Anita Duriçi: Bashkëbisedim me Kozeta Zylo
Udhëtimi i një shkrimtareje shqiptare në Amerikë
Ju jeni shkrimtare dhe poete. Si ka nisur udhëtimi juaj në letërsi dhe çfarë vendi zë poezia në jetën tuaj?

Letërsia dhe poezia, veçanërisht, janë plazma e gjakut tim; më duket sikur pa to s’do të jetoja dot, se thjesht do të isha një lule e tharë në shkretëtirë.
Poezia e vërtetë është kurora e fjalës më të epërme, është emocioni më i fuqishëm, është, siç e përshkruan poeti i famshëm amerikan Robert Frost, i cili thotë: “Një poezi fillon si një gërç, nyje në fyt, si një ndjenjë e padrejtësisë, si një mungesë për shtëpinë, si një dashuri e sëmurë.”
Këto lloj udhëtimesh janë gati hyjnore dhe nuk ia gjen dot shtegun, pasi dritëzat e saj të shoqërojnë kudo, edhe në fund të tunelit pa rrugëdalje.
Mund të kujtoj vitet e fëmijërisë sime, kur babai im, Brahim Gjoni, ishte jo vetëm i dashuruar pas librave, por edhe një rrëfimtar i pashoq, dhe me kursimet e tij të tejskajshme na mbushte parmakët e dritareve me libra, dhe ato ishin pikëzat e vetme të floririt që shndrisnin për atë kohë.
Vetë natyra e mahnitshme e Mezhgoranit tim, ku isha gjer në moshën 9-vjeçare, më ka magjepsur, dhe ajo ngelet edhe sot burim frymëzimi.
Të flesh nën ninullën e ujit të Sollokushes, nën fëshfërimën e gjetheve të qershisë, fikut dhe rrushit që binin mbi dritare, apo qenit të bardhë Lulit që bënte roje përballë shtëpisë, hipur mbi portën e gurtë që mbyllej me një çengel të gjatë hekuri jashtë në tarracë, është një mrekulli që jo kushdo e ka përjetuar.
Midis maleve kryelartë të Mezhgoranit, Trebeshina dhe Shëndëllia, ku këmbët e tyre lagen nga lumi më i egër në Europë, Vjosa, doemos do të gjesh muzën, perëndeshën e frymëzimit.
Nata e mëndafshtë nën hënën e bukur, midis maleve lirike, ku mund të gjendej edhe gjilpëra në kashtë, sipas fjalës popullore, apo rënia e lehtë e borës nën ndriçimin e magjishëm të rrezeve të saj, kanë qenë mahnitëse në shpirtin tim.
Mrekullia e natyrës ka frymëzuar qindra shkrimtarë dhe, në këtë rast, le të kujtojmë Pablo Nerudën, i cili thotë: “Unë jam rritur në këtë qytet, poezia ime ka lindur në mes të kodrës dhe lumit, ajo mori zërin e saj nga shiu dhe, si lëndë drusore, ajo kalonte veten në pyje.”
Kam shkruar dhe botuar herët. Mbaj mend që botohej revista Pionieri dhe ishte një lloj udhe për të gjurmuar tek të mëdhenjtë, për t’u ngjitur…
Emigrimi në Amerikë më dhuroi librin e parë Monumenti i lotit, që është mirëpritur nga publiku dhe lexuesit e shumtë.
Kam botuar tetë libra me poezi, ese, studime, reportazhe, kritika; një prej tyre, Diaspora krah shqiponje, ndodhet në Librarinë e Kongresit Amerikan dhe në dy biblioteka të mëdha, në Brooklyn dhe në Manhattan.
Cilat janë temat që ju prekin më shumë në krijimtarinë tuaj letrare?
