Me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Shkruan: Edlira

Me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

ANDROKLI KOSTALLARI

(Shkencëtari dhe njeriu pasionant)

BEDRI DEDJA

Unë e kam të vështirë të shpreh vlerësime për veprën e Prof. Androkli Kostallarit, Akademik në fushën e gjuhësisë shqiptare. Për këtë vepër kanë folur e kanë shkruar shumë brënda kufijve të Shqipërisë, në Kosovë, në Europë e madje edhe përtej kontinentit. Ishte një zë me autoritet shkencor në tribunat tona kombëtare dhe në ato ndërkombëtare, pavarësisht se në shoqëri ishte i thjeshtë, një përmetar gojëmbël, i zoti për të zhvilluar bisedë të gjallë në çdo temë.

Me Prof. Kostallarin më lidh një kohë prej dyzet e tre vjetësh, një fill kohor prej gati gjysmë shekulli. Nuk shoh asnjë hije në marrëdhëniet shumë të ngushta miqësore reciproke. Shoh vetëm një vijë, për meritat e tij, një vijë të praruar nga rrezet e diellit.

* * *

Ishte viti 1949, kur në gazetën “Bashkimi“ u shpallën publikisht emrat e 11 personave që do të shkonin për studime të larta në B.S. Unë isha atëhere 19 vjeçar e sapo kisha marrë maturën. Androkli Kostallari ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi“, natyrisht, disa vjet më i madh se unë. Më kujtohet se udhëtuam si “të burgosur“ në hambarin e mallrave të vaporit “Miçurin“, sikur të ishim njerëz “të rrezikshëm“ që s’duhej t’i shihte as Çanakalaja dhe as Stambolli. Në këto dy pika na mbuluan në hambar, sikur të ishim mall pa shpirt, për arsye se me ne udhëtonin edhe shumë oficerë, të cilët shkonin në B.S. për të vazhduar akademitë ushtarake. “Taktika“ mbrojtëse botërore nuk duhej të evidenconte një akt të tillë “të madh“ për potencialet tona të ardhshme militare.

Miku im i ngushtë, Akademiku Alfred Uçi më tregonte se Androkli Kostallarin nuk e kisha parë as në hambar dhe as në kuvertë të vaporit, pasi ai nuk kishte udhëtuar me ne. Ai na arriti në Moskë, ende të pashpërndarë nëpër institute. Kryeredaktori, vërejta, nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme; i ngjante një vëllai të madh, modest dhe shumë të komunikueshëm me ne, “çunakët“. Unë atëherë nuk e dija se ai (që nuk e kishte zakon të bisedonte me të tjerët për vuajtjet e veta) të kishte kaluar përmes burgut me tortura, për arsyen se kishte botuar në gazetën “Bashkimi“ një lajm, ndërkohë që ende nuk dihej prishja me jugosllavët e që shkonte në ndesh me rrufetë e Enver Hoxhës. Gazetarin partizan Androkli Kostallari e çuan në Moskë që të studionte për gazetari, por ai bëri çmos për t’u futur në filologji dhe ia arriti qëllimit me sukses. Duket se e kishin “shpërblyer“ mirë për gazetarinë!

Kur ishte ende student, me moshë rreth të tridhjetave, por me përvojë të madhe e me kulturë shkrimesh, njohës i thellë i të folmes shqipe, ai iu fut me shumë guxim fjalorit të rusishtes dhe të shqipes. Që në atë botim, Prof. Kostallari spikati si filolog dhe shkencëtar. Unë nuk njoh rast tjetër, ku të jetë përballuar me kaq sukses leksiku i pasur rus në ballafaqimin e tij me shqipen, me saktësinë, me koloritin, me detajet, me zbulimin e fjalës aq të qëlluar të gjuhës sonë. Edhe sot, kur dua të përkthej saktë ndonjë fragment nga rusishtja, i drejtohem këtij fjalori të tij, të fillimit të viteve ’50, i cili të mahnit për kompetencën shkencore të këtij autori.

Androkliu dinte t’i frymëzonte njerëzit për punë. Ai ishte kërkues e të zgjonte respekt. Atë duhej ta dëgjoje me vëmëndje, sepse mund të përfitoje shumë nga diskutimet dhe replikat e tij. Kam qënë shumë i lodhur dhe i papërqëndruar, kur më propozoi të shkruaj një referat për Kongresin e Drejtshkrimit. Ishte një temë e vështirë psikologjike-gjuhësore. Si tani e mbaj mend: nuk më besohej se mund t’ia dilja. Vështrova sytë e tij entuziastë, inkurajues dhe menjëherë, çdo gjë u përmbys në ndërgjegjen time. Në sajë të besimit që shprehu ndaj meje, më në fund ia dola mbanë.

