FRYMËZIMI HEROIK DHE VEPRIMI PATRIOTIK

Kritikë letrare

Shefqet DIBRANI


Shkruan: Shefqet DIBRANI

FILLIMI ose PROLOG PËR POETIN

Vargjet e librit, “TË NDRITURIT”, të Sami R. Dërmaku, janë poezi përkushtimi për ngjarje dhe personalitete të njohura të kulturës dhe të rezistencës shekullore të popullit shqiptar.
Poeti, ka qenë edhe vet pjesë e atyre zhvillimeve, bashkëveprimtar i heronjëve, dhe ka bashkëvuajtur për vite të tëra, dënimin e rëndë politik, nëpër burgjet serbe e jugosllave, duke përjetuar persekutimin barbar të politikës së Sërbisë kundrejt Kosovës dhe popullit shqiptar të saj.
Përmbledhja me poezi “TË NDRITURIT”, shoqërohet me mendimin e vyeshëm të Sami Frashirit: “Liria është thelbi i shpirtit dhe mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”, (faqe 5). Ky mesazh e qartëson më mirë objektivin e autorit, i cili në fokus të përkushtimeve ka figura të shquara nëpër mes të të cilëve ai jep mesazhin se “Liria si nocion” është “Jeta si botëkuptim”, e Sami R. Dermakut, i cili tashmë është i njohur për kontributin dhe rezistencën që ka treguar nëpër burgjet e rënda dhe të gjata, dhe përkushtimi i tij i viteve të fundit për shtetndërtimin e Kosovës.

PA THYESHMËRIA DHE BESNIKËRIA E FISME

Pra, të gjithë ata që e njohin, Sami R. Dërmakun, përveç pamjes së njeriut madhështor dhe zërit të zotëriut autoritar, e dinë se ai gjithmonë është shquar për rezistencë të pathyeshme përpara hetuesisë, kurse me kalimin e kohës është shndërruar edhe vet Ai në simbol qëndrese shembullore, kudo nëper ato vende ku ka mbajtur burgun nëpër kazamatët serbe e jugosllave, dhe si njeri i përkushtuar për çështjen e Atdheut dhe të Lirisë, Sami R. Dërmaku, është vet Heroi i asaj rezistence, i asaj besnikërie të fisme që ka dominuar ndër të burgosurit politik, tregohet si shembulli i rezistencës idealiste, i qëndrueshmërisë dhe pathyeshmërisë në gjithë karrierën e tij jetësore.

PROMETEU I LIRISË ose SIMBOLI I REZISTENCËS KOMBËTARE

Promete, e thonë vargjet e poezisë kushtuar Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Heroit të Kosovës, Adem Demaçi, poezi-poemë, kjo e vënë në fillimin e fillimeve të këtyre përkushtimeve poetike për të çartësuar lexuesin, për përmbajtjen dhe konceptin letrar të poezive, dhe për më shumë për ta kuptuar edhe mesazhin që përcjell kjo poezi, ende pa e shfletuar dhe pa e lexuar, dhe s’ka se si ndryshe kur të gjithë personalitet, duke përfshirë edhe vetën e tij, e kanë dëshmuar angazhimin e tyre në shërbim të kauzës kombëtare. Ja, se si, poeti i drejtohet Simbolit të Rezistencës Kombëtare:

Linde që të jetosh për jetë
Emri të të behët legjendë
Simbol lirie zë kushtrimi
I pa mposhtur zë bashkimi

Faqe 13.

E për këto epitete, të gjithë ata që e kanë njohur Adem Demaçin, i kanë parë, i kanë vërejtur në personalitetin dhe karizmen e tij njerëzore dhe si qytetar. Pastaj, në vijim të kësaj poeme, Sami R. Dërmaku, do t’i thur edhe epitete të tjera Heroit të Kosovës:

Shkrimtar pishtar në errësirë
Veprimtar zgjimi në gjakim
Qëndresë krenarie në çdo stinë
Trim tribun shembull për çlirim

Po aty, faqe 13.

