Në Uster të Zvicrës u mbajt panair i librit, i dyti me radhë, i organizuar nga shoqata “Bashkimi”, ku disa prej autorëve dhe krijuesve të mërgatës, nga Shqipëria, Kosova dhe Ilirida (Maqedonia e veriut) patën rastin t’i prezantonë veprat e tyre. Vlen të theksohet se të pranishëm në këtë panairit ishin edhe shtëpitë botuese “Albas” nga Tirana dhe “Litera Academy” nga Shkupi, ndërsa panairin e madhështoi pjesa programore, me valle të ndryshme, që me një profesionalizëm, shoqata “Bashkimi” dha mes pushimeve të promovimit të librave, që kishte autor nga Tirana, Ilirida dhe mërgata, e begatuan panairin me performanten e shkëlqyer të valltarëve, me valle të ndryshme të trevave të atdheut.
Nga ky takim po japim fjalën e plotë të, poetit Mustafë Krasniqit, i cili foli për filozofin e monografisë “Atdhetari i shtigjeve të Lirisë- Xhavit Haziri”, ngaqë siç thotë ai, Krasniqi, ta vlerësoi i takon kritikës dhe lexuesit, pasi tashmë është në duar të lexuesit.
Fjala e plotë e Mustafë Krasniqit:
Përshëndetje të pranishëm, shkrues dhe ju shtëpi botuese, Konkretisht kam nderin ta përshëndes Shoqatën “Bashkimi”, në Ustern të Zvicrës, i cili ma mundësoi, që të marrë pjesë në këtë panair, i dyti me radhë. Pra, para jush do të flas për monografinë, “Atdhetari i shtigjeve të Lirisë- Xhavit Haziri”.
Kur mora për sipër ta shkruaj këtë monografi, u ndjeva i privilegjuar, me që m’u dha rasti të shkruaja për jetën dhe veprën e Heroit të kombit, Xhavit Hazirit. Andaj, duke rikujtuar thëniet dhe veprimtarin e tij,m’u zgjuan ndjenjat për të shkruar, për faktin se zëri i tij ishte dhe mbeti emblemë e përhershme e atdhedashurisë, lirisë dhe ajo ëndrra e kahmotshme e çdo shqiptari fisnik, për Shqipërinë e bashkuar.
Që në fillim, kur mora në dorë vendimin e gjykatave serbe dhe ato shqiptare, për dënimin me burg të Xhavitit, pash se sa e vështir ishte të shkruash me përgjegjësi, ngaqë ishte një përgjegjësi e madhe, nga që duhej të peshohet çdo fjalë, varg, tregim, rrëfim, intervistë dhe aq më vështirë ishte kur i kujtoje bisedat, vendimet, ndonjëherë edhe urdhrat, për të vepruar në frymën e një idealisti të mirëfilltë, i qetë dhe pa zë, por duke rrugëtuar në rrugën e ndërgjegjes për arritjen e aspiratës, për liri. Të gjitha këto kërkonin vëmendje, që vetë fletët e librit të mos rëndoheshin me atë që nuk peshojnë dhe nuk e ka vendin, por të shkruhet me saktësi dhe të dokumentuar, e siç thotë populli: “Dëshmorët dhe heronjtë janë të pavdekshëm”.
Përkundër asaj që e dinin se një ditë do të bëheshin kurban të lirisë, djemtë dhe vashat e Arbrit, dhe që e dinin se populli shqiptar pati një histori domethënëse e me sakrifica të mëdha, sa të lavdishme aq edhe të dhimbshme, sa të këndshme aq edhe të përgjakshme, ku shpesh kurorëzohen me lindje dhe vdekje, me këngë dhe vaj, me krushq dasmash e luftëtarë që iu kishin dhënë përkushtimit për ta ruajtur kombin dhe për ta çliruar nga kthetrat e pushtuesve ballkanikë, që si bisha të egra iu kishin hedhur në fyt për ta shqyer, për të përfituar pushtet në tokë të huaj, konkretisht mbi tokat shqiptare, thua nuk i mbeti një copë liri, përveç vullnetit dhe sakrificës për ta ruajtur atdheun dhe për ta bërë Shqipërinë çfarë duhet të ishte, ajo.
