MENDIMI KRITIK I REXHEP QOSJES PËR POEZINË E SOTME SHQIPE

(kliko linkun, për ta lexuar pjesën e tretë)

Pjesa e III

Shkruan: Isuf Bytyçi

INDIVIDUALITETI I REXHEP QOSJES
decenie pas botimit të librit “Dialogë me shkrimtarët” të R. Qoses, me rastin e ribotimit të kësaj vepre kritike, në pasthënie, me të drejtë theksohet se kjo vepër “shënjon zanafillën e kritikës moderne shqipe” (72. R. Qosja, “Dialogë me shkrimtarët”, “Rilindja”, Prishtinë, 1979 – Pasthënia e Ali Aliut, f. 292). Këtu duhet analizuar nocioni “kritikë moderne”, sepse një lloj i kritikës shqipe ekzistonte edhe para botimit të kësaj vepre, që ishte një kritikë e paformuar në nivelin adekuat të vetë letërsisë, as në rrafshin e organizimit, të strukturës kompozicionale apo të përgatitjes teorike dhe të kulturës gjuhësore. Si poezia, ashtu edhe kritika vuante nga një retorizëm patetik, nga një klishetizëm i improvizuar i mendimeve që përsëriteshin nga një kritik te tjetri, duke pandehur se misioni i saj ishte efekti didaktik, që bashkohej me përfoljen e përmbajtjes së veprës. Kjo kritikë më tepër merrej me çështjet jashtëtekstore, siç ishte biografia e shkrimtarit, orientimi ideologjik i tij etj. Kritika shqipe sillej rreth disa temave të përhershme, siç ishin: përmbajtja dhe forma, personazhi pozitiv dhe ai negativ, si dhe tematika e veprës.
Kur jemi këtu, vetvetiu lind pyetja: Ç’të re solli R. Qosja në kritikën shqipe të kësaj kohe?
Në radhë të parë, ai trajtoi letërsinë shqipe në përgjithësi, pa bërë ndarje regjionale ose përpjekje për ta abstrakuar letërsinë e sotme shqipe nga letërsia e traditës dhe kështu, për ta trajtuar këtë letërsi si diçka të veçantë. Si kriter, R. Qosja kishte kriterin estetik, të cilin ua kundërvinte kritereve të tjera. Ai në qendër të interesimeve të veta vinte veprën letrare, përkundër traditës, që në atë kohë, më tepër merrej me biografinë e autorit, sesa me veprën e tij.
Profesor Qosja afirmonte sensibilitetin modern të letërsisë, kritikonte të metat: frymën patriarkale, optimizmin e rrejshëm, ideologjizimin dhe politizimin e letërsisë etj. Në kohën kur gjysma e letërsisë së sotme shqipe zyrtarisht ishte shpallur si letërsi e realizmit socialist dhe në gjuhën e kësaj letërsie zotëronte fjalori ideologjik dhe politik, R. Qosja si pengesë për zhvillimin e letërsisë së sotme shqipe, në vështrimin për krijimtarinë e E. Gjerqekut, nuk lë pa përmendur “ndikimin e zhdanovizmit dhe të kanuneve të Timofojevit e të teorive të tjera mbi tendencën e partisë në art” (73. Po aty, f. 255). Madje, kjo ishte ndër pengesat kryesore, që i kundërviheshin letërsisë së re. Ai i kritikon dhe hedh si të pavlefshme krijimet, me anë të së cilave krijuesit fitonin besimin e pushtetit, përkëdheleshin dhe bënin karrierë poetike dhe politike, duke u ngritur në rangun e poetëve të “oborrit”, por edhe në organet e pushtetit, krijues që “idealin poetik ia nënshtronin punës politike” (74. Po aty, f. 257).

