Tragjika e folësit lirik, ndjesia e humbjes

Tragjika e folësit lirik në këto poezi shfaqet nëpërmjet eksperiencave dhe ndjenjave të theksuara të tij.
Janë ato gjendje shpirtërore, ku folësi lirik përjeton një tragjedi personale, nacionale ose shoqërore.
Në poezi dhe letërsi, këso situatash tragjike, shfaqen nëpërmjet përshkrimeve të ndjesive të thella,
vuajtjes, dhimbjes, humbjes ose ndjesive të tjera negative. Situata e tillë përfaqëson një konflikt midis brendësisë së folësit lirik dhe botës së jashtme, një humbje të dashurisë, një ndarje të dhimbshme, ose një tjetër lloj përvoje personale apo shoqërore që shkakton dhimbje. E, megjithatë, nuk mungojnë as përpjekjet për ringjallje e ringritje jetësore.
Zëri lirik shqipton stisjet e lektisjet e dhimbjeve e vuajtjeve, shpesh të shkaktuara nga situatat e
humbjes, ndarjes, dështimit, kujtesës së hidhur, konfliktit ose ndonjë fatkeqësie tjetër; është një
përjetim i brendshëm i thellë i personazhit lirik, që e bën atë të ndjehet i braktisur ose i izoluar nga bota që e rrethon.
Tipi i poezisë së tillë i thellon lidhjet emocionale mes lexuesit dhe tekstit, duke përcjellë një përvojë të fuqishme dhe të prekshme.
(Ky libër është shpërblyer me “Shpërblimin e Parë” nga LSHAKSH në Gjermani për librin më të mirë të vitit 2025 të mërgatës.)
Nga Brahim (Ibish) AVDYLI
FURTUNAT E SHPIRTIT
1.
Një zog i parritur
e lëshon
zërin e vajtimit
i rrëzuar
nga furtunat e shpirtit
prej majeve të larta të mërisë,
këmbët topolake
i ka shtrënguar
në shpirtin e përpëlitjeve
nëpër vrojtimet e mia,
e nuk e di gjuhën e lemeritjeve
vetëm se e kuptoj
të padijshmen
drejt lindjes-
Brukth 1 në shpirtë
lidhur e rrethuar me Bóan 2 !…
2.
pa strofullën e zogut,
është rrëzuar dikund
nga lisat e rastit,
furtunat e mbyllta të dhembjeve
janë qiell i pafund
mbi ne
e lisat e mendimeve
përloten krejtësisht,
atë zog të vogël dëshpimi
e mbaj sinqerisht
në duart e vetmisë!…
3.
Një pikë loti
i pashkëputur
nga qepallat e shpirtit
më ngelet në bebëza
mbahet i përhershëm
në akullnajat e zemrës,
assesi të nxjerrë
cicërrimat e zemërimit
në lotë të ngrirë-
fëmijë i pa prind
nëpër kukamat e papritura,
derdhen kështu
në pakohën e sertë
e ngrihen nëpër hapësirë,
më lidhet Bóa
dhe më shtrëngon
në pikat e pandaluara
të shpirtit,
e ku mund t’a gjëj
kaherë fajin e tretur
nëpër hapësirat e ngrira!…
4.
Të gjithë e kemi
luginave të braktisjes
zemërimin e filizave tona,
të afërmit
e kanë një pikëpytje të pashkruar
nëpër kukamat e vogëlushëve
të jetë-vdekjeve,
gabimin
e kanë mbjellur në pashpirt
duke e përtrirë veten
nëpër shfrime,
bjeshkë dhembjesh
e shkëmbimit të zhurmimeve
nëpër të cilat shtohen të vegjlit,
edhe unë jam i pari i fajit
i ardhur nga vrugullimet e gjithanshme
të të padukshmëve,
më shtyjnë
pa më pyetur të mallkuarit
me valakun e madh të dhembjeve
si një fluskë ajri
të dhuntisë së pandjeshme!…
5.
Zogu i shpirtit është
cicërimë e pafund e qenies
edhe kur nuk e shoh,
a mos është fëmija katër muajsh
në barkun e pafatit
që më detyruan ta filloj
demonet e kohës së vdekur,
nuk më lejonin
të mendohesha
furtunat mbi mua e nën mua
se qëllimisht ia behnin
me fuqinë e madhe
të shkatërimit,
po dera e vuajtjeve
ishte hapur me luftë
fëmijët e tjerë mbeteshin pa babë
po të lindeshe TI
o zog i nisur,
je gjaku im i derdhur në greminë
greminave të Perëndimit
rrjedhur nga Zemra,
sinonim i jetës së vjedhur
borgj i frymëmarrjes
sa të abortohesh
ishte e kallur jeta
me ngjyrat e flamurit!…
6.
Këtu të stopojnë
akullnajat e shpirtit
skajin e dritës së qenies
që të mos e gjëjsh,
nga vocrrakët e fjalëve
shkelet atdheu –
foshnjet e paditurisë,
niseshin pa të pyetur
përtej Diellit të Fjalëve,
e pranvera e këngëve
qahej e këndohej
prej tretdheut të shkronjave,
fakeqësitë e tjera
mbetën në vazhdimësi
me njerkën e veteve
në kohën e (pa)jetimëve,
është e rrebtë flukama
furtunave të dhembjes!…
7.
Tani
nuk e luan rolin tuaj
me zogun e shpirtit,
edhe fjalët
kanë shtjerrur
nga pusi i vuajtjeve
në të gjitha pikëpamjet
të asaj që i thonë Jetë,
kudo sillem
nëpër erë
me pikën e lidhur
Nyje,
jam dhembja
e shpërdarë
nëpër hapësirat e pafatit
e plas nëpër qenie,
askush nuk më ndihmon
për fjalët e ngrira
në Mua!…
Përpiqem
t’i ndihmoj
e të qetësoj dhembjet
1 Brukthi është një bimë nëpër male të larta, e cila rrënjët i lëshon mbi një kokërr të madhe, me lëkurë të mbyllet
e të zeshket, të cilat ne, si fëmijë, i kemi mbledhur herët për ditën e Shën Gjergjit, për t’ua dhënë me gjëra të
tjera bagëtive tona. Ato janë rrallë për t’u gjetur. Gjenden vetëm në toka mesdhetare e ilire.
2 Bóa është gjarpër i trashë dhe i gjatë, me trup të fuqishëm, me ngjyrë të murrme në të kuqrremtë, që rrnon në
viset e Amerikës Jugore e në Madagaskar dhe ushqehet vetëm me mish të kafshëve. Këtu e ka figurativisht
kuptimin se është një nyje që nuk mund të hiqet asnjëherë dhe prore të kërcënon dhe të rrethon si nyje e
pazgjidhur, si p.sh., personifikimin “brukth” të zemrës suaj…