SIGURIMI DHE AKTIVIZIMI I MULLINJËVE PËR BLUARJE

Xhemajl Pllana

Shkruan: Xhemajl Pllana

Sigurimi i makinës për qërimin e grurit (11.04.1999)

Luftëtarët e UÇK-ës, Enver Osmani dhe Bedri Osmani nga fshati Dalak që herët e kishin një plan për të siguruar një makinë për qërimin e grurit, me qëllim që mielli të dilte më i pastër. Ata e dinin se në një shtëpi në fshatin Bukosh ishte një makinë e tillë, mirëpo ajo shtëpi ishte fare afër forcave serbe, prandaj dhe tërheqja e sajë ishte me rrezik. Megjithatë, aksionin e filluan me guxim dhe një vendosmëri, ku dhe e përfunduam me sukses të plotë (rreth orës 23 e 30 min), të udhëhequr nga Enver Osmani (“mjeshtri”).

Forcat serbe sulmojnë përsëri fshatin Dalak (27.04.1999)

Gjatë kësaj jave forcat serbe përsëri tentojnë të marrin pozicionet tona, mirëpo forcat tona ishin të vendosur dhe nuk u thyen, po qëndruan stoik në pikat ku ishin të vendosur. Armiku duke parë se ishte e pamundur të thyhet, në tërheqje e sipër i vunë flakën dhjetë shtëpive të fshatit Dalak, duke ndërprerë dhe energjinë elektrike. Ndërprerja e energji elektrike na dëmtoi së tepërmi, ngaqë më nuk funksiononte mulliri për bluarje dhe për këtë jemi angazhuar për gjetjen e ndonjë mulliri tjetër elektrik, diku në fshatra tjera. Për këtë diskutuam: Unë, Xh.Pllana (DMPAC)), Bedri Pllana, Komandant i Kompanisë së II-të, Batalioni i II-të, Brigada 142, e ZOSH-ës, dhe Bedri Osmani me ushtarët e Togut të III-të se si ta furnizojmë popullatën me miell, për të shpëtuar jetët e rrezikuara nga uria, sidomos fëmijët e vegjël, ku me qindra e mijëra ishin grumbulluar nga të gjitha anët e viseve tona në këtë fshat, për t’i shpëtuar krimeve të armikut serb.

 Brenda javës Bedri Osmani na ka njoftuar për dy mullinj, njëri në fshatin Ashlan dhe tjetër në fshatin Pantinë (afër hekurudhës). Në fshatin Ashlan mungonte energjia elektrike dhe duhej një gjenerator, ku Bedri Osmani me shokë gjeti në një shtëpi të djegur një gjenerator funksional, me fuqi të mjaftueshëm për të furnizuar një mulli elektrik. E kemi diskutuar se si t’i tërhiqnim dhe se ku mund t’i kyçnim dhe aktivizonim këta mullinjtë. Për këtë kemi hasur në mirëkuptim, me pronarët e mullinjve dhe të shtëpive se ku mund t’i kyçnim. Ishte fat i madh që në fshatin Shtruerë (Shtitaricë) kishte energji  elektrike, ngaqë këtu ishte stacioni i trenit të Vushtrrisë, ku ishin dhe disa familje serbo-malazeze. Mirëpo, problem tjetër që ishte për ne ishte kyçja me energji elektrike e mullirit në lagjen e Barelive në fshatin Dalak, sepse atje tashmë ishte ndërpre energjia elektrike, prandaj për t’u kyçur, duhej siguruar 8 shtylla dhe mbi 1500 metra tel elektrik.

Aksioni për marrjen e shtyllave dhe telit elektrik për mullirin e Lugmirit (Dalakut)

