Shkruan: Isuf Ismaili
Kishte kohë të gjatë që miku im i shtrenjtë arbëresh MIchele Greco nga Frasnita, një vendbanim arbëresh në Arbërinë Gadishullore në Itali, më kishte shkruar se do të shkonte së bashku me disa motra e vëllezër arbëreshë në Gjenevë të Zvicrës, për të dhënë një koncert artistik së bashku me vëllezërit shqiptarë emigrantë në zonën e Gjenevës.
Ka një kohë të gjatë që takimet dhe organizimet e përbashkëta me vëllezërit e motrat arbëreshe janë duke u bërë gjithnjë e më të shpeshta. Këtë vit janë më të gjalla e më të shumta takimet e bisedat dhe organizimet e përbashkëta. Kjo na ka ngjallur shpresën e një ardhmërie më të mirë dhe më një gjendje të kënaqshme në mes vëllezërish e motrash të rrënjëve të përbashkëta.
Këto takime e aktivitete janë pjesë e rëndësishme e kulturës sonë e përkushtimit atdhetar dhe ndikojnë gjallërisht në jetën tonë.
Arbëreshët i përfshinë një flakë e zjarrit të fuqishëm atdhedashës
Ata me një përkushtim të madh e me një dashuri të flaktë krijojnë një harmoni të tingujve të këngëve, të ritmeve të valleve të shoqëruara me një pasuri figurash artistike e gjuhë melodike e të pastër. Ata sikur shkrihen në përmbajtjen e këngëve në harmoninë e lëvizjeve e valleve dhe sikur futen brenda në porosinë përmbajtjesore të të gjithë zhvillimit të veprimtarive atdhedashëse e të qëndresës shekullore.
Arbëreshët dhe veprimtaria e tyre kulturore atdhetare duke mos harruar asnjëherë lidhjet e natyrshme me Arbërinë-Shqipërinë janë pjesë e pandarë e biografisë sonë, e biografisë së atdheut dhe shkëlqejnë e në udhëtimin shekullor, duke u bërë shembujt më të mirë të atdhedashurisë.
Ata i përfshinë një flakë e zjarrit të fuqishëm atdhedashës dhe të një frymëzimi të lartë që e përmbledhë botëkuptimin arbëresh të mbijetesës në shekuj larg vendit të zanafillës, të vazhdimësisë, duke shfaqur motivin e qëndresës, të përkushtimit e të trashëgimisë etnike, gjuhësore, kulturore, artistike e shoqërore.
Madhështia e kohës së Skënderbeut shfaqet si shkëlqim përmbajtjesor i botës së tyre të brendshme shpirtërore, që shpërthen së bashku me krenarinë e ligjshme në folklorin e pasur, në festat e takimet e tyre organizative e shoqërore, po edhe me ne, vëllezërit e tyre të natyrshëm, kjo madhështi vjen edhe si një thirrje e dashurisë vëllazërore dhe përkushtimit për të përballuar shtypjen e forcave të globalizmit botëror, që synon zhdukjen e asimilimin e pakicave apo popujve që janë të dobët e që nuk paraqesin këmbënguljen e qëndresës dhe zhvillimit të tyre etnik, kulturor, ekonomik e shoqëror.
Ata na bëjnë thirrje neve shqiptarëve përgjithësisht e në veçanti institucioneve shqiptare, në Republikën e Shqipërisë e të Kosovës, që t’i mbrojmë e të bëjmë aq sa është e mundur, që shteti italian, të ndajë mjete financiare për arbëreshët, shqiptarët, ashtu siç ka ndarë për grekët, rumunët e pakicat të tjera, për të zhvilluar veprimtari kulturore, etnike, shoqërore e institucionale, për të mësuar arbëreshët e vegjël e shqiptarët dhe arbëreshët përgjithësisht në gjuhën e mëmës.
Sipas të dhënave që kam, jam i njoftuar nga arbëreshët, se në Itali ka një ligj i cili i obligon institucionet italiane të investojnë për pakicat e popujve jo italian, që jetojnë, punojnë e veprojnë në Itali. Institucionet italiane janë të obliguara që t’i financojnë e mbështesin këto pakica për veprimtaritë e tyre, kulturore, artistike, arsimore e shoqërore. Është fjala për ligjin 482 për pakicat kombëtare në Itali.