Temat janë nga më të ndryshmet: Atdheu dhe gjuha shqipe, Shqipëria dhe Kosova, Çamëria, trevat shqiptare në Mal të Zi, Dibra, Presheva, intervista me shumë të persekutuar, personalitete të shquara dhe të zakonshëm, lirika për dashurinë e kristaltë dhe romantike, gjuha shqipe, flamuri, kombi, emigrimi, Amerika, elegji, veset e shoqërisë, lufta me luftëtarë dhe tradhtarë, politikanët e pacipë, miqësia, koleget mësuese etj.
Ju jeni edhe gazetare në TV “Alba Life”. Si arrini të balanconi gazetarinë me shkrimin letrar dhe aktivitetin arsimor?
Pa balancë nuk ka jetë normale. Natyrisht, nuk është e lehtë; do sakrifica të jashtëzakonshme të shkosh në aktivitete, por jo vetëm si pjesëmarrëse, por si media: të filmosh, të fotografosh dhe pastaj të ngarkohesh plot e të shkruash reportazhin gjatë gjithë natës për t’ia sjellë publikut të freskët.
Shkollat shqipe në gjithë Nju Jorkun dhe online janë prioriteti im, i Qemalit dhe i gjithë familjes.
Shpesh edhe i ankohem Qemalit se më dhemb që ikën koha, kur nuk shkruaj poezinë, edhe pse ajo vjen kaq natyrshëm dhe nuk të lë frymëzimi i ndezur pa i hedhur në letër vargjet, sikur edhe në shtrat të jesh.
Ajo të ngre pupthi.
Mësimi i shqipes është detyrë kombëtare dhe ajo duhet kryer me nder përpara Atdheut.
Balancën, siç duket, mund ta gjej ndërmjet tyre, por duke sakrifikuar më së shumti gjumin, familjen, fundjavën dhe shpirtin, që më duket se dikë e ka sjellë Zoti për të sakrifikuar, dhe pse jo, e kam ndjerë dhe mundohem ta bëj me ndërgjegjen më të lartë dhe më të pastër.
Gjëja më e mirë dhe më e sigurt është të mbash një ekuilibër në jetën tënde, të pranosh fuqitë e mëdha rreth nesh dhe brenda nesh.
Nëse mund ta bësh këtë, dhe të jesh duke jetuar në këtë mënyrë, ti je me të vërtetë një njeri i mençur, shkruan Euripidi.
Si lindi ideja për të themeluar shkollat shqipe në SHBA dhe cilat kanë qenë hapat e parë konkretë?
Si familje Zylo dhe si Bordi i Shkollës Shqipe “Alba Life” “Ambasador i Kombit”, u mor vendimi për hapjen e shkollës 19 vjet më parë dhe, me përpjekje të shumta, u hap edhe në mbështetje të Kosovës.
Ishte një vendim shumë i rëndësishëm dhe kombëtar, pasi, duke parë asimilimin e mijëra fëmijëve në diasporë, të cilët nuk flisnin gjuhën shqipe, medoemos ishte emergjente hapja e një shkolle shqipe me program pas mësimit në gjuhën amerikane.
Shkolla e parë shqipe u hap në qytetin Staten Island, duke marrë mjediset me qira në Qendrën e njohur të Komunitetit Hebre (Jewish Community Center – JCC).
Pas pak vitesh, kjo shkollë i zhvilloi mësimet në shkollën publike amerikane PS 9 në Staten Island, ku vazhdon deri sot mësimin e gjuhës shqipe.
Shkolla shqipe po rritej vazhdimisht në numër me mësuese dhe nxënës, ndaj lindi nevoja edhe në lagje të tjera të Nju Jorkut, si në Brooklyn, Manhattan, Queens dhe Bronx, online dhe së fundi në Albany.
Ka qenë një rrugë jo e lehtë, por po aq e bukur dhe plot dritë.
Shkolla Shqipe “Alba Life” e ushtron programin e saj të mësimit të gjuhës shqipe në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, vetëm në mjediset e shkollave publike amerikane.
Programi i saj është një program serioz, kombëtar, ku japin mësim mësuese të kualifikuara, shumica e tyre të licencuara nga shteti amë dhe nga ai amerikan.
