Intervistë me mësuesen Eriola Agalliu, mësuese në shkollën shqipe në Ottawa-Kanada

Letërsia ka qenë pasioni i jetës sime. Për sa kohë e mbaj mend veten, që nga fëmijëria, kam qenë gjithmonë duke lexuar një libër. Më pas, studimet në letërsi vetëm e thelluan dhe përsosën më fort këtë dëshirë. I kujtoj me respekt pothuajse të gjithë mësuesit e profesorët që kanë ndikuar në formimin tim.

Shkruan: Mira Shehu

Eriola Agalliu

Eriola Agalliu ka lindur në Kuçovë më 25 janar 1978. Gjatë viteve 1996 – 2000 kreu studimet e larta pranë Fakultetit Filologjik, Universiteti i Tiranës, në degën e letërsisë. Për një periudhë shumëvjeçare (2002 – 2020), punoi si mësuese letërsie në gjimnazet: “Qemal Stafa”, “Ismail Qemali”, “Ernest Koliqi” dhe “New York High School” në qytetin e Tiranës. Me pasionin e saj për letërsinë, gjatë viteve 2009 – 2011, perfundoi një master të nivelit të dytë në Fakultetin Filologjik, për “Kritikë Letrare”, me temë diplome: “Tema e absurdes në ligjërimin romanesk, eseistik e dramatik të Albert Kamysë”. Në vitet 2012 – 2018 ndoqi studimet doktorale pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike ku mbrojti temën “Jeta dhe krijimtaria letrare e Vedat Kokonës në tri periudha historike”. Në vitin 2020 zhvendoset në Kanada, ku kryen një master në Edukim pranë Universitetit të Ottawas. Aktualisht, punon si mësuese e gjuhës frënge, si edhe mësuese e gjuhës dhe kulturës shqipe, pranë Ottawa – Carleton District School Board, në kryeqytetin kanadez.

Znj. Eriola Agalliu – Si e vlerësoni rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe për brezat e rinj që jetojnë jashtë vendit?

Historia jonë ka treguar se sa e rëndësishme është ruajtja e gjuhës, për ata shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Të gjitha përpjekjet për ta ruajtur e dokumentuar shqipen, kanë ardhur nga ata njerëz mendjendritur që vetë kanë jetuar e studiuar jashtë trojeve amë. Buzuku, Bardhi, Vëllezërit Frashëri, Naum Veqilharxhi, Motrat Qiriazi, e shumë e shumë të tjerë, e kanë realizuar misionin e tyre patriotik jashtë atdheut. Pra, potencialin e tyre intelektual, ata e kanë vënë në shërbim të tij… Ne jemi një shtet që jemi formuar nga gjuha. Rilindasit tanë, të shek. XIX, e dinin shumë mirë rëndësinë e gjuhës përderisa ngritën mitin e saj, me vargje që shprehnin adhurimin për shqipen. Në këtë kuptim, ne nuk kemi nevojë të pyesim sot, nëse duhet t’i edukojmë brezat e rinj të shqiptarëve, larg trojeve amë, me dashurinë për gjuhën. Ajo mbetet, sot e gjithë ditën, shënjuesi kryesor i identitetit tonë kombëtar. 

Znj. Eriola Agalliu Cilat metoda mësimore përdorni për të bërë mësimin e gjuhës shqipe më tërheqës për nxënësit?