Edhe këto epitete intelektuale janë merita dhe vazhdimësi e atij mozaikut të përgjithshëm që i kishte me bollëk Adem Demaçi, i cili ishte, pa dyshim, figura më karizmatike e historisë së Kosovës. Njeriu më i merituar për tu mbajtur ndezur motivi i lirisë dhe për të mos u shuar kurrë vetëdija nacionale për mëvetësi e indipendencë të Kosovës. Prandaj Adem Demaçi, në të gjitha etapat kohore ishte figurë unikate që ndikonte në vetëdijësimin e shoqërisë, më shumë dhe më tepër, se sa propaganda e sistemit komunist jugosllav, që ishte robëria, ishte pushtimi klasik i Kosovës.
Dhe, pa dyshim, të gjitha meritat, si karakteristika të jetës qytetare dhe të idealizmit patriotik që i posedonte Adem Demaçi, i kemi të kristalizuara në poezinë e Sami R. Dërmakut, kushtuar këtij kolosi e bashkëveprimtari, bashkëluftëtari dhe simbolit të Rezistencës Aktive, Heroit të Kosovës, Adem Demaçi, të cilit tashmë nga distanca i drejtohet:

U gëzuam Bacë erdhi demokracia
I tërë llumi u ngrit dhe zuri pritë
Vërshuan krimi dhe kleptokracia
Hajdutë spiunë dhe banditë

Faqe 18.

Prandaj thellësisht dhe kushtimisht, poeti është bindur se me Adem Demaçin, “… u frymëzua rinia” dhe se “Brezat e ardhmërisë me ty do të rritën/ Se ti ishe Promete se ti je vet Historia”, (faqe 20). Poezia “ISHE PROMETE, VETË HISTORIA”, të cilën poeti, ia ka kushtuar Simbolit të Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi, është postulati më i saktë, me të cilin identifikohen sukseset e Lirisë së Kosovës, dhe përshkohet edhe kalvari i përpjekjeve të gjeneratave të tëra për të tashmën e arritur të Kosoves.

HUMANIZMI ËSHTË VIRTYTI NJERËZOR I POETIT

Poeti, Sami R. Dërmaku, është i njohur edhe për falje, sidomos kur janë në pyetje interesat e mëdha kombëtare, është i njohur për humanizëm, dhe posedon vlera njerëzore të shumta. Po me të njëjten ndjenjë humanizmi është shkruar edhe poezia kushtuar dr. Shaqir Shaqirit, me të cilin poeti ka vuajtur burgun. Dhe, të gjithë të burgosurit, e kanë të njohur raportin e tij me prof. dr. Shaqir Shaqiri, prandaj përkushtimi i Samiut, në këtë poezi ka më shumë humanizëm e ndjeshmëri, ka më tepër emocione të përjetimit real. Si të themi, edhe përmes poezisë dalin në pah, përpjekjet dhe sakrificat e Sami R. Dërmakut, atëherë sa ishin në burg, për t’ia shpëtuar shëndetin dhe jetën mikut dhe njeriut. Ndërsa tash, me këtë përkushtim, poeti mëton, për t’ia kthyer shpirtin, të paktën për ta rikthyer kujtimin e tij dhe të shokëve, për prof. dr. Shaqir Shaqirin. Kjo përpjekje poetike për ta kthyer mikun dhe shokun në mesin e të gjallëve është virtyt njerëzor që e posedojnë vetëm poetët. Në anën tjetër, poeti synon për t’iu treguar të gjithëve se Heronjtë nuk vdesin kurrë, ata ringjallën sa herë të ka nevojë Atdheu dhe Historia. Dhe s’ka si të jetë ndryshe kur poeti arrin për ta prezantuar pasaportën e njeriut ideal për të, e kjo pasaportë ishte për prof. dr. Shaqir Shaqirin, mikun e tij të burgut e të paqe, ku e lexojmë këtë shënim artistik:

Lufta kundër mortajës sllave kur nuk u ndal
Xhaxhain Jasharin të dënuar me pushkatim
Babai Emini veprimtar i Lidhjes së Pejës ilegal
Gjyshja bijë e oxhakut të Jakup Ferrit të luftëtarit trim

Faqe 61.

