GJURAJ – CËRNOJEVIÇËT ISHIN SHQIPTARË

Nikollë Loka

Gjuraj – Cërnojeviçët dhe vijimësia e pranisë shqiptare në Malin e Zi


Shkruan Nikollë Loka – Shtrirja e shtetit serb të Stefan Nemanjës në territoret që sot përbëjnë Malin e Zi, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë të shekujve VI-VII. Në Diokle, krahas popullsive shqiptare dhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit, mbijetuan grupe të vogla të banorëve të romanizuar, të përmendur edhe nga historiani – perandor Konstandin Porfirogjeneti në shekullin X. Për rrjedhojë, në shekullin XIV, Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”. Sipas Edit Durham: “E thëna e përsëritur shpesh, sikur Mali i Zi është themeluar prej refugjatëve serbë të Kosovës, është me të vërtetë një mit, mbasi beteja e Kosovës u bë një shekull më parë dhe pikërisht më 1389. Si përfundim, malazezët janë më tepër boshnjakë, hercegovinas, shqiptarë sesa serbë prej Serbie. 

Gjatë periudhës së sundimit serb të Zetës,  atje ku presioni i shtetit serb ishte më i forte, ndodhi procesi i sllavizimit fetar onomastik të popullsisë shqiptare të besimit katolik dhe atij ortodoks bizantin të viseve veriore dhe verilindore. Një pjesë e popullsisë shqiptare të këtyre trevave, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë,u fut në një fazë kalimtare asimilimi kulturor dhe fetar. Në mjaft treva, ky proces u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqëve osmanë…Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe më vonë, duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tëra shqiptare. Në fakt, procesi i plotë asimilues, i nisur gjatë pushtimit serb, ka ndodhur pas invazionit të turqve, veçanërisht mbasi është pushtuar Shkodra më 1479. Malazezët vetë kundërshtojnë idenë se janë serbë dhe në vend të kësaj pretendojnë se janë  një grup etnik i ndarë me origjinë të përzierë sllavo-shqiptaro-vllahe, duke theksuar rëndësinë e historisë divergjente të Malit të Zi. Kundërshtarët më të ashpër shkojnë dhe më tej, duke thënë se malazeztë nuk janë sllavë, por pasardhës të ilirëve të vjetër dhe e shohin origjinën larg në të kaluarën që e lidhin me të tashmen. 

Në shekujt XIV-XV në Zetën e Sipërme dhe atë të Poshtme ekzistonin disa fise të fuqishme, siç ishin Gjurajt (Cërnojeviqët), Hotët, Piprët, Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Biellopavliqët, Kastratët, Bitidosët, Krajinët, Pastroviqët, etj, të cilët konsideroheshin në mënyrë eksplicite si fise shqiptare.Në librin ” Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, Edit Durham shkruan: “ Palbardhët (Bjelopavliçët), Piperët, Kuçët, Vasojeviçët e tj., ku të gjithë këta popuj e troje ishin safi shqiptarë si dhe të besimit katolik, dalëngadalë për të shpëtuar fenë e krishterë kishin pranuar të kthehen në ortodoksë”. Kur Rusia dhe Austria arritën njërën nga “marrëveshjet” e tyre dhe së bashku i shpallën luftë Turqisë në vitin 1788, duke deklaruar se qëllimi i tyre ishte t’i jepnin fund sundimit të Sulltanit, ata nxitën malazezët të krijonin incidente kufitare me Turqinë. Mirëpo, meqë nuk u besonte malazezëve, i dërguari austriak i shkruante Vjenës: Ne mund të mbështetemi shumë më fort te besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë të Bërdes, tek ata që janë të shumtë në numër, si Bjelopavliçët, Piperët, Kuçët, Vasojeviçët, si dhe te malësorët e Kelmendit, Hotit etj, që mund të nxjerrin një forcë prej 20 mijë luftëtarë të fortë e shumë më trima se sa malazezët.”   