Një nga thëniet që më ka mbetur në mendje gjatë studimeve në Universitetin e Ottawas ishte shprehja “Shkolla vdiq. Rroftë Edukimi!” (“L’ecole est morte. vive l’Education!”). Edhe pse në pamje të parë një shprehje kontradiktore, ajo përmbledh më së miri sfidat që ne, si mësimdhënës, kemi sot përballë fëmijëve dhe të rinjve. Shkolla si institucion, ku dikur mësoheshin dije, duket se e ka ridimensionuar veten. Edukimi, ndërkohë, do të vazhdojë të mbetet arsyeja pse, përballë një grupi fëmijësh, ose të rinj, duhet të jetë gjithmonë një mësues. Edukimi ka të bëjë me aftësitë, me nxitjen e kuriozitetit, me ofrimin e shumë mundësive për ta parë botën një vend më të sigurt dhe më të mirë. Edukimi na e rikujton pareshtur misionin tonë se, ne po përgatisim qytetarët e të nesërmes. Në lidhje me shkollën shqipe, unë jam dakord me profesoreshën Adriana Bejko, e cila thoshte në një intervistë se, ato që ne i quajmë “shkolla shqipe”, në fakt janë vetëm kurse për mësimin e gjuhës dhe kulturës sonë. (Bëhet fjalë për dy orë e gjysmë mësimore në javë, vetëm ditën e shtunë.) E pra, duhet t’i bëjmë fëmijët të vijnë me dëshirë në klasë… Unë përpiqem të bëhem sa më krijuese në këtë drejtim. Një lojë me gjetjen e fjalëve, një fjalëkryq, një bashkëbisedim pasi kemi dëgjuar një përrallë në shqip (me titra anglisht), një këngë e bukur nga you-tube. Të mësuarit nëpërmjet lojës, nxitja e kuriozitetit, improvizimi i situatave në varësi të temave mësimore, janë gjithmonë një garanci që fëmija po të ndjek, që është i interesuar dhe që do të vijë me dëshirë edhe javën tjetër në klasën shqipe. Pastaj, midis këtyre rubrikave, kemi edhe ushtrimet nga librat e Gjuhës Shqipe.  

Znj. Eriola Agalliu Si e shihni të ardhmen e gjuhës shqipe në diasporë?

Në fakt, mendoj se ka ardhur koha që të bëhen studime të thelluara sociolinguistike për diasporën shqiptare në të gjithë botën. U takon studiuesve të fushës të profilizojnë në mënyrë të detajuar kategoritë sociale e kulturore të shqiptarëve kudo që janë. Një analizë e tillë do të na ndihmojë të shohim se si mund të zhvillohet më tej ruajtja e gjuhës sonë në të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarë. Nga ana tjetër zhvillimet teknologjike, i kanë zhdukur distancat fizike dhe e kanë bërë më të lehtë komunikimin në kohë reale mes nesh. Mos të mendojmë më se duhet të mblidhemi në një klasë që të mësojmë të shkruajmë e të lexojmë shqip. Duhet të jemi më praktikë dhe të shohim se si mund të organizohemi, për të mësuarit e kulturës sonë, edhe nëpërmjet takimeve virtuale. Në këtë këndvështrim, them se edhe vetë ne, mësuesit, mund të organizojmë takime të tilla online ku të shkëmbejmë përvojat e të diskutojmë mbi problemet që kemi.

Znj. Eriola Agalliu – A ka ndonjë ndryshim në interesimin për mësimin e gjuhës shqipe ndërmjet brezave të ndryshëm?

Eriola Agalliu

Ne kemi, tashmë, nxënës brezin e dytë të emigrantëve. Janë shqiptarët të cilët kanë 20 – 25 vjet që jetojnë larg atdheut. Fëmijët e tyre kanë lindur e janë rritur në një kulturë tjetër nga ajo shqiptare. Këtu pastaj ndërhyjnë modelet familjare në lidhje me të mësuarit e gjuhës. Ka fëmijë që dinë të komunikojnë shumë mirë në shqip për një bisedë të thjeshtë, që lexojnë mirë, që ndjekin televizorin në shqip. Por ka edhe fëmijë që njohin pak, ose aspak fjalë dhe me ta puna duhet nisur nga fillimi. Ajo çka unë vë re është se, zakonisht fëmija i parë, ose i dytë në familje flasin një shqipe të rrjedhshme dhe fëmija i tretë (sidomos kur kanë diferencë moshe mes tyre) nuk është në të njëjtin nivel gjuhësor. Kjo më shtyn të mendoj për dy arsye. E para, sa më shumë të integrohet një familje shqiptare në shoqërinë pritëse, aq më pak flitet shqip në familje. E dyta, brezat e fëmijëve, që ne po rrisim sot, janë shumë më në kontakt me teknologjinë, ose me grupin shoqëror.  

Znj. Eriola Agalliu –  Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha që hasin nxënësit gjatë mësimit të gjuhës shqipe?

