Fjalimi im në përurimin e monografisë
Shkruan: Mustafë Krasniqi
Përshëndetje të pranishëm, familjar të heroit Xhavit Hazirti, nxënës dhe mësuese e respektuar, bashkëveprimtari dhe bashkëvuajtës në burgjet jugosllave me Xhavit Haziri, Binak Berisha, profesor dr. Vaxhid Sejdiu, i nderuar poet Hasan Qyqalla dhe prof. Isuf Ismaili!
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në promovimin e librit tim monografik “Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë -Xhavit Haziri”! Njëherit duke i vlerësuar parafolësit rreth vlerësimit kritik të librit tim, të cilët me një përkushtim kanë nxjerr në pah, për ju, brendësinë e librit, duke i shtjelluar thelbësisht vlerat që ka libri. Si autor i librit nuk do të flas gjatë për librin, pasiqë tani libri është në duart e juaja, por do të ndalem te shtytja për ta bërë këtë monografinë, me titull, “ADHETARI I SHTIGJEVE TË LIRISË”.
Ajo që më shtyu ta shkruaj këtë monografi, përpos arsyes së fortë ishte edhe nënë Fahrije (nëna e heroit), e cila pas njërën nga vizitat që i bëra në shtëpinë e saj më tha: “Biro thuaju shokëve të Xhavitit se jam plakur dhe nuk dua të vdes pa i vu lule në një vend ku i takon birit tim!”
Kërkesa e nënë Fahrijes për ta gjetur të birin, të rrëmbyer nga forcat çetnike serbe dhe, për t’i bërë një vend për t’i vë lule nuk ishte vetëm një kërkesë e thjeshtë, se pse e kishte djalë, por ishte një porosi përtej asaj që e kishte djalë. Nga që heronjtë e kanë vendin e vet, pavarësisht eshtrave të tyre ku i ka bartur koha e një pushtetit të ligë e pa ndjenja njerëzore, kriminel e me epshe hienash.
Duke kuptuar këtë porosi, në mes fjalëve të shprehura, mallin e syve që prisnin një rreze dielli, në mes të një pritje dhe vendi se ku do t’i vejë lule shoqëria, djalit të saj dhe heronjve tjerë, që u sakrifikua për lirinë, të cilën ne sot e gëzojmë. Me të gjitha këto ndjenja, mallin dhe porosinë e nënë Fajrisë, e pyeta vetën:
Ai kemi borxh, heroit!?
Duke e shtruar këtë pyetje, mbi të gjitha kisha fatin ta njihja dhe të jem njëri ndër bashkudhëta, në disa procese ilegale, me Xhavit Hazirin, që rrugëtimi ynë të rezultojë me krijimin e UÇK-së, që përmes luftës së shenjtë të saj dhe gjakut të dëshmorëve na erdhi liria, që kemi sot. Pra, heronjtë nuk lindin dhe nuk vdesin rastësisht! Ata i sjell koha. Këtë fat e kishte edhe heroi Xhavit Haziri, i cili si i ri kishte filluar ta ndiente një zbrazëti në shpirtin e tij dhe të kuptuarit se jetonte pa liri. Jo i vetëm, por tërë populli i tij dhe mu për këtë kishte marrur rrugën drejt lirisë, që dhe kishte përcaktuar qëndrimin e tij kombëtar, i cili përputhet qartë me idealin e rinisë shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Me këtë filozofi politike identifikohet gjenerata e tij, atdhetarët, të cilët përpjekjet e tyre u sintetizuan në emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës jo vetëm që ishte edhe vetë Xhavit Haziri, por barra më e rënd i takoi që të merrej për formimin e saj.