Ditë më herët, mundësinë e kyçje me energji  elektrike nga fshati Shtitaricë, si  fshat më i afërt, i cili ende ishte i furnizuar me energji elektrike, e kemi diskutuar unë ( Xh.Pllana) dhe Bedri Osmani. Mirëpo, pengesë për ne mbetej mungesa e shtyllave dhe e telit përçues. Pra, posa bie terri, ushtarët tanë marrin aksionin e nxjerrjes së disa shtyllave elektrike në fshatin Bukosh, me ndihmën e disa ushtarëve vullnetar civil, të cilët ju kishte caktuar detyra, se çka ka për të punuar, meqë kishim me vete mjetet e punës : lopata, sharra dore, dana të rrymës, këmbëza me litar për ngjitje. Gjithashtu me vete kishim dhe një kalë, për t’i tërhequr shtyllat përçuese, kurse njësiti për sigurimin e vendit ka qenë në gatishmëri të plotë ushtarët: Bedri Osmani,Enver Osmani,Faton Lahu,Shefki Dushi, Adnan Hajrizi,Fitim Osmani, Sabri Osmani dhe Bashkim Osmani, të cilët ishin pozicionuar afër shtëpive serbe.

Këta luftëtarë trima, shtyllat eletrike i kanë bartur me kali, nga fshati Bukosh deri në Shtitaricë, ku po hapeshin gropat grupi i dytë i ushtarëve: Islam Osmani, Avdi Osmani, Besim Osmani, Akil Osmani, Feim Pllana e shumë të tjerë, të cilët siguronin shtyllat dhe telin e nevojshëm.

Aksioni  i tërheqjes ka përfunduar, rreth orës 02 pas mesnatës. Ndërsa kyçja është bërë të nesërmen, ngaqë vendi ishte i përshtatshëm dhe nuk shihej nga forcat serbe.

Aktivizimi i mullirit elektrik në Dalak (28.04.1999)

Pasdreken e kësaj dite, Bedri Osmani dhe Fitim Osmani e kanë bërë kyçjen e rrymës dhe pa humbur kohë e kanë aktivizuar mullirin. Avdi Osmani dhe Meriton Rama, kanë qenë përgjegjësit kryesor për punën dhe mbarëvajtjen e këtij mulliri. Ata janë kujdesur deri në detale, duke evidentuar deri me kilogramin e fundit, për bluarjen dhe shpërndarjen e miellit, njëkohësisht duke krijuar rend dhe rregull. Kurse në rrethanat që ishim, nuk kemi lejuar familje të sillte më tepër se 50 kg. grurë për bluarje, me qëllim që t’ju shërbenim të gjithëve.

Krahas mullirit kemi vendosur edhe një antenë satelitore, për të përcjellë lajmet në TV, ku për këtë jemi angazhuar për një sigurie të shtuar, duke i mbyllur dritaret me batanije, që të mos shihej  dritë nga forcat serbe, se ku shihnin dritë ata garantonin. Pra, për këtë kishim një kujdesje të veçantë ngaqë lëvizjet e popullatës ishin të shumta, të cilët vinin për të bluar grurin. Ishte diçka e papërshkrueshme dhe emocionuese, kur njerëzit sillnin grurë apo merrnin miellin, na respektonin tejmase, shprehnin emocione e shpeshherë me lot në sy, tregonin për fëmijët dhe familjet e tyre.

Ajo që ishte edhe më të rëndë për ne, njerëz hallegjinj qanin hallin ngaqë nuk kishin as grurë e as misër! Lufta i kishte detyruar që të lëvizin, sa andej e këndej dhe kjo për ne ishte tepër prekëse, lutjet, respekti e falënderimi i tyre, sikur ishim shpresa e fundit e jetës për ata. Të gjithë ishin të përqendruar sy e vesh se ç’far zgjidhje po ju bënim. Ne ndiheshim të respektuar dhe krenar, ku me përgjegjësi kombëtare  i ndihmonim popullatës edhe në këto ditë të vështira. Me popullin kemi qenë dhe nuk kemi lejuar në asnjë familje të mos ketë miell, të paktën pa i dhen 2-3 kg miell për familje. Të nesërmen, me angazhimin tonë, për popullatën kemi bërë zgjidhje më të mirë dhe për këtë, urimet, falënderimet e gëzimet kanë qenë të pafundme, për luftëtarët tanë: Bedri Osmani, Meriton Rama,Avdi Osmani e Nazmi Osmani.

