Mustafë Krasniqi-AQE TË PANJOHURA TË HISTORISË SË NDSH-së”

PJESA E DYTË 

  • LUFTA TE URA E PESTOVËS, NJËRA NGA QËNDRESAT E ÇIÇAVICËS 
Jeta pa qëllim është vdekje e parakohshme (Geto)

Jeta pa qëllim është vdekje e parakohshme (Geto)

Çiçavica njihet si një zonë apo mal i njohur për shumë luftëra. 

Shtrihet mbi Drenicën heroike, duke përfshirë edhe zonën e quajtur Artakoll. 

Zona e Artakollit shtrihet në rrëzën e malit të Çiçavicës. Kjo zonë ka përjetuar shumë luftëra, në të janë zhvilluar beteja të përgjakshme mes kryengritësve dhe forcave të mëdha pushtuese, të cilat kanë synuar ta pushtojnë e ta shtrijnë pushtetin e tyre antishqiptar. 

Për Çiçavicën dhe Artakollin janë thurur dhe kënduar shumë këngë trimërie. Me krenari, përmes këngëve, populli e ka treguar historinë e kësaj ane. Me pietet populli i këndon trimave e heronjve të vet, si Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Shotë dhe Azem Galicës, Mehmet Konjuhit, Ukshin Kovaçicës e shumë të tjerëve. 

Lufta te Ura e Pestovës ishte një luftë e madhe, e cila zhvillohej dhëmb për dhëmb. e orë të tëra nuk kishin pushuar pushkët, krismat e topave dhe gjëmtë e të vrarëve dhe të plagosurve. Në këtë betejë kanë luftuar forcat e Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Përballë kishin një ekspeditë të madhe ushtarake. 

Sipas tregimit të BehramTahir Krasniqit, “topat e partizanëve – çetnikë janë dëgjuar shumë larg, por pushkët e holla të Shabanit e të Mehmetit i kishin tmerruar forcat e armikut. Ushtarët nga beteja janë ndarë si humbës. Shumë fshatarë janë detyruar me dhunë, me qerre të qeve, t’i bartnin trupat e të vrarëve armiq. Kjo betejë është nga më të përgjakshmet e zhvilluar në këtë trevë. Aty kanë luftuar bashkë trimat e Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Shaban Polluzha, pas luftës që kishte zhvilluar në Shalë, kishte marrë rrugën në drejtim të Çiçavicës për të dalë në Drenicë. Kur ishte afruar tek ura e Pestovës, e kishte parë se ura ishte e bllokuar nga forcat e ushtrisë së Serbisë. Kalimi ishte i pamundur, por edhe kthimi prapa ishte i vështirë. Duke e parë gjendjen pa shtegdalje, me një mjeshtri të rrallë ushtarake, Mehmet Gradica dhe Shaban Polluzha fillojnë luftën, e cila zgjati disa orë. E shpërthyen rrethimin, duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe mjete ushtarake ushtrisë jugosllave. Ushtria kishte topa dhe armë tjera të rënda, e cila nga larg i gjuante luftëtarët e Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës. Për betejën te Ura e Pestovës rrëfen edhe Ilmi Muzaqi, i cili i kishte të freskëta kujtimet nga tregimet e babait të tij, Ali Muzaqit. Kjo luftë, sipas babës, – shpjegon sot Ilmiu, – ka qenë e pabarabartë. Babai më rrëfente për trimërinë e Mehmet Gradicës, i cili me mjeshtri e kishte shpërthyer rrethimin, duke mos e rrezikuar asnjë ushtar të vetin. Ai i pari e vinte kokën në rrezik, kurse ushtarin e çmonte dhe e ruante më shumë se veten. Mehmet Gradica ishte një trim i madh, ai kurrë nuk iu kishte trembur plumbit, ka luftuar në këmbë dhe ka qenë shenjëtar i mirë, plumbat e tij nuk kanë shkuar asnjëherë huq. Pas një luftimi shumorësh dhe pas shpartallimit të ushtrisë Jugosllave, luftëtarët arritën të hynin në Çiçavicë. Edhe kryengritësit kishin disa të plagosur. Kështu ka treguar HilmiMuzaqi, që ishte djalë i Ali Muzaqit, pjesëmarrësit të drejtpërsdrejtë në këtë luftë, luftëtar i Shaban Polluzhës, që ishte në detyrën e rreshterit. 

