Seminari dyditor në Munih të Gjermanisë, me temën: “Gjuha si pjesë përbërëse e identitetit të një kombi”

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Në Munih të Gjermanisë, më 22.10.2022 u mbajt seminari dyditor, në të cilin u shtjelluan disa tema të përmbledhura në dy pjesë: Pjesa e parë u titullua: “Gjuha si pjesë përbërëse e identitetit të një kombi”, ndërsa pjesa e dytë u titullua:  “Shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve.”

Këto janë temat që u shtjelluan:

“Përdorimi i gjuhës letrare shqipe në shkollat shqipe”, “Të mësojmë duke luajtur”“Stinë dhe muajt e vitit” ,  “Miqësia postare si njësi mësimore, si mjet komunikimi dhe rrjetëzimi” , “Planifikimi ditor i mësuesit, proces drejt suksesit” dhe “Gabimet drejtshkrimore dhe deformimi që po pëson gjuha shqipe”

Seminarin e hapi prof. Mustafë Krasniqi – koordinator i LAPSH-it, i cili pasi përshëndeti të pranishmit: konsullin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës, z. Afrim Nura, konsullin e Republikës së Shqipërisë, dr. Dashnor Ibra, prof. dr. Vaxhid Sejdiun – kryetar i KKAD-së dhe koordinator i rrjetëzimit të shkollave shqipe në Zvicër, pastaj zonjën. Antigona  Elshanin – kryetare e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Austri, kryesinë e LAPSH-it për kontributin, fare natyrisht, ai përshëndeti, mësueset e mësuesit që me përkushtim punojnë në shërbim të ruajtjes së gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare, në Gjermani, më pas ai përshëndeti  kryetarin e LAPSh-it në Bavari, Milazim Ukaj dhe Rexhep Nikçin, përfaqësues i Fondacionit “Besa”. Po ashtu Krasniqi përshëndeti nismat për përkujtimin  e 50-vjetorit të njësimit të gjuhës letrare a standarde shqipe.  Ndër të tjera ai tha se muaji nëntor sivjet  do të përcillet me simpoziume, konferenca shkencore, manifestime, orë letrare, do të kemi aktivitete të ndryshme e seminare si ky i sotmi.

Veçantia e këtij seminari ishte krijimi i një rrjetëzimi të bashkëpunimit në mes mësimdhënësve shqiptarë të tri shteteve:  Zvicër, Austri, Gjermani (Bavari). Kështu u pa e arsyeshme, që  mësimdhënësit, t’i shkëmbejmë përvojat rreth mësimdhënies dhe metodave për zbatim e tyre në praktikë. Në seminari u shtjelluan këto tema:

  • Ora didaktike me nxënësit:  “Metodologjia e integrimit të grupeve sipas moshave të ndryshme në një klasë heterogjene.”
  • Ora praktike mësimore: “Të mësojmë duke luajtur” 
  • “Praktikat mësimore të mërgatës në vende tjera”
  • “ Shkëmbimi i eksperiencave dhe diskutime me të pranishmit.”
Vaxhid Sejdiu-Zvicër, Miradije Berisha-Austri dhe Mustafë Krasniqi- Bavari Gjermani

Për zhvillimin e temave jemi mbështetur në një plan, i cili na është dukur se do të jetë më i arsyeshëm dhe i suksesshëm. Përpos anës profesionale dhe shkëmbimit të përvojave, në të tilla raste krijohen edhe miqësi të përbashkëta, me qëllim që ky model përcillet në tërë diasporën shqiptare. Natyrshëm, në raste të tilla, diskutojmë edhe për hallet e mëdha që ka mërgata, për informimin e duhur rreth pasojave të këqija në  ardhmen, nëse fëmijët mërgimtarë nuk e mbajnë mësimin plotësues në gjuhë amtare. Besoj se përkushtimi ynë përveç mësimdhënies është  edhe vetëdijesimi apo ndërgjegjësimi  mërgatës shqiptare, për hapjen dhe mbarëvajtjen e shkollave shqipe.

