Tufë poezish nga autori, Sylejman Qyqalla

Sylejman Qyqalla

Nga poeti: Sylejman Qyqalla

NA FALNI,O DËSHMORË

Na falni,o dëshmorë,që fort na zuri gjumi
e gjakun tuaj e përbuzëm,fare e harruam;
na falni,që Kosovën sot po e merr lumi
e në emrin tuaj,vodhëm,me hile u pasuruam!

Na falni,o dëshmorë… dhe dheun jua tundim,
me një flamur dreqi,që s’i ngjan askujt!
Na falni që Atdheun po e kafshojmë ku të mundim,
e tradhtinë tonë-jo ju-po s’e heqin as buajt!

Na falni,o dëshmorë-me turp po jua them,
(Gjumin ma prishi gjëma juaj në këtë agim!),
na falni,që leku mendjen seç na e bëri ujem…
të parët tanë s’i lanë kësi turpi brezit tim!

Na fal Xhevë… Antigonë…Tahir…na fal Tiranë,
na fal,Dukagjin,kullë e Adem Jasharit!
Na fal për ca djem kopila,që linde,moj nanë-
-e harruan Gjergjin-amanetin e të parit!

Na falni,o dëshmorë,që mbetëm si pulat në mjegull;
në udhëkryq na lanë shokët tuaj,që i besuam!
Pandehëm se ishin si ju dhe jo kështu, zemërlepur…
për njerkën ,nënën që na dha gji…e harruam!

Na falni,dëshmorë…jo,jo-kurrë mas na e bëni hallall;
ka shumë shekuj,plagët me gjak,kurrë s’na janë tharë!
Qajnë shqiponjat vajza,që për Atdhe ranë në mal…
mos na falni kurrë,që shkelim flamurin e rrezës së parë!

Na falni…për heshtjen tonë,neve që bëjmë sehir…
na falni…ndoshta vjen një ditë më e mirë!
Na falni,që Atdheun po e hamë pak e ngapak…
ne po flemë…ndoshta gjaku juaj do të marrë hak!

NA IKE KAQ PAPRITUR


Ç’iu desh vdekjes kaq keq të na plagosë;
na ike,vëlla Nexhat,kështu kaq papritur!
Na hidhërove sofrën e zemrat na i plandos…
fisin tonë na e tunde,o vdekje qofsh zhuritur!

Na ike kaq papritur-na e hidhërove fshatin;
unë desha në fis të çante frymë hareje!
S’di se si,ikjes sate,vëlla, t’ia nxjerr inatin…
pse kaq heret,na ngrive gjakun në deje!?

Na ike kaq papritur,Nexhat,o vëlla,
po fjalët e bukura na le si dritë në shtëpi.
Kurrë nuk bindem se s’ta dëgjoj atë za…
se s’jemi bashkë në sofër ne-unë e ti!

MOJ KOSOVË-

-lufta e pasluftës-për këtë është leku;
nga ky pis-po t’bëhet hendeku!
Zgjohu,o i mjerë-godit Toptanin;
në emër “demokracie”-po ta gërryen vatanin!

Në njërën faqe t’lëmon-trupin copa-copa,
godit Toptanin,o të mbuloi gropa!
Nxirre,moj tokë-as gjenezën mos ia lër;
këtij pisi,o popull-mos i bëj më nder!

Të shiti Toptani me gjithë tokë e ty;
trupin në Kosovë-zemrën në Serbi!
Zgjohu,more popull,nga gjumi dimëror;
mos ia lër kartat-ti vetë e ke në dorë!

MOJ SHQIPNI

Zgjohu,moj Shqipni-e Kosovës NANË,
sërish mbi shpinë për së gjalli të hanë!
Të janë hedhur sërish “për inat t’partisë”
dhe të nëntëdhjetat gjëmën i bënë Shqipnisë!