Por shteti italian nuk i ka mbështetur e nuk i ka financuar arbëreshët. Sipas disa arbëreshëve, mbase kjo vjen edhe si rrjedhojë e një varfërie më të madhe në jugun e Italisë se në veriun e saj, po vjen edhe si pasojë e injorimit që shteti italian ua bën arbëreshëve dhe mbase edhe vetë arbëreshët nuk janë organizuar aq sa duhet e nuk janë aq sa duhet këmbëngulës për realizimin e të drejtave të tyre. Por, pjesa e vetëdijshme arbëreshe në Itali do që ta mësojë gjuhën e mëmës e të zhvillojë veprimtari kulturore kombëtare, arsimore e shoqërore, prandaj, kërkojnë nga ne që të shkruajmë e të theksojmë vullnetin e dëshirën e tyre të madhe, që drejtuesit e institucioneve të dy shteteve shqiptare në takime përfaqësuesit e institucioneve italiane të theksojnë të drejtat e arbëreshëve dhe të realizohen ato sipas ligjit për pakicat kombëtare.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, shteti shqiptar duhet dhe obligohet të mbështesë e të mbrojë shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë, kështu është e vetëkuptueshme edhe arbëreshët në Itali duhet t’i mbështesë e mbrojë, sepse edhe ata janë pjesëtarë të kombit tonë. Organizimi i veprimtarive dhe shkrirja e të gjitha mundësive për t’i ndihmuar e për t’ ju gjetur pranë vëllezërve arbëreshë është detyrë edhe e çdo shqiptari të ndërgjegjshëm atdhetarisht, prandaj qoftë në kuptimin individual, qoftë në kuptimin grupor janë gjetur e do të gjenden shqiptarë, që do të bashkëveprojnë me arbëreshët. Edhe vetë arbëreshët janë organizuar nëpër shoqata, institucione të ndryshme siç është edhe shoqata: “Vëllezërit arbëreshë” nga Frasnita e drejtuar nga arbëreshi atdhedashës, intelektual, profesor e njeri i shkëlqyer Michele Greco.
Ai qoftë në fytyrën e tij, qoftë në gjestet e shprehjet e tij e shfaq një dashuri e nder të veçantë për mëmëdheun, tokën e zanafillës arbëreshe, për ne shqiptarët, për kulturën e historinë, për gjuhën e për çdo gjë shqiptare, arbëreshe, ilire.
Ai këndon së bashku me arbëreshë e arbëreshe të tjerë dhe ashtu të organizuar në shoqata të gjithë së bashku zhvillojnë një jetë të gjallëruar kulturore artistike e shoqërore arbëreshe. Zemra i pulson fort dhe në sy e në përqafime me qëndrime të denja e me fjalë të ëmbla arbëreshe e shpreh një mall e dashuri vëllazërore, që vetëm zemrat e pastra e mendjet e shëndosha, vetëm shpirtrat e mbushur me dashuri atdhetare e me përkushtim njerëzor, dinë e mund ta shprehin aq bukur, përmallshëm duke përmbledhur krenarinë e çiltërsinë arbëreshe në shekuj.
Gjej rastin për të shfaqur një detaj, kur unë isha në katundin arbëresh Ungër (Lungro), në shkurt të këtij viti i ftuar nga shoqata “Arbëria” (Pro loko “Arbëria”) e Ungrës për manifestimet e madhështore, që ata i bëjnë çdo vit për nder të jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pasi unë kisha vendosur të shkoja në katunde të ndryshme arbëreshe, një natë vendosa t’i telefonoja arbëreshit të dashur Michele Greco.
– Mirëmbrëma, jam Isuf Ismaili dhe ndodhem në Ungër, – i thashë. – Dua të të takoj, dua të shihemi!
– O sa mirë, – ma ktheu ai!
– Unë do të vij në Frasnita ose kudo që ndodhesh, vetëm më thuaj, se kur dhe ku mund të shihemi.
– U kam mot ene do vij të shihmi në Ungër, – më tha.
– Po, unë vij me gjithë dëshirë, – i thashë. – Mua më vjen keq që unë të të mundoj, se edhe do të shpenzosh para për të ardhur gjer këtu.
Ai i vendosur ma ktheu:
– Po na jemi vëllezër. Do vij u, na a jemi vëllezër?
Unë i dorëzuar nga vendosmëria e tij i thashë se do të shihemi në qendër të katundit, tek monumenti i Skënderbeut.