Më pastaj fjalën e mori kryetari i LAPSH-it për Bavari z. Milazim Ukaj, i cili pasi i përshëndeti dy konsujt dhe të pranishmit tjerë, mësimdhënësit dhe ligjëruesit, foli për sfidat e LAPSH-it dhe njëherazi i përgëzoi mësimdhënësit për punën e tyre në mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies, të gjuhës shqipe edhe kryesinë e LAPSh-it.

Seminarin e përshëndetën edhe Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës Z. Afrim Nura dhe ai i Republikës së Shqipërisë dr. Dashnor Ibra, të cilët na uruan punë të mbarë për seminarin, si dhe i përgëzuan mësimdhënësit për punën e tyre në mësimdhënie. Gjithashtu theksuan se mbështetja e konsullatave dhe institucioneve tona nuk do t’ iu mungojë mësimdhënësve shqiptarë . Po ashtu e përshëndetën seminarin Prof. dr. Vaxhid Sejdiu, koordinator i rrjetit të shkollave shqipe në Zvicër dhe kryetarja e SHMSH “Naim Frashëri” në Austri znj. Antigona Elshani. Ndërsa panelin e seminarit e drejtuan: Mustafë Krasniqi, Osman Ademi dhe Mervete Ismaili, ndërsa   e znj. Anila Xhani- zëdhënëse e LAPSH-it e moderoi këtë seminar.

Dr. Vaxhid Sejdiu, Isuf Ismaili dhe Milazim Ukaj

Prof. dr. Vaxhid Sejdiu u paraqit me temën: “Përdorimi i gjuhës letrare shqipe në shkollat shqipe”, i cili theksoi se përdorimi gjuhës letrare a standarde është më se i domosdoshëm. Gjuha standarde shqipe duhet të mësohet e të flitet kudo në institucionet tona shtetërore, konkretisht në medie dhe shkollat shqipe, qofshin në atdhe apo në diasporë. Z. Sejdiu, theksoi se dialektet janë pasuri kombëtare dhe një vlerë e çmuar, që nuk duhen nënçmuar, por gjuha standarde është e do të jetë edhe në të ardhmen vlera më çmuar dhe e domosdoshme kudo në punën e veprimtarinë tonë institucionale, shoqërore, arsimore, shkencore e në rrethet tona ku të shprehurit do të bëhet me shumë lehtësi, për shkak të mundësive që na jep gjuha e njësuar letrare shqipe, prandaj ajo nuk duhet të shpërfillet as nga dashakëqijtë, që për hir të së vërtetës përpiqen për ta zhbërë, por vetë puna e veprimtaria sa shkencore e praktika në dobi të saj, nuk do t’i lejojë askënd ta cenojë këtë gjuhë të përbashkuar shqiptare.   

Në Kongresin i Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë nga data  20 e deri më, 25 nëntor të vitit 1972, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe arbëreshe dhe u pajtuan që të gjithë të kemi këtë gjuhë letrare që ne përdorim në shkollat tona, në institucionet tona, në rrethet tona shoqërore etj. Prandaj vetë njësia e përbashkët gjuhësore shpreh edhe përbashkësinë e përgjithshme kombëtare.  Më pastaj z. Sejdiu në mënyrë shkencore zbërtheu ligjëratën, duke u mbështetur në burimet argumentuese të cilat i shtjelloi  në mënyrë praktike për mësimdhënësit, duke dhënë shembuj  se si t’i afrojmë nxënësit e si t’i nxisim, që ta duan orën mësimore në gjuhën shqipe. Rreth temës së profesor Vaxhid Sejdiut  pati vëmendje e interes të veçantë, prandaj u bënë edhe  pyetje të shumta nga të pranishmit, të cilave iu përgjigj vetë profesor Vaxhidi me dashamirësi e korrektësi profesionale shkencore.

Një temë tjetër u titullua: “Të mësojmë duke luajtur” . Kjo temë preku kureshtjen e mësimdhënësve  dhe  solli një praktikë të kapshme për mësimdhënësit, që këta  ta kenë më të lehtë për ta përcjellë deri te nxënësit edhe përvojën e mirë të mësuese  Lume Daci Hoțit. Kjo temë ka filluar të praktikohet dhe sipas hulumtimeve, është parë si një metodë e suksesshme dhe frytdhënëse. Hoti, temën në fjalë e demonstroi përmes tablove, se si praktikisht duhet të zhvillohet ora mësimore, përmes  së cilës nxënësi do të reflektojë e do të përforcojë të mësuarit dhe të kuptuarit.

