Kaso Kosa nuk po u besonte syve, por, pasi ndjeu dhimbjen tek pickoi krahun, u bind se nuk ishte në ëndërr: Personi që po rrinte si i hutuar përballë 15 katëshit, ishte kopje e Faik Konices: I hollë, i gjatë, thatanik, i veshur me kostum të zi e me kapele republike në kokë. Ju afrua dhe kur e dëgjoi të pëshpëriste, duke parë një burrë që hodhi letrën e byrekut në trotuar: “Ah këta shqiptarët, nuk u bënë, që nuk u bënë kurrë njerëz!” u bind që kishte përballë vetë atë, Faik Konicën…
– Zoti Faik, zoti Konica! Ju jeni?!
– Po, unë jam. Ti kush je? Shqiptar je ti? Nuk ka mundësi të jesh shqiptar ti. Unë kam tre ditë që po vij vërdallë në Shqipëri e asnjë shqiptar nuk më ka njohur. Më kishin thënë që më njohin këtu, që ka shkolla me emrin tim, se më bëjnë në mësim në shkolla, por nuk qe ashtu. Asnjë shqiptar nuk e njeh Faik Konicën…
– Unë ju njoh, jam gazetar, jemi takuar edhe në Amerikë bashkë, atë ditë që dolët rrugëve te Bostonit, i veshur me fustanellë… Po pse qënki munduar gjer këtu, zoti Konica?
– Unë erdha se më mori malli. Ah, malli i Shqiperise, malli i atdheut te dashur, i shenjti mall… Kush eshte ai shqiptar qe s`e ka pasur në dhe te huaj! Duhet te jesh jashtë Shqipërisë, te jesh larg, për të kuptuar se ç`force e ç`bukuri të ëmbël ka për veshët fjala: Shqipëri…
– Po si ju duk Shqipëria, zoti Konica? Keni rreth 90 vjet pa ardhur…
– Rrëmullë, Kaso, rrëmullë e madhe. Nuk merr vesh qeni të zonë nëpër rrugë. Njerëzit nuk respektojnë semaforët, flasin me zë të lartë, hedhin plehrat ku të munden. Një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë. Keni prerë gjelbërimet, keni prishur udhët… Nuk e marr vesh pse e keni bërë këtë? Nuk marr vesh edhe pse rrugët dhe kafenetë janë plot. Ka kaluar dhjetë milionë banorët Tirana?
– Jo zoti Konica, por njerëzit rrijnë në rrugë e kafene se nuk kanë punë…
– S’ka punë?! Po unë pashë rrugës se të gjitha fushat ishin të papunuar. “Pse s’i punoni fushat?”, i thashë një katundari. “Na ka dhënë urdhër qeveria të mbjellim arrorë dhe shegë nëpër male e kodra e nuk kemi kohë të punojmë fushat”, më tha ai… Tamam shqiptar kokëgdhë… Ndërsa një tjetër më tha se kishtë dhënë urdhër qeveria që të punonte në kompjuter dhe më shpjegoi se rrinte gjithe ditën duke bërë llogje në një si penxhere me një makinë shkrimi… Le ta bëjnë intelektualët këtë i thashë, pse duhet ta bësh ti, katundari. Ti merr plugun e puno. “Ka dhënë urdhër kryeminisri tha, të mësojmë të gjithë fshatarët kompjuterin”, atë makinën e shkrimit me penxhere…
– Po tjetër ç’u ka bërë përshtypje?
– Shoh edhe shumë barbari, Kaso. Në çdo lëvizje e në çdo fjalë që ju del nga goja , shoh shenjën e një barbarie të thellë. Më tepër plakem dhe më tepër më hyjnë dyshime nëse do të qytetërohemi ndonjë ditë! Dje pashe dy vete që u vranë në rrugë se gërvishtën makinat e njeri- tjetrit… Në një vend ku njerëzit vdesin aq lehtë për vogëlsira, është e padëgjuar të vdesësh për një ideal ose për një çështje. Kjo mjafton për të shpjeguar se përse Shqipëria nuk e fitoi lirinë më herët dhe nxori aq pak dëshmorë për pavarësinë kombëtare, Kaso.
– Unë kur ju pashë mendova se keni ardhur të vini kandidaturën për President…
– Pse keni e keni vrarë Presidentin?