Duke e shpalosur historinë, pjesën tjetër të kombit, që ishte kënga, rrëfimi, tregimet, legjendat për breznitë, populli përmes tyre diti ta përçojë mirë kujtesën e lavdishme e të domosdoshme, porosinë për ruajtjen e atdheut. Filozofia e rikujtueses më së miri u shfaq, si një filozofi e ngritur, përmes këngës e kuvendeve të burrave.
Atëherë kur kënga këndohet për Prevezë, Çamëri, Plavë e Guci, Prishtinë e Shkupi edhe për Kosovën veriore, shpërthen zjarr shpirti i trimërisë, pushka e djalërisë dhe heroinave, që ishin gjithmonë përkrah të qëndresës së burrave, i atyre nënave që në djep i ushqenin fëmijët me idealin e lartë për Shqipërinë e Bashkuar.
Mirëpo, ajo që i revoltonte dhe u jepte zemër, fuqi baroti bijave dhe bijve të kombit ishte kënga, kujtesa dhe rrëfimi i brezave, gjyshërve dhe i baballarëve, nënave që u flisnin, se ku shtriheshin dikur kufijtë gjeografikë të Shqipërisë dhe kush ishin dhe janë ende pushtuesit e kombit.
Padyshim me këto histori, këngë, rrëfimesh u lind dhe u burrërua Xhaviti, ku edhe thoshte:
“Para armikut nuk do të përkulemi, lufta çlirimtare duhet çuar përpara deri në realizimin e fundit, kur atëherë të arrihet qëllimi i amanetit të parëve për Shqipërinë Etnike”.
Për këtë ishte i vetëdijshëm dhe shpesh fliste se në mesin e pushtuesve mund të ketë edhe vegla shqipfolëse, por me këmbëngulje ishte kundër këtyre shqipfolësve, atyre që i kishte mundur frika, nga frika ishte në gjendje ta jepte çdo vlerë të kombit për ta ruajtur vetën dhe klanin e tij, për këta ishte i pamëshirshëm dhe pos tjerash thoshte:
T’i mbyllësh sytë para kësaj gjendjeje të mjerë që e ka kapluar popullin, do të thotë të mos kesh kurrfarë ndjenje kombëtare”. Këto thënie pata fatin t’i dëgjoja në takimet me Xhavitin.
Vërtet vepra, sakrificat, heroizmi, gjaku i tyre, të cilët gjithçka dhanë për lirinë, pavarësinë, bashkimin e atdheut janë të pavdekshme. Andaj dhe është detyrë e jona, që brezat e rinj ta kuptojnë, se ata ishin dhe mbetën themel i fortë e i pathyeshëm i atdheut. E, siç thotë poeti i madh Dritëro Agolli; për jetësimin e ëndrrës së lirisë “që shekujt s’ta prunë lirinë.”, po këtë liri na e sollën ata që qëndruan heroikisht dhe u sakrifikuan për Shqipërinë e bashkuar, që ne si popull ta gëzojmë.
Në radhën e këtyre heronjve hyn si vigan edhe heroi Xhavit Haziri, i cili do të mbetet shembulli më mirë i veprimtarisë, i këmbëngulësisë, i sakrificave, i dashurisë atdhetare e njerëzore përgjithësisht, sepse ai u edukua me çiltërsinë e madhështinë e moralit të shëndoshë shqiptar, ai u formua dhe u kalit në punë e veprimtari në shërbim të atdheut e njerëzisë, në shërbim popullit shqiptar, për të cilin veproi e nuk pushoi as edhe një çast të vetëm, derisa e rrëmbeu shërbimi sekret serb. Ai, së bashku me dëshmorë dhe heronj tjerë shqiptarë, e kanë shkruar historinë më të re të popullit tonë me gjakun e sakrificat, me mundin e veprimtarinë e gjithanshme atdhetare, që shembëllen në çdo cep të atdheut, në çdo thërrimë të tokës shqiptare, se ata vepruan e punuan, se ata dhanë gjithçka për tërësinë e atdheut, ndërsa ne në çdo hap që hedhim, në çdo frymëmarrje duhet të kujtohemi, të veprojmë për ta jetësuar bashkimin e tërësisë së atdheut, bashkimin e tërësisë së Shqipërisë.