Dua ta theksoj pareshtur, gjatë kësaj interviste, se, falënderimet dhe mirënjohja ime shkon për të gjithë prindërit që sjellin fëmijët në shkollën shqipe. Ata janë patriotët dhe heronjtë e vërtetë në këtë rast… Më pas, mund të them se, më të vështirë e kanë ata fëmijë që nuk e përdorin shqipen si gjuhë të folur në mjedisin familjar. Njëri nga prindërit mund të jetë i një kombësie tjetër, ose thjesht prindërit e kanë bërë një zgjedhje të tillë për shkak të kushteve. Në këto raste, shqipja tingëllon për fëmijët si një gjuhë e huaj. Ndoshta duket si blasfemi kur e them, por unë e ndiej këtë në klasë dhe përpiqem t’ua lehtësoj fëmijëve stresin se po dëgjojnë një gjuhë nga e cila njohin ndonjë fjalë tek-tuk. Në këto raste sfida është e përbashkët, për prindërit, për mësuesen dhe për fëmijët. Atëherë çfarë na mbetet?! T’ia përshtasim mësimdhënien tonë, nivelit të nxënësve, drejt një qasjeje të thjeshtëzuar. Të mësojmë së pari se si shqiptohen tingujt në gjuhën shqipe, pastaj përshëndetjet, numrat, ditët e javës, ngjyrat, e kështu me radhë. Vetëm duke e konsideruar kështu, ne i mirëkuptojmë të vegjlit tanë në pasiguritë që kanë dhe u nxisim atyre vetëbesimin se, hapat në të mësuarin e shqipes janë, ndoshta, të ngadalshëm në fillim, por, me durim dhe padiskutim me bashkëpunimin e prindërve, mund të shohim frytet e punës sonë.  

 Znj. Eriola Agalliu –  Si e menaxhoni balancën midis ruajtjes së kulturës shqiptare dhe integrimit në kulturën vendase?

Dy fjalët kyçe, që mësova, kur erdha në Kanada, ishin: multikulturalizmi dhe gjithëpërfshirja. Tani më kujtohet se, në një nga orët mësimore, të klasës shqipe, ne kemi folur për sportet. Pas ndrojtjes së parë, fëmijë të moshës 6 – 8 vjeç u bënë më aktivë kur mësuan se ata mund të thoshin në shqip fjalët: sport, hokej, basketboll, volejboll, ski, etj. Atë ditë nxënësit folën për sportistë kanadezë dhe shqiptarë që ata i njihnin mirë. Çka do të thotë se, në disa situata, ne mund të shfrytëzojmë me sukses fjalët që vijnë nga fjalori ndërkombëtar i sporteve, shkencës, ose teknologjisë. Nga ana tjetër, me fëmijët ne bëjmë kartolina për nënën, edhe për 8 Marsin, edhe për Ditën e Nënës (në maj) në Kanada. Në thelb, njohja me gjuhën dhe kulturën shqipe është pjesë e realitetit të tyre kanadez. Mbetet veç të punojmë gjithmonë që këto dy kultura të bashkëjetojnë më së miri brenda fëmijëve tanë.

Znj. Eriola Agalliu – A keni ndonjë këshillë për prindërit shqiptarë që dëshirojnë të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre tek fëmijët?

Këshilla e parë që më vjen, në mënyrë gati të pavetëdijshme, është: u flisni shqip fëmijëve tuaj! Që në fjalët e para, kur i përkëdhelni, kur i mësoni të bëjnë diçka të thjeshtë, kur i ndaloni për një veprim të papranueshëm. Ata do të fitojnë prej jush theksin dhe intonacionin e fjalëve. Çomsky thoshte se, te secili prej nesh ekziston një gramatikë universale e lindur, por pasardhësit e tij në linguistikë flasin edhe për një përbërës emocional (composante afective) të gjuhës që i ndihmon fëmijët në përvetësimin e një gjuhe. Në mënyrë të thjeshtuar, ky element emocional ka të bëjë me dëshirën e fëmijëve për të avancuar në të mësuarit e një gjuhe. Ka të bëjë me ndjenjat e tyre, kur përsëritin fjalët e mamit dhe babit, që përkthehet pastaj në motivimin dhe dëshirën për të ardhur, të shtunave, në shkollën shqipe… Unë besoj se ky përbërës afektiv nxitet, së pari, nga familja. Prindërit janë mësuesit e parë që mund t’i bëjnë fëmijët e tyre ta duan botën shqiptare në tërësinë e saj: me këngët, legjendat, videot në you-tube, kujtimet nga fëmijëria e tyre, vizitat në Shqipëri e Kosovë, kontaktet me sivëllezërit dhe të afërmit atje. Të gjitha këto bëjnë të mundur që fëmijët të ndihen pjesë e këtij realiteti etno-kulturor dhe të fitojnë ndjesinë e të qenit një shqiptar që jeton në Kanada, apo kudo në botë.