Kurse në strofën vijuese të kësaj poezi poeti çartëson edhe më shumë karakteristikat e protagonistit në poezinë e tij:

Kjo ishte pasaporta e Shaqës për armiqtë e tërbuar
Që në vegjëli e përcillnin udhëtimin e tij në jetë
Udhëtimin tënd nëpër teh shpate e kishe pranuar
Me këta armiq të egër të mjerë e të shkretë

Faqe 62.

Brenda poezisë kemi të ndërthurur edhe një element karakteristik për të plotësuar maksimen popullore se “Trimi i mirë është me shokë shumë”, d.m.th. se prof. dr. Shaqir Shaqiri, ishte i mirë, por rreth vetes kishte edhe shokë të mirë! Përveç autorit të librit (themi ne), kishte edhe:

Shoqërinë i kishe shokë të besës e të përzgjedhur
Teki Dervishi, MT, Kadri Rexha, Jusuf Gërvallën
Kujtimin Myftari, familja Dobruna, Nexhmedin Soba
Poetë shkencëtarë veprimtarë atdhetarë të përkushtuar
Në organizimet e thella ilegale Jusufi printe vallen

Faqe 64.

E, në vazhdim ai pohon se, “Ty dhe Kadriut torturat e tmerrshme ju shtuan”, por “Ju nuk pranuat asgjë…”, (faqe 64), duke materializuar sintagmën më simbolike të rezistencës dhe solidaritetit që ekzistonte në mes të burgosëve politik, të asaj kohe, mesazh ky që na thotë se vujatjet e këtij brezi duhet të jenë: “Porosia (më e mirë) që duhet të zë vend në zemrën e çdo atdhetari”, (faqe 68). Jo vetëm kaq, por kjo porosi duhet të zë vend në zemrën e çdo qytetari të hapësirës shqiptare në Ballkan dhe kudo të shqiptarëve në rruzullin tokësor, e themi ne.

HEROI I REZISTENCËS ËSHTË EDHE HERO I SAKRIFICËS

Poeti Sami R. Dërmaku, me kaq pietet flet edhe për bashkëvuajtësit tjerë me të cilët kishte mbajtur burgun politik. Janë këto veti dhe karakteristika të tija, pse ne besojmë se autori i librit është Hero i rezistencës aktive dhe sakrificës intelektuale e patriotike. Mjafton poezia kushtuar, Metush Krasniqi, i vrarë me tortura mizore nga UDB-ja, për ta besuar këtë që thamë, por më mirë le t’iu referohemi vargjeve të poetit:

Korbat UDB-eske gjakatare
Trupin tënd masakronin
Me metodat ma mizore
Për vdekje të torturonin

Faqe 27.

Dhe mbase për ta kuptuar lidhjen shpirtërore të autorit me protagonistin, duhet të mbash vet burgun e gjatë nëpër kazamatet serbo-jugosllave, ashtu siç e kaloi Sami R. Dërmaku, një pjesë të madhe të madhërisë së tij, por me përvojën jetësore, poeti shndërrohet në humanist, prandaj madhërinë, kurdoherë e kërkon në personalitetin e të tjerëve, mbase ky është motiv i heroik kur i drejtohet Metush Krasniqit:

O mësues i dashur farën e lirisë e mbolle
Dhe ne bijtë e shqipes do ta rrisim prore
Amanetin tënd do ta qojmë në vend
Për lirinë e Kosovës deri në fitore

Faqe 28.

