Fati i Gjuhës Shqipe në Atdhe dhe Diasporë

Shkruan: Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj
Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Reflektime për rolin e arsimtarëve dhe mësuesve në ruajtjen e identitetit gjuhësor

Të nderuar drejtues të Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës,
Të nderuar organizatorë dhe pjesëmarrës të këtij takimi për nder të Ditës së Mësuesit, që jeni tubuar sot në takimin online festiv me rastin e Ditës së Mësuesit,

Dita e 7 Marsit na kujton interesimin dashamirës për gjuhën shqipe e të ardhshmen e saj si tipar përbashkues i kumtimit dhe i marrëveshjes midis të gjithë shqiptarëve në trojet e veta ballkanike, si dhe të atyre që janë në diasporat e hershme (në Greqi, Itali, Zarë, Mandricë, Ukrainë etj.) dhe të grupeve mërgimtare më të reja në metropolet e Evropës, të SHBA-së , të Kanadasë, të Australisë etj.

Jam i lumtur që edhe në Vjenën e shquar për art, muzikë e kulturë, ka shqiptarë që jetojnë e kontribuojnë më ndershmëri e janë përfshirë në rrjedhat e përparimit në atë mjedis të lakmueshëm, kanë nxënë gjuhën e vendit e të kombit mikpritës : gjermanishten, por, krahas saj, me të drejtë e si dëshmi e dashurisë për Atdheun e të pareve, kanë ruajtur dhe gjuhën shqipe. Pra, sot, në këtë tubim festiv, ju meritoni lavdërimet e shprehjen më të çiltër të vlerësimit për ruajtjen e shqiptarisë,duke pasur në gojë e në të shkruar, sipas rastit e mjedisit, jo një, po dy gjuhë: një “gjuhë buke” e pune, gjuhën e mjedisit në Austri dhe një “gjuhë zemre” e dëshmuese të prejardhjes nga “vendi i shqiponjave” sikundër quhen me një metaforë të gjithë shqiptarët në trojet e veta e në diasporë.
Të gjithëve sa janë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi etj. gjuha shqipe u shërben si mjet komunikimi, po edhe si tregues e simbol i përbashkësisë etnike dhe shpirtërore e kulturore, si hallkë e fortë shqiptarie.

“Në qoftë se, 21 vjet më parë, ishte një befasi e këndshme që një studim doktorature i kushtohej diasporës shqiptare në Zvicër dhe gjendjes së gjuhës shqipe e kontaktit të saj me gjermanishten në kantonet e Zvicrës gjermanofone, për hir të një ndihmese aq të thelluar të paraqitur nga dr. Basil Schader, kur mbrojti doktoraturën në Universitetin tonë të Tiranës, si dhe njohja me veprimtarinë e LAPSH-së “Naim Frashëri”, tashmë duhet të themi se kjo lloj përnjohjeje nuk është më aq befasi, as e rrallë. Prej botimeve të kohëve të fundit, si në letër, ashtu edhe të librave e publikimeve “on-line”, del se Evropa dhe Bota, kanë edhe LAPSH-a të tjera, si p.sh. në viset nordike, si dhe në Austri.

