GJUETARI I BALONAVE

  Isuf Bytyçi,

  Shkruan: Isuf Bytyçi

„Ky është një nga ato rrëfime të paharrueshme që do të qëndrojë
pranë jush, gjatë… një roman i jashtëzakonshëm.“
(Isabel Alende)                                                  

„The Kita Runner“ është titulli original i romanit të parë, i autorit të famshëm afgano-amerikan Khaled Hosseini, i cili e ka botuar në vitin 2003 në SHBA, që mbi 10 herë është  ribotuar dhe mbi 7 milionë ekzemplarë janë shitur brenda një kohe të shkurtë,  i përkthyer në 42 gjuhë dhe u botua në 38 vende të botës.

Lexova në medie, opinionet rreth tij dhe, për një moment mendova se mos janë çmendur ato, që aq lart e ngrisin këtë roman, pothuaj i panjohur për mua, apo unë kam ngelur në terrin e informimit, në raport me artin e bukur letrar!

Si zakonisht, kur shkoj në bregdetin tonë e, zakonisht në Vlorën heroike për verime, dalim në mbrëmje për të shëtitur dhe kur shoh libra në tavolinat e shitësve mobilë, qepem për to! Dhe, çka më thotë gruaja? – “A u ndale prapë, te librat?  E dita! Tash edhe një orë nuk largohesh nga ky vend”!  Kurse, unë qeshem! Edhe ajo qeshet.

Aty pash shumë libra! E pash edhe autorin e, në të njëjtën kohë shitës mobil, z. Çlirim Hoxha! U ndala dhe biseduam  rreth librave, rreth jetës dhe, natyrisht, rreth letërsisë e çështjes së leximit, në përgjithësi. Dy romane të shkruara nga z. Çlirim Hoxha i mora; “Bebi skafisti” dhe “Sofia”, të cilët janë shumë të mirë dhe interesantë. Ndër to e bleva librin e Albert Kamysë “Miti i Sezifit”  dhe, natyrisht, që e mora edhe  “Gjuetari i balonave”! Por këtë libër nuk arrita ta lexoj deri më tani, për shkak të punës së  përditshme dhe projekteve tjera profesionale e kulturore, që i kam.

Në këto ditë e pash se i ka ardhur radha edhe këtij romani që ta lexoj dhe, mezi prita ta marrë në dorë! Ia fillova! Së pari, zakonisht, lexoj në kopërtinat e librit, se ç’kanë shkruar të tjerët rreth tij dhe parathënien e kërkova. S’kishte parathënie, ky roman.

Me vëmendje i lexova opinionet e  kritikëve letrarë dhe të shtëpive botuese, se ç’kanë shkruar në lidhje me librin dhe  fillova ta lexoj.

 „I shkëlqyer, fabula tronditëse e të cilit e bën këtë libër të paharrueshëm, jo vetëm si një kronikë politike, por edhe si një rrëfenjë të thellë personale…Ndodh rrallë që një libër t’i përshtatet kaq shumë kohës dhe njëkohësisht të ketë cilësi kaq të lartë letrare.“   

Publisher Weekly        

Që në fillim të librit, lexuesi e kupton se ky nuk është një roman si të tjerët, as autori, jo! Në roman bëhet fjalë për historinë e Afganistanit dhe rrëfimi personal i Amirit.

Rrëfimi fillon me ngjarjen, që zhvillohet në Kabul në vitin 1975, atëherë kur Amiri ishte 12 vjeçar dhe lojën me balona, që e bënin me shokun e tij, Hasanin! Hasani është shoku i tij i ngushtë dhe i besës, i cili e ndihmon gjatë tërë kohës në jetë, por edhe në gjuetinë e balonave. Ai është i biri i Aliut, shërbëtor i babait të Amirit, me etnitet Hazara, besimin Shiit, pakicë dhe të diskriminuar ishin në Kabul. Kurse Amiri është biri i një tregtari të suksesshëm dhe pjesëtar i  etnitetit Po ashtu  nga besimi Sunnit, shumicë e të privilegjuar. Krahas ngjarjeve shoqërore e politike, që zhvillohen në Afganistan, vazhdon rrëfimi i Amirit, i cili për çdo imtësi na flet si për ngjarje, komunikim, sjellje dhe mendimet e preokupimet e tij, të Hasanit, të babait të tij, të gruas dhe të gjithë miqve e armiqve të tij, që janë.

Këtu bëhet fjalë për një vend që është në shkatërrim e sipër, për luftën, tradhtinë, intrigën, marrëdhëniet në mes të babait e të birit, dashurinë, sakrifica dhe gënjeshtra. Motivi i ndjenjës së fajit është me rëndësi, kur Amiri nuk arrin ta mbrojë Hasanin nga Asefi, gënjeshtra që e trilloi për vjedhjen e parave dhe të orës nga Hasani, por edhe gënjeshtra e  babait dhe e Rahim  Khanit, që e bënë para Amirit gjatë tërë jetën, në lidhje me të qenit e Hasanit gjysmëvëlla, e brejnë Amirin!