Çdo vepër, çdo aktivitet e çdo sakrificë në shërbim të idealit, në shërbim të popullit e atdheut tonë është e do jetë shërbimi më i madh e më njerëzor, në atë rrugë të shenjtë, në të cilën ecën dëshmorët e heronjtë tanë, si Xhavit Haziri me shokë. Mbase, edhe duhet të kuptohet mirëfilli, se pas luftës heroike e madhështore të UÇK-së, luftës së heronjve e komandantëve legjendarë, si Adem Jashari e Zahir Pajaziti, dhe si gjithë veprimtarisë së shenjtë atdhetare, ku në ballë të saj qëndron edhe heroi, Xhavit Haziri! Kemi një kurorëzim -Republikën e Kosovës, shtetin e dytë shqiptar, pas të të gjitha këtyre përpjekjeve e ndërmarrjeve atdhetare, me pushkë e me penë. Kështu, ne jemi më të fortë për të hedhur edhe hapin e sigurt e vendimtar për bashkimin e tërësisë së Shqipërisë së natyrshme.
Për misionin e tij patriotik e atdhetari të papërkulur, jam përpjekur që kjo monografi të shoqërohet edhe me përshkrimin e fakteve dhe ngjarjeve të shumta të kohës, ku Heroi veproi së bashku me shokët e idealit në aktivitetin kombëtar: në shkrimin e parullave dhe afisheve, shpërndarjen tyre, botimin e fletushkës, mobilizimin e të rinjve dhe veprimtarëve në radhët e Organizatës, pjesëmarrjen në demonstratat kundër pushtetit jugosllav, angazhimin e tij për bashkimin dhe unifikimin e organizatave ilegale, deri te angazhimin i tij në kuadër të UÇK-së.
Pra, Xhaviti nuk kishte rrugë të ndërmjetme, dilema, të hyjë apo të mos hyjë, ishte i prerë e i saktë në atë që thoshte, që kërkonte edhe nga të tjerët, nga ne shokët, e tij që ta kenë këtë parim në praktikë, sepse donte fjalën – fjalë, në veprim konkret. Ishte nga ata djem i brumosur me idealin kombëtar e, si i ri posa e kishte mbaruar shkollën e mesme në Kastriot – ish Obiliq, u nis në rrugën e interesit kombëtar dhe vazhdoi me këmbëngulësi ta realizojë në praktikë qëllimin ideal që kishte. Ishte viti i demonstratave të mëdha, vit që ishte përfshirë i tërë populli në një lëvizje gjithë – popullor. Padyshim se në këtë lëvizje nuk kishte mundësi të mos ishte Xhavit Haziri, djaloshi që aspironte me tërë fuqinë dhe filozofinë e tij, të ndërtuar mbi parimin e logjikës, të arrijë deri te maja e qëllimit përmes një vetëdije të lartë kombëtare, ai donte këtë vetëdije ta shpërndante te masa e gjerë popullore dhe të futej thellë në memorien e tyre, se pa liri nuk ka jetë, as jetë nuk ka pa bashkim.
Këto dy nisma për jetësim, Liria dhe Bashkimi, ishin qëllimi kryesor i Xhavitit, të cilat më vonë në mënyrë filozofike i trajtoi. Trajtimi i veçantë dhe përkushtimi deri në frymën e fundit i Xhavitit, na shtyn të mendojmë se kishim të bënim me një djalosh, burrë, veprimtar, e atdhetar të përcaktimeve të mëdha kombëtare, i cili përpos përkushtimit emocional kishte edhe një ngritje më të gjerë, se kjo, e ajo ishte trajtesa e çështjes kombëtare në rrafshin filozofik, duke e trajtuar njëkohësisht dhe strategjinë diplomatike pa i ikur asaj politike e ushtarake.
