Rëniet në janarit që përflaknin qiellin

(Me rastin e 32 vetorit të protestës së përgjakshme në Brestofc të Rahovecit, 27 Janar 1990)

Nga Dervish Çadraku

RËNIET NË JANARET QË PËRFLAKNIN QIELLIN

Populli shqiptar është një popull që kishte një të kaluar tragjike. Ata për të siguruar mbijetesën e tyre njerëzore dhe kombëtare me ”shpirt nën dhëmbë” iu është dashur shumë mund e gjak për të derdhur. Janë njëri nga popujt e rrallë që i kanë shpëtuar shfarosjes dhe shlyerjes nga faqja e dheut sepse çdo orë dhe çdo ditë e kalendarit të tyre kishte nga një ngjarje tragjike dhe të dhimbshme e cila linte plagë dhe vuajtje të rënda tek ata. Por shpirti dhe gjeni i tyre luftarak serisht ringjallej si një feniks për të vazhduar mbijetesën e cila shpesh e kishte çmimin e gjakut rinor të derdhur rrëke.

Janari ishte njëri nga muajt e rënëve më të bujshme në historinë e popullit shqiptar. Ato ishin të dhimbshme dhe të përgjakshme, por siç pritej nga armiqtë, këto rënje nuk ishin dëshpëruese , përkundrazi, ato ishin motivuese dhe inkurajuese, të cilat e shtonin pezmin dhe urrejtjen për ngritje dhe kundërshtime edhe më të fuqishme dhe më të vendosura kundër armiqve të atdheut.

Edhe pse një ditë janari 554 vite më parë kishte pushuar së rrahuri zemra e madhe e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergjit tonë të madh, luftërat edhe të bëmat e Tij, për Dheun e Arbërit nën flamurin e kuq me shkabë, kishin vazhduar rrugëtimin e tyre nëpër shekuj, si amanet e si inspirim për brezat, duke shërbyer si fanar ndriçimi dhe orientimi në detin e trazuar të jetës, plot luftë e gjak të historisë së tyre si popull e si komb.

Lufta një qerek shekulli e Skënderbeut kundër hordhive turke dhe armiqve të tjerë, nga 17 Janari u bë tharmi i rezistencës dhe i luftërave nëpër fazat e ndryshme të historisë deri në luftën e fundit të UÇK-së.

Ndonëse u dogj e u poq e derdhi aq shumë gjak, popullit shqiptar nuk iu dha ajo që e meritonin dhe që iu takonte. “Drejtësia” europiane i rrudhën e i tkurrën tokat e tyre stërgjyshore aq shumë sa ata nuk po mundë të merrnin as frymë për të mbushur mushkëritë e tyre. Prandaj edhe njëqind në vjetshin e fundit ishe po aq i rëndë dhe po aq i përgjakur për ta. Tokat shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, u lanë nën mëshirën e bishave fqinje të cilat me zjarr dhe hekur u përpoqën që ta zhbëjnë njëherë e përgjithmonë popullsinë shqiptare në këto hapësira.

Populli shqiptar nën Jugosllavi nuk po pajtohej me fatin e rëndë të tyre që ia kishin përcaktuar të tjerët, prandaj edhe ishin të gatshëm që me çdo çmim ta ndryshonin atë, për ta hequr zgjedhën e robërisë serbo – jugosllave njëherë e përgjithmonë. Në këtë drejtim u formuan shumë grupe e celula atdhetare luftarake për të kundërshtuar represionin policorë dhe ushtarak serbë dhe për të fituar të drejtat e tyre kombëtare dhe bashkimin. Duke e parë se operacionet dhe ekspeditat e milicisë dhe të UDB-së ishin shumë të ashpra dhe të përgjakshme, grupet e paralizuara me veprime individuale të tyre nuk po ia arrinin dot qëllimit. Prandaj tani më u bë qartë që vetëm me bashkimin e këtyre grupeve do të arrihet çlirimi dhe se rrugë tjetër nuk mbetet.