Në program është mësimi i gjuhës shqipe, njohja me historinë dhe kulturën kombëtare, traditat e mrekullueshme, legjendat dhe luftërat nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, martirët e gjuhës shqipe, heronjtë dhe shqiptarët e famshëm, si dhe ata që kanë bërë histori në botë.
Gjatë vitit akademik, Shkolla Shqipe “Alba Life” ka krijuar traditën kulturore të festojë me koncerte si: Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar, festat e fundvitit, Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Shenjtë të Mësuesit, pjesëmarrjen në Festivalin e Shkollave Shqipe “Alba Life”, duke e mbyllur me koncertin për mbylljen e vitit akademik shkollor.
Shkolla Shqipe “Alba Life” është përshëndetur nga mjaft personalitete dhe politikanë të lartë amerikanë dhe shqiptarë, të cilët kanë ardhur dhe kanë vizituar shkollën, duke frymëzuar nxënësit.
Konkretisht, së fundi ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj.
Shkolla Shqipe “Alba Life” është vlerësuar me titullin e lartë “Ambasador i Kombit” dhe me dy rezoluta nga Parlamenti i Nju Jorkut.
Shkolla Shqipe “Alba Life” ka qenë e nderuar të hapë siparin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në diasporë në vitin 2012, të deklaruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Dritan Mishto.
Shkolla Shqipe “Alba Life” ka qenë e nderuar, po ashtu, të hapë siparin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në diasporë në vitin 2018, të deklaruar nga Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, Ambasadorja Teuta Sahatqija.
TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” janë vlerësuar me proklamatë nga Bashkia e Nju Jorkut, me nënshkrimin e këshilltarit të saj, z. Mark Gjonaj.
TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” ndodhen në librin historik të Senatit të Shtetit të Nju Jorkut në Albany, me rezolutën e Senatit nr. 4487, datë 17 prill 2018, dhënë me rastin e 10-vjetorit, rezolutë e dorëzuar nga senatori veteran amerikan Marty Golden.
Në kohën e pandemisë, Shkolla Shqipe “Alba Life” në Nju Jork ishte e para që filloi mësimin shqip në platformën online, duke u bërë frymëzuese në këtë mision. Shkolla shqipe online u shtri në disa shtete të Amerikës, të Kanadasë, si dhe në Europë. Edhe pse online, nxënësit, nën drejtimin e mësueseve, festuan me madhështi Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Kosovës.
Shkolla Shqipe “Alba Life” do të vazhdojë pa u ndalur misionin e saj kombëtar me përkushtim profesional dhe pasion, së bashku me mësueset, për t’iu mësuar fëmijëve në diasporë gjuhën shqipe.
Shkollat Shqipe “Alba Life” udhëhiqen nga rilindasit e mëdhenj për të mos e harruar gjuhën shqipe, ndryshe do të ndodhë siç ka thënë Sami Frashëri: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se viktimat e shpatës.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë?
Sfidat janë të shumta, sepse duhet të kuptohemi që nxënësit tanë nuk janë nxënës të lindur dhe rritur në Shqipëri. Ata janë të lindur në Amerikë apo në shtete të tjera të botës dhe nuk e kanë me detyrim të vijnë pranë Shkollave Shqipe “Alba Life”.
Ndryshe, në shtetin tonë amë ata vijnë me detyrim dhe i nënshtrohen procesit mësimor.
Duhet të punosh me prindërit, të sensibilizosh opinionin, të sigurosh nxënësit, t’u tregosh konkretisht se çfarë pune të madhe, kolosale, po bëjnë mësuesit nëpër shkollat tona, të sigurosh mjediset në shkollat publike amerikane, sepse flasim gjithmonë profesionalisht e ligjërisht, t’u sigurosh librat shqip nga Tirana dhe kjo ka qenë një lodhje shumë e madhe, të lësh “qejfet” në fundjavë dhe shumë gjëra të tjera.