  • LUFTA QË U ZHVILLUAN TE FSHATRAT KOLLË E BRUZNIK

Si shumë luftëra dhe beteja të rëndësishme që janë zhvilluar në hapësirën e Shqipërisë së Natyrshme dhe që meritojnë të shënohen në analet e historisë, është edhe lufta që u zhvillua në shpatijet e Çiçavicës, në territorin mes fshatrave Kollë dhe Bruznik në vitin 1944. 

Mali i Çiçavicës dhe krahina e Artakollit përmenden për luftëra dhe beteja të mëdha. Në këto anë kishin luftuar burrat e fortë, që ishin krenaria e kombit, si Azem Bejta, Shotë Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Mehmet Konjuhi e shumë të tjerë. Çdo fshat i Artakollit ka qenë i sulmuar nga pushtuesit, por edhe kanë rezistuar nëpër shumë luftëra e beteja të mëdha, që e kanë tmerruar armikun. 

Një nga këto luftëra është ajo e zhvilluar në territorin mes fshatrave Kollë e Bruznik, në rrëzën e Çiçavicës. Nga shumë dëshmitarë dhe nga kënga që këndohej, nga tregimet dhe nga kujtimet e ish – pjesëmarrësve të luftës, del se nga kjo betejë fitues kanë dalë mbrojtësit e lirisë dhe të trojeve të tyre, edhe pse kanë humbur shumë luftëtarë. Në këtë betejë të përgjakshme armiku ka pësuar me qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur. 

Në këtë luftë janë dalluar si luftëtarë të regjur Ilaz Kolla e Sadri Kolla, por ka marrë pjesë pothuaj e tërë Kolla, si dhe shumë luftëtarë nga fshatrat e afërta. Nga fshati Bruznik është dalluar Ali Muzaqi – rreshter, Adem Muzaqi – komandant për Artakoll në ushtrinë kryengritëse të Shaban Polluzhës, pastaj Naman Muzaqi, Nuhi Muzaqi, Rexhep Kollari dhe shumë të tjerë. Në këtë betejë, e cila u zhvillua në dimrin e madh të vitit 1944, kanë luftuar edhe Ahmet Peci e Shaqir Peci, që kanë ardhur nga fshatrat përreth. 

  • “NUK E DORËZOJ ARMËN KURRË PËR SË GJALLI!”

Në dimrin e viteve 1944/1945 kishte filluar një fushatë e egër për ndjekjen e shqiptarëve, me motivacion për mbledhjen e armëve, por që kishte qëllim spastrimin etnik të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare. Shqiptarët kështu detyroheshin të shpërnguleshin përsëri për në Turqi, duke qenë të regjistruar më parë si “turq”. Ironia më e madhe ishte kur regjimi jugosllav shpërnguljet e shqiptarëve i arsyetonte sikur “turqit po shkonin vullnetarisht drejt vendit dhe fesë së tyre, në Turqi”. 

Fushata kishte dy anë të hidhura; në njërën anë kishte futjen e frikës e të pasigurisë, në anën tjetër kishte vrasjet, dëbimet dhe dhunën masive. Të kishe apo të mos kishe armë, ishte njësoj para UDB-ashëve, sepse armën e kërkuar duhej dorëzuar doemos. – Në mos e paç, bleje dhe dorëzoje, – u thoshin UDB-ashet shqiptarëve, duke kërkuar gjithnjë pretekst për të zbatuar dhunë. 

