Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar sot pas shkrimit të Fatos Tarifës në DITA me titull “Peticioni, një veprim kolektiv autonom në sferën publike! Kush u shqetësua prej tij dhe pse“.
Ky shkrim i profesor Tarifës erdhi pas reagimeve të shumta mbi Peticionin e një grupi të madh intelektualësh, publikuar disa ditë më parë në media.
“Nuk besoj se mohuesit e peticionit me iluzione, me mashtrime, me genjeshtra e me marrezi natyrisht pseudoshkencore do te heqin dore prej qellimeve…” – shkruan profesor Qosja në reagimin e tij botuar në DITA.
Reagim pas të cilit, është përgjigjur edhe Tarifa. Më poshtë, DITA po boton të dy reagimet që akademikët e njohur kanë këmbyer me njëri – tjetrin:
Mesazhi i profesor Rexhep Qoses:
Shumë i nderuar Fatos,
Uroj të jeni mirë me shëndet dhe me të arriturat krijuese.
E lexova me shumë interesim trajtesën tuaj në gazetën DITA për reagimet e ndryshme e të shumta ndaj peticionit të nënshkruar prej shumë intelektualëve.
Është kjo një trajtesë vërtetë shkencore me shumë të dhëna historike, politike, socioligjike, antropoligjike, etike, kombëtare dhe të përgjithshme. Në të dëshmohet një kulturë jashtëzakonisht e gjerë, jashtëzakonisht e pasur dhe jashtëzakonisht e rëndësishme.
Me të gjitha këto dije e të dhëna tuajat që përdoren në trajtesë u dëshmua përpjekja shumë e rëndësishme për përmbysjen e pashmangshme të të përmbysurave: iluzioneve, hamendjesimeve, mashtrimeve, gënjeshtrave e marrëzive të ndryshme që përbëjnë pjesën më të madhe të reagimeve ndaj përmbajtjeve e qëllimeve të peticionit.
Edhe ti edhe Pëllumb Xhufi në paraqitjet e tij në disa televizione bëtë vërtetë shumë-shumë përpjekje që të mbroni vlerat e përgjithshme gjuhësore, kombëtare e të tjera të peticionit.
Nuk besoj se mohuesit e peticionit me iluzione, me mashtrime, me gënjeshtra e me marrëzi natyrisht pseudoshkencore do të heqin dorë prej qëllimeve. Pse? Sepse të gjitha këto që i kanë thënë në reagimet e tyre e dijnë edhe vet mirë se nuk janë shkencore por janë mjet statistikor, janë mjet me leverdi financiare për autorët dhe me leverdi për mediet që janë venë në shërbim të tyre. E sot, siç dihet, leverditë e tilla i përcaktojnë disponimet e përgjithshme në botë shumë më tepër se të vërtetat dhe mençuritë.
Me përkushtime vëllazërore,
Rexhep Qosja
Përgjigja e profesor Fatos Tarifës:
I dashur dhe fort i nderuar Profesor Qosja!
Të thëna nga ju, fjalët me të cilat e çmoni reagimin tim lidhur me Peticionin tonë më nderojnë.
Ju keni qenë ndër të parët që keni thënë të vërtetat në të cilat kanë mbërritur studimet albanologjike, të vërteta të cilave ju u keni kushtuar një pjesë të madhe të kërkimeve e të jetës suaj dhe, me integritetin e një studiuesi serioz, keni mbrojtur e mbroni objektivitetin, si një parim thelbësor në shkencë dhe pastërtinë e gjuhës letrare shqipe.
Për brezat e rinj të albanologëve shqiptarë, këtej dhe andej kufirit që e ndan Shqipërinë nga trojet e tjera shqiptare, vepra dhe figura juaj, mençuria dhe integriteti juaj akademik e qytetar janë e duhet të mbeten frymëzues.