Sidoqoftë, në bashkëpunim me zonjat mësuese të “Alba Life”, të cilat i falënderoj përjetësisht, ne ia kemi dalë me sukses, dhe kjo ka shkruar historinë e mësimit shqip në diasporë si rrjeti më i madh i shkollave shqipe në diasporë dhe më jetëgjatë, pa u ndalur asnjë sekondë.
A mendoni se gjenerata e re shqiptaro-amerikane po humbet lidhjen me kulturën e origjinës, apo shihni një ringjallje të interesit?
Mund t’i pranoj pa hezitim të dyja anët e medaljes, pasi ka edhe shqiptarë që po e humbasin, por ka edhe ringjallje dhe punë të madhe për ruajtjen e gjuhës shqipe, që është edhe identiteti ynë.
Cilat janë rezultatet më të prekshme që keni parë nga puna me fëmijët në shkollat shqipe?
Ne kemi mijëra nxënës shqiptarë që kanë mbaruar “Alba Life” këto 19 vjet dhe, natyrshëm, ndihemi krenarë për rezultatet e prekshme.
Rezultatet kanë qenë të shumta, sidomos kur i shohim që këndojnë shqip këngët tona, performojnë në podiumet e Nju Jorkut vallet e mrekullueshme shqiptare, interpretojnë ndonjë dramë apo poezi të ndryshme nga rilindasit tanë, shkojnë në Shqipëri dhe bisedojnë shqip me gjyshërit e tyre, me të afërmit.
Ata, me krenari, shfaqin në klasa të ndryshme projekte për Shqipërinë, figura të rëndësishme kombëtare dhe bisedojnë me mësueset e tyre se shkojnë edhe në Shkollën Shqipe “Alba Life”.
Natyrisht, është krenari kur dëgjojmë nga goja e nxënësve fjalë si: “Faleminderit ‘Alba Life’ që na krijoni mundësinë për të mësuar gjuhën shqipe në Nju Jork!”
Ne nuk do të mund të vinim për internship në këtë bankë në Tiranë, thanë dy ish-nxënësit tanë, nëse nuk do të dinim gjuhën shqipe, që ju na e keni mësuar me aq profesionalizëm dhe përkushtim.
Ne kemi dy studentë që kaluan testin e gjuhës shqipe dhe përfituan 12 kredite të gatshme kolegji.
Ata janë Oresti Salillari (Baruch College) dhe Sarah Bandilli, që është pranuar në Yale University, një nga universitetet më prestigjioze në botë, themeluar në vitin 1701.
Sipas Departamentit të Gjuhëve të Huaja në shkollën e mesme ku punoj, në Susan E. Wagner, ku ishim të ftuar bashkë me Qemalin nga shefi i departamentit, ai dha udhëzimet përkatëse dhe, natyrisht, shprehu mirënjohjen për “Alba Life” që i përgatisim në gjuhën e nënës dhe ndikojmë shumë në këtë program.
Për njohjen e gjuhës shqipe në shkollën e mesme i referohemi vendimit të Dygjuhësisë së Shtetit të Nju Jorkut (NYSSB), që u lejon studentëve të fitojnë 12 kredite.
Ky program njeh studentët që demonstrojnë aftësi të larta në anglisht dhe të paktën në një gjuhë tjetër, përfshirë shqipen.
Si ju ka ndihmuar gazetaria në promovimin e gjuhës, letërsisë dhe aktiviteteve shqiptare në komunitetin e Nju Jorkut?
Pena ime ka ndihmuar mjaft me reportazhet e botuara në gazetat “Dielli”, “Illyria”, “Gazeta e Diasporës Shqiptare”, intervistat e transmetuara në ekran në TV “Alba Life” etj.
Nëpër aktivitete të ndryshme, të ftuar nëpërmjet organizatave, shkollat tona kanë performuar një sërë vallesh dhe interpretime të ndryshme në këngë dhe art.