Politizimi i artit, ideologjizimi i tij, i shkonte përkundër idealit estetik, e zhvishte nga qenësorja dhe e degradonte atë. Në këtë drejtim, R. Qosja vepronte intelektualisht, duke e ditur se arti në qenien e tij kishte universalen, ndërsa politika të përkohshme: “…angazhimi i hapët… Nganjëherë edhe tendenca… e dëmtojnë spontanitetin e shprehjes” (75. Po aty, f. 258).

Profesor R. Qosja nuk e shikonte veprën vetëm nga një aspekt. Ai veprës letrare i bënte një vështrim të gjerë, e zbërthente atë nga aspekti social dhe historik, nga aspekti psikologjik, ekzistencial, për të arritur në analizën formale, në analizën e stilit, të figuracionit, të strukturës së veprës së tij. Kritika e tij është quajtur “kritikë integrale”, që më poshtë vazhdon: “Kjo kritikë i ngreh në nivel adekuat të gjitha dimensionet e rëndësishme shoqërore (të veprës – shënim imi, I. Bytyçi), kështu që ajo, e theksuar dhe e angazhuar në kuptimin pozitiv, i përkrah dhe i stimulon ato më të dobishmet, më pozitivet sikur te ne, ashtu edhe në tërësi” (76. Ali Aliu, “Kërkime”, f. 41).

Angazhimi i R. Qosjes në art dhe në kulturë, por edhe në problemet aktuale, është një angazhim i llojit të intelektualit europian, si Sartri, Markuze etj., ndërsa kritika e tij “pozitive” s’ka të bëjë me nocionin “pozitivizëm”, por me nocionin e një kritike konstruktive, e cila vazhdimisht dhe me këmbëngulje del në mbrojtje të vlerave të vërteta kombëtare dhe universale të artit. Në një shkrim, për veprën e R. Qosjes, “Nocione albanologjike”, Sylejman Syla thekson: “Autori depërton dhe përqendrohet menjëherë në vepër dhe tërë shkrimin kritik e sendërton në mbështetje të kontaktit të drejtpërdrejtë me të, pa e rënduar me teorizime e elemente të tjera parazitare e të pafunksion” (77. Sylejman Syla, “Kritika dhe vepra”, f. 24).

 Kritika e R. Qosjes, në përgjithësi, shënonte kulmet në shqyrtimin e veprave letrare dhe kështu ishte përherë e mirëpritur si nga lexuesi, ashtu edhe nga kritika letrare. Fjalori i tij është fjalor i intelektualit bashkëkohor, që zotëron filozofinë dhe kritikën tradicionale humaniste të shekujve të shkuar, por edhe filozofinë dhe kritikën bashkëkohore. Me të gjitha qasjet jashtëletrare ndaj veprës, që bëheshin nga kritikë të ndryshëm, “në këtë shkrim kritiko-letrar zotëron dukshëm qasja e brendshme apo, thënë më saktë, përqendrimi në brendësi, në strukturën e veprës” (78. S. S., po aty, f. 75). Sipas Ali Aliut, “R. Qosja përfshin një diapazon e sfera, thuaja të pakufi, në të trajtuarit e aspekteve letrare” (79. Grup autorësh, Letërsia e sotme shqipe. Kritikë dhe ese – shih pasthënien e A. Aliut, me titull “Tendenca të kritikës sonë”, f. 362).