Ky përkushtim është perlë përjetuese, është vlerë mora, është kult qytetar, është burrëri dhe fisnikëri, kur ia atribuon meritat Heroi – Heroit, të cilin përmes vargut poetik edhe një herë e rikthen kujtimin për Heroin Metush Krasniqi, në mesin tonë.
Frymëzim e përkushtim të tillë, shprehen edhe për Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, për të cilin shkruan se, “Po të jepej çmimi Nobel për një të tillë flijim”, (faqe 24), i takonte atij dhe Familjes Jashari. Në këtë rast poeti nuk dëshpërohet, sepse ai e din se: “…çmimin madhështor/ Familjes JASHARI ia dha mbarë kombi shqiptar”, sepse ai luftoi, “Për tokat e Arbërit, për Shqipërinë”, (po aty, faqe 24). Së këndejmi, Komandanti Legjendar, Adem Jashari, nuk është vetëm frymëzim por edhe motivim për unitet të kombit tonë:

Komandant ti je kushtrimi dhe liria jonë
Ti je simbol i unitetit dhe i bashkimit kombëtar
Ti je qëndresa frymëzimi dhe forca në çdo zezonë
Je legjendë e ditëve tona që çdo mit e tejkalon

Faqe 24.

HEROI I FLAMURIT

Fazli Grajçevci, për poetin dhe për breza të tërë, është Heroi i Flamurit, i sakrificës dhe i flijimit, si dhe i vazhdimsisë së përpjekjeve për Flamur, Liri dhe për Pavarësi të Kosovës.

Si gjithnjë mësues i dashur
Dritë diturie në errësirë
Nën robërinë e shpërfaqur
Mësues atdhetar zemër dëlirë

Faqe 31.

Tashmë dihet se Heroi i Flamurit, Fazli Grajçevci, amanetin e tij të fundit e kishte lënë, djalin ta pagëzojnë me emrin FLAMUR, pasi vet Fazli Grajçevci, për flamur po flijohej:

Amaneti yt i fundit
Për liri e flamur unë po vdes
Djalin Flamur të ma emëroni
Kjo ishte e vetmja kërkesë

Po aty, faqe 32.

Edhe Isa Kastrati, është një frymëzues tjetër i përhershëm i poetit, por Ai, është edhe personifikues i idealit dhe përpjekjeve për liri, luftës së pa epur dhe i sprovës së madhe:

I luftës së paepur dhe sprovës
I rritës së saj dhe i shpresës
Mendimet tuaja plot thellësi
Qiell me diell në kaltërim

Faqe 36.

Sepse Isa Kastrati ishte:

Rebel i shquar kryengritës
Në furtuna i paepur
Në dallgët e jetës i pa tretur
Sy patrembur trim luan

Faqe 37.

Me kaq pasion poeti i ka kushtuar poezi edhe bashkëluftëtarit tjetër, Rexhep Mala, madje duke na zbuluar edhe një sekret, për të mësuar se ku i paskan nisur fillet e poezisë së tij.

Vjershën e parë në jetën time
Po e shkruaj për ty o vëlla or shok
Përplot mbresa e kujtime
Zemra po më grihet po më bëhet copë

Për kujtime të pa harruara
Për qëndresë e trimëri
Për fjalët tua të pa shkruara
Për mirësjellje e mençuri

Faqe 47.

Ndërsa prindëri e Rexhep Malës, për poetin Sami R. Dërmaku, ishin “Fytyrën reliev Kosove”, (faqe 51). E, Kamandant Plakun ose Xheladin Gashin, poeti nuk mund quante Plak kur nuk ishte plak?! Këto nuanca, janë vargje të pakta por janë përkushtime të mëdha për heroizmin e madh të të rënëve për liri dhe atdhe. Këta emra, të cilët i ka veçuar autori, janë vetëm disa nga ata qindra të tjerë të cilët i japin pamje “KOSOVËS SË PËRGJAKUR NËPËR SHEKUJ”, (titull poezie, faqe 69-74), në të cilën poeti është shprehur:

Me shekuj qëndrove në robëri
Deshën të të zhbëjnë nga faqja e dheut
Pesë shekuj nën Turqi e një nën Serbi
Të shkoi jeta gjithmonë e veshur në zi

Faqe 71.