Shkrimet ndihmojnë, sepse opinioni sensibilizohet më shumë dhe bëhet më i ndjeshëm për gjuhën shqipe.
A ka bashkëpunim midis shkollave shqipe në diasporë dhe institucioneve arsimore ose kulturore në Shqipëri e Kosovë?
Institucionet arsimore në Shqipëri dhe në Kosovë po tregohen të vëmendshme për shkollat shqipe që janë hapur në diasporë, sidomos vitet e fundit.
Natyrisht, largësia midis dy kontinenteve bën punën e vet, por botimi dhe marrja e paketave të librave për fëmijët e diasporës nga Qendra e Botimeve për Diasporën është bashkëpunim i frytshëm.
Si e shihni rolin e gruas shqiptare në diasporë, si krijuese, si aktiviste dhe si udhëheqëse e projekteve kulturore?
Gruaja shqiptare e diasporës është pasuri kombëtare.
Ka shumë gra dinjitoze që janë integruar me plot kulturë në botën amerikane; disa prej tyre i kemi intervistuar dhe ftuar në studion e “Alba Life”.
Gjithashtu, kam qenë bashkëpunëtore me librin “Zonjat Shqiptare në New York”, ku janë përfshirë mjaft gra të suksesshme të diasporës.
Roli i saj në diasporë është shumë i vlefshëm dhe ndihemi krenarë për arritjet e tyre.
Cilat janë projektet tuaja të ardhshme, si në letërsi, ashtu edhe në fushën e arsimit dhe mediave?
Kam përfunduar dy libra dhe së shpejti do të jenë për botim.
Do të kemi projekte të tjera për hapjen e shkollave shqipe, ndërsa për median e “Alba Life” do të vazhdojmë me plot sukses, si deri tani.
Mund të na flisni pak në lidhje me çmimet dhe mirënjohjet è fituara? Çfarë përfaqesojnë për ju përveç se meritë e punës dhe suksesit.
E vërteta është që dhënia e çmimeve po bastardohet. Barazimi i vlerave me antivlerat është një dhimbje dhe po bëhet gangrenë për shoqërinë njerëzore dhe sidomos atë shqiptare.
Natyrisht, i vlerësoj çmimet e vërteta, pasi është një lidhje shpirtërore midis meje, shoqatave të shumta që na kanë vlerësuar, Presidenteve të Shqipërisë, ku mbaj titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dhe “Medaljen e Meritës Presidenciale” dhënë nga Presidentja e Kosovës znj. Vjosa Osmani.
Shkollave Shqipe “Alba Life” në Nju Jork, “Ambasador i Kombit”, “Gruaja e Vitit 2022, NY”, dhënë nga Motrat “Qiriazi”.
Është e vërtetë se parimi më i thellë në natyrën njerëzore është dëshira për të qenë i vlerësuar, shkruan William James.
Nëse ky parim zbatohet i pastër, vlerësimi merr rëndësi; ndryshe s’ka asnjë vlerë, përkundrazi bëhet shkatërrimtar.
Çfarë mesazhi doni të përcillni për shqiptarët e diasporës që duan të ruajnë identitetin e tyre?
Sillini fëmijët nëpër shkollat shqipe “Alba Life” dhe kudo; sakrifikoni fundjavën.
Nga përvoja ime e jashtëzakonshme, fëmijët që kanë mësuar shqip, kur rriten, i falënderojnë pamasë prindërit, ndërsa ata që nuk e kanë mësuar gjuhën e nënës i fajësojnë së tepërmi.
Dhemb, por është e vërtetë, sepse mësimi i gjuhës shqipe qysh në moshë të re është një proces më i shpejtë dhe më i arrirë.
Sipas studimeve nga neuroshkencëtarët, kur fëmijët mësojnë dy ose më shumë gjuhë, botën e shikojnë me më shumë zgjuarësi e kulturë se ai me një gjuhë dhe e përpunojnë ndryshe informacionin.
Ju faleminderit, kolege Anita Duriçi, dhe punë të mbarë!