Gatishmëria dhe vendosmëria e popullit që u tregua në kryengritjen e pranverës së vitit 1981-it e e shpërfaqi fuqishëm dhe e tregoi më se se miri domosdoshmërinë e bashkimit të këtyre grupeve. Prandaj më 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë fryma e luftës së Skënderbeut dhe porosia e Tij para se të vdiste, përmes filozofisë së thuprave, i kishte bërë bashkë Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Atë natë aty kishte zbritur rëndë- rëndë Shqiponja e Kastriotëve dhe i kishte mbuluar me krahët e saj të mëdhenj, si një klloqke mbi zogjtë e saj, derisa ata po jepnin betimin dhe besën e bashkimit mbi flamurin e kuq nga gjaku i luftëtarëve të lirisë ndër breza. Ndonëse ata u vranë po atë natë, nga dora gjakatare e sigurimit serb në panik nga ky bashkim, betimi dhe porosia bashkë me shqiponjën fluturuan lartë në qiellin e tokave të robëruar shqiptare, për ta shpërndarë këtë bashkim të grupeve atdhetare, si sihariq që ngrohu zemrat djaloshare për luftë, tanimë të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Ata themeluan organizatën politiko- ushtarake, Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës ose LPRK-në (më vonë LPK) e cila e mori përsipër rezistencën dhe organizimin e luftës për liri kundër regjimit fashist të Titos dhe çlirimin e trojeve jashtë Shqipërisë londineze. Që atëherë pothuajse nuk kishte patriot apo grupe që veprimtarinë e tyre e kishin përqendruar në luftën për liri dhe që nuk ishte e lidhur në një mënyrë apo tjetër me këtë organizatë. LPK-ja (më vonë edhe LKÇK-ja) u bë një organizatë që jep kurajo dhe frymëzim jep këshilla dhe detyra për veprim dhe bashkim në luftën e shenjtë për liri. LPK-ja duke u bazuar kryesisht në vrullin rinor, u rrit dhe u forcua në saje të sakrificës dhe gjakut të anëtarëve të saj.

As shuarja me gjak e kryengritjes popullore e vitit 1981, burgosja shumëvjeçare dhe torturimi i mijëra pjesëmarrësve në këtë kryengritje, as vrasja e korifenjve, të 17 janarit, nuk e ndali dot luftën për liri të shqiptarëve. Kjo Lëvizje përkundër baticave dhe zbaticave në faza të caktuara të historisë, vazhdoi të rritej e të forcohej për ditë e më shumë në mesin e të rinjve dhe të rejave atdhetare. Kjo frymë atdhetare po shpërndahej te secili edhe përmes gazetave të ndryshme si “Zëri i Kosovës”, etj; Por edhe nëpërmjet literaturës me tematikë atdhetare të cilat lexoheshin me një frymë nga rinia përparimtare duke qarkulluar dorë më dorë. Në këtë drejtim punë të mire po bënin edhe Radio Televizioni Shqiptar dhe përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër botë. Ata me punën e tyre po ndikonin edhe në edukimin dhe orientimin e pjesës së kombit jashtë Shqipërisë londineze dhe në diasporën shqiptare duke shpërndarë literaturë atdhetare dhe duke mbrojtur interesat e tyre në forumet ndërkombëtare . Kërkesa për Kosovën Republikë u vu në sfondin e veprimeve si diçka pragmatike që mendohej se i përshtatej rrethanave të brendshme dhe atyre ndërkombëtarë në atë kohë. Kështu mendohej se i afrohej më lehtë qëllimit final, fitimit të të drejtave kombëtare por gjithmonë duke patur në nderdije qëllimin e fundit, bashkimin me shtetin amë.

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve, me qëllim të realizimit të këtij amaneti, në mesnatën e 11 dhe 12 janarit të vitit 1984 në “Vranjevc” sot” Kodra e Trimave” në një përleshje të ashpër me forcat serbe, ranë heroikisht Rexhep Mala dhe Nuhi Bderisha.

Rexhep Mala kishte filluar rrugëtimin e tij atdhetar me grupin e Adem Demaqit për të vazhduar së bashku me Nuhi Berishën duke e formuar “Komitetin e Studentëve” i cili vepronte në kuadrin e “Grupit Revolucionar”. Ky Komitet… kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm në demonstratat dhe kryengritjen e pranverës së vitit 1981. Ata ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë dhe kjo rënie nuk i ligështoi shokët tjerë veprimtarë, për të vazhduar luftën në realizimin qëllimit të tyre. Qëndresa e tyre titanike ndikoi që edhe më shumë të ngjeshën radhët për situatat e reja që do të vijnë.