Për këtë rrugë ishte i vetëdijshëm se do të jetë me sfida dhe sakrifica të mëdha, me arrestime, burgosje, procese politike antishqiptare, vuajtje dhe përpjekjet për të vepruar kundër pushtuesit, që ishin pjesët e dramës së madhe shqiptare, nëpër të cilat kaloi edhe vetë Heroi ashtu siç kaluan me qindra e mijëra shqiptarë. Padyshim në krye të këtyre lëvizjeve nuk kishte mundësi të mos ishte edhe Xhaviti, djaloshi që aspironte me tërë fuqinë dhe filozofinë e tij, të ndërtuar mbi parimin e logjikës, të arrijë deri te maja e qëllimit përmes një vetëdije të lartë kombëtare, ai donte këtë vetëdije ta shpërndante te masa e gjerë popullore dhe ajo të futej thellë në memorien e tyre, se pa liri nuk ka jetë e, as jetë s’ka pa bashkim. Këto dy nisma për jetësim, Liria dhe Bashkimi, ishin qëllimi kryesor i Xhavitit, të cilat më vonë në mënyrë filozofike i trajtoi. Trajtimi i veçantë dhe përkushtimi deri në frymën e fundit i Xhavitit, na shtyn të mendojmë, se kishim të bënim me një djalosh, burrë, veprimtar e atdhetar të përcaktimeve të mëdha kombëtare, i cili përpos përkushtimit emocional kishte edhe një ngritje të lartë, me njohuri të përgjithshme! Prandaj, ai dinte edhe në rrafshin filozofik ta trajtonte çështjen kombëtare, por njëkohësisht edhe në kuptimin strategjik e diplomatik, pa i ikur fare edhe veprimtarisë politike e ushtarake.
Me përgjegjësi e them se ne u kemi borxh shumë heronjve, jo vetëm t’i përkujtojmë një ditë, por sa herë e puthitim rrezen e mëngjesit, të përkulemi para tyre, nga që gjaku i tyre na solli lirinë. Në këtë rast mora për sipër të shkruaja për heroin, sepse kishin ikur shumë vite, mbi një dekadë e gjysmë, që pritja e heroit t’i kthehet atdheut, vendit ku ai e meritonte, aty ku e dëshironte nënë Fajrije e shumë nëna tjera t’i kenë bijtë dhe bijat e tyre. Kjo nuk ndodhi ngaqë kishim të bënim me një pushtues tashmë të humbur, në saje të luftës së drejtë të UÇK-së.
Për ta nisur këtë monografi, pyeta shumë shokë të idealit e familjar, të cilët thanë:
“Të lumtë, por ke kujdes, është njëri ndër figurat qendrore të veprimtarisë sonë, mbi të gjitha është një nga figurat e rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Ai, është njëri prej atyre atdhetarëve më të kompletuarit, si për nga thesari i njohurive, po ashtu edhe nga veprimtaria. Ishte shembull për të gjithë ne, qoftë për qëndrimin në burg, qoftë për veprimtarinë drejt realizimit të aspiratës sonë për Shqipërinë e bashkuar.”
Ai, “ishte mjeshtër i organizimit, njeri i ideve kreative për rezistencë kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Njeri i pathyeshëm në burgjet serbe, e në të njëjtën kohë për t’u rikthyer gjithmonë si pas burgut të parë, gjithashtu edhe pas vuajtjes së burgut te dytë në organizim, e pastaj nga vitet 1997-1998 duke ardhur edhe drejtpërdrejtë në istikamet e luftës, duke vizituar zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e duke qëndruar në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i bashkërenduar aktivitetet me simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin në Prishtinë” H.Thaçi.
Duke u nisur nga këto qëndrime, me përgjegjësi të madhe se do t’ia arrijë qëllimin. Dhe si detyrë të parë i vura vetës, që ta përgatitjen një kërkesën për ngritjen e shtatores së Xhavit Hazirit, prej 4 faqesh, më 21 tetor të vitit 2014, në përkrahje të shoqatave jo politike në Kastriot, ish Obilq, të cilat dhe e nënshkruan.
Kërkesën ia drejtova organeve të Komunës: Kryetarit, Kuvendit dhe Drejtorisë së Kulturës së Komunës së Obiliqit, të cilët pas shqyrtimit të kërkesën, më 30 tetor 2014 dhe, përgjigjes me shkrim, që më kthyen me datën 10.11. 2014. Kurse më 3 shtator 2019, kthehet heroi ynë në lapidar, e nga rrezet e tij, sot e përmot, nderohet Komuna e Kastriotit.