* * *

Është folur, madje edhe është shkruar për njëfarë kontradikte Çabej – Kostallari. Nga njohja ime kam çfarë të them. Në këto interpretime nuk vlejnë pasionet naive. Edhe me Çabejn e madh kam patur miqësi intime. Atëhere flisnin edhe për një “cinfù“ , që nuk dilte në kohë për të pritur profesorin e etimologjisë në kufi, kur kthehej nga jashtë shtetit. Një “lëmsh“ i sajuar. Mjaftoi një “polski fiat“ i vënë në dispozicionin tim në Akademi për ta shpërndarë këtë mjegull. “E zeza cinfù“! A ishte në gjëndje të përballonte me korrektësi një institut vigan, si ai i gjuhësisë dhe i letërsisë dhe dy shkencëtarë të mëdhenj, si Çabej dhe Kostallari? Akademikët me modesti ecnin në këmbë, ndërkohë që edhe drejtori i komunales e kishte të ngjitur gjithmonë veturën pas vetes.

Kur isha sekretar shkencor i Akademisë, më erdhi një ditë në zyrë Prof. Çabej dhe m’u ankua lidhur me botimin e vëllimit të parë “Studime etimologjike në fushë të shqipes“. Ai e cilësoi Kostallarin si pengesë. E dëgjova dhe konkludova se kishte të drejtë. Kur bisedova me Androkliun po në atë zyrë, ai më bindi, gjithashtu, se kishte të drejtë. Ai nuk kishte asgjë kundër veprës madhore të Çabejt. Gjithë strumbullari i kontradiktës ishte parathënia. Së paku, kështu m’u duk mua. A ishte e natyrshme të kishin kontradikta profesionale? Pa dyshim. Atë që nuk kishte guxim ta thoshte një nxënës timid, Kostallari nuk ngurronte ta thoshte. Nga të dyja palët, një gjë e tillë, në rast se mund të quhej kontradiktë, ishte në dobi të zhvillimit të mendimit gjuhësor shqiptar. Shkenca zhvillohet atje ku ka polemikë parimore dhe jo atje ku çdo gjë pohohet e pranohet pa kushte, me njëfarë qëndrimi disi hyjnor. Unë këtë rast e kam quajtur krejt normal: një polemikë të denjë midis dy shkencëtarëve tanë të shquar. Mbaj mend që edhe Prof. Aleks Buda ishte i këtij mendimi dhe i adhuronte të dy për guximin e madh shkencor, për ballafaqimet e tyre serioze, korrekte, dinjitoze, gjakftohta, të cilat të ngjallnin respekt.

Androkli Kostallari, për kushtet që iu krijuan në familje, për atë jetë disi të mbyllur brënda saj, në një apartament qesharak, për ndoshta më shumë se dy dekada, duhet admiruar për madhështinë e tij si njeri.

Qe një familjar i pashembullt, me durim të pashembullt. Të të pushojnë gruan nga puna, vetëm e vetëm se ishte ruse, të të kërcënojnë me qarkullim po për të njëjtën arsye, të vuash dramën e bashkëshortes që u mbyll thuajse njëzet vjet në shtëpi, kur shkenca shqiptare kishte nevojë kaq të madhe për talentin e tij, – nuk ishte rastësi të qëndroje kaq i pasionuar në punë, në kërkim, pa asnjëfarë eksesi dhe shprehjeje pakënaqësie. Të të mbyllin rrugën aq vjet për të dale jashtë shtetit, të të mos lejojnë të marrësh medaljen e gradën shkencore të nderit të Akademisë Suedeze, – është një dramë aq e madhe shpirtërore, të cilën shumë pak njerëz e përballojnë. E megjithatë, ai vazhdonte punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ai ishte i gjallë dhe optimist në diskutimet e tij, si në apogjenë e kënaqësisë dhe të qetësisë morale. Kam patur nderin të bisedoj shpesh me të për këto çështje; kam patur nderin të jem prehës i halleve të Prof. Androkli Kostallarit. Nuk di si ta shpjegoj afërsinë që tregonte ndaj meje, ndoshta sepse nuk u tregova servil dhe nuk heshta, kur atë e sulmonin për shumë gjëra.