Në të shumtën e herëve, vepra e R. Qosjes është pritur pozitivisht si ngritje cilësore, si sintetizim i njohurive, pra, ajo “është një sintezë dhe një thellim i mëtejmë i studimeve historiko-letrare. Metoda origjinale dhe vetëdija kritike historike e autorit i bën të mundshëm, që të depërtojë në strukturën e brendshme të proceseve letrare…” (80. Bajram Krasniqi, “Letërsia dhe vetëdija historike”, f. 267), shprehet Bajram Krasniqi për veprën “Prej tipologjisë deri te periodizimi”.
Vlerësime pozitive për kritikën e R. Qosjes ka dhënë edhe Jorgo Bulo në shkrimin e tij “Rexhep Qosja dhe vepra e tij ‘Porosia e madhe’ (81. J. Bulo, “Magjia dhe magjistarët e fjalës”. “Dituria”, Tiranë, 1998, f. 275): “Si çdo vepër e kulturës shpirtërore, edhe vepra shkencore është e pandarë nga personaliteti i atij që e krijon dhe nga epoka kur krijohet. E tillë është edhe vepra shkencore e R. Qosjes, këtij krijuesi poliedrik, që për një çerek shekulli, me talentin e rrallë, me pasionin dhe me guximin krijues qytetar që e karakterizon, i është kushtuar lëvrimin të shkencës e të letrave shqipe” (82. Po aty, f. 275).

Mirëpo, përpos vlerësimit pozitiv të kritikës së R. Qosjes që i është bërë, s’kanë munguar as rezervat nga kjo kritikë. Por, nuk munguan as përpjekjet për ta nënvlerësuar këtë kritikë, apo edhe ato që u përpoqën ta mohonin atë. Kështu Ibrahim Rugova, në një punim të botuar në revistën letrare “Jeta e re”, kritikën e R. Qosjes e krahason me atë të kritikëve të mëdhenj, si “S. Bevi, De Sanktisi, Bjelinski apo atë të Edmund Vilsonit” (83. Jeta e re, nr. 6, 1974), I. Rugova, “Interpretime metodologjiko-teorike të kritikës letrare”, (f. 1102). Më poshtë këtë kritikë e karakterizonte kështu: “Kjo kritikë ka krijuar një gjerësi dhe një shqyrtim të shumanshëm të problematikës së letërsisë, e cila krijon mundësi, që në vazhdim të dezintegrohet në disiplinat e ardhme të studimit të letërsisë ka krijuar një bazë të volitshme për realizimin e këtij procesi të rëndësishëm, e cila e ka ngritur kritikën tonë, veçanërisht në aspektin metodologjiko-teorik, si me inkuadrimin e metodave të ndryshme, ashtu edhe me inkuadrimin dhe interpretimin e teorive”(84. Po aty, f. 1102) (nënvizimi imi, I. Bytyçi).

Një qëndrim tjetër, pothuajse të kundërt me këtë, ndaj kritikës së R. Qosjes, I. Rugova e mban në librin e tij “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504 -1983)”. Se do të kishte tjetër qëndrim ndaj kritikës së R. Qosjes, e tregon qartë fakti se ky kritik, kur e botoi artikullin e sipërpërmendur, në librin e tij “Kah teoria”, pjesën ku flitet për R. Qosjen si kritik e hoqi nga teksti. Në librin “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”, në rreth katër faqe, përpiqet ta përkufizojë kritikën e R. Qosjes. Në përgjithësi, këtë kritikë do ta përkufizojë me nocionin kritikë “e angazhuar” në letërsi dhe në kritikë, por se për çfarë angazhimi bëhet fjalë në veprën e R. Qosjes, këtu nuk definohet nga I. Rugova, sepse as një kritikë nuk shkruhet pa pasur autori i saj një lloj angazhimi. Ky kritik, në veprën e R. Qosjes sheh një lëkundje mes tradicionalizimit dhe formalizimit (85. f. 237), pastaj ai, R. Qosja, e vështron letërsinë në raport me çështjet morale: “çfarë lidhet me premisat sociologjike e etike për letërsinë” (86. f. 239); në kritikën e tij “nuk mund të çlirohet nga çështja e dualizmit vlerësues” (87. f. 239). Në vazhdim përmendet inkonsekuenca në mendimet e R. Qosjes etj. Në përgjithësi, në këtë shkrim është inkuadruar një sintaksë e tërhequr zvarrë dhe një përpjekje e përdhunshme, për ta ulur vlerën e kritikës së R. Qosjes. Këtu nuk bëhet fjalë për të metat e kritikës së R. Qosjes, por për të meta të kërkuara aty ku nuk gjenden, për veprimin e një alkimie gjuhësore, e cila me “mrekullitë” e saj e kthen arin në thëngjill e thëngjillin në ar, gjithnjë sipas nevojës. Kjo kritikë ndaj profesor Qosjes ngërthente në vete filozofinë provinciale dhe atë të grupacioneve, që shënjonte nivelin e ulët kulturor të mjedisit kosovar. Me fjalë të tjera, kjo alkimi e fjalës mund të përkufizohet si alkimi negative.

