Nga Anila Xhani
Të delen, më 21 Janar 2024, në ambientet e Konsullatës të Republikës së Kosovës në Mynih u mbajt takimi vjetor i dy Konsullatave në Munih dhe “Shkollës Shqipe” në Bavari.
Ky takim pune filloj me një bashkëbisedim informativ e këshillues të Konsullatës të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë znj.Genta Mburimi, Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës z.Afrim Nura dhe të gjithë anëtarëve të Kryesisë së LAPSh-it në Bavari për mbarëvajtjen e zhvillimit të procesit mësimor në vitin 2024, përballë sfidave e mundësive të reja alternative.
Më pas takimi vazhdoj në tryezën e diskutimit të hapur me mësueset e pranishme, dhe u ndoq nëpërmjet platformës ZOOM nga mësueset e tjera.
Znj. Mburimi, në fjalën e saj përshëndetëse u prezantua edhe si Konsulle e re e Republikës së Shqipërisë para mësueseve të “Shkollës Shqipe ” në Bavari. Konsullja Mburimi ofroj ndihmën e mbështetjen e saj të pakursyer e të vazhdueshme në misionin mbarëkombëtar, atë të mësimit të gjuhës e kulturës shqiptare të fëmijëve shqiptarë në Bavari.
Z.Nura i uroj mirëseardhjen mësuesve dhe i falënderoj ato për pjesëmarrjen e tyre të lartë në takimin e rrodhes, gjithashtu foli për rezultatet e arritura në sajë të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për sfidat e pengesat gjatë këtij rrugëtimi.
Z.Nura vlerësoj punën e vyer e mbi baza vullnetare te të gjithë anëtarëve të kryesisë për vitin 2023, si në hapjen e klasave të reja ashtu dhe në mbarëvajtjen e gjithë këtij procesi.
Konsulli Nura falënderoj të gjithë mësueset e “Shkollës Shqipe” për punën e tyre të palodhur e me përkushtim, por në veçanti edhe grupin organizativ të mësueseve për aktivitetet e larmishme dhe me nivel.
Kryetari i LAPSh-it, z.Milazim Ukaj mbajti një raport të hollësishëm për vitin 2023 mbi strukturën e klasave, hapjen e klasave të reja gjatë këtij viti, gjendjen financiare, aktivitetet e ndryshme të klasave dhe punimet seminareve të mësueseve.
Bashkëbisedimi në tryezën e punës vijoj me analizën e arritjeve dhe vështirësitë e ndryshme të hasura në 2023, si dhe u shkëmbyen eksperienca pune ndërmjet mësuesve, kryesisë e Konsullatave.
Ky takim i rëndësishëm e konstruktiv solli ide të reja dhe mundësi alternative për të kapërcyer vështirësitë e pengesat e deritanishme, objektiva të cilat shpresojmë t’i realizojmë gjatë vitit 2024.
Natyrisht fokusi i vitit 2024 mbetet përsëri:
- ristrukturimi i klasave të shëndosha, nëpërmjet rritjes së numrit të nxënësve
- sigurimi afatgjatë i burimeve financiare
- hapja e klasave të reja, në zona të ndryshme të Bavarisë
- bashkëpunimi i ngushtë me Konsullatat
- sensibilizimi i mëtejshëm i komunitetit për t’i riregjistruar fëmijët në “Shkollën Shqipe”
Në fund të takimit u theksua edhe një herë nga të dy Konsujt tonë në Mynih, mbështetja e bashkëpunimi i tyre në mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit mësimor në Bavari.
Takimi u përmbyll me një drekë pune, të ofruar nga Konsullja e Shqipërisë, znj. Genta Mburimi për mësueset, kryesinë e stafet konsullore.