Lexues të nderuar të Portalit “Ura e bashkuar”
Fillimisht Redaksia e Portalit “Ura e Bashkuar”, merrej me botimin e shkrimeve për kulturë e arsim si dhe botimin e intervistave, po me të njëjtën tematikë. Më vonë, temë kryesore ishte sensibilizimi i prindërve shqiptarë rreth shkollave shqipe në diasporë dhe konkretisht aktivitetet e “Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSh). Në të njëjtin rrugëtim, portali u begatua edhe me aktivitetet e shkollave shqipe më gjerë, në mbarë Diasporë, si dhe aktivitetet kulturore të krijuesve letrarë, të cilët veprojnë në mërgim e konkretisht në Bavari të Gjermanisë, në kuadër të Klubi Letrar “Martin Camaj” në Mynih.Por, duke e parë interesimin e shumë lexuesve dhe krijuesve, të cilët kërkuan, që kjo faqe t’i ketë edhe dy faqe tjera: atë të zhvillimeve politike – analiza e opinione dhe faqen e reklamave, synojmë në të ardhmen, që ky portal të marrë karakter kombëtar, duke iu hap rrugë mendimeve ndryshe, duke pranuar këshilla, sugjerime apo kritika. Një gjë dihet, por ne jemi të detyruar ta përsërisim, se ky portal në asnjë mënyrë nuk do te jetë “arenë” e provokimeve, fyerjeve, sharjeve apo shpifjeve nga cili do qoftë. Kërkohet që shkrimet të shoqërohen me argumentet e nevojshme, që dëshmojnë profesionalizëm si dhe të shkruara në gjuhën letrare.