SHIPKOVICA – FSHATI I VJETËR NË ZEMËR TË MALEVE TË SHARRIT

Shkruan Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (CCL)

Në shpatet e Malit Sharr të Malësisë së Tetovës dhe të Parkut Kombëtar të Sharrit, në lartësinë mbidetare 820 – 1100 metra, 11 km në perëndim të Tetovës ndodhet fshati Shipkovicë. Shipkovica ishte qendër komunale nga viti 1996 deri në vitin 2004, ndërsa sot është qendër gravituese apo bashkësi lokale e pesë vendbanimeve malore shqiptare të Sharrit; Brodecit, Bozofcës, Gajres, Lisecit dhe Veshallës. Pranë fshatit, nëpër luginën e thellë, përshkon lumi Shkumbin (Pena), i cili buron në bjeshkët e Sharrit afër fshatit Bozofcë dhe, pasi përshkon Tetovën, derdhet në lumin Vardar. Shipkovica, në zemër të malit Sharr, ka rreth 400 shtëpi me rreth 4200 banorë. Emrin e fshatit në të folmen lokale e shqiptojnë si Shipkuojca.

Shipkovica është një fshat i vjetër, i mbushur plot me histori. Në afërsi janë zbuluar varrezat ilire të periudhës së parakrishterimit, para 2000 – 3000 vjetëve. Në fshat është gjetur një rrasë guri me mbishkrim dhe janë gjetur edhe artefakte tjera arkeologjike. Emrin e fshatit e gjejmë të shënuar për herë të parë në dokumentet turke të vitit 1453, kur ishte një fshat i krishterë i ritit ortodoks dhe katolik. Në Perandorinë Osmane, në fund të shek. XIX, kur fshati kishte 500 banorë, bënte pjesë në kazanë e Tetovës (Kalkandelen) e në vitin 1929 ishte qendër e komunës me 186 shtëpi dhe me 840 banorë.

Fshati Shipkovicë njihet si vatër e atdhetarizmit shqiptar me shumë veprimtarë të çështjes kombëtare. Veçojmë rilindasin Rexhep Voka dhe mësuesin Sadudin Gjura (1926 – 1960). Në vitin 2001 Shipkovica ishte përfshirë në luftë, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Popullsia e Shipkovicës është marrë tradicionalisht me bujqësi e blegtori, pak edhe me tregti, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve jetojnë e punojnë jashtë shtetit, në shtetet e Evropës Perëndimore.

Ikja e rinisë në mërgim ka prekur rëndë edhe Shipkovicën. Numri i popullsisë së fshatit viteve të fundit ka rënë shumë, përfshirë edhe numrin e nxënësve në shkollë. Dikur deri 500 nxënës, ndërsa sot në shkollën e fshatit “Rexhep Voka” nuk ka më shumë se 100. Ky trend i shpejtë i zbrazjes së fshatit dëfton se Malësia e Tetovës shpejt mund të mbetet pa banorë. Ikjen e popullsisë së fshatit në qytet dhe në emigrim e kushtëzon veçanërisht papunësia, kushtet e rënda për jetesë dhe mungesa e perspektivës për jetë.

Shipkovica ka dimra të gjatë dhe të ftohtë, ndaj jeta e përditshme e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave në thellësi të Malësisë së Tetovës është shumë e vështirë.

E veçanta e Shipkovicës është zgjedhja e një gruaje në krye të fshatit. Në vend të kryeplakut, Shipkovica ka zgjedhur një “kryeplakë”, Qitabie Kurtin, duke u bërë fshati i parë me në krye një grua, në kohën kur tërë kryesia e fshatit përbëhet nga burrat.

Një problem, me të cilin shpeshherë përballet Shipkovica, janë vërshimet e mëdha të lumit, me pasojë shembjen e dheut dhe të gurëve mbi shtëpitë e fshatit. Më 3 gusht të vitit 2015 shembja e një shpati mali mbuloi dhjetëra shtëpi, i mori jetën katër personave, nga të cilët tre ishin fëmijë dhe lëndoi dhjetëra banorë. Fshati ka infrastrukturë të dobët, veçanërisht i mungon infrastruktura e duhur rrugore.

Si një fshat përparimtar, në vitin 1978, në Shipkovicë është themeluar shoqëria kulturore – artistike “Rexhep Voka”. Në fshat funksionon edhe klubi i futbollit “Shipkovica”.

Fshati Shipkovicë, me mërgimtarë të shumtë, çdo vit organizon, kur kthehen mërgimtarët për pushime, “Takimet verore”, të cilat shoqërohen edhe me program artistik.

Shipkovica, e ngulitur në një shpat mali në thellësi të Malësisë së Tetovës paraqitet me një pamje magjepse, të cilën duhet vizituar. Ndryshe, ajo pret dorën e shoqërisë për të mbijetuar në atë natyrë të mrekullueshme.