Kësaj fushate nuk i kishte shpëtuar as fshati Bardh. Ramiz Qyqalla kishte vendosur të mos dorëzonte armë, edhe pse e dinte se do ta pësonte keq. Ramizi thoshte: – A i dorëzohet arma shkaut!? Arma shkaut i ipet vetëm në lule të ballit! Unë për së gjalli armën nuk e jap! Ai kishte armë; një pushkë M-48, një revole, një arkë me fishekë dhe tri bomba dore. Meqenëse Ramizi kishte vendosur që armët të mos i dorëzonte, mbi të milicia serbe filloi të ushtronte dhunë të tërbuar, sa, në një moment, disa burra të fshatit që pritshin radhën për tortura, i ishin drejtuar Ramizit: – O Ramiz burri, lyp afat, he burrë, se marove! Kurse Ramizi ua kishte kthyer: O s’lypi afat, jo, nuk kam armë dhe nuk e blej kurrë! Kurrë, pasha zotin, armë nuk kam me dorëzu për së gjalli!Kështu pra ishte betuar i vendosur Ramiz Qyqalla. Fjalën e dhënë e mbajti pa luhatje. Kur milicët u bindën se Ramizi kishte këmbëngulur që të mos dorëzonte armë, ata u sulën mbi të si bisha, duke e shfryrë dufin e tyre shtazarak. Qëndrimi i tij u bë i padurueshëm për milicët e UDB-ashët, ndaj e lidhën për duarsh dhe për këmbësh me litarë dhe e tërhoqën zvarrë nëpër fshat. 

Pas të gjitha torturave mizore, Ramizin e dërguan në lokalet e shkollës së fshatit Pomazatin. Por, as këtu nuk mbaruan torturat mbi të. Në radhë erdhën tortura tjera. Ia kishin lidhur duart dhe këmbët, ia kishin vënë një pykë (copë druri) në gojë, në mënyrë që të mos kishte mundësi të artikulonte fjalë dhe të mos i dëgjohej asnjë zë, po edhe të mos mundet ta ndalte ujin që ia futnin me kovë në bark. Kishin filluar ta rrihnin me kamxhik dhe me shufër metali. Pasi kishte mbaruar seria e kamxhikut, ata e kishin rrahur me shqelma. Pastaj i kishin dhënë të pijë ujë me zor, ia kishin mbushur barkun me ujë, i kishin hipur me këmbë në bark, duke ia zbrazur ujin për goje e për hunde. – Gjakatarëve më së shumti u vinte inat që unë nuk bërtitsha nga rrahjet që m’i bënin. Të them të drejtën, mua më dukej ligësi me bërtit si fëmijë. E di se atyre ua pata plasur barkun me qëndrimin tim. Më vinte inat me iu nënshtruar shkive…”, – rrëfente Ramizi. 

Pas torturave, pa mundur t’ia nxirrnin asnjë fjalë nga goja, e dërguan në Prishtinë dhe, pa e hetuar fare rastin, e dënuan me dy muaj burg. Sapo e kishte marrë dënimin, e vendosën në dhomën e burgut, ku takoi edhe shumë bashkëvendës të tjerë, si: Selim Gashin, Abaz Jasharin (Qyqallën), Ramë Perbrezën, Man Gërgurin (pas gjykimit Manin e kanë pushkatuar) etj. Në atë kohë, në mes të fshatit Bardh i Madh, te xhamia, ishte pushkatuar Azem Simnica i Pomazatinit. 

Dhuna ndaj popullit të pafajshëm nuk ndalej. Nga pjesëtarët e një brigade partizane serbe, që operonte në fshat, ishte vrarë Abaz Kodra, kurse më vonë, më 21 prill 1945, pas afër tri viteve në arrati, te “Lugu i Shkozinës”, ishte vrarë Ismail Kodra i Bardhit të Madh. Ishin vrarë edhe Xhemë Xhuraku i Sllatinës dhe Rrahim Gradica i Gradicës. Në ndërkohë vëllai i Ramizit, Shaban Qyqalla, ishte mobilizuar në njësitet partizane, me qëllim të shpëtimit nga ndjekjet dhe dhuna e shtetit, por, sa të ishte e mundur, të mbronte popullatën shqiptare prej çetnikëve. 

  • DËSHMIA E RAMIZ QYQALLËS PËR TIVARIN

Jugosllavia, sipas Ramizit, shqiptarët i përdorte si “mish për top”. Qëllimi i saj për t’i hfarosur dhe për t’i pastruar trojet tona nga shqiptarët ishte i përhershëm. Masakra e Tivarit ishte më tragjikja, që ka mbetur në historinë e popullit shqiptar, ndoshta në tërë historinë e Evropës. Ushtria e Jugosllavisë kishte përgatitur një plan për zhdukjen pa shenjë të shqiptarëve, duke i mobilizuar ata gjoja për ta ndjekur nazizmin gjerman. 