Një kritik, i cili është i angazhuar edhe më herët ta karakterizojë kritikën e R. Qosjes si destruktive dhe R. Qosjen si “mohues të vlerave kombëtare”, ishte Hysni Hoxha. R. Qosja ishte kategorik ndaj të metave të veprave të ndryshme, por edhe ndaj nivelit të ulët kulturor të shoqërisë shqiptare. Ai nuk i përkëdhelte këto të meta, por si intelektual i gjente dhe i kritikonte ato. Prandaj edhe te shumica e intelektualëve të mirëfilltë dhe lexuesve gëzonte respekt. Ky fakt sikur ngjallte zili te një pjesë e inteligjencës kosovare, e cila edhe pse kishte konsideratë të lartë për veten, në shoqëri sikur mbetej mbrapa perdes, prandaj me kritikën, të cilën i bënin R. Qosjes, përpiqeshin t’ia kthenin vëmendjen opinionit se kishte intelektualë të një kalibri më të lartë se ai i R. Qosjes.

Hysni Hoxha në artikullin “Për një dialog në nivel kulturor”, e problematizon kritikën e R. Qosjes dhe shfaq mospajtimet e veta me këtë kritikë. H. Hoxha nuk pajtohet me kriteret, të cilat përdori R. Qosja në përpilimin e “Antologjisë së lirikës shqipe”, në prezantimin jo të drejtë të autorëve bashkëkohorë në të, rënien në “artizëm” (88. H. Hoxha “Kritika”, f. 216) në qëndrimin nënvlerësues ndaj veprës së Migjenit etj.

Pa marrë parasysh qëndrimet e ndryshme dhe të kundërta ndaj kritikës së R. Qosjes, kritika e tij hyn në themelin e kritikës shqipe. Meritë e këtij kritiku është ngritja e kritikës shqiptare në atë nivel, që është kjo kritikë sot në Kosovë.

GJUHA, STILI DHE TERMINOLOGJIA E KRITIKËS

Një kujdes të veçantë në shkrimet e veta, R. Qosja i kushton gjuhës dhe terminologjisë së veprës. Gjuha e kritikës së tij është e gjallë, mjaft e pasur në shprehje dhe përshkohet nga nocionet e kritikës moderne.
Qysh në librin e parë, “Episode letrare”, i është larguar, sa ka qenë e mundur në atë kohë, kritikës zyrtare të realizmit socialist, e cila ishte e pranishme në kritikën shqipe. Megjithëse në librat e tij të parë kritikë hasim në fjalorin e kritikës sociologjike apo pozitiviste, ai përqendrohet vazhdimisht në tekstin letrar dhe depërton në strukturën e veprës artistike.

Fjalori i R. Qosjes është fjalor i intelektualit bashkëkohor, i cili e zotëron estetikën, trashëgiminë e kritikës humaniste, por edhe kritikën moderne. Në kohën kur u paraqit ky kritik, kritika shqiptare, në përgjithësi, ishte e re në moshë, ishte nën trysninë e filozofisë dogmatike qysh në start; ishte e krijuar në kushte specifike dhe, në të shumtën e rasteve, eklecitizmi e përshkonte tejpërtej. Gjuha që e përshkonte ishte kaotike: shumë herë jo vetëm në një tekst të kësaj kritike, por edhe në një fjali, gjejmë mendime të kundërta, të papajtueshme mes tyre. Gjuha e kësaj kritike oscilonte mes nocioneve të filozofisë dogmatike marksiste ose nocioneve eklektike. Sa herë që tentonte ta tejkalonte filozofinë e parë, kalonte në të dytën, eklektizëm.

