…Dhe sot, lirisht mund të thuhet se angazhimi i veprimtarëve të arsimit shqip në Zvicër, gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën amtare. Klasat radhiten njëra pas tjetrës, numri i nxënësve është në rritje si dhe pikat shkollore ku zhvillohet mësimi në gjuhën amtare.
Të lumtur që më në fund mund të fillojnë me mësimet në gjuhën shqipe. Nxënës të shkollës shqipe në Bad – Zurzach të Kantonit të Argaut dhe mësuesja Halide Vebiji.
Të shtunën e kaluar me datë 9 shtator 2023 filloi mësimi në gjuhën shqipe edhe në pikën shkollore Bad – Zürzach të Kantonit të Argaut. Ishte një përpjekje më se dy mujore e veprimtarit Sejhan Osmani dhe mësueses Halide Vebiji së bashku me prindërit e këtij vendbanimi me qëllim që t`iu mundësohet fëmijëve shqiptarë mësim në gjuhën amtare. Takime, konsultime në vazhdimësi dhe rezultati nuk mungoi. Tani fëmijët shqiptarë përveç mësimeve të rregullta në gjuhën e vendit, ata kanë mundësinë ta mësojnë dhe ta ruajnë në mënyrë të rregullt edhe gjuhën shqipe. Çdo javë nga dy orë mësimore, të cilat do t`iu shërbejnë për t`i përvetësuar mësimet në gjuhën shqipe.
Hapja e pikave shkollore nuk është një punë e lehtë por tepër e mundimshme sepse kërkon kohë dhe angazhim konkret me prindërit shqiptarë. Prandaj edhe kjo pikë shkollore i shtohet pikave shkollore në Kantonit të Argaut në kuadër të Lidhjes së arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.
…Dhe sot, lirisht mund të thuhet se angazhimi i veprimtarëve të arsimit shqip në Zvicër, gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën amtare. Klasat radhiten njëra pas tjetrës, numri i nxënësve është në rritje si dhe pikat shkollore ku zhvillohet mësimi në gjuhën amtare. Parashtrohet një pyetje, a mjafton kjo? – Pa dyshim se jo! – Nevojitet edhe më shumë punë sepse ky rrugëtim kërkon sensibilizim të mërgimtarëve shqiptarë në shkallë kombëtare, kërkon edhe më shumë punë, edhe më shumë veprimtarë, edhe më shumë mbështetje institucionale nga dy shtetet tona dhe jo vetëm me qëllim që mësimi në gjuhës amtare të arrijë në një nivel të kënaqshëm.
Buzëqeshjet në fytyrat e fëmijëve shqiptarë në Bad – Zurzach kanë domethënien e tyre, sepse mësimi në gjuhën amtare është i një rëndësie të veçantë, prandaj thirrjet që fëmijët shqiptarë të orientohen nga prindërit e tyre drejt pikave shkollore është kryefjalë e përpjekjeve tona të përbashkëta. Këshilli Prindëror i shkollës shqipe në Bad – Zürzach iu bënë thirrje të gjithë prindërve të këtij rajoni që fëmijët e tyre t`i regjistrojnë në shkollës shqipe.
Mësimi zhvillohet çdo të shtune nga ora 09:00 -11:00 në adresën Bad Zurzach, Kreisschule Rheintal Studenland ose në numrin e telefonit 078 647 26 03.