Më bën përshtypje–por më shumë më vjen keq–kur shoh ndonjë studiues të ri, mjek apo tjetër, që sapo ka dalë nga veza, i cili, kontributet tuaja në shkencën albanogjike, ashtu si dhe kontributet e figurave të tjera të shquara të albanologjisë–Çabej, Buda, Shuteriqi, Xhuvani, Domi, Ceka, Prendi, Anamali, Ismajli e shumë të tjerë–kërkon t’i “matë” e t’i vlerësojë sipas indeksit Scopus, një bazë të dhënash për abstrakte dhe citime artikujsh e librash nga viti 2004 e këtej, administruar nga korporata botuese Elsevier.
Djem si këta, narcisistë e mendjevegjël, duket se nuk kuptojnë fare se ç’janë vlerat dhe kontributet e vërteta në shkencë, derisa presin që Buda, Çabej, Shuteriqi, Qosja, Domi, Ceka, Xholi, Omari etj. të botonin në kohën e tyre në periodikët perëndimorë (për të cilët, deri vonë, nuk ka pasur “faktor impakti”), njëlloj si studiuesit e sotëm, që jetojnë e punojnë në një epokë digjitale.
Është jo vetëm antidialektike ta pretendosh këtë, por edhe qesharake të besosh, siç bën një mjek i ri këtu, një ndër miliona mjekë si ai në të katër anët e globit, se ai vetë ka një impakt më të madh në shkencë se sa emrat e nderuar që përmenda më sipër, madje më të madh se sa të gjithë ata të marrë së bashku. Si bashkautor (i tretë, i katërt apo i gjashtë) i disa artikujve që ka botuar andej këtej në revista akademike me faktor impakti, kritiku në fjalë, pa asnjë gramë modestie (çështje karakteri), mburret se, me “impaktin” e tij në mjekësi ai vetë është mbi të gjithë brezat e studiuesve shqiptarë (jo vetëm gjuhëtarëve, historianëve, arkeologëve etj), por edhe të profesorëve që i kanë dhënë atij diplomën e mjeksisë në Universitetin e Tiranës rreth një dekadë më parë, sepse edhe ata, si i gjithë brezi i tyre, i lindur dhe i dalë në pension në një kohë paradigjitale, objektivisht nuk kane pasur mundësi t’i botonin rezultatet e studimeve dhe të praktikës së tyre mjeksore në revista akademike me faktor impakti me lehtësinë që kanë sot studiuesit e rinj dhe nuk kanë pasur akses në Internet.
Një mjek i ri, emri i të cilit gjendet i strukur diku mes pesë a gjashtë emrash të tjerë, që si bashkautorë botojnë një artikull në një nga mijëra revistat që indeksohen në Scopus (dhe kontributi i të cilit nuk mund të dallohet, të matet e të çmohet mes 5-6 bashkëautorëve të tjerë, nuk është ushqyer ende mjaftueshëm sa të pretendojë se ka një impakt më të madh se sa ata profesorë që e kanë bërë atë mjek. Kryesisht, janë revistat ato që kanë faktor impakti dhe, po kështu, Scpous nuk është as i vetmi, as më i miri vlerësim “bibliometric” apo “scientometric”.
Ju kërkoj ndjesë, i nderuar Prof. Qosja, që u zgjata në një çështje, së cilës ju, ashtu si dhe unë, ndoshta nuk i kushtoni aspak rëndësi, por nuk janë të paktë në Tiranë ata studiues të rinj që dekurajohen nga njerëz si ky, që duke i rënë gjoksit se është avantgardë e shkencës në këtë vend, u del publikisht në krah, duke qenë vetë mjek dhe jo gjuhëtar apo historian, lloj-lloj teorive pseudoshkencose mbi gjuhën shqipe dhe historinë e popullit shqiptar dhe sharlatanëve që i përhapin ato.
Shpreh kënaqësinë që, pothuajse të gjithë anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, një anëtar i nderuar i së cilës jeni edhe ju, e kanë mbështetur peticionin e dy javëve më parë, i cili ka gjetur, gjithashtu, një mbështetje të gjerë publike.
Ju falenderoj edhe një herë për fjalët tuaja dashamirëse, duke j’u uruar shëndet të plotë dhe energji në punën tuaj krijuese shembullore.
Miqësisht,
Fatos Tarifa (Marrë nga Gazeta Lëvizja)