Ai pa humbur shumë kohë erdhi së bashku me vëllain tjetër Mimmo Imbrogno dhe atje e kaluam një natë të paharruar vëllazërore.
E gjithë kjo është tregues i qartë i asaj dashuri vëllazërore që ata e kanë për ne shqiptarët. Mbështetja e përbashkët arbëreshe e shqiptare nxjerr në pah, në shesh, bazën e zanafillën e përbashkësisë e pastërtisë kombëtare, nxjerr në pah dëshirën për të vazhduar e lidhjet e natyrshme dhe siguron ardhmërinë e qenësinë tonë pastër arbëreshe-shqiptare duke i kultivuar vlerat e përbashkësisë sonë dhe peshën e madhe të jetësisë kulturore, artistike, shoqërore e etnike.
Ata nga katundet arbëreshe kishin ardhur në Gjenevë dhe nata kur do të mbahej koncerti ishte caktuar. Koncerti ishte vendosur të mbahej në San Julian të Francës, ngjitur me qytetin e Gjenevës
Takime dhe biseda me shokë
U nisa në drejtim të Gjenevës, në makinë time fare vetëm, por rrugës desha t’i telefonoja shokut tim Lebit Murtishi, ai është një nga shokët e mi më të dashur e më të mirë, me të cilin flasim e bisedojmë shtruar për tema të ndryshme e në veçanti për tema me karakter atdhetarie. Ai është shkrimtar, analist, mësimdhënës i muzikës, por mbi të gjitha një atdhedashës, një veprimtar i shquar, që me vetëmohim e përkushtim të shkëlqyer ka vepruar e vepron për çështjen kombëtare e përgjithësisht për idealet e shëndosha njerëzore i mbështetur fort në tabanin e principeve e përcaktimeve të asaj rruge. Ai së bashku me shokë e veprimtarë të mëdhenj si atdhetari e humanisti, ish i burgosuri politik Kadri Labënishti vepruan pa u ndalur për ngadhënjimin e çështjes sonë kombëtare, për arsimin e kulturën tonë përgjithësisht, prandaj i telefonova Lebitit dhe me të kaluam pothuajse gjithë natë duke biseduar e trajtuar tema të shumta që lidhen me Kosovën, e trojet të tjera shqiptare nën Maqedoninë, nën Serbinë, nën Malin e Zi, nën Greqinë, trajtuam tema për muzikën, letërsinë, për dramën, për vëllezërit arbëreshë etj, Të nesërmen u nisa për në Gjenevë.
Ajo ishte ditë e shtunë, nga Berna e Zvicrës e deri në Lozanë nuk pati probleme në rrugë, por në autostradën Lozanë – Gjenevë pati shumë probleme, aq sa lëvizjet ishin shumë të ngadalta. Kështu u krijua shqetësimi, se nuk do të arrija në kohë, por disi arrita në Gjenevë, pastaj në San Julian. Në një ndërtesë të madhe ishte vendosur të mbahej koncerti. Ndërtesa e ka dy hyrje të madha, dhe menjëherë aty pashë shumë shqiptarë, bashkatdhetarë, të cilët rrinin në këmbë dhe aty pinin ndonjë lëngë apo verë, ose hanin ndonjë gjë të vogël. Organizatorët Luljetë Hoxha, Shaip Deda dhe bashkatdhetarë të tjerë ishin kujdesur, fillimisht, t’i qerasnin pjesëmarrësit e atij koncerti.
Nuk vonoi shumë aty erdhi shoku im Ramadan Pllana me të shoqen dhe dy fëmijët e tij. Ramadani është një nga shokët e mi, me të cilin kam lidhje të ngushta shoqërore e vëllazërore do të doja të thosha. Ai është një nga veprimtarët më të shquar të atdhetarizmit shqiptar, ka vepruar e vepron pareshtur dhe nuk bën aspak shkëputje nga rruga e veprimtarisë atdhetare e njerëzore njëkohësisht. Ai që i ri fare ka vepruar i organizuar me shokë në organizata të fshehta shqiptare për lirinë dhe bashkimin e tërësisë së mëmëdheut, Shqipërisë sonë të shtrenjtë. Ai është profesor i frëngjishtes dhe shkruan e krijon në mënyrë të mrekullishme. U përqafuam me po rrinim e bisedonim, kur nuk vonoi shumë dhe aty e pashë edhe shokun tim, shkrimtarin e gazetarin atdhetar, Agim Sylejmani, cili vepron e punon aq shumë sa nuk di as të pushojë si duhet, po ashtu ish i burgosur politik, nga pushtuesit jugosllavë për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare e revolucionare, i cili ka shkruar disa vepra monografike publicistike dhe një roman. Romanin ia kushton shokut të tij, heroit shqiptar Rexhep Mala. Romani titullohet “Rrugëtimi i një vigani”. Unë shumë herë kam bërë analiza letrare për veprat e tij. Aty u takuam edhe me organizatorët e këtij koncerti. Nuk vonoi shumë dhe na thërritën të futeshim në sallën e madhe ku do të mbahej koncerti.