Po ashtu në këtë libër gjejmë përkushtime e përjetime të rralla. Disi më i veçantë dhe mjaftë karakteristik, më duket të jetë ai për Shabi Hajdinin, nga fshati Çerkez i Kumanovës:

Nga dhimbja më dridhet zëri kur të kujtoj
Krenar që të patëm në një front
Mburrje që të kishim në mesin tonë
O shok, o vëlla, bashkëveprimtar i pandashëm
Nuk do të harrojmë kurrë
Ja pra me ne këtu ku jemi mbledhur
Në këtë mbrëmje përkujtimore
Që të kemi në mesin tonë shembull prore…

Poezia, “TË DUAM PËR JETË”, kushtuar Shabi Hajdinit,
nga fshati Çerkez i Kumanovës, faqe 81.

Poezia “NË VIZITË”, iu kushtohet, Ahmet Haxhiut, Xheladin Rekaliut, Jashar Saliut, Xhavit Hoxhës, Fadil Vatës, Shabi Hajdinit, dhe shumë bashkëveprimtarëve të tjerë të shtrirë në spitalet e Zvicrës, të cilët nga sëmundjet vdiqën. Por përkushtimi i Sami R. Dërmakut, është virtyt për heroizmat e bashkëveprimtarëve. Andaj poeti me përkushtimet poetike shëmbëllen për mirësi e humanizëm në njërën anë, kurse në anën tjetër poezitë, janë uvertyra të realizuara me pasion dhe dashuri të rrallë.

Ishim të mbledhur aty në hol
Dhe pritnim të brengosur
Na thoshin të mos ju shqetësojmë
Se jeni në kllapi e të rraskapitur

Faqe 85.

Ose:

Ju e përbuznit vdekjen
As për vete nuk mendonit
Mendjen e kishit te Atdheu
Që tërë jetën ia kishit kushtuar
Idealit më të lartë lirisë
Dhe Atdheut…

Poezia “NË VIZITË”, faqe 85.

Pa dyshim të gjithë heronjtë e Sami R. Dërmakut, kanë bërë historinë e tyre dhe kanë treguar qëndresë e rezistencë të pathyeshme. Ashtu siq e theksuam më lartë edhe vet poeti, shndërrohet në Hero i Veprës së tij. Nga kjo na duket se Sami R. Dërmaku, përseri jep nga vetja, pasi të gjitha përkushtimet, heroizmat, qëndresa dhe pathyeshmëria janë përkushtime të tij për të tjerët, por në esencë e gjitha e ka burimin nga shpirti i tij fisnik, nga qëndrueshmëria dhe nga atdhedashuria që ka pasur gjithmonë, Heroi për Kosovën! Këto virtyte, edhe më tej materializohen tek poezitë: “Tryezë e shtruar”, “Lugetërit e errësirës”, kushtuar të burgosurëve në Burgun e Dubravës, e ndonjë tjetër.

MOTIVI PËR VENDLINDJEN

Motiv i ndjeshëm dhe i përjetuar, poezi me plotë dashuri, është ajo për fshatin e tij të lindjes, Shipashnicën me titull “Kujtesë për vendlindjen”, në të cilën poeti është shprehur:

Shipashnicë vendlindja ime
Dërmak i tërë fshati unikat
Bashkë në hidhërime e gëzime
Me bujarinë dhe trimërinë spikatë

Faqe 107.

Rezistenca anti osmane e antiserbe e familjes Dërmaku nga Shipashnica e Dardanës, e ka gjenezën e saj qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e vitit 1878, kurse vargjet e më poshtme e dëshmojnë këtë fakt historik.

Në lëvizje kombëtare të angazhuar
Oficeri Ramë Dërmaku siguron objektin
Të lidhjes së Prizrent nga armiq e tradhtarë
Të lidhin besën të forcojnë unitetin

Faqe 108.

Vargjet të përjetuara emocianlisht, por në të njëjten kohë kuptohen edhe si rezistencë shekullore e bashkëfshatarëve të tij, nga të cilët e për të cilët, do të nis udhë edhe veprimtaria e tij dhe këto përkushtime të Samiut, po ashtu janë frymëzimi më heroik dhe perkushtimi patriotik i poetit.

Vendlindja ime gumëzhin nga shkollarë
Doktorë shkence, magjistra e profesorë
Mjekë e inxhinierë e të vyeshëm arsimtarë
Profile të ndryshëm veprimtarë e humanitarë

Faqe 124.