Sa më të përgjakshme që ishin rëniet aq më të vrullshme ishin ngritjet e djemve dhe vajzave në luftën për liri. Kështu do të jetë edhe më 27 janar 1990, kur karvani i djalërisë shqiptare nga Celina, Krusha e Madhe, Nagavci, Hoça e Vogël e Brestovci po marshonin për të hyrë në Rahovec dhe për t’u bashkuar me protestuesit tjerë. Ata për idealet e lirisë edhe pse duar thatë, dhe pa iu trembur syri, për kërkesat e tyre vunë gjokset përballë tytave të milicisë serbe. Në luginën e Brestocit duke kërkuar liri për popullin e tyre dhe duke brohoritur për “Kosovën Republikë”, u priten me zjarr e hekur nga rafalët e forcave kriminale serbe. Aty gjaku rinor i Nesimi Elshanit nga Nagavci, Agron Fetahut nga Celina, Halim Hotit nga Krusha e Madhe e Ilmi Krasniqit nga Hoçë e Vogël që po prinin në ballë, me flamur në duar, edhe një herë ujiti rrënjët e lirisë. Në këtë ditë të janarit ata ranë në fushën e nderit e shumë të tjerë u plagosën vetëm se kërkonin të drejtat e tyre legjitime dhe që nuk po pajtoheshin me pushtimin e egër të trojeve shqiptare dhe dhunën e shfrenuar që ushtrohej ndaj popullit shqiptar. Edhe këto rënie do të jenë kurajo dhe mobilizim për vargun e gjatë dhe të pa fund të veprimtarëve të lirisë dhe jehona e thirrjeve të tyre do të bëhet moto e rezistencës.

Në fazën e zhvillimit të luftës për çlirim të Kosovës dhe viseve tjera nën okupim nga Serbia fashiste, ishte arritur një qëllim i madhe që kishte qenë edhe ëndërr e kamotshëm e veprimtarëve të qeshjes kombëtare por edhe kusht shumë i domosdoshëm për t’u çliruar nga pushtimi serbo-jugosllav. Ishte formuar organizata politiko-ushtarake e Kosovës që do të merr emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës shkurt UÇK. Kjo organizatë tani do të merr përgjegjësinë që Kosovën ta çlirojë me grykën e pushkës sepse ishin shterur të gjitha mjetet tjera për këtë qëllim. Prandaj edhe situata operative e veprimeve tani nën këtë emblemë, ndërsa në teren kishte ndryshuar shumë. Kishin filluar aktivitete të shtuara edhe me aksione të armatosura edhe pse ende të paralizuara por të koordinuara dhe të ndërlidhura. Këto veprime lufarake kishin shtrirje që nga Drenica e Adem Jasharit e deri në Dukagjin e LLap.

Në këtë frymë dhe entuziazëm luftarak po vepronin edhe Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Akif Zejnullahu.

Ata më 31 Janar të vitit 1997 ishin nisur për një mision të rëndësishëm që iu ishte caktuar nga shtabi i tyre. Aty rreth orës 16.30 në afërsi të fshatit Pestovë në lëvizje e sipër pa paralajmërim ndodhi përballja e djemve të UÇK-së dhe forcave të shumta të milicisë dhe të njësisë speciale serbe të mbështetura nga helikopterët dhe tankset që kishin zënë pusi. Edhe pse ndodhi një përballje e pabarabartë, ata treguan një heroizëm dhe guxim të pa shoq. Rënia e tyre sado që ishte e dhimbshme dhe një humbje e madhe për pushkët e lirisë, ajo ishte një rënie madhështore dhe krenare, ishte motivuese dhe shembull për të gjithë bashkëluftëtarët se si vdiste për atdhe. Me rënia e tyre ata edhe njëherë po e shkruanin me gjak historinë tonë të lavdishme.

Edhe qindra rënie kishte gjatë janarëve për këtë tokë, që nga Isë Boletini e Ismail Qemali e deri të të rënët nëpër llogore të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u bënë themeli mbi të cilin u ngrit edhe shteti i dytë shqiptar dhe gjak që qarkullon në damarët e këtij shteti.

Të rënët e janarëve si dhe të gjithë të rënit tjerë për atdhe në periudha të ndryshme e kanë rritur dhe forcuar dashurinë tonë për tokën e të parëve, e kanë shtuar urrejtjen ndaj armiqve të atdheut dhe njëkohësisht kanë shërbyer si shëmbëlltyrë e frymëzim për brezat që kanë ardhur pas tyre. Mu si një bujk që hedhë farën në tokën e plleshme nga e cila farë mbijnë qindra e mijëra kallinj plotë kokrra gruri, ashtu gjaku i derdhur për liri mbi tokën tonë arbërore, lindi dhe ushqeu bijë dhe bija atdhetarë të cilët mbi çdo gjë, madje edhe para jetës së tyre, ata kishin atdheun dhe fatet e popullit të tyre.

Ukshin Hoti do të thoshte:

“Privacionet dhe flijimet i bëjnë vetem ata që kanë shkallë të lartë të moralit vetjak por edhe çë u besojnë fuqimisht ndershmërisë dhe fisnikërisë së qëllimëve për të cilat luftojnë”. (Marrë nga Gazeta “Lëvizja”)