Më kujtohen fillimet e viteve ‘80. Unë sapo isha kthyer nga Elbasani dhe isha vetë me halle e pa shtëpi. Prof. Kostallari vinte rrotull korridoreve të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, pasi ia kishin lënë vajzën pa punë. Një ndërhyrje e detyruar: Akademiku A. Kostallari e përballoi me përkushtim dhe pa pipëtirë dramën ekonomike familjare. U detyrova t’u bëj thirrje ishstudentëve të mi që drejtonin arsimin për t’ia shëruar këtë plagë. Nuk mbaj mend më që profesori të ketë vuajtur shpirtërisht. I dhanë shtëpi të mirë para një viti, por librat në studio i mbetën pa u sistemuar. Në çastet e dhimshme, më treguan, kishin sjellë qylyma nga Akademia e Shkencave për të zbukuruar apartamentin e ri (!!!) Zemra e tij e goditur në mënyrë makabre që në vitin 1948 ose 1949 mbeti i vetmi shqetësim për të. Edhe pse me shumë vonesë, një apartament i ri, mundi t’i zgjaste disa vjet jetë dhe t’i jepte një stimul të ri.

* * *

I dashur Profesor Kostallari! Tani që po qëndroj roje nderi përpara trupit tënd, më shkojnë në mend mbledhjet e Asamblesë së Akademisë së Shkencave në fundin e vitit 1991 dhe në fillim të vitit 1992. Ne patëm në to disa përplasje, dëgjuam zëra tradicionalë dhe demokratë. Megjithatë, unë e them me bindje se zëri i demokratizimit të Akademisë qé mbizotërues dhe triumfues, çfarë është pasqyruar edhe në statutin e ri të saj. Në këtë mbledhje, Prof. Kostallari qe shumë i gjallë, aktiv, thellësisht demokrat. Nuk të shkonte kurrë mendja se këto ishin javët e fundit të tij. Ai pra, ruajti në çdo moment një vitalitet për t’u admiruar. Akademiku Hamit Beqja tregonte këto ditë për një detaj nga jeta e tij. Ai kryente një punë të madhe redaktuese edhe në mbledhje serioze, si në Komisionin e lartë të atestimit, ku duke redaktuar, nuk i shpëtonte as edhe një presje.

Në mbledhjet e nxehta të Seksionit të shkencave shoqërore të Akademisë, për problemin e fjalorëve të shqipes, Kostallari diskutonte me pasion të madh. Në një nga këto mbledhje, më kujtohet, Akademiku Dhimitër Shuteriqi, në bisedë intime me zë të ulët, më tha njëherë: “Androkliu nuk ka për të vdekur i qetë, në rast se nuk boton fjalorin normativ të gjuhës shqipe!“ Bashkautori dhe kryeautori i kësaj vepre madhore u largua nga kjo botë pa e parë vëllimin e parë të këtij fjalori në qarkullim. Megjithatë, pasionin dhe rezultatin e kësaj vepre ai e la pas, së bashku me shokët, në atë punë kolosale që është bërë. Për këtë arsye, mendoj se duhet të ketë qënë i qetë gjer në fund të jetës së tij.

* * *

Shkrimtarët tanë, te Prof. Androkli Kostallari kanë gjetur gjithnjë një ndër lexuesit më të dashur, të afërt, “elektronikë“ të tyre. Ja, për shembull, një bisedë e shkurtër me të përpara ndërtesës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Më përmendi dy shprehje nga romani im “Kalamajtë e Pallatit tim“ dhe një nga poema “Shkolla e Pyllit“, të cilat i kishte zgjedhur për komentet e fjalorit normativ. Të them të drejtën, më habiti. Si ishte e mundur të mbante mend, me një interes kaq të madh profesional detaje të tilla? Ai nuk harronte kurrë të të uronte për daljen nga shtypi të një libri të ri, të cilin e kishte lexuar ndër të parët. Procesin letrar në Shqipëri ai e ndiqte me një vullnet jo të zakonshëm, duke përjetuar edhe kënaqësi estetike, por edhe kënaqësi profesionale, sepse kishte bindjen se në të pasqyrohej gjuha e gjallë e popullit, me gjithë zhvillimet e veta.

1992 (Nga Portali gazeta “Lëvizja”)