PO VJEN DIELLI

Nga Hazir Mehmeti

Hazir Mehmet

Dy poezi nga poeti Hazir Mehmet

PO VJEN DIELLI

(At Antonio Belluscit)

-Po ku ndihet një zë, ore!
-Nga dheu vjen zotëri, nga dheu
Flet ZëUrtësi ynë, Ati i Kombit
Ati i halleve të mëmëdheut, dhembjeve të tij,

Ati i rrezeve lirie e shprese New York e Prishtinë
Ati Ynë, shkëmb Pollini, porosi në marshim.

Po, po, Ati i plagëve të lashta
i lotëve,
i shpresës mbrëmjeve, kur dielli shkon
i pritjes, kur dielli vjen.
dashuri nusërie, duvak në përtëritje
fjalë në vrasjen e vdekjes,
shtizë Akilit betejave në Iliri

Shi lotësh,
po, po janë mall dheu e mall gjaku
mall motre, mall nëne ngjyrë ylber
në vegjën e Penolopës në pritje të Odiseut
është buka jonë e njomur përtej detit
dashuri toke, vegim ynë, shpirt poeti.

O, At
Zë shprese në agim
lindje të reja n’ udhëtim.

ZëUrtësi ynë në porosi:
Kur jemi bashkë Gjergji kthehet përsëri

Eu, e bukura More
Ti nuk vdes
Jo!
Na ke ne.

(Frasnitë, 7 maj 2024)

DUAR MIELL E SHPRESË

(nënës shqiptare)

O drita e mëngjesit shndri
mos rri e fshehur skutave
ndriçoje atë dorë nëne shenjtëri
atë ballë rrudhosur, shkronja fshehtësie
të thella horizonte minierash
të gjera sa Fusha e Mëllenjave
aty fshihet bota ime dje e sot
aty fshihet kripa e djersës, jetës
aty jeton vuajtja mbi dëshira të vrara
aty fle hidhërimi
aty takohet zëri i yt dje sot, nesër
O diell
i pa drejtë me je
si nuk e pe plagën e nënës mbi vetull
aty ku thyhen plagët e kombit
aty vetëtima e strukur rri
e dashuria pëlcitur nga pritja

Eh, nena ime!
sa shumë cukla drodhe tjerrtoreve
mbi supe e kurriz lakuar nga pesha, nga etja
e etur, e etur qave shtigje moteve
mbi supe foshnje, dhuratë ardhmërie

kur sofra me lugën e mikut pret e pret
tek Bungu i Arës Matanë
Aty, ti jeton gjithmonë

(Besnik, qershor 2023)