Në vitin 1900, Mali i Zi përmbante nja tridhjetë fise, që përfshinte Malin e Zi të Vjetër dhe territore që i ishin bashkangjitur më vonë. Vendet që tani përbëjnë Malin e Zi janë fituar si rezultat i emigrimit, pushtimit ose marrëveshjeve politike, në kohë të ndryshme dhe për shumë shekuj. Rrethi i vogël që përbënte Malin e Zi të Vjetër përfshinte Cetinën, Njegoshin, Rjekën dhe Kçevon iu shtua më vonë dhe grupi Brda, i cili u bashkua vullnetarisht me Malin e Zi në shekullin XVIII për të luftuar kundër turkut. Këta qenë më tepër me gjak shqiptari dhe në kohën e aneksimit ishin të gjithë katolikë, por më vonë u kthyen në fenë ortodokse dhe u sllavizuan, megjithatë, kanë kundërshtuar çdo përpjekje aneksimi nga ana e Serbisë. Më në fund vijnë vende të tjera, disa nga të cilat krejtësisht shqiptare që iu aneksuan Malit të Zi në vitin 1878 me Kongresin e Berlinit, por që nuk janë sllavizuar, megjithë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë malazeze. Disa krahina të tjera të vogla i janë bashkuar Malit të Zi herë pas here në kohë të ndryshme si p.sh Grahova. Pra, edhe pas asimilimit disashekullor, prania shqiptare në Malin e Zi vazhdonte të ishte e konsiderueshme.

Është e habitëshme si për një periudhë relativisht të shkurtër zetanët u martuan  dhe u përzien me vllehët, duke marrë dhe mënyrën e tyre patriarkale të jetës, të mbështetur në fisin, autoriteti i të cilit i besohej kreut të tij. Në piramidën shoqërore në majë qëndronin kryetarët e fiseve më të fuqishme. Gjatë shekullit XVI, kjo veçori e organizimit tribal u zgjerua dhe përfshiu pjesën më të madhe të Zetës, me përjashtim të qyteteve bregdetare të Kotorrit dhe të Budvës që mbetën nën kontrollin e Venedikut. Në këtë aspekt, jeta në Malin e Zi të Vjetër kishte mjaft të përbashkëta me fiset shqiptare në jug dhe hercegovinase në veri.  

Gjuraj – Cërnojeviçët në historinë shqiptare

Në shekullin XIV-XV në Zetën e Sipërme dhe atë të Poshtme ekzistonin disa fise të fuqishme, siç ishin Gjuraj – Cërnojeviqët, Hotët, Piprët, Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Biellopavliqët, Kastratët, Bitidosët, Krajinët, Pastroviqët, etj, të cilët konsideroheshin në mënyrë eksplicite si fise shqiptare. Burimet veneciane sugjerojne se emri Cërnojeviq është përkthimi sllavisht i emrit shqiptar Gurazi. Disa herë atyre u referohen thjesht si Gjura. Ja një pasazh nga Sanudo : “13 qershor, 1774.-Drivasto e Alessio tolse Zuan Zernovitch, albanese.. .” (cituar prej F. Miklosic, Dinastia Serbe e Crnojevic, f. 42), po ashtu: “Jurasevitsch.. nuk dëshironte ti dorëzohej despotit serb dhe as venedikasve. (Glasnik 14, Miklosic, f.52).   