– Jo, jo nuk e kemi vrarë, kemi kohë pa vrarë politikanë, po i mbaroi mandati… Dhe nuk po vendosim dot kë të bëjmë. Sot dështoi raundi i parë i zgjedhjeve. Do bëjmë prapë javën tjetër…. Nuk ranë dakord partitë për emrin e presidentit…
– Pse ti prisje të binin dakord, o gazetar? Cdo shqiptar është kokë më vete… Mungesa e kësaj fryme të kopesë mund të jetë interesante, por ajo ka patur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë. Kurrë nuk do bini dakord për asnjëgjë. Para ca ditësh një miku im më kërkoi mendim për të bërë një gazetë. Si ta bëj më tha. E di ç’i thashë? Mos e bëj fare. Se në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha, shqiptarët do të thonë që s’mbahet në dorë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me gërma të vogla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me gërma të mëdha do të thonë se nuk ke patur me ç‘ta mbushësh. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për literatyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për qeverinë, je i paguar prej saj; në shkrofsh rreptë kundër qeverisë, kërkon të të japë ajo ndonjë para që t’i pushosh sulmet. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Kështu është edhe puna e Presidentit: po ta zgjidhni orthodoks do zemërohen myslimanët, po ta zgjidhni mysliman, nuk do e pranojnë të krishterët, po ta zgjidhni nga jugu s’do e pranojnë veriorët, po ta zgjidhni nga veriu s’do e pranojnë jugorët. Po ta zgjidhni të ri do thonë se është shumë i ri, po ta zgjidhni në moshë do thonë që është plak. Më lehtë bën bashkë një grusht me pleshta sesa dy shqiptarë , më dëgjo mua. Më mirë rrini pa president. Le ta bëjë kryeminstri atë punë. E bën dot?
-Unë them se e bën, vetëm se opozita s’është dakord. Ai, në fakt ka qejf t’i bëjë të gjitha, edhe kryeministrin edhe presidentin, edhe komandantin dhe prokurorin…
– Qenka si Ahmet Zogolli, mos është gjë nga Burgajeti?
– Jo, nga Tropoja…
– Afër janë, po kujdes të kini nga tropojanët, Kaso. E di ç’ka shkruar imzot Noli për tropojanët? A të duhen sharlatanë / Që lëpihen në çdo sahan / Që të përçajnë vatanë / Merr, se ke plot tropojanë. Mos është doktor ky që keni në krye, mo Kaso?
– Po, doktor është, e njeh?
– Jo nuk e njoh, por dje takova nje grup studentesh te literatyrës. Asnjë s’më njihte as mua, as doktor Gjëlpërën. Të gjithë njihnin vetëm doktor Berishën. Ca e shanin me zë të lartë, ca kishin frikë e ca e lavdëronin…
– Këtu asnjë nuk është i kënaqur me politikanët, veç atyre që punojnë në zyrat e shtetit…
– Ashtu ka qënë e ashtu do jetë, Kaso. Nëqoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Koha ku rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit tonë të ngjiten lart e më lart duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë mëndore të tyre.
– Këtë e keni thënë para 90 vjetësh zoti Konica…
– Ashtu është prapë… Asgjë s’ka ndryshuar e nuk ndryshon në këtë zonë të globit që quhet Ballkan, Kaso. Mjerisht edhe “elita”, ose “kamorra”, siç i them unë s’mund të japë leje të bëhet ndonjë ndryshim me themel në Shqipëri. Meazallah! Korrupsioni do të vazhdojë, si në perëndorinë osmane… Mos dëgjoni politikanët!
– Ata të gjithë thonë se mundohen për Shqipërine…
– Eshtë lehtë të përdorë njeriu fjalë të mëdha për të mëshehur nën to intriga. Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Po të kisha ndonjë fakt do e thoja, por nuk kam… Për një gjë jam i sigurt: Armiku i shqiptarit është vet shqiptari.
– C’keshillë do u jepje shqiptarëve e ne veçanti politikanëve?
– Unë me budallallëkun tim thom se kemi arrijtur në një fazë kritike të jetës së Shqipërisë dhe besoj se e vetmja mënyrë për të shpëtuar shtetin është një pajtim i ndershëm i të mundurve me mundësin. Për ne, shqiptarët, që diç e dimë veten është një çap i hidhur. Ata që s’duan ta bëjnë le të vazhdojnë së gdhënduri pishë e së gatituri teneqe vajguri dhe le t’i vënë zjarrin Shqipërisë. Jo vetëm politikanët, por te gjithë shqiptarët, do bëhen atdhetarë, vetem kur të mesojnë të degjojne me urtësi njeri-tjetrin …
Bisedoi seriozisht Kaso KOSA (Marrë nga portali “Info Magazina”).