Afganistani ishte një shtet monarki e në gjendje stabile sociale, deri me vrasjen e mbretit në vitin 1931! Ky ishte filli i rrënimit të shtetit! Rasti i dytë për të vazhduar, ishte kur mbreti Zahir Shah shkoi për vizitë në Itali më 17 korrik të vitit 1973 dhe, kushëriri i tij Daoud Khan  bëri grushtshtet që kaloi sistemi politik nga monarkia në republikë! Këtij i erdhi fundi me grushtshtetin komunist në prill të vitit 1978 dhe, në dhjetor të vitit 1979  ndodhë invazimi i tanksave sovjetike dhe pushtimi i  Afganistanit. Gjë që pas një lufte 10-vjeçare, fitojnë trupat Muxhahedine dhe bëhet tërheqja e forcave sovjetike në vitin 1989! Kurse, në vitin 1992 pason dorëheqja e kryetarit komunist, Naxhibullah. Pastaj, fillon lufta në mes të grupeve muxhahedine,  deri në vitin 1995 dhe aty fiton grupi i Muxhahedinëve, Talebanë. Talebani, nuk e mbajti premtimin, se do të ketë qeverisje moderne, përkundrazi, vendosi ligje mesjetare dhe me rastin e sulmit terrorist, të 11 Shtatorit në vitin 2001 në SHBA, u bë ndërhyrja nga trupat ushtarake amerikane, në Afganistan! Secila ditë bëhej më e zezë, për  popullin dhe vendin afgan.    

 Afganistani u shndërrua në një vend të trazuar dhe vërshuan refugjatë, kudo në Pakistan, Europë e deri në SHBA! Situata politike u keqësua, shtypja e popullit vazhdoi,  dhunë, varfëri, shpërngulje e tj. Hipi në fuqi Sheriati, u mbyllën gratë brenda, u ndaluan të punojnë e të shkojnë diku të vetmuara, u mbuluan me burka e, burrat u obliguan të vishnin pantallona të shkurtë e mjekra të gjata, përndryshe ua shkonte koka. U mbushën spitalet me të sëmurë, e të plagosur nga armët e zjarrta e nga minat, rrugët u mbushën me lypsë, gra të mbuluara duke kërkuar lëmosh e, jetimoret u mbushën me jetimë, që as kishin ushqim të mjaftueshëm, as krevatë, shtrojë e mbulojë, s‘kishin. Kushdo që hynte në jetimore, i keqtrajtonte fëmijët, i merrte ata dhe asgjë të mirë nuk shihte njeriu, aty!

Amiri me të birin e shërbëtorit të babait, Hasanin ishin shokë të mirë dhe të besës! Hasani, bënte çdo gjë për Amirin dhe e donte shumë! Babai i Amirit, investoi në rregullimin e buzës së Hasanit, derisa ishte i vogël, me ndihmën e një mjeku që bënte operacione plastike dhe, të gjitha shpenzimet i pagoi! Edhe për ditëlindje, nuk harronte t’i blinte dhurata, Hasanit! Mirëpo, me rastin e sulmit të Hasanit, Hazara  nga Asefi me shokët e tij,  Amiri nuk e ndihmoi atë dhe aty filloi të shihet ndarja e tyre! Pas shumë  ngjarjeve erdhi më e keqja, Amiri, i la disa të holla edhe orën në dhomën e Hasanit, që i pat dhuratë nga babai për ditëlindje dhe, me intrigë e shpalli hajn Hasanin, pa qenë! Hasani e pranoi hajninë, edhepse nuk e kishte bërë, atë! Aliu, babai i Hasanit vendosi që të ikin! Edhepse babai i Amirit nuk donte që të largoheshin! Ata shkuan.