Gjuraj – Cërnojeviçët patën shumë familje e gjini që jetuan në mjedise të ndryshme historike dhe fetare, çfarë solli që një pjesë e tyre të konvertoheshin në ortodoksë, ndërsa pjesa tjetër mbetën katolikë. Dhe meqenëse ortodoksia u monopolizua nga kisha serbe që u ngrit deri në rangun e Patriarkatit, ortodoksët shqiptarë në veri nën presionin e kishës serbe dhe të sundimtarëve serbë u sllavizuan, shpëtuan vetëm ata që u konvertuan në katolikë. Kjo është arsyea që sot Gjurajt i kemi “sllavë” dhe shqiptarë, pavarësisht origjinës së përbashkët shqiptare. Burimet veneciane sugjerojne se emri Cërnojeviç është përkthimi sllavisht i emrit shqiptar Gjuraj dhe shpesh u referohen me këtë emër. Këtë praktikë e kanë ndjekur dhe disa studiues malazezë. Njëri prej tyre thekson se “Jurasheviç nuk dëshironte t’i dorezohej Despotit serb dhe as venedikasve. (Glasnik 14, Miklosic, f.52). Po kështu, duke folur për Arqipeshkëvinë e Tivarit, autori Gjokë Dabaj ndër të tjera, citon një burim nga “Историја  Цернагорa 2“, sipas të cilit “një i deleguar i Kotorrit i quan Cërnojeviçët arbërorë, për t’i dalluar prej serbëve të Bosnjës dhe prej turqëve”.  

Gjuraj – Cërnojeviçët i kishin zotërimet fillestare në rrethinat e grykës së Kotorrit dhe në vendet rreth liqenit të Shkodrës dhe më pas i shtrinë edhe në Gentë. Ata u angazhuan në një luftë shumëvjeçare kundër përpjekjeve të Despotatit të Rashës për pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që shtriheshin në veri të lumit Buna. Gojçin Gjurashi i çliroi zotërimet e tij në Gentën prej forcave të despotit serb Gjergj Brankoviçit…  Republika e Shën Markut vazhdonte të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte fshehurazi një grupim kundërshtarë të Balshajve me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Krahas Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Jonimëve, Zahariajve, Spanëve, në Shqipërinë e Epërme ka pasur edhe një numër familjesh të tjera me peshë në jetën politike shqiptare, veçanërisht gjatë shekullit XV. Këto familje kanë qenë Gjurajt (Cërnojeviçët), Dushmanët e Drishtit, Hotët, Shestanët, etj. Gjatë viteve 1451-1465, principata e Cërnojeviçëve përjetoi kulmin e lulëzimit dhe të zgjerimit të saj drejt Lindjes. Qendër politike dhe administrative e saj u bë Zhabjaku, buzë liqenit të Shkodrës. Gjuraj – Cërnojeviçët mbajtën anën e venedikasve dhe në vitin 1455 u bënë vasalë të tyre dhe sundues të plotfuqishëm të vendit. Pas zhdukjes së linjës mashkullore të Balshajve pasoi një periudhë e shkurtër me mungesë stabiliteti, deri sa një kryetar fisi të Cërnojeviçëve, i quajtur Stefan themeloi një dinasti të re. Me zhdukjen e Balshajve në vitin 1421, serbët deshën ta pushtonin vendin, por malazeztë qëndruan fort nën udhëheqjen e princit të tyre. Mali i Zi nën Cërnojeviçët mbeti i pavarur, duke konsoliduar traditën e vet të sovranitetit. Stefani me mbështetjen e Venedikut zhvilloi më shumë se 50 beteja kundër turqëve që nuk arritën ta nënshtronin vendin, prandaj autoriteti i Stefanit u rrit shumë dhe venedikasit i njohën titullin “Dukë”  

Në vitin 1444, Stefani së bashku me djemtë Gjergj (Gjuragj) dhe Gjon (Ivan) morën pjesë në Lidhjen e Lezhës. Gjatë viteve 1451-1465 Principata e Zetës përjetoi kulmin e lulëzimit dhe të zgjerimit të saj drejt Lindjes. Qendër politike dhe administrative e Principatës u bë Zhabjaku, buzë liqenit të Shkodrës.Për të siguruar ndihma në luftë, në vitin 1455, Cernojeviçët bëhen vasalë të Republikës. Duke u përqëndruar në krijimin e aleancave antiserbe, Stefani u martua me Mara Kastriotin, vajzën e Gjon Kastriotit. Gjon Kastrioti kishte lidhje të shumta familajre e martesore me sundimtarë të tjerë shqiptarë, si me Arianitët, Topiajt, Muzakajt dhe Balshajt. Lufta e vazhdueshme e Stefan Gjurajt (Cërnojeviçit) dhe pasardhësve të tij në rajonin e Gentës, kundër Despotit të Rashës, Gjergj Brankoviçit, padyshim ka qenë e mbështetur dhe e bashkërenduar me aksionet ushtarake të vjehërrit të tij, Gjon Kastrioti.    

