Përpjekjet për ta paraqitur dialektin e gegërishtes të viktimizuar nga regjimi socialist i kohës, janë anakronike e antikombëtare I

Ahmet Qeriqi

Nga Ahmet Qeriqi

Përpjekjet, për ta paraqitur dialektin e  gegërishtes si të viktimizuar nga regjimi i Enver Hoxhës, janë në vazhdën e përpjekjeve të sharlatanëve, gjysmakëve, xhelozëve, prepotentëve për të mohuar çdo të mirë, të dobishme, të arsyeshme, njerëzore e kombëtare  që është arritur, veçmas në arsimim, pastaj  në historinë e gjuhës, kulturës e traditës,  jo vetëm në Shqipëri, por kudo në trojet shqiptare.

Disa gjuhëtarë në  Shqipëri e më pak në Kosovë vazhdimisht flasin e shkruajnë për “gegnishten” e viktimizuar, e cila” kenka ma e nalt’ se “tosknishtja” e Enver Hoxh’s, që  sipas “studimeve dhe zbulimeve” të tyre del se Enveri paskësh kërkuar nga gjuhëtarët që gjuha e njësuar letrare të jetë toskërishtja, e jo gegërishtja.

Albanologët e kohës, 50-vjet më parë, morën një vendim historik  në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Letrare shqipe në Tiranë, dhe unanimisht ishin pajtuar  për gjuhën e njësuar, e cila është e arritura e dytë e madhe gjuhësore e kombëtare e shekullit 20-të, pas Kongresit të Alfabetit  të mbajtur në Manastir në vitin 1908.

“Gegnishtja” kishte probleme me njësimin në radhët e veta, brenda vetes, sepse dallimet mes shkodranishtes, “kosovarishtes” apo “tetovarishtes” ishin problem  me vete, në leksikun shumë të rënduar me sllavizma, turqizma, italianizma e izma të tjera të të folmeve mjaft heterogjene, në pikëpamje gjuhësore.

E folmja e Kosovës, deri në vitin 1941, në mungesë të shkollave, librave e gazetave në gjuhën  shqipe dhe në përpjekje shtetërore të Serbisë për shfarosje dhe asimilim kombëtar të shqiptarëve, ishte një e folme mjaft laramane, heterogjene, e degraduar me shumë sllavizma e turqizma, të cilat kishin rezultuar me një të folme deri edhe të degjeneruar, në një gjuhë mushke.

Një “kontribut” të veçantë me fjalë sllave sollën në Kosovë edhe muhaxhirët e Toplicës, të cilët me shekuj kishin bashkëjetuar me sllavet dhe kishin dhënë por edhe kishin marrë mjaft fjalë nga e folma e tyre. ( Gjuhëtarët serbë kanë zbuluar  fjalë shqip serbisht në mikro dhe makro toponime deri në qytetin e Nishit, Naissiusi i kohës ilire romake  si: Mala Teposhta Velika Perpjeta, Lugi i Mad, Lugi Volge, Ali Bunar, Arnautski Katun. Mali Katun, Katunishta dhe mbiemra shqip të serbizuar si:  Gjonoviq, Kastratoviq, Dukiq, Dakiq, Gjinoviq, Arnautoviq, Kuçiq, Gashiq, Shaliq, Tullar, Shekullarac…)

Muhaxhirët sollën në të folmen  e tyre mjaft fjalë të përditshmërisë, që kishin përdorur në trojet e tyre nga ishin dëbuar me dhunë, në përpjekje për shfarosje masive nga serbët e sllavët e asaj kohe: Ato sollën emra si  kosë, lagragje, sakicë, teslicë, staravillë, kojshi, polar, govedar, pobratim, ulicë, zastojë, tuzhbë, porez e sa e sa të tjera. Fjalë të tilla vëreheshin, në të kaluarën sidomos në fshatrat e shumta me muhaxhirë në Kosovë, e cila për nga prejardhja përbën një të tretën apo të katërtën e popullatës shqiptare në Kosovë. Po jo vetëm muhaxhirët. Edhe bashkëjetesa e shqiptarëve me sllavët qysh prej mesjetës, me popullatën vendëse sllave, të cilën ata e quajnë  “starosedeoci”,  ( të ngulurit e moçëm) apo raja sllave, për dallim nga “doshlakët”, ( ardhësit) apo kolonët që i solli në Kosovë, Serbia e Pashiqit qysh në vitet 20 të shekullit të kaluar me qëllim për ta rritur numrin e popullatës sllave, duke dëbuar e shfarosur shqiptarët), solli disa fjalë të gjuhës sllave, e cila ishte gjuha e kishës edhe për shqiptarët ortodoksë

Meqë në Kosovë dhe në trevat nën okupimin sllav prej vitit 1918 deri në vitin 1941, Serbia me ligje shtetërore kishte ndaluar shkrimin por edhe përdorimin e gjuhës shqipe, në shkollat serbe ku mësonin edhe fëmijët shqiptarë, e folmja e Kosovës, ishte izoluar nga trungu dhe ishte në rrugë, të krijimit  të një të folme larg trungut autentik  gjuhësor.