 Tërheqja e gjeneratorit nga fshati Bukosh (05.05.1999)

Gjatë një aksioni të mëparshëm, luftëtari Bedri Osmani, kishte hasur në një gjenerator elektrik, në fshatin Bukosh,i cili kishte shpëtuar pa u djegur. Prandaj dhe ka lindur ideja për marrjen e këtij gjeneratori dhe aktivizimin e një mulliri dhe në fshatin Ashlan. Në po këtë ditë, është organizuar aksioni, së bashku me Enver Osmanin,i cili,në ndërkohë është konsultuar dhe me eprorët më të lartë të ZOSH-ës, enkas me Bekim Shytin. Kështu që në orën 20 ka filluar aksioni drejtë vendit të caktuar,i cili ndodhej afër lagjes ë banuar ma serb, dhe jo shumë larg nga pikë-stacionimi i forcave ushtarake serbe.

Ishte i njëjti grup: Enver Osmani,Faton Lahu, Shefki Dushi, e Islam Osmani. Për të ngarkuar gjeneratorin, duhej dhe një traktor i madh, prandaj ushtarët tanë e kanë marrë traktorin e Shefqet Osmanit nga fshati Dalak dhe me drita të fikura kanë lëvizur me kujdesin, për ta siguruar gjeneratorin, i cili ishte i domosdoshëm, ku para mëngjesit kthehen në bazë me gjeneratorin të marr nga fshati Bukoshi dhe e vendosin në fshatin Ashlan, ku mulliri filloi startimin e saj në Ashlanit më 07.05.1999.

Ushtarët dhe popullata, që qëndronte aty, padurim e pritshim fillimin e bluarjes së grurit dhe, ndërkohë gjeneratori u aktivizua, mulliri i Musa Kajtazit filloj të funksiononte me sukses, ku kapaciteti i bluarjes së këtij mulliri ishte deri në 6000 kg gjatë 24 orëve. Ushtarët tanë mbanin rendin, sepse radhët e qerreve me kuaj dhe traktorë për të bluar ishin bërë të gjata. Ishte një gëzim i madh dhe i papërshkrueshëm për të gjithë ne, sidomos për Bedri dhe Enver Osmanin që arritën ta sjellin,ta kyçin dhe që ta aktivizojnë mullirin për bluarjen e drithit.

 Aksion i sigurimit të mullirit për fshatin Shtruerë (Shtitaricë) (24.05.1999)

Fillimisht, ushtarëve të Shtitaricës dhe të Dalakut ua kemi siguruar një fletë-lëshim për të tërhequr dhe një mulli privat i cili gjendej në fshatin Pantinë (afër hekurudhës).Ideja për kyçjen e këtij mulliri ishte e imja, sepse në këtë fshat kishte grumbullim enorm të popullatës, e cila mezi po mbijetonte nga uria. Kishte gra, pleq, fëmijë, ku oborret ishin të stërmbushura me njerëz, ndërsa lëvizjet e popullatës ishin të kufizuara nga forcat serbe, ku nuk lejohej as futja e ushqimit, në fakt popullata ishte rob lufte.

Fillimisht luftëtarët tanë kontaktojmë me policinë ushtarake të UÇK-së, që të na lejohet dhe mundësohet të shkonim në fshatin Pantinë, për ta tërhequr mullirin dhe për ta vendosur në Shtitaricë. Për këtë jam konsultuar dhe kam vendosur unë, Xhemajl Pllana, që ta tërheqim mullirin dhe ta vendosim në shtëpinë e pabanuar të Behgjet Mehollit (afër çezmës së fshatit). Për montimin dhe aktivizimin e këtij mulliri kanë qenë të ngarkuar Avdi Osmani dhe Meriton Rama. Pastaj ata ia kanë dorëzuar ushtarëve të Shtruerës: Shukri ,Ramadan dhe Fahri Mehollit, ku në mesditë e kemi aktivizuar mullirin, ku vetëm gjatë ditës së parë kemi grumbulluar diku 2000 kg. grurë. Ishte kohë e ndjeshme, me momente të vështira për popullatën tonë, e cila jetonte në male, rrugëve, oborreve të shtëpive, pa ushqim e veshmbathje.