Në vitin 1464 Stefan Cërnojeviçi vdiq dhe u varros në manastirin Kom, në një nga ishujt e liqenit të Shkodrës. Pas tij, në fronin e Principatës hypi Gjoni (Ivani), i cili  pasi pranoi suzerenitetin osman, vazhdoi t’i luftonte osmanët, shpesh me mbështetjen e venedikasve. në vitin 1474 ishte në krah të venedikasve në mbrojtje të Shkodrës  prej nga i shkaktoi humbje të pjesshme armikut. Paqja venediko-turke u lejoi Gjuraj-Cërnojeviçëve të kishin një rrip toke në bregdet që përfshinte Ulqinin, Tivarin, Budvën dhe Kotorrin. Po kur Venediku u përpoq ta përfshinte Gjon Gjuraj (Cërnojeviçin) në traktat, duke e deklaruar qytetar venedikas, otomanët që e konsideronin si vasal rebel, këmbëngulën që zotërimet e tij të konfiskohen dhe ai të ndiqej e të ndëshkohej. Në pamundësi t’u rezistonin forcave të shumta osmane, Cërnojeviçët braktisën luginën pjellore të Zetës dhe u tërhoqën në mes të fshatrave në brendësi të maleve mbi Gjirin e Kotorrit. Këtu në një rrafshnaltë rrethuar me kodra vetëm prej guri, ndërtuan një manastir dhe themeluan Cetinën, qendrën e ardhëshme të Mbretërisë. Prej Cetine, ata organizuan rezistencën kundër otomanëve.  

Gjuraj – Cërnojeviçët, si dhe familjet e tjera shqiptare, në rezistencën e tyre antiosmane u mbështetën te Venediku, siç bënë dhe Hotët, Tuzët, Bitidosët, Jonimët e Zaharitë e Gentës, Dushmanët e Pultit, Gjon Kastrioti e Niketë Topia të Shqipërisë së Qendrore,  Teodor Muzaka i Beratit,Gjin Zenebishi i Gjirokastrës, e Muriq Shpata i Artës. Në vitin 1478 otomanët ndërmorën një sulm kundër Zetës, përfshirë dhe fortesën në Zhabljak, pranë liqenit të Shkodrës, ku e kishte selinë Gjon Gjurashi. Me rënjen e kështjellës së Zhabljakut, Cërnojeviçët e lëvizën kryeqytetin në kodrat e Cetinës.  

Kur me 25 prill të vitit 1479, forcat osmane hynë në Shkodër, bashkë me popullsinë emigruan në Itali dhe personazhe të shquara të jetës politike shqiptare si Lekë e Nikollë Dukagjini dhe Gjon Gjurashi (Cërnojeviç). Gjuraj të tjerë e vazhduan rezistencën nga Cetina, prej nga organizuan shumë fushata kundër otomanëve, duke tërhequr  kërcënimin e tyre për hakmarrje, që i detyroi të kalonin në Venedik për t’u mbrojtur. Me largimin e tyre, rajoni ortodoks rreth Cetinës, i njohur në mbarë Ballkanin, më në fund ra nën otomanët.   

