Sektori për Informim i KKAD
Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë së bashku me Qendrën e Botimeve për Diasporën, zhvilluan një trajnim një ditor për mësuesit në Zvicër, ky aktivitet u zhvillua në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, të cilin përvjetor KKAD e ka shpallë edhe “Vit të gjuhës shqipe”.
Të dielën me datë 18 dhjetor 2022, në Rezidencën “Prima Pflege” në Tegerfleden të znj. Merita Pinta u organizua trajnimi njëditor për mësuesit në Zvicër nga ana e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) dhe Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD).
Fillimisht pjesëmarrësve iu dëshiroi mirë se ardhje kryetari i KKAD, z. Dr. Vaxhid Sejdiu, duke nënvizuar përpjekjet dhe angazhimin e të gjithëve rreth këtij aktiviteti si dhe angazhimet rreth aktiviteteve të mëparshme në rrugëtimin e përbashkët në njehsimin e shkollave shqipe në Diasporë si dhe sensibilizimin e prindërve shqiptarë që të këshillojnë fëmijët e tyre të ruajnë dhe mësojnë gjuhën amtare. Në veçanti, ai theksoi bashkëpunimin profesional me QBD me qëllim që problemet e akumuluara ndër vite në organizimin dhe njehsimin e shkollave shqipe në Diasporë të gjejnë zgjidhje.
Po ashtu z. Sejdiu falënderoi për ndihmën e madhe rreth këtij organizimi të znj. Merita Pinta dhe stafit të saj, pastaj miqtë dhe mësuesit e devotshëm, të cilët me përkushtim punojnë në kuadër të “Shkollës Shqipe” në Zvicër. Një falënderim i veçantë për Ambasadën e R. së Shqipërisë, në veçanti ambasadorin z. Ilir Gjoni, i cili me përkushtimin e tij në vazhdimësi ka qenë dhe mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të shkollës shqipe. Pastaj falënderoi Ambasadën e R. së Kosovës dhe Ambasadën e R. së M. Së Veriut. Një përshëndetje dhe një falënderim për kolegët dhe bashkëveprimtarët nga L.A.P.Sh., Bavari të Gjermanisë dhe L.A.Sh., të Austrisë, të cilët sfiduan qindra kilometra dhe disa orë udhëtimi me qëllim që të jenë pjesëmarrës në këtë trajnim njëditor.
Me një fjalë përshëndetëse pjesëmarrësve iu drejtua edhe znj. Fabjola Çaushaj, përgjegjëse në zyrën e QBD-së, e cila solli në këtë takim edhe përshëndetjet e drejtoreshës znj. Mimoza Hysa. Pas organizatorëve me një fjalën përshëndetëse mësuesve pjesëmarrës iu drejtua ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Gjoni, i cili i përgëzoi organizatorët si dhe mësuesit për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në pikat shkollore ku punojnë dhe veprojnë duke iu uruar suksese në vazhdimësi. Ai i inkurajoi mësuesit që të punojnë edhe më tepër dhe garantoi përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës. Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës me një fjalë përshëndetëse u paraqitë znj. Shukrije Ramdani, e cila po ashtu përgëzoi mësuesit për punën dhe angazhimin e tyre në mësimin plotësues në diasporë.
Me një fjalë përshëndetëse iu drejtuan pjesëmarrësve edhe znj. Antigonë Elshani, kryetare e Lidhjes së Mësuesve në Austri, z. Milazim Ukaj, kryetar i L.A.P.Sh. në Bavari të Gjermanisë, si dhe koordinatori z. Mustafë Krasniqi, të cilët po ashtu e vlerësuan lart organizimin e këtij trajnimi të mësuesve si dhe z. Mustafë Krasniqi nënkryetar i KKAD, nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm në mes shkollave shqipe të tri shteteve Gjermani- Austri – Zvicër. Një bashkëpunim profesional dhe i dobishëm për unifikimin e shkollave shqipe në diasporë.
Pas përshëndetjeve në pjesën e parë të trajnimit ligjëroi profesoresha nga Universiteti i Elbasanit znj. Edlira Gugu, e cila në detaje shpjegoi për mënyrat, format dhe pikëpamjet kur “MËSIMDHËNIA ME NË QENDËR NXËNËSIN”. Një temë që zgjoi interesim te mësuesit pjesëmarrës dhe natyrisht kishte pyetjet dhe përgjigjet e veta rreth zbatimit të kësaj metode në praktikë.
Në pjesën e dytë znj. Ervisa Paloka, redaktore e shtëpisë Botuese “Albas”, si dhe kryeredaktore për tekstet e reja shkollore të nivelit të parë, prezantoi tekstin e përbashkët “Gjuha Shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I.
Dhe në fund Shtëpia mikpritëse “Prima Pflege” e znj. Merita Pinta kishte përgatitur apero për të gjithë pjesëmarrësit. Ajo që u tha nga të pranishmit ishte se këto takime janë shumë të dobishme për mësuesit të cilët punojnë me grupe të ndryshme nxënësish dhe këmbimi i përvojat është e një rëndësie të veçantë.