Në mjediset e Konsullatës të Republikës së Kosovës, Zv. ministrija e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës znj.Liza Gashi bashkë me Konsullin e Kosovës në Mynih, z.Afrim Nura zhvilloi një takim me mësimdhënëset/it e LAPSH-it në Bavari.
Të pranishëm ishin edhe anëtarët e stafit konsullor z.Faket Kajtazi, z.Zenel Gashi, Kryetari i LAPSH-it z.Milazim Ukaj me zëdhënësen Znj.Anila Xhani dhe kryetari i ‘Këshillit të Prindërve” në Bavari Z.Arif Arifaj.
Znj.Liza Gashi në fjalën e saj përshëndetëse theksoi vlerën e madhe që luan shkolla shqipe në Diasporë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, historisë dhe traditës shqiptare.
Ajo falenderoi kryesinë dhe mësimdhënëset/it për punën e tyre të vyer dhe të palodhur në misionin mbarëkombëtar të ruajtjes të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Fokusi i këtij bashkëbisedimi ishte informimi mbi punën dhe rezultatet e LAPSH-it, njohja me problemet dhe vështirësitë e tij, dialogimi ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Bavarisë, bashkëpunimi i ngushtë LAPSH-Konsullata-prindër dhe mbi të gjitha orientimi drejt zgjidhjeve efikase.
Në qendër të diskutimeve ishin :
-Hapja e klasave të reja.
-Rritja e numrit të nxënësve në mbarë Bavarinë.
-Sensibilizimi i prindërve dhe i komunitetit.
-Shkëmbimi i eksperiencës me shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në mbarë Diasporën.
-Trajnimi profesional dhe
çertifikimi i mësimdhënësve.
-Organizimi i ekskursioneve dhe kampeve verore në vendlindje.
Bashkëbisedimi i hapur dhe frytdhënës u mbyll me nje plan konkret, i cili do të implementohet në strukturat e LAPSH-it dhe lë hapësirë për përmirësim të vazhdueshëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Nga Zëdhënësja e LAPSh-it