R. Qosja është ai, i cili me vetëdije të rrallë e mohoi metodën e parë, por nuk iu bashkëngjit të dytës, si shumë kritikë kosovarë, që e mbajnë veten për kritikë “modernë”. Ai depërtoi mes këtyre dy rrymave mbizotëruese dhe me vendosmëri, hapi rrugën e studimeve bashkëkohore në kritikën shqiptare. Shenja më e dukshme për ta dokumentuar këtë është gjuha, të cilën ai përdor në veprën e tij. Nocionet që cilat përdor janë ato të teorive bashkëkohore letrare. Por, kur jemi këtu, duhet të përmendim, se mendimi i R. Qosjes e ruan kontinuitetin me mendimin e mirëfilltë mbi artin dhe krijimtarinë. Me gjithë metodën moniste dogmatike dhe anarkisë ekletike, profesor Qosja ndoqi metodën pluraliste bashkëkohore në kritikën letrare. Ai nuk ndalej në biografizëm dhe në rrethanat shoqërore-historike të krijimit të veprës, por më tepër hynte drejtpërsëdrejti në tekstin letrar, në strukturën e tekstit letrar. Por ai nuk lë anash as horizontin e pritjes, lexuesin, receptuesin e veprës. Terminologjia më e shpeshtë në kritikën e tij është ajo e poetikës strukturale. Nocionet, si: studime strukturale, strukturë, strukturë figurative, sistem simbolik, rrathë koncentrikë të kuptimit, ideograme – ideologema etj., shoqërohen nga nocionet e estetikës së receptimit, si: horizonti i pritjes, intensiteti i receptimit, studimi historik i receptimit etj., në kritikën e R. Qosjes përdoren edhe nocionet e semantikës dhe të semiologjisë, si semantema, shënjuesi – i shënjuari etj. Këto nocione tregojnë për gjerësinë e interesimeve të këtij kritiku, për përdorimin e nocioneve sa më adekuate në studimin e letërsisë.
Sintaksa e kritikës së R. Qosjes është mjaftë e pasur, elokuente dhe nuk e lodh lexuesin. Një vlerë tjetër e kësaj kritike është edhe qartësia e shprehjes, e cila nuk e vulgarizon asnjëherë kuptimin e veprës, përkundrazi, e bën të afërt me një masë më të madhe lexuesish. Kjo vepër, për pasuritë e mëdha që zotëron, ngjall te lexuesi përjetime estetike.

PËRFUNDIME

Që nga libri i parë, pothuajse në çdo libër kritik, R. Qosja u mor me letërsinë bashkëkohore, e sidomos me poezinë e sotme shqipe.

Këto shkrime mund t’i ndajmë: në ese, recensione, trajtesa, studime, vlerësime, por ai u mor edhe me periodizimin e kësaj letërsie (poezia). Në këto shkrime, përveç analizës së tekstit, ai u mor edhe me çështje jashtëtekstore, të cilat lidheshin me orientimin e kësaj letërsie në rrugën moderne. Në këto shkrime, përcaktohet qartë ç’është tradicionale dhe se ç’është moderne në krijimtarinë artistiko-letrare, cilat janë të metat që e shoqëronin atë e, sidomos, krijimtarinë, e cila është zhvilluar në Kosovë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Parë nga perspektiva e sotme, marrja me këto probleme e rëndon kritikën letrare të profesor R. Qosjes, por po të analizohen rrethanat, në të cilat është krijuar kjo letërsi në Kosovë, arsyetohet kjo “ngarkesë”.