Xhaviti dallohej si i ri për veprime atdhetare dhe këtë e shohim kudo, madje edhe atëherë kur zjarri i lirisë shpërtheu anekënd Kosovës nga masa e gjerë popullore, që iu kishin bashkuar zërit të studentëve, që ishte e vetmja rrugë për ta arritur qëllimin e lirisë.
Xhavit Haziri ishte i zjarrtë kur flitej për atdheun, mbase për këtë ishte i frymëzuar nga TVSH-ja, kuptohet në atë kohë fshehurazi shikohej, ngaqë ishte me rreziqe të mëdha. Për këtë kishte kujdesi, sepse ishte i përcaktuar për veprime madhore, e nuk donte të bie në sy pa bërë bujë të madhe e pa e trembur dhe pa ia futur frikën në palcë armikut. Te Xhaviti frika nuk kishte vend, as atëherë kur përballej para gjykatave famëkëqia të UDB-së, në bankën e të akuzuarit.
Për Xhavitin gjykimet ishin më tepër farsa qesharake, presion mbi veprimtarët e devotshëm që të hiqnin dorë nga e drejta e tyre për vetëvendosjen e fatit kombëtar.
Xhaviti si një njeri largpamës nuk mund të pajtohej me një formalitet, përkundër këtij formaliteti kishte mësuar qëndrimin nga Baca Adem Demaçi, Metush Krasniqi, shumë e shumë atdhetarë tjerë. Po ashtu për këtë qëndresë kishte mësuar edhe nga historia e ndejave në oda se: këtu ka vetëm Shqipëri. Këtë ua kishte thënë hapur edhe UDBA-shëve, atyre që pretendonin me shqiptim dënimi ta frikësonin e ta largonin nga rruga e lirisë, bashkim të kombit, drejt së cilës synohet bërja realitet ndër masat e gjera të popullit. Për fat të keq, synimi për bashkim të Shqipërisë shihej me frikë te disa politikaj frikacakë, shqipfolës të cilët ishin të gatshëm të bëheshin vegla të armikut. Për kundër saj, heroi i përmasave të mëdha të kombit. Edhe pse s’kishte grada ushtarake, ai kishte vullnet ta mësonte edhe këtë art, që e shihte se pa luftë nuk do të ketë liri, ku për të dëshmonte njëri nga shokët e tij, Naim Maloku, që për një vit kishte qëndruar në një dhomë të burgut me Xhavitin, ja se ç’ thotë:
“Ishte nga ata djemtë të përgatitur, strateg, i formuar e i kompletuar si një njeri i gjithanshëm, mbi të gjitha kishte kurajën dhe nuk vuante pse ishte arrestuar, në burg e shprehte qartë idealizmin, që nga burgu synonte ta zbërthente në detaje artin luftarak. Andaj, me këtë përkushtim të madh dëshironte ta mësonte, nga unë, artin luftarak, pasi që unë isha me gradë ushtarake, profesionist i këtij lëmi, gjë që edhe si ushtarak isha i arrestuar. Në tërë këtë pjesë të jetës sa qëndruam së bashku në një dhomë burgu, pashë sa i fuqishëm ishte ideali i tij.”
Nga shumë, me ata që kam biseduar, intervistuar, gjë që edhe kisha fatin ta njohja personalisht, ngaqë i përkisja edhe unë këtij organizimi, të flisnin për anën shpirtërore të tij, i cili na del një personazh i veçantë, nga se nuk dinte të jetë prej atyre djemve rrahagjoksë, fjalëmëdhenjë. Po, ndihej i pranishëm, shumë i afërt me shokë e veprimtarë të çështjes kombëtare, mbi të gjitha e mbizotëronte ideja e çlirimit, bashkimi i kombit. Ishte nga ata djemtë që nuk fliste e nxiste, që të tjerët të vepronin e të shkonin në rreziqe, por ishte ndër të parët që fliste e vepronte i pari duke na këshilluar shokëve, që të kemi vëmendje në veprimet që bëjmë. Prandaj, nuk mund ta anashkaloj një këshillë të heroit, që ju ngjasonte heronjve që përshkruheshin nëpër romanet e shkrimtarëve të mëdhenj, ku ai na thoshte në një ndërhyrje të bisedës:
“Kini kujdes, sot na duhen shokë, veprimtarë, luftëtarë e ushtarë të ardhmes për çlirimin e trojeve tona. Të punoni sa më fshehur, të veproni e të mos ua sheh gjurmët armiku. Pra, kjo është luftë, o shokë! Armikun ta dëmtojmë sa më shumë dhe shokët të jenë sa më të kujdesshëm..”.