  1. Roli i bashkëveprimit hapësinor të shqipes e të kulturës shqiptare në kohën tonë. Mijëvjeçari i dytë dhe fillimi i të tretit, për fatin e bardhë të shqiptarëve e të shqiptarisë, u mbyll me  pohimin e realitetit  se gjuha shqipe sot eshtë në nivelin më të lartë të mundshëm, është gjuhë shteti në Shqipëri dhe në Kosovë, është gjuhë e njohur me ligj edhe nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe, në masë të kënaqshme, po përfillet edhe në Mal të Zi  e në diasporat e hershme arbëreshe e në mërgatat shqiptare të reja. Deri në Suedi, madje edhe në Amerikë e në Australi, ka sot ngulime shqiptare, që, krahas gjuhëve të vendit, mërgimtarët shqiptarë përpiqen e punojnë të mbajnë gjallë edhe shqipen. Po përmendim, ndër të tjerë shembullin që deri larg në Melburn, një shoqatë shqiptarësh me emrin “Ded Gjon Luli” mëton të mos harrohen as gjuha shqipe, as emri i Shqipërisë dhe historia e vlerat etnokulturore të saj. Sot, gjithandej në Evropë e në vende të tjera të Botës janë shtuar edhe të huajt  që flasin e shkruajnë shqip, ka kërkesa për libra  mësimorë e abetare të shqipes dhe, mbi të gjitha, dashuria e shqiptarëve tekdo që gjenden për gjuhën e kulturën shqiptare është tregues i mallit dhe i dashurisë së tyre për Shqipërinë.
      Hapja e kufijve  të ndërkomunikimit ndërmjet hapësirave kompakte ballkanike  shqiptare të Shqipërisë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, pastaj edhe me diasporat e hershme e të reja në botë, ka krijuar edhe truallin më të përshtatshëm për të shkuar më larg e më thellë në piketat e bashkarisë shpirtërore e kulturore të gjithë shqiptarëve. 3.Gjatë viteve të punës si pedagog universiteti dhe si gjuhëtar specialist kam pasur rastin të njihem dhe me një yjësi mësimdhënësish e veprimtarësh arsimorë e kulturorë në diasporën arbëreshe të hershme dhe në diasporën e re në disa vende të Evropës.
    Qysh nga viti 2001 e në vijim, disa herë radhazi, kam qenë edhe në Zvicër, i ftuar për të marrë pjesë në tubime e konferenca shkencore të organizuara nga LAPSH “Naim Frashëri. Kam bashkëpunuar dhe kam drejtuar një studim doktorate me temë pikërisht marrëdhëniet e shqipes dhe të gjermanishtes në kantonet zvicerane gjermanishtfolëse, të realizuar nga prof.dr. Basil Schader; kam kumtuar në dy a tri veprimtari shkencore të organizuara atje (në Bernë, më 2001), në Zyrich (më 2013) etj. si dhe kam botuar kumtesa e artikuj në përmbledhje studimore të LAPSH-së.
    Mund të thuhet se, në kohën e sotme, fati i gjuhës shqipe ka hapësira, gjeografikisht të ndara e të shpërndara, por të lidhura në të njëjtën hallkë të hershme e të përhershme të etnicitetit e kombëtarisë shqiptare, si pjesë e mbijetesës dhe e vetëruajtjes: shqipja e shqiptarëve në atdheun e vet (në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat shqiptare kompakte ballkanike (në Republikën e Kosovës, në Maqedoni, në Mal të Zi,  në Greqi) dhe shqipja në dhe të huaj  (në diasporat  e hershme (në Greqi, Itali, Zarë (Dalmaci), Mandricë (Bullgari), Ukranë, Turqi, Egjipt etj.) dhe në mërgata më të reja (në shumë shtete të Evropës dhe në Amerikë, Australi etj.). 
    Por, nuk mund të mos themi se fati i gjuhës shqipe në mërgatat shqiptare, të hershme e të reja, nuk është kudo aq “rozë” sa në Zvicër apo në Suedi, prandaj edhe sprova për një“prognozë” lidhur me fatin a (më mirë) perspektivën e shqipes në vitet e dhjetëvjeçarët në vijim, na detyron që  pyetja përsëri të jetë e bigëzuar apo në dy kahe:
    A. Çfarë duhet të bëjnë për gjuhën shqipe shqiptarët në vendin e vet (përkat. në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, ku tashmë kanë edhe njohjen e statusin e tyre më të lartë edhe si gjuhë shteti), në Maqedoni e ku, së paku formalisht, nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarëve u njihet e drejta e ushtrimit të gjuhës shqipe; në Mal të Zi, ku, gjithashtu, janë bërë e po bëhen edhe përpjekje për të pasur shkolla shqipe e për të gjetur hapësira për ushtrimin e shqipes edhe si gjuhë e shkruar e botimeve dhe e disa mjeteve të informimit.