Koncerti artistike dhe frymëzimi i shkëlqyer atdhetar
U futëm në sallë. Në radhë të parë shikoj se ishin ulur arbëreshët dhe disa përfaqësues të ambasadave e bashkatdhetarë të tjerë.
Sa më pa arbëreshi Michele u çel në fytyrë, më priti me një buzëqeshje e dashamirësi vëllazërore, u përqafuam ngrohtësisht si me të, ashtu edhe me Mimmon e Duraton, i tokëm duart edhe me të tjerët. Koncerti do të fillonte së shpejti. Unë i bëra gati kamerën dhe aparatin fotografik. Aty kishin ardhur edhe përfaqësuesit e ambasadës së Republikës së Shqipërisë, por edhe përfaqësues të ambasadës së Republikës së Kosovës. Kishin ardhur bashkatdhetarë të trevave të ndryshme shqiptare, nga pjesë të ndryshme të Zvicrës e Francës, por edhe vendeve tjera ku punojnë.
Në fillim fjalën e mori organizatorja dhe drejtuesja e shoqatës “Iliria” Luljetë Hoxha me një dashamirësi e respekt të madh foli para të pranishmëve, i uroi mirëseardhjen në atë koncerte, i prezantoi këngëtarët dhe instrumentistët.
Fillimisht para publikut dolën këngëtarja Mimoza Nazarko, pianistja e Ermira Zyrakja Lefort, dhe violinisti Volfi Haxhiaj. Një ndërlidhje e përsosur artistike e zërit brilant të Mimozës me aftësitë e shkëlqyera të instrumentistëve Ermira Lefort dhe Volfi Haxhiaj.
Koncerti artistik u hap me një këngën “Shqipëri o nëna ime”, teksti nga poema “Bagëti e bujqësia” të bilbilit të gjuhës shqipe Naim Frashëri. Këtë këngë jemi mësuar ta dëgjojmë nga këngëtarët Gëzim Nikaj, por edhe nga Shkurte Fejza, të cilët e këndojnë, padyshim, shumë bukur, por varianti i këngës i kënduar nga Mimoza Nazarko me tingujt e shkëlqyer të pianos dhe violinës, na lanë një shije shumë të këndshme e të mrekullishme. Koncerti nisi mbarë e me përsosmëri artistike. Kur punët e veprimet nisin mbarë ka mundësi reale që mbarësia dhe suksesi të jenë mbretëruese gjatë gjithë kohës së një veprimtarie. Jo më kot populli ynë e ka një shprehje shumë domethënëse shumë të pranueshme : “Punët e mira duken që në mëngjes.”
Këngë e përmbledhë shumë mirë edhe mallin edhe dashurinë edhe krenarinë edhe pasurinë e vlerave artistike si tekst, por kur këndohet bukur e me shije të përsosur artistike, siç e këndoi këngëtarja Mimoza Nazarko, pa i harruar këtu edhe tingujt e pianos e violinës, që në mënyrë përsosur i zotërojnë Ermira Lefort dhe Volfi Haxhiaj, pra kënga si tërësi, padyshim, merr vlerësimet më të larta, duke bërë kështu edhe efektin e shëndoshë emocional patriotik, duke lënë njëkohësisht shijen e përjetimeve të këndshme artistike.
