Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXIV)
Nga Berat Luzha
Në krahinën e Lumës, përgjatë rrugës Kukës – Peshkopi, në mes Drinit të Zi e malit Gjallica, 10 km nga qyteti i Kukësit ndodhet fshati Bicaj. Bicaj është fshati më i madh i rrethit të Kukësit, që ka statusin e njësisë administrative dhe është në kuadër të bashkisë së Kukësit.
Afër Bicajt, në Bushat ndodhet Kalaja e Bushatit, e cila vlerësohet e moshës mbi 2000-vjeçare, që është ndër kështjellat më të vjetra në Gadishullin Ilirik. Në hershmëri Luma, ndaj edhe Bicaj, përfshihej në Dardani. Në shek. XIV ishte në përbërje të Principatës së Balshajve, gjatë pushtimit osman ishte pjesë e Sanxhakut të Prizerenit e të Vilajetit të Kosovës, ndërsa pas vitit 1920 ishte në kuadër të prefekturës së Kukësit, tash në rrethin e Kukësit. Fshati Bicaj para çlirimit ishte qendër e nënprefekturës, qendër e rrethit, qendër e lokalitetit, ndërsa sot është qendër e njësisë administrative.
Në Bicaj vepronte njëri ndër komitetet më aktive të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Qysh në vitin 1884 Bicaj ishte lidhur me Prizerenin përmes lidhjes telefonike. Në këtë fshat është mbajtur “Mbledhja e Dheut” me krerët e krahinës së Lumës, ndërsa në vitin 1903 është hartuar dokumenti i njohur “Masbata”, me të cilin krahina e Lumës nuk njihte autoritet tjetër pos 18 përfaqësuesve të saj. Nga Bicaj, në vitin 1909, është përzënë kajmekami (nënprefekti) dhe administrata osmane. Ndërsa, më 26 nëntor 1912 në Bicaj është ngritur flamuri kombëtar. Edhe pse Konferenca e Ambasadorëve në Londër e kishte njohur pavarësinë e Shqipërisë, ushtria serbe, në vitet 1912 – 1913, e kishte pushtuar Lumën me qëllim t’ia bashkonte shtetit serb. Serbët në Lumë kanë kryer masakra të tmerrshme, duke vrarë mbi 1800 njerëz. Megjithatë, pas përpjekjeve të mëdha, pas një lufte heroike me trupat serbe në Qafën e Kolesianit dhe pas ultimatumit të Austro – Hungarisë, më 25 tetor 1913, trupat serbe janë larguar dhe Luma i është bashkuar shtetit e ri shqiptar. Pas shpalljes së pavarësisë, nga të para është hapur nënprefektura në Bicaj dhe është ngritur flamuri kombëtar (18 tetor 1913) me nënprefekt Sadik Gostivarin dhe në prani të Hasan Prishtinës, Islam Spahisë e të shumë burrave nga Luma e Kosova. Mirëpo, edhe pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1918 – 1921, ushtria serbe kishte ripushtuar Lumën, Hasin dhe Malësinë e Gjakovës, duke mëtuar ta bënte Drinin kufi natyror të Serbisë me Shqipërinë.
Fshati Bicaj ka dhënë kontribut të vlefshëm edhe në Luftën Nacionalçlirimtare, duke krijuar, në vitin 1943, Çetën Partizane të Lumës dhe, në vitin 1944, Brigadën XXIV Sulmuese. Vetëm nga Bicaj në formacionet luftarake partizane ishin përfshirë 136 banorë, nga të cilët 15 kanë rënë Dëshmorë të Kombit.
Historikisht Bicaj ishte qendra kryesore e krahinës së Lumës. Sot Bicaj ka rreth 1000 banorë, ndërsa që nga viti 1990 numri i popullsisë ka rënie të jashtëzakonshme, duke i lënë pothuaj të shpopulluara fshatrat e kësaj njësie administrative. Edhe Bicaj vazhdon të braktiset nga banorët e tij, të cilët kërkojnë jetë më të mirë, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkolla e parë shqipe në Kolesjan, afër Bicaj, është hapur në vitin 1911, ndërsa tri vjet më vonë, në vitin 1914, është hapur edhe në Bicaj. Sot në fshatin Bicaj funksionojnë dy shkolla; 9-vjeçarja “Vehbi Shehu” dhe gjimnazi “Bajram Avdiu”.
Në qendër të fshatit ndodhet Shtëpia e vjetër dykatëshe e Kulturës “Elez Braha”, e ndërtuar në vitet 60-ta, që i shërben fshatit për veprimtari të ndryshme kulturore, politike, artistike, historike. Shtëpia e Kulturës është institucioni i vetëm ku ruhen vlerat historike dhe folklorike të traditës sonë. Dikur aty shfaqeshin edhe filma, por kjo veprimtari ka pushuar që nga viti 90-të.
Nëpër fshat rrjedhë nga mali përroi i Shejës, i njohur nga kënga për luftën e Lumës. Uji i këtij përroi përdoret për ujitjen e tokave të bukës të disa fshatrave dhe për të mbajtur në punë disa mullinj. Mirëpo, ky përrua rrezikohet të thahet nga ndërtimi hidrocentraleve në rrjedhën e tij. Aq më keq kur ky HEC-et ndërtohet në Kanionin e Shejes në Bicaj, që është i shpallur “Monument natyror”.
Banorët e Bicaj tradicionalisht janë marrë me bujqësi e blegtori, kryesisht me mbjelljen e grurit dhe të misrit, si dhe me rritjen e bagëtive të imëta.
Tërshena është një fshat i vogël malor, pothuaj i braktisur, rrëzë Gjallicës, me 5 – 6 familje, të cilit natyra i ka falë tërë bukuritë e mundshme. Është zbuluar dhe krijuar si një destinim turistik për adhuruesit e natyrës, i përshtatshëm për sportin e aventurës në natyrë. Adhuruesit e natyrës në ecje e në aventurë e kanë kthyer këtë fshat në guidë turistike. Tjetër mrekulli është kanioni i Shkallës së Keqe, afër fshatit Bicaj, të cilin e ka krijuar përroi Sheja. Turizmi në Bicaj e rrethinë zhvillohet mbi pasuritë natyrore e kulturore, mbi pasuritë e traditave, zakoneve e riteve interesante. Nëpër malin e Gjallicës rreth fshatrave Bicaj, Mustafë, Brekije dhe fshatrave tjerë të rrethinës janë hapur shtigje të gjata këmbësorësh, të frekuentuara nga adhuruesit e natyrës.