Ky rast ma kujton një ngjarje, e cila përafërsisht e njejt është, që më ka ndodhur! Gjendje e rëndë politike dhe ekonomike, ishte në Kosovë! Unë edhe njeriu, nga më të dashurit e mi ishim në krizë ekonomike, ai ma bëri një ofertë duke më thënë se unë do ta themeloj një ndërmarrje dhe, nëse ti fillon punën në ndërmarrjen time dhe,  mua nuk më shkojnë punët mirë, nuk do të paguaj ty! Por, nëse kemi fat dhe më shkojnë punët mirë, do të bëj edhe ty të lumtur! Nuk zgjati shumë, e themeloi ndërmarrjen miku im, filloi punën me biznesin dhe unë fillova punën, që nga dita e parë! Brenda një kohe të  shkurtër u pa se janë duke i shkuar shumë mirë punët mikut tim dhe, me fitime marramendëse! Ai u gëzua shumë, por edhe unë, gjithsesi! Si rezultat, e punësoi një numër punëtorësh! Dhe një ditë, ndodhi e papritura, më hoqi nga puna, miku im i dashur deri në atë ditë, duke më lënë në rrugë të madhe! U mërzita shumë dhe fillova përpjekjet për mbijetesë, duke i bërë të gjitha punët e krahut! Unë luftoja për bukën e gojës për familjën time, kurse ai me Familien e tij, luanin me para. Trishtim! M’u mbushën sytë me lot, gjatë leximit të librit! Rasti tjetër është, kur kthehet Hasani në shtëpinë e Amirit, me organizim të Rahim Khanit, pas ardhjes së Talibanit në Avganistan dhe, ndodhi vrasja e tij me gjithë gruan, nga dora talibanëve dhe Sohrabi, ngeli jetim! Shkaku ishte, që ta uzurponin shtëpinë!

Amiri ishte biri i një tregtari të suksesshëm dhe nëna e tij ishte profesoreshë në fakultet, e cila sapo e lindi atë, vdiq nga humbja e tepërt e gjakut. U rrit në një përkujdesje të madhe nga babai, por nuk i mungoi përkrahja as nga Aliu, Hasani dhe Rahim Khani. Ai përjetoi krenari e dhembje, në të njëjtën kohë! Respekt dhe mashtrim! Krenaria e tij bazohej në babain tregtar i suksesshëm dhe i respektuar, kudo që shkonte! Po ashtu ishte krenar nga ana e nënës që kishte qenë një profesoreshë e bijë elitare dhe, në të njëjtën kohë kishte dhembje për shkak të vdekjes së saj dhe disa herë e shikonte babain në sy, duke menduar se mos ndoshta e urren babai këtë, për shkak se i vdiq e dashura grua nga lindja e tij! Ishte kureshtar ta dinte se pse babai e donte aq shumë Hasanin, që kurrë nuk e kuptoi, deri sa miku i babait të tij, pak para vdekjes e informoi atë se Hasanin e kishte vëlla të jashtëligjshëm nga babai dhe, se ky ka obligim moral që të shkojë e ta marrë të birin e tij, Sohrabin që ta sjellë në Amerikë!

Fati i gruas së Amirit ishte gati i njëjte me të nënës së Hasanit! Sikurqë, nëna e Hasanit, që në krye të 5 ditësh pas lindjes së tij, iku me një grup njerëzish të rrugëve e nuk u Kathy deri në kohën kur Hasani u rrit, u martua dhe e kishte djalin të vogël e jetonte në shtëpinë e Amirit, pasiqë ai kishte shkuar në Amerikë me babain! Edhe Soraja, si vajzë e mitur iku nga familja dhe doli me një grup të rinjësh dhe deri sa shkoi i ati e takoi të bijën dhe i tha se; unë e kam këtë armë dhe dy fishekë në te; njërin për këtë djalin, shokun tënd dhe tjetrin për vetën time, nëse nuk kthehesh në shtëpi! Ajo, kur e kuptoi këtë situatë, briti e shau dhe u kthye në shtëpi! Pasi u kthye Soraja në fëmijë, filluan të flasin njerëzit, që edhe kjo sjellje ma kujton kohën kur në fshatin tim, sikur gratë ashtu edhe burrat, gjatë tërë kohës merreshin me thashetheme, me të shkuarën e të tashmen e tjerëve, edhe pse punët e veta i kishin llugë e ferrë, siç thotë populli! Po ashtu edhe mediet e shkruara edhe parlamentarët e të dya shteteve tona, gjatë gjithë kohën merren me thashetheme! Shumëherë, gjatë leximit të romanit, kam menduar se a është vendi ynë në Avganistan, apo Avganistani te ne.

Përpjekjet e Amirit, nuk janë vetëm përpjekje humane, por edhe familjare dhe se, në një mënyrë apo tjetër për t’i kompenzuar gjithë ato gabime, injorime e intriga, që i kishte bërë ndaj Hasanit! Motivi i fajit, që është element qëndror i romanit, bën që Amiri të bëjë përpjekje për t’i shlyer mëkatet dhe shkon, në Pakistan e Avganistan, që ta shpëtojë djalin e Hasanit, Sohrabin, për të cilin më në fund e kishte kuptuar se e kishte gjysëmvëlla, Hasanin. Autori, mund të mos e paraqitte atë vëlla të personazhit kryesor, por na jep për të kuptuar se njerëzit e të gjisha grupeve nacionale, ideologjike e racore, janë vëllezër e motra dhe se duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin! Në fund të fundit të gjithë jemi njerëz, edhepse vuajtjet janë nga më të ndryshmet! Dhe, se ky mendim ma kujton një thënie të Dalai Lamës, në bashkëbisedim me Franz Alt, te libri „Ethik ist Wichtiger als Religion“.  Pra, ky është mesazhi, që s’ka gjë më të mirë se sinqeriteti, respekti, toleranca, dashuria dhe ndihma ndaj njerëzve, në përgjithësi. Në shumë momente, i kujtohen Amirit fjalët e babait të tij, pas ligjëratës së mullahut, i cili flet për shumë mëkate e, ndër to edhe atë të pirjes së alkoolit e të ngrënies së mishit të derrit!