S’ ka se si të ishte më mirë, se ashtu siç filloi koncerti me vargjet e Naimit të madh, Naim Frashërit, Naim Shqipërisë, i cili i këndoi me aq zjarr e dashuri të madhe nënëmadhes Shqipëri dhe mbetën në shpirtin e zemrat e liridashësve e atdhedashësve shqiptarë të rrënjosura vargjet e tij
“ Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar
Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e zjarr”
Ndërsa për mërgimtarët atdhedashës, që në shpirt e kanë mallin e pashuar e në sy e kanë lotin për atdheun, vargjet e Naimit ngelen të skalitura në memorie
“Shqipëri o mëma ime, ndonëse se jam i mërguar,
Dashurinë tënde, zemra kurrë s’e ka harruar.”
Po me kaq përkushtim e me ndjenja të pastra duke zotëruar aftësi artistike Mimoza, Ermira dhe Volfi na falën kënaqësi të madhe edhe në vazhdim të programit, kur u kënduan këngët “ Moj e bukura Arbëri”, “Këngët e vendit tim”, “Bilbili”, “Zare, kur më vjen nga stani”. Më pas Mimoza tha:
Tani është grupi i arbëreshëve, pra vëllezërit arbëreshë….
Kështu u mbyll pjesa e parë për t’jua lënë vendin vëllezërve e motrave tona arbëreshë e arbëreshe Micel Greco, Durante Francesko, Mimmo Imbrogno e bija e tij Maria, një soprano e shkëlqyer, Emiliana Oriolo, këngëtare, por së bashku me ta kishte ardhur edhe instrumentisti i përkryer italian Mitidieri Paskulino etj. Arbëreshët kishin ardhur nga Frasnita, Ejanina, Çivita, Spezzano Albanese, pra nga Arbëria Gadishullore (Itali) si këngëtarë të shquar e me dashurinë e zjarrtë, që mbajnë në zemrat e tyre për Shqipërinë dhe tërësinë e pjesëve të saj si Kosova, e trojet të tjera shqiptare nën Maqedoninë, nën Malin e Zi, nën Serbinë dhe nën Greqinë.
Siç e theksova më parë Michele është një nga vëllezërit tanë arbëreshë që ka një përkushtim dhe nuk lë rast pa e shprehur dashurinë për tërësinë e Shqipërisë, ai së bashku me të tjerët i feston ditët e shënuara në trojet shqiptare si 28 Nëtorin, festën e gjithë kombit shqiptar, pavarësinë e Atdheut, të Shqipërisë, nga Perandoria Osmane, 17 Shkurtin pavarësinë e Republikës së Kosovës nga Serbia etj. Ndonëse ata fare pak kishin fjetur, në fytyra dukeshin të hareshëm, sepse gjendeshin mes vëllezërve e motrave nga trojet shqiptare. Shkëlqimi i dashurisë vëllazërore merrte gjallëri që nga sytë, që nga lëvizjet, fjalët e këngët të shoqëruara me gjeste.
Ai filloi të fliste me fuqinë e shpirtit e duke shprehur nxjerrë tingujt e ëmbël të arbërishtes së moçme, një arbërishte që fare lehtë kuptohet, sepse kujdesej të fliste sa më pastër pa fjalë lëtine, – siç thonë ata, – pra duke i larguar fjalët italiane nga të shprehurit në arbërishte.
Mirëmbrëma gjithëve! Motra e vëllezër mirëmbrëma gjithëve! Jemi shumë të gëzuar, gjithë na arbëreshët, që jemi bashkë me ju sonte, se u përpoq gjaku paraprijës, gjaku arbëresh me vëllezërit shqiptarë. Kemi gjithë një gjak, kemi gjithë një gjuhë , kemi gjithë një besë…Bashkë me grupin që qe më parë, jemi shumë të nderuar se shtuam edhe muzikën tonë, muzikën e vjetër, muzikën e Arbërisë, që shkuan më se 500 vjet e gjer më sot, mbajtëm gjuhën, mbajtëm traditën, mbajtëm istorinë, mandaja vëllezër e motra kjo është një porosi e rëndësishme, që edhe ju të mbani gjuhën, zakonet, pesëqind, gjashtëqind vjet e gjithmonë. Prandaja mos dëgjoni se ç’ thonë të tjerët! Gjaku nëng (nuk) bëhet ujë.
