Këshilli i Arsimtarëve të LAPSh-it në Bavari mbajti takim pune rreth përgatitjes së fillimit të vitit shkollor për mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Redaksia

Dje, më 10.09.2023, në platformën ZOOM Këshilli i Arsimtarëve të LAPSh-i në Bavari, në prani të mësimdhënësve dhe të kryesisë, mbajti takimin e rregullt rreth përgatitjes së fillimit të vitit shkollor 2023-2024.
Takimin e hapi Mustafë Krasniqi-koordinator i LAPSh-it, i cili pasi përshëndeti mësimdhënësit dhe anëtarët e kryesisë, si dhe iu uroj mirëseardhje tri mësimdhënëseve të reja,  të cilat nga ky vit do të jenë pjesë e mësimdhënies, mësuese në pikat shkollore në Passau. Po ashtu njoftoi edhe për hapjen e disa pikave shkollore dhe disa pikave tjerave që janë në proces të hapjes, si dhe u ndal te pikat e rendit të ditës.
 Në diskutimin e pikave, Krasniqi-koordinatori i LAPSh-it, së bashku me mësimdhënësit dhe kryesinë diskutuan rreth formës dhe mundësisë për t’i tejkaluar vështirësitë e mundshme, qoftë në mungesë të librave apo të ditarëve, që dhe ka mundësi të mos i kemi në fillim të vitit shkollor, tha Krasniqi. Pos tjerash njoftoi se  me kohë është bërë kërkesa rreth sigurimit të librave  të nevojshme  në dy  konsullatave shqiptare në Mynih, të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Këtë sqarim dhanë anëtarët e kryesisë së LAPSh-it: Armend Ismaili-nënkryetar, Avdi Kolukaj-sekretar dhe Arif Arifaj kryetar i Këshillit të Prindërve.
Në këtë takim u diskutua edhe për përgatitjen e fillimit të vitit shkollor, të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në landin e Bavarisë, që do të fillojë në javën e 38-të, më 18 shtator 2023. U diskutua edhe për një bashkëpunim në mes të mësuesve të cilët do të fillojnë mësimin nga ky vit, me mësimdhënës-it/et që janë në proces mësimor për shumë vite, konkretisht me mësimdhënës me përvojë të gjatë, të cilët janë të trajnuar për t’i trajnuar mësimdhënësit e rinj. Ky bashkëpunim është i nevojshëm por jo dhe  i obliguar, nga fakti se kemi të bëjmë me klasa heterogjene dhe vështirësitë që mund t’i kemi në hapat e parë të mësimdhënies të kësaj natyre tha Krasniqi.
U diskutua edhe për mbajtjen e seminarit, që do të mbahet në mes të muajit tetor-nëntor, që është në planin vjetor të LAPSh-it. Për këtë u tha në këtë takim se duhet të jenë të angazhuara të gjithë mësimdhënësit-et, që brenda dy javësh t’i sjellin me shkrim mendimet e tyre rreth formulimit të temave që do të trajtohen në seminar.
Po ashtu nga diskutimi i mësimdhënësve u diskutua për formën, metodologjinë  dhe teknikat që të trajtohen në këtë seminar.
Takimi i mësimdhënësve përfundoi me sukses, me vullnetin që të punohet për rritjen dhe sensibilizimin e hapjes së shkollave shqipe në diasporë, konkretisht në Landin e Bavarisë-Gjermani.  Dhe krejt në fund, koordinatori mbylli takimin me shpresë që sa më parë t’i kemi librat dhe iu bashkua  zërit të Mësuesve: “Do të ishte mirë që për vështirësitë e mësimdhënësve në diasporë, konkretisht në Bavari të kujdesen qeveritë e shteteve tona shqiptare, qoftë për një ditar të unifikuar apo përgjegjësit që duhet t’i kenë si shtete për qytetarët e vet, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës,  duke përfshirë edhe shqiptarët e viseve tjera“.