Largimi i princave shqiptarë duket se qe i përkohshëm, se në fillim të verës së vitit 1481, pas vdekjes së Mehmetit II, filluan të kthehen në Shqipëri Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviç) dhe pak më vonë Gjon Kastrioti dhe Konstandin Muzaka. Gjon Gjurashi hyri në marrëveshje me osmanët, u bë vasal i tyre dhe ringriti kështu shtetin e tij, dhe kur ai vdiq në vitin 1490, djali i tij i madh, Gjergji u njoh nga Sulltani si sundimtar i Malit të Zi. Gjergj Gjurashi – Cërnojeviçi mbante lidhje me familjet shqiptare, sidomos me Konstandin Arianitin, xhaxhain e gruas së tij.

Parë në retrospektivë, ngjarjet kryesore të periudhës së Cërnojeviçëve, betejat e guximëshme për të ndaluar përparimin otoman, emigrimi prej ultësirës pjellore për në malet e egra, themelimi i një kryeqyteti të ri me metropolinë e vet ortodokse, japin material të mjaftueshëm për ndërtimin e historisë kombëtare malazeze. Pavarësisht se shqiptarë në origjinë, Cërnojeviçët kishin    identitet ortodoks dhe në emër të mbrojtjes së fesë, siguruan mobilizimin e banorëve ortodoksë të etnive të ndryshme në luftë kundër osmanëve. Në atë periudhë, kishte njëfarë identiteti etnik, por që nuk luante ndonjë rol të madh krahasuar me identitetin fetar, pasi nuk ishte formuar ende koncepti i identitetit kombëtar  Vendet në të cilat u tërhoqën zetanët ishin domosdoshmërisht të pakapëshme, me shkëmbinj  dhe vdekjeprurëse, të dominuar gjërësisht nga eponomi Mali i Zi. Për katër shekuj në vijimësi, karakteri fizik i mjedisit ndikoi në mënyrën e jetesës së banorëve dhe historinë politike të tyre.

Mbështetur në burime serioze, historiografia shqiptare i ka trajtuar Gjuraj – Cërnojeviçët si shqiptarë dhe ka pasqyruar hollësisht veprimtarinë e tyre.  Kështu, kur flitet për mosmarrëveshjet midis Balshajve dhe venedikasve, në librin “Historia e Popullit Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave shkruhet: ”Republika e Shën Markut vazhdonte të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte fshehurazi një grupim kundërshtar të Balshajve me krerët shqiptarë nga familjet Gjuraj (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Po kështu, duke folur për luftën e dyerve të mëdha shqiptare kundër sundimit serb, po në këtë libër shkruhet:  “Përballë fuqisë së papërballueshme osmane, një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim t’i rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurajt në radhë të parë, zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën, Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët, etj”.  

Gjuraj – Cërnojeviçët dalin si familje sunduese në periudhën e Mbretërisë Serbe prej vitit 1326 deri në vitin 1362 dhe pastaj prej vitit 1403 deri në vitin 1515. Principata e tyre në shekujt XIV-XV u shtri në malsinë midis Grykës së Kotorrit dhe qytetit bregdetar të Budvës.  

Një degë e Gjurajve mbetën katolikë dhe shqiptarë, siç ishin në origjinë, duke u identifikuar si degë e veçantë e familjes princërore Gjuraj – Cërnojeviç me stemën e tyre. Ata jetuan në trevën e Shkodrës dhe patën një rol në historinë shqiptare.  

Gjuraj-Cërnojeviçët kanë bërë disa lidhje martesore me familje princërore shqiptare. Stefani u martua me Marën, vajzën e Gjon Kastriotit; Gojçini u martua me vajzën e Koja Zaharisë; Gjergji (Gjuragj) me Nora Komnenën; Gjoni (Ivani) me Gojslavën, motrën e Gjergj Arianitit; Gjon (Ivan) Cërnojeviçi u martua me Vojsavën, vajzën e Skënderbeut. Marrëdhëniet e Gjuraj – Cërnojeviçëve me princat e tjerë shqiptarë duhen parë si lidhje të natyrshme që vijnë jo thjeshtë prej afërsisë gjeografike, pasi si faktor me rëndësi i këtyre lidhjeve ishte dhe përkatësia e përbashkët etnike e tyre.