Mobilizimi u bë në kazermën ushtarake të Prishtinës. Nga Prishtina rekrutët i dërguan në Lipjan. 

– Aty jemi ndalur një natë dhe pastaj kemi vazhduar rrugën për Suharekë dhe Prizren. Gjatë gjithë rrugëtimit tonë na janë bashkangjitur njerëz tjerë, që ishin marrë nga shtëpitë e tyre me dhunë. Në Prizren kemi pushuar dy net në një kazermë, pa të drejtë për të dalë jashtë saj. Ishte e çuditshme që nuk na lejohej të kemi me vete as brisqe, e jo më armë apo diçka tjetër. Ne kujtojshim se, pasi po shkojmë në luftë, do të furnizoheshim me armë. Por, u pa më vonë se për ne ishte përgatitur një plan tjetër, plani për shfarosje. Nga kazerma e Prizrenit u nisëm në rrugë, por ku shkonim, askush nga ne nuk e dinte. Ecnim si kope delesh, në kolonë. Me mua ishin edhe Muharrem Gashi, Qazim Pllana e Salih Xhigolli, të gjithë të Bardhit të Madh. Kishte edhe nga Graboci. Ne tashmë kishim frikë, sepse ishim pa armë, kurse oficerët i qëllonin për vdekje, me armë zjarri, ata që nuk mundnin të ecnin. Qazim Pllanën, në një rast, e lëshoi fuqia, nuk kishte fuqi të ecte. Ashtu ishte edhe Muharrem Gashi. Unë e pashë se gjatë rrugës po i vrisnin ata të cilët nuk kishin forcë të ecnin, po qe se hetoheshin nga oficerët. Sa munda u ndihmova vëllezërve që të mos i vrisnin oficerët. I kam bartur në shpinë me rend, kush kishte nevojë, edhe pse edhe vetë isha shumë i rraskapitur nga lodhja e uria. Isha i shqetësuar tepër shumë kur e kuptova se nuk po na shkruhej mirë, por ishte e pamundur të ndërmerrnim diçka. Armë nuk kishim. Shumë shqiptarë më qaheshin: – Ramiz, kuku për ne, e pat puna jonë! Unë përpiqesha t’u jap gajret. Sapo kemi hyrë në territorin e Malit të Zi, shkijet nisën ta realizojnë qëllimin e tyre gjakatar. Shenja e parë ishte kur asgjë në trup nuk na lanë, bile asnjë brisk të vetëm. E kuptuam sa ishte sahati. Anash nesh kishim ushtarë serbë të armatosur dhe komandën nga oficerët, të cilët kishin urdhër nga lart: – Ai që del nga rreshti, të vritet. Çka është më keq, ata të cilët i vrisnin, i digjnin apo i varrosnin ku të mundnin. Këtë “pastrim” të rrugës e bënin maxhupët, të cilët vinin në prapavijë të kolonës. 

Sapo mbërritëm në Tivar, në momentin kur kemi hipur në trajekt, papritmas kanë shpërthyer rafale automatikësh dhe armë tjera më të rënda. Ne nuk kishim mundësi të mbroheshim, nuk dijshëm se kah t’ia mbajmë. Unë jam shtri kur e kam dëgjuar rafalin e parë, i cili ka zgjatur disa minuta. E kam dëgjuar një zë në serbisht: – Prekini palbu polako…! (ndërprerje zjarrin ngadalë). Çka të shohësh, masakër e vërtetë! Pas kësaj masakre u dëgjua zëri i një oficeri, gjoja për të kërkuar falje. Sipas tij, ishte bërë një gabim. Oficerët bëheshin sikur u vinte keq për ngjarjen. Ne më vonë mësuam se kjo ngjarje ishte e qëllimtë, si hakmarrje për Haki Tahën, i cili thuhej se e kishte vrarë Miladin Popoviqin. Deti ishte mbushur përplot me shqiptarë të masakruar nga forcat serbe – malazeze. Në atë kohë nuk kemi mundur ta dimë se sa ishin vrarë, por më vonë kemi mësuar se ishin mbi 4000 veta. 