Rëndësia e shkrimeve të R. Qosjes është e madhe, sepse në to u shtjelluan problemet qenësore të kësaj poezie. Pothuajse në çdo rast, ky kritik mbajti qëndrim të drejtë ndaj krijimtarisë letrare. Kur lexojmë vlerësimet për disa poetë, vërejtjet që u bëri atyre, edhe sot e kësaj dite janë vërtetuar se ishin të drejta.

Ndër problemet kryesore, me të cilat u mor kritiku, ishte përcaktimi i nocioneve adekuate të kritikës letrare, pastaj kërkimi i metodologjive bashkëkohore. Luftimi i tradicionalizmit, i sentimentalizmit dhe i logjikës provinciale ishte në plan të parë në kritikën e tij letrare. Letërsia shqiptare, sidomos ajo që krijohej në Kosovë, që nga fillimi vuante nga keqkuptimi i frymës së letërsisë, nga përdorimi jo i duhur i nocioneve letrare, pastaj në shkrimet e tij, me të drejtë, shtjelloi fenomenin e hermetizmit në letërsinë tonë.
Jo një herë, profesor R. Qosja u përballë me dogmatizmin në trajtimin e fenomeneve letrare dhe jo një herë e sulmoi këtë dogmatizëm, i cili me normat e tij të ngurta ia zinte frymën krijimtarisë dhe mendimit të lirë, pjesë e të cilit është edhe letërsia. Romantizmi i rremë, i cili e shoqëronte këtë letërsi, pastaj notat sentimentale e provincializmi, ndikimet nga periudhat e mëparshme, si nga letërsia kombëtare, ashtu edhe ajo botërore, e dëmtonin rëndë letërsinë e re shqipe.

Problem më vete ishte problemi i modernitetit, të cilin R. Qosja përherë e përkufizonte, por duke e lënë këtë problem të hapur, sepse mbyllja e problemeve është karakteristikë e mendjes dogmatike.


Një tjetër problem ishte edhe qëndrimi kritik i R. Qosjes ndaj disa krijuesve. Në këtë drejtim, mund të vërehen disa inkonsekuenca: ndaj disave, si p.sh.; ndaj M. Kërveshit, deri diku edhe Rr. Dedajt, mban qëndrim tepër të lartë, ndërsa ndaj A. Podrimjes e A. Shkrelit nganjëherë është më tepër qortues sesa e meritojnë. Por, pa marrë parasysh disa të meta të vogla, kritika e tij gradualisht u ngrit dhe fjala e tij u bë e respektuar në të dyja anët e kufirit shqiptar. Kritikat e R. Qosjes për letërsinë shqipe në Kosovë kishin peshën e kritikave të Sent Bevit në Francë, të De Sanktisit në Itali dhe të Bjelinskit në Rusi.
Këto kritika, në të cilat u shtjelluan problemet kryesore të letërsisë shqipe, qëndrojnë në bazë të kritikës shqiptare. Kritika e tij u rrit së bashku me zhvillimin e letërsisë shqipe dhe shumë herë i paraprinte kësaj letërsie.

BIBLIOGRAFIA

1.  Rexhep Qosja, Epizode letrare, “Jeta e re”, Prishtinë, 1976.

2.  R. Qosja, Dialogë me shkrimtarët, “Rilindja”, Prishtinë,   1968.

3.  R. Qosja, Kritika letrare, “Rilindja”, Prishtinë, 1969.

4. Qosja, Antologjia e lirikës shqipe, “Rilindja”, Prishtinë,      1970 (Këtu është shfrytëzuar botimi i dytë i plotësuar i       “Rilindjes”, në vitin 1979).

5.  R. Qosja, Panteoni i rralluar, “Rilindja”, Prishtinë, 1973.

6. R. Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976.

7.  R. Qosja, Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik,  Prishtinë, 1983.

8.  R. Qosja, Tronditja e shekullit I, II. “Toena”, Tiranë, 2001.