Znj. Eriola Agalliu –  Kush ka qenë frymëzimi juaj për t’u marrë me gjuhën dhe kulturën shqipe?

Letërsia ka qenë pasioni i jetës sime. Për sa kohë e mbaj mend veten, që nga fëmijëria, kam qenë gjithmonë duke lexuar një libër. Më pas, studimet në letërsi vetëm e thelluan dhe përsosën më fort këtë dëshirë. I kujtoj me respekt pothuajse të gjithë mësuesit e profesorët që kanë ndikuar në formimin tim. E megjithatë, kujtoj me mirënjohje prof. dr. Ilia Lëngun, udhëheqësin tim të temës së masterit të nivelit të dytë dhe prof. dr. Laura Smaqi, udhëheqësja ime e doktoratës, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Dy studiues dhe intelektualë të shkëlqyer të cilët më këshilluan për një punë shkencore serioze dhe që, me vërejtjet e tyre, më orientuan drejt ideve të parrahura më parë, me qëllim realizimin e një punimi origjinal.

Më pas, vetë tema doktorate mbi krijimtarinë letrare të Vedat Kokonës e ridimensionoi mendimin që unë kisha për letërsinë dhe botën shqiptare në tërësi. Nga literatura studimore njoha intelektualët shqiptarë të viteve ’30, debatet publicistike në shtypin e kohës, krijimtarinë dhe pikëpamjet e tyre mbi letërsinë, artet dhe shoqërinë. Lëvizja e Neoshqiptarizmës, që e vinte theksin në edukimin dhe zhvillimin e shqiptarëve, sipas modelit perëndimor, formësoi në vija të përgjithshme atë brez të rinjsh. Kolegji Francez në Korçë ishte një shkollë e krahasueshme me shkollat më të mira evropiane të epokës. Studimi i gjithë kësaj periudhe dhe sidomos roli i Vedat Kokonës në lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës, frymëzuan tek unë dëshirën për një shqipe të pastër e të bukur. Në pjesën e falënderimeve të temës doktorale, kam theksuar, pikërisht, përkushtimin tim maksimal për t’u shprehur me një shqipe të rrjedhshme, duke tentuar t’i afrohem kështu talentit të Vedat Kokonës si krijues e përkthyes erudit. Nuk e di se sa ia kam dalë mbanë kësaj sfide…

Znj. Eriola Agalliu – Cila është fjala apo shprehja shqipe që ju prek më shumë emocionalisht? Pse?

“Faleminderit” tingëllon bukur në shqip. (Fjala “merci”, ose “thank you” ka të bëjë me mirënjohjen ndaj dikujt.) Në shqip “faleminderit” më duket sikur shpreh, përveç mirënjohjes, edhe një përulësi që më trondit “i falem nderit tënd”… Nga ana tjetër, edhe fjalët “Më mori malli” më mrekullojnë kur i dëgjoj. Nuk e përcjell këtë magji shprehja “I miss you”, ose “Tu me manques”, folje që, sipas meje, shprehin mungesë, por nuk përcjellin ndjenjë, si “mall” i shqipes. Por edhe mënyra dëshirore e foljeve në gjuhën shqipe më bën t’i shijoj fjalët kur i dëgjoj, ose kur i përdor: “Të dëgjofsha të mirën!”, “U bëfsh 100 vjeç!”, “U rritsh me nënë e me babë!”. Mënyra dëshirore më sjell ndërmend të folurën e mjediseve tona familjare (më kujton gjyshen kur më thoshte “T’u bëfsha kurban unë ty!”). Janë forma gjuhësore të ngurosura që vijnë nga shekujt, që përcjellin bestytnitë tona pagane, se fjala ka fuqi magjike dhe nëpërmjet saj dëshirat mund të bëhen realitet.

