Më datë 18.09.2024, përmes platformës Zoom; Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), mbajti takimin e radhës, të thirrur nga drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, e cila përshëndeti dhe përgëzoi për punën, kontributin, përkushtimin dhe seriozitetin e anëtarëve të KKAD-së, që kanë treguar gjatë katërvjeçarit të veprimtarisë së tyre vullnetare në KKAD. Ndër të tjera znj. Hysa komunikoi strukturën e re të KKAD-së “Për emërimin e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës”, të rizgjedhurve dhe zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj, të mbështetur në Urdhrin nr. 447 të datës 26.08.2024, të nënshkruar nga Ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, për këto shtete: Mira Shehu (Kanadë), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Teuta Tabaku (Turqi), Dritan Mashi (Itali), Miradije Berisha (Austri), Aurela Konduri (Greqi), Anila Kadija (Angli), Isuf Bytyqi (Gjermani), Anıta Duriçi (Zvicër) dhe Arta Emiri (Suedi).
Gjatë takimit znj. Hysa kërkoi nga anëtarët t’i japin një pasqyrë rreth fillimit të vitit shkollor 2024-2025 dhe u ndal te puna e vazhdueshme e QBD-së, për t’i siguruar dhe pajisur nxënësit me tekste shkollore me kohë. Në disa shtete tekstet shkollore kanë arritur një apo dy muaj para kohe, në përfaqësitë tona diplomatike, me qëllim që nxënësit ta fillojnë mësimin me tekste shkollore të nivelit të parë dhe të dytë, theksoi znj. Hysa.
Gjatë diskutimit anëtarët prezantuan gjendjen reale të shkollave, në ato shtete ku ata veprojnë dhe u diskutua rreth nevojave që kanë; folën edhe për aktivitetet që po zhvillohen për ndërgjegjësimin dhe motivimin e prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre që të frekuentojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ajo që është e rëndësishme për ne të gjithë, pa dallim, duhet ta përkrahim diasporën e bashkuar, si Shqipëria ashtu edhe Kosova. Ne jemi një, e në bazë të këtij parimi duhet të nisemi, që të kemi suksese në të ardhmen. T’i kemi të dhënat e plota, me numrin e saktë të arsimtarëve dhe nxënësve, që në të ardhmen të kemi njohuri se çfarë kërkojnë mësimdhënësit; një paraqitje e saktë dhe transparente e informimit na bën të mundur të marrim hapa konkretë, tha znj. Hysa.
Në mbyllje të takimit Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën përgëzoi anëtarët për rizgjedhjen dhe zgjedhjen e tyre për 4 vitet e ardhshme, të cilëve u uroi suksese e punë të mbarë në angazhimin e tyre në KKAD!
Përgatitur nga Sektori
i informimit të KKAD-së