Më pas filloi një melodi e harmoni nostalgjike, kështu filluan të këndojnë këngën: “Kur na arbëreshë” Është një këngë shumë e kapshme dhe pëlqyeshme që bashkon mallin, dashurinë dhe përkushtimin atdhetar, ajo e shpalos kujtimin për Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe i thërret arbëreshët të kapen dorë më dorë e të bashkohen, të mos e harrojnë gjuhën, etninë, ajo me një shpërthim emocional shpreh gjithë botëkuptimin arbëresh të lidhur me heroin Skënderbe siç thonë ata me plotë të drejtë “Skënderbeku prindi i Arbërisë” vjen e rrinë bashkë me ne, kur dy arbëreshë, bëhen bashkë. Më pas e kënduan këngën “ Sot u zgjova”, “ Kisha një zemër”, “Qani trima”. Ajo këngë është po ashtu në vazhdën e këngëve të bukura arbëreshe, që është kënduar me një dashuri të madhe dhe me një përkushtim të veçantë.
Koncerti vazhdoi me këngë të tjera të kënduara nga këngëtarja e mirënjohur Mimoza Nazarko. Ajo me një përvojë e të madhe dhe me aftësi të përkryera shfaqi një siguri sa të domosdoshme aq edhe interesante për krijimin e një atmosfere të mirëpritur dhe emocionale të publikut, kështu ajo nisi të këndojë këngën: “Atdheu im” Një këngë që i kushtohet Shqipërisë. Kënga si tërësi merr kuptimin e veçantë dhe shfaqet interesimi kur bashkohen të gjitha vlerat edhe si tekst edhe si melodi këndshme që profesionalisht dhe që në nivelin më të lartë artistik realizohej nga Ermira e Volfi, por natyrisht si kulmi i realizimit është edhe aftësia e përkryer e të kënduarit nga Mimoza. Po kështu u kënduan edhe këngët: “Mori trandafilja e vogël”, “Kroi fshati tonë”, “Dashuria” etj.
Pas këtyre këngëve përsëri doli në skenë grupi arbëreshëve. Arbëreshët kanë një përkushtim dhe një harmoni të përsosur artistike një harmoni melodike, kur këndojnë në qoftë veç e veç, qoftë në grup. Ata e ndjejnë thellësisht në shpirt tekstin e këngës, krenarinë e dashurinë arbërore, prandaj e shfaqin me të gjitha mundësitë që kanë, të tërë botën e tyre atdhedashëse e vëllazërore. Ata i karakterizon nostalgjia, kështu që edhe meloditë e edhe fjalët edhe zëri i tyre harmonizohet si tërësi emocionale, por edhe një përkushtim i mbështetur në tabanin atdhetar. Kështu ata me këtë vrull e kënduan këngën ”Oj e bukura More”, në mesin e të cilëve u shqua qartë zëri brilant i sopranos Maria Imbrogno, e bija Mimmos. Po kështu u kënduan, po me atë përkushtim edhe këngët ”Yll i bukur”, “Te kjo natë e qetë”, “Gjuhën arbëresh po duami na”, “Lule, lule”etj. Publiku duartrokiste e herë- herë ngrihej në këmbë. Për në fund i kishin lënë dy këngë : ”Mora mandolinën” dhe “Xhamadani vija-vija” Dy këngë shumë të pëlqyera nga arbëreshët e që kënduan me shpirt. Atmosfera e e ndezur nga një flakë e përkushtimit atdhetar së bashku me nivelin e shkëlqyer artistik e emocional, i bënte njerëzit që të ishin shumë të hareshëm, ndaj edhe shprehnin këtë me duartrokitje e gjeste të tjera. Kështu përfundoi edhe ky koncert që nuk mund të quhet thjesht koncert, por edhe veprimtari atdhetarie dhe çmallje vëllazërore.
Bashkëbisedime me organizatorët
Pas mbarimit të koncertit pata rastin të bisedoja me organizatorët e këtij koncerti, me kryetaren e shoqatës “Iliria” të Gjenevës, Luljetë Hoxha dhe me pianisten e artisten Ermira Zyrakja Lefort.
I përgëzova për koncertin e bukur artistik me vëllezërit e motrat arbëreshë dhe ju thashë se dëshiroj të thoni ndonjë fjalë për koncertin dhe organizimin.
Luljeta tha:
Me kënaqësinë më të madhe, dëshirën e ndjenjat e pastra atdhetare e kemi
organizuar koncertin së bashku me Ermirën, Mimozën, Volfin e Shaip (Shaip Dedën) Siç shihet qartë të gjithë jemi të gëzuar se patëm një sukses të madh në këtë natë të pa harruar. Çdo gjë shkoi për mrekulli, por më të veçantit në këtë natë natyrisht për ne janë vëllezërit e motrat arbëreshë që na dhanë shumë emocione patriotike e përjetime të veçanta artistike. Jemi shumë të gëzuar që na erdhën e që patëm mundësi t’i ftonim e të mbanim koncert artistik së bashku.