Në rrugën drejt Tivarit kemi qenë mbi tetë mijë vetë. Ma merr mendja se kanë qenë të mobilizuar mbi tridhjetë mijë shqiptarë. Siç e kam marrë vesh pas një kohe nga Gjon Sereçi, Ymer Berisha e Sadik Tafarshiku, për këtë masakër kishte dorë Bogolub Nedelkoviq, i cili më vonë u shpërblye me grada e pozita shtetërore. 

Neve, që mbetëm gjallë, na urdhëruan ta vazhdonim rrugën më tutje dhe na dërguan me një anije në Trogir.

  • FORMIMI I KOMITETIT LOKAL DHE I NJËSIVE TË ARMATOSURA 

NDSH-ja kishte filluar ta merrte formën e një organizate të mirëfilltë, edhe pse zhvillohej me vështirësi të mëdha në kushte e rrethana të rënda. Në mbledhjet e para të saj janë ndarë dhe janë përcaktuar detyra për njerëzit e besueshëm të organizatës. Ramiz Qyqallës i ishte besuar detyra që ta formonte komitetin lokal. Në saje të punës së tij të përkushtuar dhe me përgjegjësi, formoi edhe njësitin e armatosur. Njerëzit e armatosur të njësitit të vet i inkurajonte për luftë, duke i bindur se përpos me luftë, mundësi tjetër për t’u çliruar nga pushtuesi jugosllav nuk kishte. Për fat të keq, atë kohë te një pjesë e popullsisë shqiptare, e sidomos te njerëzit e përkëdhelur nga regjimi, ishte krijuar një simpati e madhe për kryetarin e Jugosllavisë, i mbiquajtur Tito. Ka pas njerëz të tillë që Titon e kanë adhuruar aq shumë, sa për vdekjen e tij kanë derdhur lot e kanë menduar se pas tij do të vdes edhe Jugosllavia e do të marrë fund edhe bota. Kurse Ramizi, me shokët e tij, kanë folur vazhdimisht kundër këtij antishqiptari të përbetuar. 

– Pse u vra Emin Duraku? U vra se ishte atdhetar e zemër shqiptari! Jugosllavët kanë ditë ku me prekë. Ai nuk u vra rastësisht. Emini luftonte me vetëdije për trojet shqiptare. Vrasja e tij neve na ka kushtuar shumë shtrenjtë dhe kemi humb jashtëzakonisht shumë se ai kurrë nuk ka pranuar t’i përbuzej kombi i tij. Dhe, u vra nga dora e paguar shqiptare. Edhe pse do t’u shpëtonte plumbave, në spitalin e Prizrenit u helmua dhe ne mbetëm pa një shtyllë të fortë të kombit. Kurrë nuk kemi me i çelë sytë, po qe se nuk bëhemi grusht ne shqiptarët! Unë kam qa si fëmijë kur është vra Emin Duraku i madh! – rrëfente Ramiz Qyqalla. 

Shemsie Qyqalla – Krasniqi, kushërira e Ramiz Qyqallës dhe mbesë e mësuesit të kombit, Ismail Bajskollës (emigrant nga Shqipëria), duke folur për Ramizin, thotë: 

“Pa Shqipëri nuk ka jetë, Shqipëria duhet të bëhet. Kështu më thoshte edhe daja im, Ramizi. Eh, more bir, ata ishin të dhënë pas Shqipërisë, për ta Shqipëria ishte liria dhe shpëtimi ynë. Ne një ditë do të bashkohemi. Eh, o djali im, sa shumë djem janë burgosur dhe janë vra. Edhe ata kanë qenë djem të nënave e gjynah është me e lanë gjakun e tyre ta shkelë me këmbë shkau. Për ata që vajtojnë për Titën, u pikofshin gjak ata sy!”