Gegërishtja e varfër dhe me plot fjalë të huaja

Dialekti gegë, asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë i begatë me fjalë autentike shqipe. Edhe pse libri i parë shqip i Gjon Buzukut daton që nga viti 1555, aty vërehen shumë fjalë latine, italiane madje edhe sllave. E njëjta gjendje paraqitet edhe në veprat e priftërinjve katolikë të Veriut të Shqipërisë, prej Frano Bardhit, Pjetër Budit, sidomos Pjetër Bogdanit e të tjerëve deri në fund të shekullit 19-të. Fjalët italiane në disa vende dominojnë fjalët shqipe, ashtu sikur në letërsinë shqipe me alfabet arab, ku ka me shumicë fjalë në gjuhën turke, perse e arabe, por nuk ka fare fjalë sllave, vllahe apo greke.

Ja disa shprehje, të lira,  tipike të viteve 50-të komunikimin  gjuhësor në Kosovë, të cilat  sot nuk mund të kuptohen nga ata që nuk dinë serbisht apo turqisht.

Këto shprehje të improvizuara i dinë dhe i kuptojnë shqiptarët e moshës mbi 60 vjet kudo në trevat vieriore të Shqipërisë e veçmas të Kosovës e Maqedonisë. Fjalët janë improvizuar në fjali, në mënyrë që të evidentohet prania e madhe e fjalëve të tilla  kryesisht sllave e turk0-arabe.

E mshela zastojen, shkova në zadrugë me ble zejtin, po edhe pak  kallamaz  mi ly rrotat e  çetverrit. (Qerre me katër rrotë, serbisht çetvoro)

N’ Opshtine e morra liçnakartën dhe pozivinicën me shku në  vojna slluzbë. E pagova ni tuzhbë të shumarit dhe porozin për ket sene.

Baja jazinë yrnekut masandej e trukovati.

Mora avdes, i fala dy reqate namaz, e bana njet me ninu ditën e xhuma.

Turqizma e arabizma:

Merhaba, Selamu alejkum,  Hosh geliniz, hosh bulduk, merhamet, fukara, kismet, kijamet, kasavet, amanet, sajgi, muhabet, sherrexhi,  maskarallëk, Pazar, çarshi, sehir e qindra të tjera. Pastaj  pjesëza mohore – jo  turqisht jo, jok ( në Kosovë ka humbur, mohorja nuk, por kur pyetet a erdhi, nuk thuhet jo erdhi, por nuk erdhi, nuk shkoi, nuk dëgjoi. (Pjesëzën mohuese NUK  e ka ruajtur e folmja në Maqedoni).  Të gurrës turke arabe ishin edhe qindra fjalë të tjera, që kanë qenë të pranishme në jetën shoqërore, në familje, në komunikim ditor dhe të janë po ashtu të përhapura sidomos në fjalorin e disa hoxhallarëve, por edhe të moshës së  tretë të  shqiptarëve të besimit islam. Me vendosjen e regjimit të Mbretërisë, Serbe, Kroate e Sllovene Kosovë, të gjitha fjalët e administratës përdoreshin në gjuhën serbe, duke i zëvendësuar ato në gjuhën turke.  ( fjalë të tilla janë dëgjua e në një masë janë në përdorim edhe tani nç Drenicë, Dukagjin, Anadrin).

Në gegërishten e Maqedonisë Perëndimore, Tetovë, Shkup, Kumanovë

-E mora coucën e çova në mejtep te hoxhanaica, mi msu ezber shartet e imanit.

-Ene ai panduri xhi po rrin n’ Opshtajnë, me at naçallnajkun m’ kazmejti se nauk e pata liçnakarten. Tetovë

-Hej, sinko, thuj cika Ramës, dovigjenja.

-Valla moj snaja jeme, boll lepotane je, veç hiq hyzmeçare, Medvegë.

-Çka ki mi bo kur nuk t razumit, nuk din nashke. (Mali i Zi)

Këto janë vetëm krejt pak, nga fjalët e huaja të cilat kanë zënë vend në gegërishten, sesa në toskërishten, e cila ka ruajtur shumë më tepër leksikun arkaik shqiptar, edhe pse nuk ka qenë krejt imune ndaj sllavizmave e turqizmave. Ndërsa sa u përket fjalëve greke, të cilat pretendohen se kanë hyrë në të folmet e Jugut, shumë prej atyre fjalëve nga shqipja e moçme kanë hyrë në greqishten e sotme.

Ja një shembull sesi e shkruan gegnishten një deputete e Kuvendit të Kosovës, për të parë një segment të gjallë të gegërishtes në jo pak mese të Kosovës.

Në një përgjigje-postim, deputetja e  Vetëvendosjes Adriana Matoshi, shkruan me një “gegnishte” të deformuar të ngelur dhe nga 50 fjalë, parafjalë e lidhëza,  40 prej tyre i shkruan gabimisht. Ky është shembull unikat e shkrimit të gjuhës shqipe, të cila do të duhej  të merrte “një shpërblim” nga ndonjë institucion si shembull unik i një të folmeje,  që ka perënduar në kohën e gjysh-stërgjyshërve.

“Une kom marre rroge edhe pa kon deputete i nderum, prej se e maj veten ne men une kom punu, edhe kom pase, se kom shtri doren me lype po as nuk kom zgjedhe cka me punu, neser edhe mos me kon deputete apet ko me marr rroge nashta hala ma te mire, se jom teper e zoja.”, ka shkruar ajo (Nga RKL).