Prandaj ndjenim obligim dhe përgjegjësi shumë të madhe t’iu dalim në ndihmë, familjeve tona, sepse për ta e vetmja shpresë ishim ne, ushtarët e UÇK-së.   Kjo ishte një vepër tepër e rëndësishme dhe jetike, ishte një sukses i madh i njësiteve luftarake të kësaj pjese të ZOSH-ës. Padyshim se më të mëriturit, për realizimin e kësaj vepre ishin: Bedri Osmani, Enver Osmani, Islam Osmani,Avdi Osmani,Nazmi Osmani, me ushtarët e Togut të tyre. Nuk ishte e lehtë dhe pa rreziqe ndërmarrja e këtij aksioni mu para hundëve të forcave ushtarako-policore serboçetnike (1-2 km vijë ajrore), sidomos, mulliri në Shtruerë, ishte fare afër stacionit të trenit, fabrikës së Lamkosit, ku kishte të pozicionuar, ushtarë, policë dhe paramilitarë serb. Pozicioni i luftëtarëve tanë, sidomos për ata që po menaxhonin me bluarjen e drithit, ishte me rreziqe të mëdha, për tërheqje në rast të ndonjë sulmi të befasishëm të forcave armike, sepse ne do të ndodheshim në mes të dy kodrinave, që ndanin Shtruerën dhe Akrashticën, ku zakonisht pozicionoheshin forcat tona dhe ato armike. Për mbarëvajtjen, funksionimin dhe mbajtjen e rendit gjatë punës së këtij mulliri, ishin ushtarakët: Shukri, Fahri,Kadri Meholli, Fadil Hasani dhe Ferki Muzaqi (civil),i cili ka bluar dhe e kanë mbikëqyrur për një kohë këtë mulli.

Morali luftarak, vendimtar për sukseset dhe fitoret tona

Gjatë këtyre javëve dhe muajve të pranverës ’99, kemi dëgjuar dhe kemi përjetuar, raste më rrëqethëse. Kishte raste që vinin persona të moshuar nga vise të ndryshme, të cilët nga emocionet nuk mund të rrëfeheshin, ose me lot në sy shpreheshin se si kishin mbetur me ditë të tëra pa miell dhe ushqime, se si kishin mbijetuar duke ngrënë kokrra misri të ziera. Ata ishin në gjendje tepër të rëndë , kur ishte në pyetje mungesa e bukës për fëmijët dhe familjet e tyre. Ndiheshim të tronditur, nga lloj-lloj rrëfimesh. Ndërsa ne kemi bërë shpërndarje racionale dhe asnjërin nuk e kemi kthyer duarthatë. Ka raste që kurë kemi dëgjuar që familje të caktuara ishin keq, ne ju kemi dërguar miell në shtëpi, male apo kudo që kanë qenë. Fat i madh për ne, ka qenë dhe mundësia e furnizimit me patate, të cilat i kemi bartur nga deponitë e fshatarëve tanë, prodhues të kësaj kulture bujqësore, sidomos nga Shtruera dhe nga Fushëmiri. Edhe bartja e patates nuk ka qenë e lehtë, sepse për fatin tonë, edhe reshjet ishin të mëdha, gati sa nuk na mbuloheshin dhe traktorët  nga uji i lumit të Sitnicës.

Është për t’u theksuar një gjë shumë e rëndësishme, gjatë kësaj lufte të shenjtë, së sikur të mos kishte qenë morali i lartë, uniteti dhe bashkëveprimi i luftëtarëve tanë, edhe sukseset e shumta që i kemi arritur, do të mungonin. Prandaj morali luftarak ishte arma jonë më e fortë, sepse dhe arma nuk luftonte vet. Pra, morali ushtarak e luftarak na ka kalitur, ku jemi adaptuar krismave, granatimeve, plagëve dhe vdekja, që na ishte bërë diçka si normale. Pra, në saje të këtij qëndrimi, e morali kemi arritur qëllimin dhe fitoren tonë të shtrenjtë, lirinë.

E gjitha që u tha më sipër u arrit me besimin e madh në fitoren e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa dyshim me ndihmën e madhe të bombardimeve të NATO-s. 

Përmes këtij rrëfimi po shkëpusim një pjesë të ngjarjeve reale e dramatike, sa tragjike e të dhimbshme, aq fistike lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në pjesën ku vepronte ZOSH-ës arritëm ta fitojmë lirinë e shumëpritur!

Prishtinë, më 31.03.2019