Kur jemi tek poezia kushtuar bashkëfshatarëve të vet, përmendoren që ia ndërton me këto vergje vendlindjes së tij, në imagjinatën e lexuesit, po aty ne Shipashnicë, do të shihet saktë, Permendorja e Veprimtarit dhe Heroit të gjallë Sami R. Dërmaku, i cili një jetë ia kushtoi veprimtarisë kombëtare dhe atdhetare. Pikërisht janë këto arsye, të cilat na shtyjnë që këtë shënim kritik, (në cilësin e recensuesit të librit), ta kompletojmë edhe me disa shënime kronologjike për veprimtarinë e tij.

EPILOGU ose SHËNIMI BIOGRAFIK PËR POETIN

Sami Rexhep Dërmaku, lindi më 7.11.1948 në Shipashnicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Hogosht, ndërsa të mesmen (gjimnazin) në Dardanë dhe Gjilan. Fakultetin Elektroteknik e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Është pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Ka punuar arsimtar në fshatin e lindjes, etj.
Më 1970, me rastin e ardhjes së Titos në Kosovë, bashkë me Rexhep Malën dhe Isa Kastratin, e izolojnë dhe e burgosin në burgun e Gjilanit. Është dënuar tri herë me kundërvajtje me pesë muaj për veprimtari armiqësore dhe dy herë penalisht, me gjashtë dhe dy vjet, gjithsej 8.5 vjet burg. Pas mbarimit të fakultetit është punësuar në ndërmarrjen “Elektromontazha”, me drejtor Zaim Kurtin, babai i Albin Kurtit, të cilit, (edhe në libër), i ka shprehur mirënjohje për guximin e treguar me rastin e pranimit në punë, meqë atëherë paraqiste pengesa sigurimi shtetëror jugosllav.
Për t’iu shmangur burgimit të tretë, më 1986 emigron në Zvicër, dhe vendoset në Gjenevë. Sami R. Dërmaku, ishte njëri nga themeluesit e LDK-së, dhe ka qenë edhe Kryetar i Nëndegës së LDK-së në Gjenevë, pastaj Kryetar i Parë, në Fondin Humanitar të LDK-së, Fondit Humanitar Gjithëkombëtar dhe shtabit të mobilizimit në kuadër të Fondit “Vendlindja thërret”. Sami R. Dërmaku edhe në kuadër të UÇK-së ishte i angazhuar qysh nga data 01.09.1998, kurse në muajin mars të vitit 1999 në Tiranë është angazhuar në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Përkohshme. Kurse pas përfundimit të luftës, në Prishtinë, po në atë Qeveri, ka qenë ndihmësministër i mbrojtjes, nënkryetar i komisionit për kontrollim dhe evidentim të pronës private dhe shoqërore.
Për vite me radhë, ka punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, këshilltar i kryetarit të KEK-ut, menaxher projekti, koordinator i komisionit për kontroll financiar, udhëheqës i sigurisë në punë, udhëheqës i infrastrukturës dhe garazheve për termoelektranat A dhe B., etj. Përveç veprimtarive që i theksuam më lartë, Sami R. Dërmaku, ka botuar librat: “EKLIPSIMI I FIGURËS SË DËSHMORIT” (2015) dhe monografinë “SELMON Sh. DËRMAKU – Veprimtar e humanist” (2018). Vlenë të theksohet se redaktor i librit me poezi ”TË NDRITURIT”, është mr. Kadri Rexha, kurse recensentë: Sulejman Dërmaku dhe Shefqet Dibrani. Libri u botua nga Sh. B. “DRITAPRESS”, Prishtinë 2021.
Sami R. Dërmaku, tani është në pension, i paangazhuar politikisht. Jeton në Prishtinë dhe në Gjenevë të Zvicrës.

Sami R. Dërmaku, ”TË NDRITURIT”, poezi, botoi Sh. B. “DRITAPRESS”, Prishtinë 2021, faqe 132, ISBN 978-9951-825-30-6. Redaktor: Kadri Rexha, Recensues: Sulejman Dërmaku & Shefqet Dibrani.