Znj. Eriola Agalliu – Çfarë ndjesie ju jep kur dëgjoni një fëmijë të diasporës të flasë rrjedhshëm shqip?

Kur i pyeta fëmijët pas pushimeve të marsit se si i kishin kaluar ato ditë, mora këtë përgjigje: “Kena shku te do ilake per fundjave e jena knaq atje.” Unë e di se, nga specialistët e gjuhës, rekomandohet që të flitet në gjuhën standarde, por… është kënaqësi kur dëgjon që fëmijët tanë flasin në dialektin e familjes. Origjina, në këto raste, është dukshëm mbizotëruese. Dhe bëhet tregues i pasurisë gjuhësore që një fëmijë mund të fitojë gjatë viteve të hershme. Unë e bëra shpjegimin e fjalës “ilake” në klasë si “të afërm, ose kushërinj” e, megjithatë, shtova se ne mund t’i përdorim të tria këto fjalë. Sepse ato janë të tria shqip dhe tingëllojnë shumë bukur. Është një kënaqësi e veçantë të dëgjosh në klasë fjalë të tilla dialektore. Çka do të thotë se familja është baza e edukimit gjuhësor të fëmijëve në diasporë. Njëherë një vajzë më pyeti “Mësuese si të themi në shqip kur dikush teshtin ‘Shëndet!’ apo ‘Shnet!’.” Dhe unë i thashë të voglës “Të dyja do t’i përdorim dhe nuk janë gabim. Po të jesh në Jug do të të thonë të parën e, po të ndalesh në Shkodër, ose Kosovë, do të të bekojnë me variantin e dytë.” Standardi letrar dhe dialekti mund të bashkëjetojnë tek çdo individ dhe të jenë shenjë e faktit të thjeshtë sociologjik se gjuha flitet ndryshe në familje dhe shkruhet ndryshe në një tekst. Këtu dua të shtoj faktin se edhe ne si mësuese duhet të jemi të kujdesshme me të folurin tonë në klasë, nëse fëmijët po na kuptojnë plotësisht. Unë vazhdimisht i pyes ata, të më përsërisin se çfarë po u them. Dialektet janë pasuria më e madhe e shqipes dhe nëse dimë se si t’i shfrytëzojmë, ndihmojmë më së miri edhe fëmijët.

Znj. Eriola Agalliu – Cili është kujtimi juaj më i bukur si mësues/mësuese në shkollën shqipe?

Kur nxënësit recitojnë, në klasë, poezi shqipe është kënaqësia ime më e madhe. E, megjithatë, më kujtohet se një fëmijë na ka rrëfyer legjendën e Rozafës… në anglisht. Sepse ashtu i ati ia kishte treguar. Nëna e fëmijës ishte kanadeze dhe ai ishte fillestar në njohuritë gjuhësore të shqipes. Por kjo nuk e kish penguar të atin t’i fliste për qytetin e Shkodrës ku kishte lindur e ishte rritur vetë… Një ditë tjetër, një fëmijë më tha se, kur ai i fliste të atit anglisht, ky i fundit i thoshte “Nuk të kuptoj çfarë thua. Më fol shqip!”. Prindërit e tij kanë afro një çerek shekulli këtu në Kanada… Emocionohesh pa fund kur dëgjon shprehje të tilla që dëshmojnë përkushtimin e prindërve në të mësuarit e gjuhës dhe kulturës shqipe.

Znj. Eriola Agalliu – Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit vetëm një këngë shqiptare për t’ua mësuar fëmijëve, cila do ishte?

Kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime” e kënduar si nga Vaçe Zela, ashtu edhe nga Rame Lahaj. Më trondit sa herë e dëgjoj “Po ku ka si ti, o Shqipëria ime!/ O fisnikja përmbi gur!/ Rrjedh në këngë e ligjërime/ ballëlarta me flamur.”. Por edhe “Kënga e gjyshes” më rikujton fëmijërinë tonë dhe besoj se mund të këndohet nga çdo brez.