Derisa këto përmasa historike flasin për vlerën e UÇK-së, në anën tjetër kishim edhe të tillë që ishin dhe mbetën kundër saj. Padyshim Xhavit Haziri do të mbetet në kujtesën e çdo shqiptari të ndershëm, në historinë e re si një udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Nuk ka histori, as komb modern që mund ta përkufizojë të drejtën e një populli për të qenë i lirë e i bashkuar, sa vetë heronjtë, që u bënë simbol të përjetshëm të lirisë dhe të bashkimit, Shqipërisë Etnike. Pra, ndërgjegjegjia historike do ta kujtojë si njërin nga figurat më qëndrore të luftës së fundit, si dhe njërin nga veprimtarët e devotshëm të ilegales, që me filozofinë e tij të urtësisë bashkë me heronjtë e tjerë u bënë shkëndiat e para të lirisë.
Pra,Xhaviti, përveç aktivitetit kombëtar në kuadër të Organizatës, dallohej edhe me krijimet e tij, me poezitë dhe veçanërisht me punimet artistike, të punuara me dorë dhe të gdhendura me mjeshtri. Në punimet e tij lexohet qartë dashuria e tij për atdheun dhe familjen.
As burgosja, dënimi dhe qëndrimi në burg për të dytën herë (1993-1997) nuk arriti ta thyej idealin e tij kombëtar. Këtë e dëshmon angazhimi i tij patriotik, i cili menjëherë pas daljes nga burgu më 1997, vepronte paralelisht edhe në kuadër të KMDLNJ-së edhe në kuadër të UÇK-së. Ai ishte pjesë e trurit kombëtar, që luftonte me gjithë fuqinë që kishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit kombëtar. Dhe si i tillë policia sekrete serbe e rrëmben më 17 shtator 1998 duke mos dhënë sot e kësaj dite asnjë shpjegim. Fati i tij si dhe i shumë shqiptarëve ka mbetur në duart e përgjakura të policisë serbe. Veprimtar i devotshëm, i papërkulur, aktiv deri në momentin e fundit, vizionar dhe tepër organizativ, janë disa nga elementet të cilat e personifikojnë atdhetarin e shtigjeve të lirisë – heroin e kombit Xhavit Hazirin.
Unë po e përmbyll fjalimin tim me këto fjalë: sot atdheu si kurrë më parë po kumbon dhimbshëm, nga ndarje e përçarje, si asnjëherë! Që ka ardhur koha t’i kthehemi e të bashkohemi nën flamurin e Skënderbeut, sepse për këtë flamur e kanë dhënë jetën të gjithë këta heronj e u derdh gjak, , në të gjitha trojet shqiptare e, ndër ta Xhavit Haziri.
Më lejoni që për fund të dal nga ajo që jam ftuar, ta ngriti zërin me shqetësim të madh e t’i thërras tërë shqiptarët kudo që janë, konkretisht, mërgatën shqiptare, që të mos e injorojmë gjuhën shqipe, ngaqë brezi i dytë, i fëmijëve mërgimtarë ka filluar ta belbëzojë gjuhën e bukur të Naimita e, nëse ne nuk punojmë me ngulm për t’ua ofruar këtë rreze dielli të atdheut, gjuhën e bukur fëmijëve tanë, ata pa fajin e tyre do të asimilohen. Për këtë ta nderojmë gjakun e heronjve, rrugën e rilindësve, me respektimin e gjuhës e të atdheut, “Për një gjuhë dhe një komb”. Kërkoj që nga ky panair të dalë fuqishëm zëri: Bashkëkombës dërgoni fëmijët në shkollë, mjerisht shkollat shqipe në atdhe po zbrazen, e fëmijët tanë po bredhin botës duke e humbur gjuhën amtare, shqipen e bukur!