  • ATA NUK I BESONIN PROPAGANDËS SË REGJIMIT TË TITOS 

Shqiptarët nuk i besonin Jugosllavisë së Titos, sepse e dinin se kjo sajesë nuk ishte krijuar për të mirën e tyre. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe u krijua koalicioni i përbashkët antifashist, shumë shqiptarë kujtuan se kishte ardhur koha për të luftuar së bashku me ushtritë tjera partizane kundër armikut të përbashkët, me qëllim që e ardhmja të ndërtohet ashtu siç e kërkonte secili popull, pra siç e kërkonin edhe shqiptarët. 

Lufta u zhvillua bashkë me ushtrinë jugosllave dhe u krijua një besim i mirë, me shpresë se pas largimit të nazizmit do të arrihet bashkimi me Shqipërinë. Por, për fat të keq, ndodhi e kundërta. Pasi u shpall fitorja e përbashkët mbi nazizmin gjerman, kreu i ish-Jugosllavisë, me politikën e egër antishqiptare, filloi t’i mohonte të drejtat e shqiptarëve dhe nuk lejoi të zhvillohej opsioni për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Politika titiste e mashtronte popullin dhe një pjesë të luftëtarëve shqiptarë, që kishin qenë në njësitet partizane apo në ushtrinë jugosllave. Kjo politikë doli kundër vendimeve të Bujanit, të cilat i cilësoi si përpjekje armiqësore e drejtuar kundër Jugosllavisë. Për t’i shfuqizuar vendimet e Konferencës së Bujanit u organizua, në rrethana të trysnisë dhe kërcënimeve me jetë të delegatëve, Konferenca në Prizren në korrik të vitit 1945. 

Shqiptarët, duke e parë këtë tradhti, filluan të organizohen dhe të mobilizohen për një luftë të re kundër forcave jugosllave. Për këtë qëllim u formua organizata e parë ilegale, NDSH-ja. Prijës të kësaj organizate ishin Gjon Sereçi,Ajet Gërguri,Ymer Berisha, Ukë Sadiku etj. Krahas tyre qëndronte edhe Ramiz Qyqalla, i cili doli në mbrojtje të së drejtës së popullit për vetëvendosje.Me këtë qëndrim parimor Kosova do ta ndërtonte një sistem të ri, ku shqiptarët, në bazë të vullnetit të tyre, do të përcaktoheshin për ribashkim me shtetin amë. Këtë ideal e artikulonin edhe Rifat Berisha, Rexhep Budakova – Kepa, të cilët e shtronin si detyrë të dorës së parë organizimin e një kongresi të Organizatës. 

Para se të mbahej Kongresi i Lipovicës, ishte mbajtur një mbledhje në kullën e atdhetarit, Rexhep Buçinca dhe një tjetër në Graboc, në shtëpinë e Bafti Zogianit. Këto mbledhje u mbajtën rreth një muaj para Kongresit të Lipovicës. Në Graboc u shtrua çështja e formimit të celulave të lëvizjes dhe të degëve qarkore të Organizatës. Në këtë mbledhje ishin pjesëmarrës: Ramiz Qyqalla,Ajet Gërguri, Hilmi Zariqi,Azem Jashanica dhe Aziz Zhilivoda (Azizi po merrte pjesë për herë të parë në një mbledhje të Organizatës). Nga kjo mbledhje dolën disa detyra të studiuara mirë dhe të përshtatura me rrethanat.Ajo pati sukses dhe jehonë të madhe. Doli qëndrimi që të koordinohen veprimet me celulat tjera simotra, që ishin formuar pothuaj në tërë Kosovën, si në Shalë, në Gallap, në rrethin e Ferizajt, në Siqevë etj. Në Siqevë dhe Graboc janë mbajtur mbledhjet përgatitore për Kongresin e Pestë, që u mbajt në Lipovicë. 