Znj. Eriola Agalliu – A ka ndikuar jeta në diasporë në mënyrën se si e perceptoni identitetin shqiptar?

Më kujtohet një poezi e Ilirian Zhupës me titull “Atdheu”, që e kemi pasur dikur në librat e leximit të klasës së tetë. Sipas meje, ndër poezitë bashkëkohore më të bukura mbi këtë temë:

“Për mua fëmijën,
Atdheu ishte zëri i nënës.
Krahët e fuqishëm të babait, kur më ngrinin drejt llambës.
Përrallat e gjyshes për ujkun dhe qengjin.

Dhe ato pak metra katrorë të dhomës…”.

Kur jetoja në Shqipëri, unë kisha një ide të përgjithshme, thuajse globale, për patriotizmin dhe identitetin shqiptar. Kishte të bënte me dashurinë për popullin, historinë, traditat, natyrën, krenarinë kombëtare… Sot më duket se të gjitha këto janë përmbledhur në një fjalë të vetme: GJUHA. Përtej çdo keqkuptimi, apo klisheje, mund të pohoj pa frikë se gjuha është elementi kryesor që na bën këta që jemi, shqiptarë të shpërndarë në të katër anët e botës. Gjuha është ndjenjë, emocion që përcillet nëpërmjet tingujsh. Deri tani, në çastin që po flasim, anglishtja dhe frëngjishtja janë për mua tinguj… që formojnë fjalë…, që shprehin mendimin…, ose ndjenjën… që unë përpiqem të formuloj. Krejt e kundërta është me shqipen. Brenda meje, tingulli, fjala dhe ndjenja në shqip, janë të pandara.

Znj. Eriola Agalliu – Nëse do t’i shkruanit një letër brezit të ri shqiptar në mërgim, çfarë do t’u thonit?

Do t’u thosha të sillnin ndërmend dy figura të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare: Jeronim de Rada dhe Pashko Vasa. Të dy kontribuan, sipas mënyrës së tyre, në botën shqiptare. I pari, De Rada shkroi, në vitin 1836, poemën “Këngët e Milosaos” një vepër që, sipas studiuesve, shënjon triumfin e vlerave estetike mbi vlerat historike e gjuhësore të letërsisë sonë. De Rada, i lindur dhe i rritur në Kalabri (ai nuk erdhi kurrë në trojet e të parëve) zgjodhi ta shkruante këtë vepër në dialektin arbëresh të zonës së tij, një gjuhë të cilën ai e kishte mësuar së pari nga gjyshja e vet. Si një arbëresh i rritur dhe i shkolluar në Evropë, ai na la trashëgim këtë rrëfim lirik të ndjerë, një ndër kryeveprat e letërsisë sonë. De Rada njihte disa gjuhë, por… gjeti, ndoshta, gjuhën e zemrës (shqipen) për t’u shprehur. I dyti, Pashko Vasa i mbylli vitet e fundit të jetës në Francë. Atje, shkroi një roman sentimental, me elemente historike, “Bardha e Temalit”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Malësinë e Mbishkodrës. Vepra shpreh, në tërësinë e vet, mendësinë dhe dramat e botës zakonore shqiptare. E, megjithatë, (ndoshta me dëshirën për t’u lexuar nga evropianët), ai zgjodhi ta sillte këtë vepër në gjuhën frënge. Dhe sot, ne themi se romani i parë në letërsinë shqiptare është kjo vepër… e shkruar në frëngjisht.

Të dy këto shembuj na tregojnë qartë se, po ua rrënjosëm fëmijëve tanë dashurinë për gjuhën, kulturën, historinë, traditat, e çdo gjë që përbën botën shqiptare, ne do të kemi mbjellë tek ata, përveç të tjerash, edhe rrënjët e krijuesve të ardhshëm. Mes tyre do të dalë patjetër një poet, prozator, ose artist i çfarëdolloj fushe, që mund të na magjepsë me talentin e tij… Nuk ka rëndësi nëse do të zgjedhin nesër të shkruajnë shqip, apo të rrëfejnë një histori për shqiptarët. Ata do të dinë t’i flasin botës mbi identitetin tonë shqiptar…