Ai thotë; „Mos dëgjo çfarë të mëson mullahu. Ka vetëm një mëkat. Një të vetëm. Vjedhja. Çdo mëkat tjetër është vetëm një variant i vjedhjes. E kupton? ( Vjedhje, thotë ai, është vrasja e dikujt, gënjeshtra, mashtrimi dhe, natyrisht, hajnia! Vër. Ime: I. B.) Nëse ka një zot atje lart, shpresoj të ketë gjëra më të rëndësishme për të bërë, sesa të merret me alkoolin, që pi unë ose me mishin e derrit, që unë e ha…“    „Gjuetari i balonave“, (Fq. 23 – 24)

Rahim Khani, i cili jeton në Pakistan dhe i ka ardhur fundi i jetës, nga sëmundja e kancerit, i shkruan letër Amirit, i cili tanimë jeton në Amerikë bashkë me gruan, e cila pajtohet që të shkojë Amiri në Pakistan e Afganistan për ta marrë djalin e Hasanit, pasiqë kishte mbetur jetim dhe jetonte i vetmuar. Niset Amiri për në Pakistan dhe në Afganistan, që ta marrë Sohrabin! Aty has në kontakt me Asefin, i cili ishte aktivizuar në shërbim të Lëvizjes Talebane, që nuk linte gjë të keqe pa bërë dhe e kishte Sohrabin në shtëpi! Kur e kuptoi se cili ishte ky, gati e vrau Amirin! Asefi e rrahu me boksin e hekurit, ia theu dhëmbët edhe brinjët, derisa ndërhyri Sohrabi, i biri i Hasanit, me llastikë i hodhi një gur në sy dhe, e bëri të  mundur mbijetesën e Amirit! Amiri me Sohrabin, mezi dolën nga shtëpia dhe shkuan drejt e në spital! Aty u bë ndërhyrje mjekësore, Amiri u pëmirësua dhe doli nga spitali. Pas daljes së Amirit nga spitali, filloi përpjekja për rregullimin e dokumentave për sjelljen e Sohrabit në Amerikë! Dualën një mori pengesash, në ambasadën amerikane, e cila ishte në Pakistan! Sohrabi futet në banjo për t’u pastruar dhe, në atë moment e telefonon Amirin Soraja, duke i thënë se e ka një lajm të mirë, që babai i saj e kishte rregulluar punën për një vizë një-vjeçare për Sohrabin, gjë që ishte kohë e mjaftueshme për rregullimin e birësimit të Sohrabit! Amiri shumë i gëzuar,  e thrretë Sohrabin për ta lajmëruar, por ai nuk përgjigjet! Shkoi shpejt në banjo ta shohë dhe kur u fut brenda, e sheh  Sohrabin të shtrirë për toke, të përgjakur e pa ndjenja! U kuptua se kishte tentuar të bëjë vetëvrasje, duke i prerë venat, për shkak se nuk pajtohej të shkonte në Amerikë! E merr Amiri dhe e dërgon në spital, që mezi e shpëtojnë!

Në ndër kohë rregullohet dokumentacioni dhe kthehet Amiri me Sohrabin në Amerikë! Gëzohet Amiri, gëzohet edhe Soraja për kthimin e Amirit bashkë me Sohrabin, pas një muaji! Kurse, Sohrabi nuk ndiehet i lumtur! Ai nuk flet! Ëndrra e tij ishte që t’i kthehet jetës së tij dhe fëmijërisë në Kabul! Nuk do që të jetojë në Amerikë! Amiri i afrohet dhe i thotë Sohrabit se edhe mua më mungon Kabuli dhe fëmijëria ime aty, por se tani jemi në Amerikë dhe se e ardhmja jonë është këtu! Kabuli dhe Afganistani, kanë perënduar për ne! Por, jo vetëm për ne! Aty është duke u bërë një jetë e keqe dhe secilën ditë më keq! Aty s’ka asgjë të mirë dhe, shpresat kanë perënduar!  Ky është realiteti, i thotë Amiri, Sohrabit.