    B. Çfarë duhet të bëjnë arbëreshët dhe shqiptarët në dhe të huaj, në diasporat  e hershme historike dhe në ngulimet e reja e të shumta në gati të gjithë Evropën, po edhe në Amerikë, Auastrali etj?
    Përgjigjen dhe drejtimet e mbara të punës që po bëhet tashmë për ruajtjen e shqipes në dhe të huaj e marrim,në një masë të kënaqshme, edhe nga referimet e diskutimet në takimin tuaj të sotëm të organizuar nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës dhe unë, nga larg me trup, por pranë jush me zemër, ju përgëzoj, ju përshëndes për punën e mire që keni bërë e do ta vijon dhe ju uroj suksese të mëtejshme. Dhe po lejohem të shtoj një argumentim të rastit. Puna për mbrojtjen e gjuhës shqipe nuk është vetëm e gjuhëtarëve. Madje ky është keqkuptimi më i madh që vjen, ndër të tjera, edhe nga mjegullnaja e disa shkrimeve kundër shqipes standarde, sidomos e disa diletantëve, qoftë edhe dashamirës a thjesht nostalgjikë.
    Gjuha shqipe është e të gjithë shqiptarëve, është treguesi më i parë i përbashkësisë kombëtare, të mbarë atyre që i thonë bukës bukë e ujit ujë. Mbi të gjitha, duhet ta shtojmë kujdesin për gjuhën shqipe si lëndë mësimore në të gjitha shkollat shqiptare, në botimet, në gazeta e në mediat e folura. Të hyjmë në Evropë të veshur me kulturën shqiptare dhe gjuhën shqipe. Edhe shqipja e vogël është sot një gjuhë që vlerësohet e nderohet aq sa i takon, në larminë e plurilinguizmit të Evropës dhe të krejt rruzullit. Po theksoj vetëm një fakt, që shumëkush mund të mos e dijë: shqipja, prej disa vitesh, në universitete të mëdha të Amerikës është përfshirë në programet e “gjuhëve kritike” dhe çdo vit, në kurset e shqipes për të huaj vijnë studentë e  gjuhëtarë të rinj që nga Arizona e largët.
    Përmenda, natyrisht, kalimthi, sa është shkruar e shkruhet për  “gjakun tënë të shprishur”(si thoshin arbëreshët e Italisë), për të ardhur te çështja themelore që mund të kishte si titull pyetjen: “Cili është fati i gjuhës shqipe”, për të cilën përgjigjja sado shkurt t’i biem, nuk mund të jetë as e thjeshtë, as njëngjyrëshe dhe (aq më pak) e njëtrajtshme. Fati i gjuhës shqipe në kohën e sotme ka hapësira, gjeografikisht të ndara e të shpërndara, por të lidhura në të njëjtën hallkë të hershme e të përhershme të etnicitetit e kombëtarisë shqiptare: shqipja e shqiptarëve në atdheun e vet (në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat shqiptare kompakte ballkanike (në Republikën e Kosovës, në Maqedoni, n Mal të Zi,  në Greqi) dhe shqipja në dhe të huaj  (në diasporat  e hershme (në Greqi, Itali, Zarë (Dalmaci), Mandricë (Bullgari), Ukranë, Turqi, Egjipt etj.) dhe në mërgata më ët reja (në shumë shtete të Evropës dhe në Amerikë, Australi etj.).
    Por, nuk mund të mos themi se fati i gjuhës shqipe në mërgatat shqiptare, të hershme e të reja, nuk është kudo aq “rozë” sa në Zvicër, në Suedi dhe në Austri. Por, është rëndësi se, gjithandej, ka përpjekje e realizime me nisma ineresante e me vlerë.
    Po përmendim, me gëzim se, mbas shumë përpjekjesh e me një punë të madhe e të përkushtuar, disa muaj më pare është arritur që të hapet edhe një emision për arbërishten e Italisë në RAI-3, që jepet çdo javë, ditën e diel.
    Dhe, në mbyllje, do të theksoj pikërisht mundësitë e mëdha që jep sot komunikimi on-line dhe mjetet e publikimit nëpërmjet internetit e kanaleve të tilla si youtub. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara, e-mail etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një  i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor  i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t).
    Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar  se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes.
    Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj suksese të mëtejshme.