Znj. Miradije Berisha, mësimdhënëse nga Austria kishte një temë atraktive:  “Stinë dhe muajt e vitit”, temë e cila paraqiti me përkushtim para të  pranishmëve. Ajo paraqiti punimin e saj, se si duhet të mbahej një orë praktike me nxënësit. Temën e zhvilloi në mënyrë praktike, idea e së cilës kishte lindur brenda klasës dhe theksoi se si nxënësit kishin pasur interesim e përkushtimin. Kështu u theksua se si mund të arrijmë deri te  suksesi në bazë të bisedave dhe intervistave të lira mes nxënësve në grup.

“Miqësia postare si njësi mësimore, mjet komunikimi dhe rrjetëzimi”, me këtë temë u prezantuan znj. Enela Markaj, ndërsa znj. Eva Krypca foli mbi planin mësimor, që dhe tema e saj ishte “Planifikimi ditor i mësuesit, proces drejt suksesit”.

Ndërsa në pjesën e fundit, ku u parapanë shtjellimet  e kuvendimet e lira shoqërore, gjuhësore e arsimore, e mori fjalën edhe mësimdhënësi nga Zvicra Isuf Ismaili, si një nga përkrahësit e adhuruesit e flaktë të gjuhës letrare shqipe, por edhe si mësimdhënës i mirë. Ai foli për disa probleme që  vihen re  në gjuhën standarde, siç janë problemet që  shfaqen në aspektin fonetik,  morfologjik e sintaksor. Ai theksoi disa nga  gabimet drejtshkrimore, që i hasim nëpër mediat e institucionet tonat shtetërore. Ai dha shembuj konkret se si shqiptohen bashkëtingëlloret  Ç, Q, XH, GJ, pastaj foli për zgjedhimet e foljeve e për problemet që shfaqen, por edhe për gabimet e drejtshkrimore kur shkruhen emrat, për ndërtimet e gabuara të fjalive e periudhave, të cilat i studion sintaksa. Ndër të tjera ai theksoi se njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe dhe njësimi i gjuhës letrare shqipe janë dy prej të arriturave më të mëdha e më të shkëlqyera për të gjithë shqiptaret, kudo që janë dhe se këto do të na shërbejnë edhe si shembujt më të mirë se si duhet të veprojmë për të arritur edhe fitore të tjera në përbashkësinë e përgjithshme shqiptare.  

Seminarin e përmbyllën drejtuesit e këtij seminari, ku edhe  theksuan edhe suksesin e arritur edhe vlerat e shumta në rrafshin shoqëror. Ndër të tjera u tha se seminari mund të çmohet si i barasvlershëm me seminaret që bëhen në qarqet arsimore, kulturore e shoqërore në trevat shqiptare. 

Pas përfundimit të seminarit kryetari Ukaj, i uroi të gjithë të pranishmit dhe falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët mundësuan organizimin e këtij seminari si: z. Safet Shaqiri për drekën  cilësore, z. Faruk Raka për sigurimin e sallës dhe Sami Mustafën, shefin e restorantit “Tra di Noi” për shërbimin e mirë të darkës. Të theksojmë se në këtë restorant, pas darkës u organizua një mbrëmje festive me një program artistik, të përgatitur nga z. Arif Arifaj, znj. Enela Markja dhe z. Avdi Kolukaj.

Në ditën e dytë të seminarit, pas mëngjesit, pjesëmarrësit e seminarit e bënë një shëtitje në  Mynih, ku edhe vizituan ambientin e parkut olimpik (Olympiapark). Shëtitja, sipas programit të LAPSh-it, filloi në ora 10:00 dhe përfundoi në ora 14:00.

Foto e përbashkët
Seminaristët
Dr. Vaxhid Sejdiu, Milazim Ukaj, Dr. Dashor Ibra dhe Afrim Nura
Mësimëdhënëset dhe sekretari, Avdi Kolukaj