GRUAS

S’i duhen gjë lulet e as fustani,
kur s’i falen zemra edhe xhani.
Unë, kurrë s’i thashë: “Zemër, të dua!”
unë s’rri dot pa të-as ajo pa mua.

Për ne-çdo ditë është pranverë;
s’i përziejmë dot lulet me ferrë.

Nuk bëjmë festa nëpër përvjetorë;
çdo ditë dashurojmë, në çaste e orë.
Nga askush s’mësojmë për dashuri;
dhe perëndia u përul- nga ne të dy.

PËR TY, BARDH 

Nëse,unë,biri yt, s’di se nga vij,
nëse dhe pa dashje të harroj-
-më digj dhe varrin me thëngjij…
pa emrin tënd-në djall të shkoj!

I shalova kuajt,Bardh,te ti të vijnë,
t’i ngarkojnë muzat, të fluturojnë si era.
Flladin e ngrohtësinë tënde, që mbinë.
të çelin vargjet si lulet, që sjell pranvera.

E di ti, Bardh, vetë Zeusi, punoi shumë për ty;
“Ja,këtu do ta bëj një parajsë, te ndritë qiellin…
dhe Olimbia të zbresë e ujë kristali të pijë,
me Pirron e me Teutën-të zbresin Diellin”.

Për ty, Bardh, shpesh më ka zënë mëngjesi,
duke të të soditur pëllëmbë për pëllëmbë;
të të mos kafshojnë xhelati e i pabesi…
të të ruaj të virgjër-hëngra veten me dhëmbë.

Të kujtohet, Bardh, dhe Gjergji këtej qe me ushtri,
në kalanë Dardane,të shlodhet nga luftë e gjatë?
Bukë të bardhë e ujë kristali piu në kroin “Çeli”…
në lumin “Drenica” shpëlau gjakun në shpatë.

PLISI

E sheh, moj botë, këtë plis?
E kam zot dhe e kam fis.

Dhe perëndia paskësh thënë:
“Kur zbrita unë, gjeta një plis…
vezë pellazgu i paskëshin thënë-
-para meje u lind ky fis!”

Edhe Dielli me zë tha pastaj:
“Kur u linda unë, gjeta këtë dritë…
çante Gjithësinë skaj më skaj…
mësuan Shqipen dhe perënditë.

Edhe Hëna tha nga majë mali:
“Kur erdha unë, çante lahuta…
gëzonin qielli, deti e zalli-
-vezulloi bota e zezë si futa”.

PËR POPULL

E more popull-për ty s’na merr gjumi;
jo,jo-mos ki frikë-ende s’të mori lumi!

Njëri i fshin qurrat-tjetri kruan mustakun,
“Veç për ty,o popull-e kemi merakun!”

Fli ti,popull,të flemë dhe ne;
kemi kohë të zgjohemi për Atdhe!”

GJITHË SHQIPTARËT JANË SHQIPËRI

Nga gjumi seç u zgjova rënd
I qullur nga një ankth tërë djersë…
Isha në ëndërr me babanë,
Luftëtar më dyzet e pesë.

Sa më erdhi keq kur u zgjova
Që tim atë e pashë veç në ëndërr,
Atë që mezi shpëtoi gjallë
Në Tivar…në famëkeqin masakër.

Dhe djersët i fshiva me fanellën
Që m’u gjend aty rastësisht…
Im atë nuk tundej nga rrëmujat
Që pushtuesi i bënte paturpësisht.

Më vjen keq për babë Ramizin;
Ishte trim i vërtetë e luftëtar,
Ushtar e mik i Gjon Sereqit
Tani po prehen në varr…

Dhe ëndrra po mekej, po shuhej
Bashkë me babain tim Ramiz…
Si nuk e kisha pranë ta përqafoja
Në mjekrën që ia rruaja rregullisht!

Dhe vdiq ai me dorën grusht,
Apo veç mbylli sytë, kushedi…
Me zë të ngjirur mezi nxori:
“Gjithë shqiptarët janë Shqipëri!”