Organizimin e mbledhjes, që ishte mbajtur në Grabocin e Epërm, te vendi i quajtur ”Zabeli i Xhemail Zeqës – Mjekit, e kishte marrë përsipër Ramiz Qyqalla. Ai, bashkë me Hasan Jashanicën, duhej ta informonte Gallapin. Paraprakisht ishte takuar me Ajet Gërgurin dhe Hilmi Zariqin dhe me ata kishin vendosur që kjo mbledhje, për shkaqe sigurie, të mbahej në një vend tjetër, në shtëpinë e Ajet Mjekiqit. Mbledhja u mbajt në pranverën e vitit 1946 në Graboc, me një siguri të madhe dhe konspiracion të thellë. Ishte vendim i Ramizit që mbledhjet që ishin me peshë të mbaheshin në familjen Ajet Mjekit, sepse ishte më e sigurt dhe më besnike. 

Gjon Sereçi ishte vendosur në fshatin Bardh i Madh, sepse këtu ishte më i sigurt. Pas Bardhit të Madh ishte vendosur në Graboc të Poshtëm. Ishte strategji e Lëvizjes që, për shkaqe sigurie, të mos qëndrohej shumë në një vend. Për sigurinë kujdesej Ramiz Qyqalla, i cili e vlerësonte gjendjen kur qarkullonte Gjoni. Ramizi ishte i mirëpritur dhe derën e kishte të hapur në të gjitha familjet e ndershme, pavarësisht se shumica nuk ishin pjesëtarë të Organizatës, po që e ndihmonin çështjen. Pas qëndrimit dyditor në Bardh të Madh, për shkaqe sigurie, 

Gjon Sereçi herët në mëngjes takohet me Ajet Mjekiqin për t’u njohur edhe më tej me strategjinë e veprimtarisë, për parapërgatitjen dhe për vendin e mbajtjes së Kongresit të Pestë, që do të mbahej pas një muaji. Ajet Mjekiqi, i cili në opinion njihej siAjet Haxhiu, mbante lidhje me njerëz të rëndësishëm të rezistencës në zonën e Artakollit. Prandaj ai duhej patjetër të kontaktonte me Gjonin për shqyrtimin e mundësive luftarake dhe për përfshirjen masive të popullit në Lëvizje. Ai kishte takime edhe me krerët e Lëvizjes, si me Ajet Gërgurin, me Ibrahim Lutfiun etj. Ramizi duhej të ishte patjetër i pranishëm në takim, sepse ai duhej ta vlerësonte gjendjen në Komitetin Lokal. Ramizi e njihte shumë mirë terrenin ku mund apo ku nuk mund të veprohej. Në këtë pikë ndihmonin edhe Fetah Qyqalla 

e Rasim Qyqalla. Fetahu i dinte shumë sekrete të UDB-së, ndaj ishte shumë i dobishëm për Organizatën. 

Përmes Ajet Mjekit, Gjoni takohet edhe me Ajet Gërgurin, i cili ishte i shoqëruar nga Ibrahim Lutfiu, ish-prefekt i Mitrovicës. Ata u takuan te vendi i quajtur “Lugu i Kishës” në Graboc të Epërm. Lugu i Kishës u caktua për mbajtjen e mbledhjes, sepse kishte pozitë të mirë strategjike. Në këtë mbledhje, përveç të tjerëve, kanë marrë pjesë edhe shumë anëtarë të Organizatës. Qëllimi i mbledhjes ishte ngritja e rezistencës aktive dhe zgjerimi i radhëve, në mënyrë që lufta të jetë popullore dhe rezistenca e organizuar mirë. 

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Ajet Gërguri organizoi edhe një tubim tjetër në shtëpinë e Bafti Zogianit – Topit në Graboc të Poshtëm, ku morën pjesë shumë njerëz të rezistencës, të gatshëm për sakrificë. Në tubim merrnin pjesë edhe banorë nga Bardhi iMadh, Graboci, Zhilivoda, Siboci e fshatra tjera, si dhe anëtarët: Ramiz Qyqalla,Aziz Krasniqi – Zhilivoda, Çerkin Krasniqi, Azem Jashanica e shumë të tjerë. 