Me përkushtim dhe një përgjegjësi të madhe, pas kërkesës për shtatore, duke i falënderuar institucionet dhe kryetarin e Komunës Xhafer Gashin, fillova të merrem me monografinë “Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë -Xhavit Haziri”. Thjeshtë duke u përpjekur ta paraqes veprimtarinë e heroit vetëm ashtu si ishte, duke u nisur nga rrëfimet e familjarëve, e deri tek shokët që ishin bashkudhëtarë me të deri në kohën kur policia sekrete serbe e rrëmbyen. Duke përcjell si një udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Që kujtesa e ndërgjegjes historike ta kujtojë si njërin nga figurat e rëndësishme të luftës së fundit, si dhe njërin nga veprimtarët e devotshëm të ilegales, i cili bashkë me heronjtë e tjerë u bënë flakadanët e luftës për liri e bashkim të atdheut dhe frymëzim i luftës heroike të UÇK-ës.
Mirëpo, më këtë Monografi, nuk pretendoj se kam arritur ta them gjithë atë që duhet thënë, por kjo le të jetë një nismë e mbarë, për ta trajtuar e plotësuar me materiale faktik e historik edhe studiuesit të tjerë. Ajo që dua ta theksoj në këtë monografi është shpalosja e historisë, kujtesa e shokëve, bashkudhëtarëve, të cilët udhëtuan me të stuhive të ndryshme e më kryesorja të dalë në sipërfaqe realiteti për gjeneratat e ardhshme.
Pamëdyshje kjo monografi ka edhe nevojë për t’u plotësuar në të ardhmen, meqë nuk kam pasur mundësi t’i mbledh të gjitha materialet ekzistuese, me gjithë kërkesën time. Por që dua të them se është prekur në esencë veprimtaria e tij, qoftë si ilegalist, qoftë si drejtues i formimit të ushtrisë shqiptare, që më vonë u emërtua UÇK-ës; Këtë e thonë edhe shokët e ilegales dhe drejtuesit përgjegjës të UÇK-së.
Në shtatë kapituj të monografisë kam ecur nëpër një kronologji të heroit, duke filluar nga lindja në fshatin e tij Druar-Dërvar e, deri te arrestimi i tij tek plepat në Prishtinë. Nëpër këtë kronologji kam prekur fakte argumentuese si: faksimile, rrëfime, intervista dhe përkujtime nga familjarët, shokët dhe arkivat, po ashtu edhe nga “Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut” – KMDLNJ; Me qëllim që e ardhmja të jetë një nxitje për studiuesit historisë hulumtuese, konkretisht për heronjtë e kombit, mbi të gjitha për figurën që ishte e mbeti simbol i radhëve të para të UÇK-së.
Në fund falënderoj familjen, shokët dhe arkivat, që ma mundësuan sado pak të jap atë që e meritonte heroi, Xhavit Haziri, që dhe më gëzon fati që njoha një veprimtar të shquar, një atdhetar sypatrembur, me të cilin jo vetëm që më lidhte vizioni i përbashkët kombëtar, gjithsesi kjo ishte mbi të gjitha, por edhe më bënte përshtypje se ai kishte një thjeshtësi dhe një filozofi të qartë mbi parimet e shëndosha kombëtare.
Krejt në fund, para se ta shikojmë videon, ku do të kemi rastin ta dëgjojmë fjalimin e heroit Xhavit Haziri dhe t’i shohim punimet e tij artistike, do të na tërheq vëmendjen edhe pjesa e krijimtarisë letrare e tij, i cili ndërton narrativen e dashurisë përmes fjalës së shkruar, poezisë dhe, përmes krijimtarisë artistike, të punuar nga druri. Që me këtë pjesë të krijimtarisë së shkruar dhe të gdhendur mjeshtërisht, ndërton pritshmërinë e një dashurie të thjeshtë, qoftë të familjes, apo për lirin e atdheut, që ishte lidhur ngushtë në shpirtin e tij. Thjeshtë, Xhavit Haziri nuk ishte vëm një emër, por ishte edhe më shumë se ky emër: Ideolog i çështjes kombëtare, frymëzues i lirisë dhe i bashkimit të kombit, mjeshtër i organizimit, njeri i ideve kreative për rezistencë kundër ushtrisë dhe policisë serbe, humanist, krijues i veprës artistike, njohës i mirë i filozofisë politike dhe praktikues i saj, mbi të gjitha e kishte atdheun e lirë, familjen dhe këmbëngulës e i dashur për të gjithë.
Lavdi veprës së Xhavit Hazirit, i cili ishte dhe mbeti figurë e ndritur e ilegales dhe e themelimit të UÇK-së!