpresë, 
anës elbë-s, anës spree-së.

Hymni I Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë, 
O vënd e vatr’ o nën’ e babë, 
Lagur me lot, djegur me flagë, 
Flamur i kuq, flamur i zi. 

Fortesë shkëmbi tmerr tirani, 
S’të trëmp Romani, as Venecjani, 
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani, 
Flamur i math për Vegjëli 

Flamur që lint Shën Kostandinin, 
Pajton Islamn’ e Krishtërimin, 
Çpall midis feve vllazërimin, 
Flamur bujar për Njerëzi. 

Me Skënderben’ u-lavdërove 
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove, 
Me Malon prapë lart vrapove, 
Yll i pavdekur për Liri. 

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive 
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive, 
Po çdo mizor me shpat’ e grive, 
O fushë-kuq, o shkabë-zi. 

Përpjetë pri-e Shqipërinë, 
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë, 
Diell për vllanë, yrnek për fqinë 
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

Jepni Për Nënën

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë, 
-Mbretëreshë pa kurorë- 
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, 
Shpirt e zëmër përvëluar; 
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë, 
Nënës mos ia bëni varrë!” 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Qan e lutet Nën’ e mjerë, 
Kërkon vatrën edhe nderë, 
Do lirinë dhe atdhenë, 
Si ç’e pat me Skënderbenë, 
Bijt’ e besës thërret pranë. 
Kur i thirri dhe s’i vanë? 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Cilët jan’ ata tiranë 
Që të pren’ e që të vranë 
Që të therrë bij e bija, 
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija? 
Derthni plumba, o Shqiptarë, 
Gjakn’ e Nënës për të marrë, 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Cilët bij të trathëtuan 
Dhe të doqnë dhe të shuan 
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë 
Pa fole, pa zog, pa shpatë? 
Këta qena, o shok’ i mbytni, 
Mbushni gjyle që t’i shtypni. 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Sa kërkon e sa të duhen? 
Burrat nga detyra s’ndruhen! 
Trim i mirë do të japë, 
S’kursen jetën as paratë; 
Hithni, hithni tok dollarë, 
Të mos mbetemi të sharë. 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë. 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Do të ndihim pa kursyer 
Për ty, Nëna jon’ e vyer, 
Që me drit’ e nder të thuresh 
Dhe me bijt’ e tu të mburesh. 
Cila Nënë lyp paranë? 
Cilët bij me shpirt s’i dhanë? 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Armë dhe fishekë mblithni, 
Qesen edhe shpirtin hithni: 
Për lirin’ e vëndit t’onë, 
Sot -se nesër është vonë- 
Jepni, Nënën të shpëtoni, 
Komb e vatra të nderoni. 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Moisiu Ne Mal

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë 
Krye-Profeti trimi me fletë, 
Të bisedonjë me Perëndinë 
Për Palestinë. 

Arrin në majë lart i kapitur, 
Qëndron me frikë, pret i tronditur, 
Dhe Jehovaj i flet prej një reje 
Me zë rrufeje: 

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni, 
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni 
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni 
Se liri s’doni!” 

Krye-Profetit dita i ngryset 
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset 
Me lot në sy, me zemër të ngrirë 
I lyp mëshirë. 

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise, 
Pse më përplase, më përpëlise, 
Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve, 
Dhe sot ma preve? 

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?” 
“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.” 
Së largu Zoti ia pasqyron, 
Dhe e shikon. 

Ja Nazareti, ja Bethlehemi, 
Lum’ i Jordanit, Jerusalemi, 
Mal’ i Sionës, Bethsaidaja, 
Dhe Golgothaja, 

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë 
Dhe shkretëtirën për pleqërinë, 
Atje sa bukur, këtu sa zi, 
O Moisi. 

Këtej ka dimrin, andej prënverën, 
Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën; 
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor, 
Liberator!

Marshi I Barabbajt

Allalla, o rezil e katil, allalla, 
Stroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda, 
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma, 
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba! 

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe, 
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe, 
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe, 
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba! 

0 stërnip i Kainit, tepdil si bari, 
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi, 
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli; 
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba! 

Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh, 
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh, 
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh, 
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba! 

0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu, 
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju 
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru, 
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba! 

Allalla, o rezil e katil, allalla, 
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda, 
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma, 
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Moisiu Ne Mal

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë 
Krye-Profeti trimi me fletë, 
Të bisedonjë me Perëndinë 
Për Palestinë. 

Arrin në majë lart i kapitur, 
Qëndron me frikë, pret i tronditur, 
Dhe Jehovaj i flet prej një reje 
Me zë rrufeje: 

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni, 
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni 
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni 
Se liri s’doni!” 

Krye-Profetit dita i ngryset 
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset 
Me lot në sy, me zemër të ngrirë 
I lyp mëshirë. 

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise, 
Pse më përplase, më përpëlise, 
Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve, 
Dhe sot ma preve? 

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?” 
“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.” 
Së largu Zoti ia pasqyron, 
Dhe e shikon. 

Ja Nazareti, ja Bethlehemi, 
Lum’ i Jordanit, Jerusalemi, 
Mal’ i Sionës, Bethsaidaja, 
Dhe Golgothaja, 

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë 
Dhe shkretëtirën për pleqërinë, 
Atje sa bukur, këtu sa zi, 
O Moisi. 

Këtej ka dimrin, andej prënverën, 
Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën; 
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor, 
Liberator!