Celulat e Organizatës vazhduan veprimtarinë e tyre në ilegalitet. Shumë familje kanë dhënë kontribut të madh për mbajtjen dhe strehimin e ilegalëve. Vlen të përmendet kontributi i madh i familjes së Ajet Mjekit, e cila, përpos ndihmave me ushqime e veshmbathje, kishte ndihmuar edhe me armatim. Ramiz Qyqalla fliste gjithnjë me respekt të madh për këtë familje të pasur, atdhetare e bujare. Kjo familje e kishte mullirin e vetë, ku bluante për vete dhe fshatrat e rrethinës, por edhe për njerëzit e rezistencës. Në këtë mulli ka punuar Behram Krasniqi, i quajtur edhe Behram Kaçaku dhe Behram Cubi, njeri i pashëm dhe i zoti, trim dhe i mençur, i cili më vonë ka pasur shumë pasoja nga pushteti. 

Tahir Krasniqi e Ramadan Krasniqi (djemtë e Behramit), tregojnë për babain e tyre: 

“Baba ka pasur shumë shokë dhe miq, të cilët vinin dhe shkonin nga kulla jonë. Kulla jonë kurrë s’ka qëndruar pa miq. Ndër ta ka qenë edhe Ajet Mjeki, shok e mik i mirë, me të cilin thua një drekë nuk e hanin pa njëri-tjetrin. Ata i kishte lidhur diçka e madhe, por ne të rinjtë nuk e dinim. Fytyrat e tyre tregonin shumë, por ne, si të rinj që ishim, kishim respekt për prindërit dhe nuk i pyesnim për ato që më vonë mësuam se nuk duhej t’i dinim”. Ideali i njëjtë me njerëzit e çështjes kombëtare i miqësoi familjen Krasniqi me familjen Qyqalla. 

Ramiz Qyqallës, për guximin dhe besimin që kishin shokët e tij, nga Kryesia e NDSH-së i besohet detyra e koordinatorit kryesor për fshatrat Bardh i Madh, Bardh i Vogël, Graboc, Shipitullë, Lismir, Zhilivodë, Sllatinë, Halilaç, Kryshec, Siboc dhe Lipjan me fshatra. 

“Ramizin e kemi dorë të djathtë, nuk ka më besnik e më të vendosur. Ai nuk e mat pulsin për komb e atdhe. Kështu na thonin Gjon Sereçi dhe Ajet Gërguri”, rrëfente më vonë Rexhep Buçinca. 

Gjithë armiqtë le ta dinë 

Ta shikojnë historinë Vetë koha ka tregue 

Kushdo që na ka pushtue 

Me lëkurë e ka pague…  (Populli) 

Në gusht të vitit 1945 mbahet Kuvendi i Dobërdolit. Në këtë kuvend kishin ardhë përfaqësues të njësiteve të armatosura, ku merrte pjesë edhe Ramiz Qyqalla. Ramiz Qyqalla, nga rrethi i tij, shoqërohej ngaAzem Jashanica, Tahir Çela,Aziz Zhilivoda, Rexhep Buçinca, Rexhep Sfarça dhe shumë të tjerë, të cilët në rajonin e Gjilanit kishin zhvilluar një luftë të rreptë kundër njësive partizane. Udhëheqës politik në Kuvend u zgjodhYmer Berisha, ndërsa udhëheqës i forcave të armatosura të Kosovës -Ukë Sadiku. Me të caktuar këto detyra, Kuvendi përfundoi dhe të gjithë pjesëmarrësit ishin shpërndarë. 

Lëvizja Nacional – Demokratike Shqiptare nuk kishte të ndalur.Ajo përgatitej dhe forcohej dita-ditës. Sa forcohej, edhe më tepër ndiqej nga organet e sigurimit jugosllav. Përleshjet me forcat ushtarake jugosllave nuk kanë pushuar kurrë. Të përmendim luftën e përgjakshme përgjatë maleve të Sharrit gjatë muajve shtator – tetor – nëntor 1947, që nga brezi malor mbi Ferizaj e deri në Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Prizren. NDSH-ja kishte qëllimin që ta largonte armikun sa më larg kufirit me Shqipërinë, sepse në këtë mënyrë do ta lehtësonte organizimin e luftës, duke llogaritur edhe mbështetjen apo ndihmën e Shqipërisë. 

– Në këtë luftë armikut jugosllav i janë shkaktuar dëme të mëdha në ushtarë, edhe pse ne ishim shumë pak në numër…”, – rrëfente Ramiz Qyqalla. 

vijon..