Ndërsa Ermirën e pyeta:
– Si u krijua kontakti me grupin “Vëllezërit Arbëreshë”?
Ajo më tha:
– Një vit me parë ne Sirnach te Zvicrës, duke ju falënderuar gazetarit te mirënjohur Rexhep Rifati u krijua mundësia te paraqiteshim në pjesën solemne të manifestimeve për 550 vjetorin e Skënderbeut, organizuar nga misioni katolik i të njëjtit qytet.
Pas aktivitetit folëm me anëtarët dhe presidentin e grupit Michele Greco.
Na treguan dhe na ftuan për manifestimet e shumëditëshe në Frascineta, Çivita, Ejanina etj, manifestime këto që quhen “Vallja”
U paraqitëm në Çivita dhe me arbëreshët, në sallën me shumë spektatorë arbëreshë e italianë në Castelo di Kruja ( Kështjella e Krujës)
Kryetari i bashkisë dhe stafi i tij na përshëndetën, duke dhe na dhënë emblemën e mirënjohjes të Bashkisë Çivita. (Kalabri).
Atje i propozova presidentit e grupit Michele Greco, që një koncert kthimi po me këtë grup Vëllezërit Arbëreshë e treshes tonë, Mimoza Nazarko – canto, Ermira Lefort – piano, Vilfi Haxhiaj-violinë do të organizonim në Gjenevë ose Francë.
Mbas shumë muajsh pune, komunikimi e përgatitjesh për programin dhe organizimin, mes Michele Greco, unë dhe Shoqata “Iliria”, ky koncert pati suksesin e jehonën qe dihet tashmë.
Aktivitete të bukura e të rëndësishme organizohen nga diaspora shqiptare këtu ne Zvicër. Por ky koncert pati një mesazh shumë të fortë nga arbëreshët, atë të ruajtjes se gjuhës e traditave tona. Arbëreshët e ruajnë gjuhën, traditat e shpirtin e tyre arbëreshë për 600 vjet, siç theksoi ne diskutimin e tij Michele Greco, por dhe ne si diasporë duhet te bëjmë te njëjtën gjë.
Kjo porosi e presidentit të shoqatës “Vëllezrit arbëreshë” rastis edhe me faktin e rëndësishëm që LAPSH kudo ne Zvicër, gjithnjë e me tepër, po ngre zërin për zvogëlimin e numrit të nxënësve ne klasat e gjuhës shqipe.
Në St Julien në Francë koncerti nuk ishte thjesht kulturor, por edhe përkushtim patriotik, prandaj le të shpresojmë që te tilla manifestime të bëhen sa më shumë me zërin e shpirtin arbëresh dhe kështu të forcohen gjithnjë e më tepër, ndjenja e vazhdimësisë së gjuhës dhe kulturës arbërore-shqiptare.
Në fund presidenti shoqatës “Vëllzrit arbëreshë” Michele Greco tha:
Tani ka ki moment mbaruam koncertin. Qe një mirëpritje e madhe, se u pamë me vëllezërat tanë që rrinë ka ki vend, na pritën me zemër të madhe e shumë hare e na dhanë shumë dashuri. Qe një koncert që u këndua me zemër e shpirt në duar. Na e sulltëm edhe veshjen tonë, kostumet arbëreshe, që janë të vjetra e janë punuar me dorë. Këto kostume vishen nga gratë dhe janë shumë të vjetra e vishen ka vashat ditën që martohen dhe në manifestimet e ndryshme, ashtu ato shkëlqejnë.
Porosinë që e le vllezarve tanë është, të ruajnë gjuhën, se pa gjuhë e pa rrënjë nuk vete larg, nuk di rrënjët, nuk mund të kemi rrugë të mbarë për mot. Vëllezërit tanë ka Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Çamëria kanë dialektet e tyre, të flasin dialektet, por shqip, s’ka problem.
Teksti i disa këngëve arbëreshe që u kënduan në San Julian Të Francës
HIMNI I VËLLAZËRISË
Inno alla Fratellanza
(Scritto da Pietro Lanza di Firmo)
Kur Na Arbëresh
gjëndëmi bashkë
kur dy arbëresh jipen dorin.
Skanderbeku vjen ka qielli,
vjen e rrí bashkë me ne.
E më e bukura kopile
Vishet ari vishet si nuse
Dora dora me trimin
vjen e luan pir Skanderbekun.
“Marmi dorin moj vullezra
se na jemi gjaku i shprisht”.
(Dy here )
Këndomi bashkë luami bashkë
E kujtomi Skanderbekun.
Mos harromi gjuhin tone
e mos bjerrmi rritin tonë.
E nga her Skanderbekun
mbami mbrënda zëmrat tona.
“Marmi dorin moj vullezra
se na jemi gjaku i shprisht”.
(Dy here )
GJUHËN ARBËRESHE PO E DUAMI NA
(Fjalë të E. Giordano – të adaptuara njëi motivi italian)
Gjuhën arbëreshe po e duami na,
Gjuhën arbëreshe po e duami na
Gjuhën arbëreshe çë na mbësuan mëmazit tona e duami na.
Gjuhën arbëreshe çë na mbësuan mëmazit tona e duami na.
Gjuhën arbëreshe çë na mbësuan mëmazit tona e duami na.
Gjuhën arbëreshe po e duami na,
Gjuhën arbëreshe po e duami na
Ata çë ruajtin prindët tanë tek dheu i huaj ku rri mi na,
Ata çë ruajtin prindët tanë tek dheu i huaj ku rri mi na.
Ata çë ruajtin prindët tanë tek dheu i huaj ku rri mi na.
Gjuhën arbëreshe po e duami na,
Gjuhën arbëreshe po e duami na
Për sa të rromi ndë këtë jetë për monë monë e duami na.
Për sa të rromi ndë këtë jetë për monë monë e duami na.
Për sa të rromi ndë këtë jetë për monë monë e duami na.
QANI TRIMA
(Këngë tradicionale)
Qani trima, qani gjith me lote
se iku djalli, çë na bënej drite.
Shkova ka dera jote e s’ ish njeri
dolla ka udha kroit e s’ të pe.
Kërkova gjitoni mbë gjitoni
e mosnjari më tha se ku ti je.
Një mjegullëz e zezë m’ u vu ndër sy,
m’u salltin trutë e m’ u err gjithë ky dhe.
Me sytë mbë lotë u prora prap ndë shpi,
i pisëruar si zogu pa fole.
Oj zemirò, zemira ime, zemira ime e ti ku je
Oj zemirò, zemira ime, zemira ime e ti ku je.
Shkova ka dera jote e s’ ish njeri
dolla ka udha kroit e nëngë të pe.
Kërkova gjitoni mbë gjitoni
e mosnjari më tha se ti ku je.
SOT U ZGJOVA
(Tekst e muzikë nga Alfio Moccia)
Sot u zgjova e gjithënjeëheije hapa sytë
një mjegullëz e zezë shtrohej mbi këtë jetë
E zjarri shuhet e ndë malt ngë ka më dru,
e del një dieli çë mua ngë më ngrohën më!
E gjegja thënë një fjalë si “la libertà”,
ca njerëz e thërresin edhe “civiltà”.
“La civiltà” nëng është një dieli i zi,
arbërishe kjo fjalë thërritet “dashuri”!
U nëng harronj,
dua të luftonj!
vëhem e këndonj,
por pa hare!
Duan t’më presin gjuhën t’ime……. edhe më gjë,
duan t’më pinë gjakun t’im, o duan se u fjë
Duan se u kam t’mbitem vet ndër detin e lirisë,
duan se u kam t’pres rrënjat e dashurisë.
E pesëqind vjet si një lumë shkuan
e ki mullir i vjetër edhe sot bjuan!
Shurben natë e ditë ndë malt ndë shesht,
shurben vet me djerset e neve arbëreshë.
Përsëritje
U qeva njera sot si prush nën hi
e ngroha shokun t’im çë àfër më rri.
E për ca njerëz jam si drizë ndër sy?
se duan t’me bjejin zëmrën e u nëng rri!
E njera çë trendofila lulëzon,
arbëreshi e gjuha e tij ndë jetë rron!
Me skoket u luftonj me shumë fuqi,
me Shqipërine ndër zëmër e ndër sy!
Përsëritje