Nga Dr. Ornela Radovicka:
Në datën 6 Maji me rastin e përvjetorit të lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Krijuesve në Diasporë vendosën që aktivitetin e tyre vjetor ta zhvillonin në Frascineto\ Frasnitë \ Kalabri, një ngulim arbëresh, dhe e titulluan “Pranverë Arbëreshe”.
Miqësia e tyre me At Belluscin, për hir të kontributit të tij të madh në Diasporën shqiptare, sensibiliozoi edhe LKSH në mërgatë të zgjedh Frasnitën, kështu këta bijë shqiptar të Diasporës, nderuan me ardhjen e tyre jo vetëm këtë kolos të Arbërisë, por nderuan vëllezërit e tyre në Frasnitë, Në Kalabri e në të gjithë Italinë e kudo që janë Frasnita arbëreshe në datën 6 Maji ditëlindjen e Skënderbeut bëhet për një ditë Kryeqyteti i Poezisë së Diasporës.
Teksti: Ornela Radovicka & foto: Rexhep Rifati
Pjesëmarrësit e Diasporës
Në këtë ngjarje merrnin pjesë : Kryetari i Lidhjes së krijuaesve në Diasporë Z.Musa Jopulli përfaqësues nga Franca, Poeti i drejtpërdrejtë Mentor Thaqi\ Thaçi, nga Gjermania, Koordinatori i shkollave shqipe në Svicër z. Vaxhid Seidiu, z.Heset Ahmeti e Peter Shtoka nga Sllovenia, si edhe krijues të tjerë në diasporë, por edhe mbështetës të botës arbëreshe si Vëllai i arbëreshëve, Z. Rexhep Rifati, autori i librit “Fotosintezë e shpirtit tim”, dhe miku i ngushtë e arbëreshëve hulumtuesi dhe studiuesi profesor Hazir Mehmeti.
Merrnin pjesë nga qeveria vendore Kryetari i komunës së Frascineto\ Frasnitës Z Angelo Catappano, Presidenti i Federatës Arbëreshe z. Damiano Guagliardi, Drejtori i Bibliotekës internacionale Tomaso Bellusci, Drejtori dhe themeluesi i revistës “Jeta Arbëreshe” prof. Agostino Giordano, Prof. dhe studiuesit e botës arbëreshe, profesor. Gennaro De Cicco e Professor Perri.
I ftuar special ishte edhe Miku i arbëreshëve dhe familjes së At Belluscit Z. Vehbi Miftari, Kreu i Misionit të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë në Romë, dhe natyrisht me pjesmarrjen edhe të At Belluscit.
Pritja u bë në Bibliotekën internacionale Antonio Bellusci
Grupi i diasporës ardhur nga Franca, Gjermani, Austri, Zvicër, Slloveni, Kosovë, Mal të zi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri u nisën nga Sheshi Skënderbe në drejtim të Bibliotekës A. Bellusci.
Pra se të hynin në bibliotekë, grupi i krijuesve në mërgatë kishin përgatitur një “skeç të ritit të malsisë” të atyre ceremonive kur miqtë e mirë shkonin për të takuar miqtë e tyre të mirë. Këtë rol do ta luante Z. Menntor Thaqi, shpirt patriotizmit, i cili me shprehjet e tij, do të improvizonte këtë skenën. “O i zoti i shtëpisë a po don Miq. O At Bellusci a po don Miq!
At Bellusci, del në ballkon ku janë varur flamuri shqiptar, dardan, italian, përgjigjet me ngrohtësi e entuziazëm: “Mirë se të vini O Vëllezër. Ju kam pritur me shekuj e dhe ju pres gjithmonë me shpirt me më zëmër, e vatër, ashtu si pret Arbëri”.
Ishin momente shumë e emocionuese sepse shumë prej tyre e kishin patur ëndërr ta takonin At Belluscin, por edhe ta shikonin për herë të parë Arbërinë. Në sytë e tyre vezullonin lotët. Të gjithë kanë ndjesi kur prek për herë të parë Arbërinë. Ajo të depërton në gen, në shpirt. Para derës së shtëpisë së At Beluscit mbizotëronte vetëm kuq e zi dhe plisat e bardhë e në ballkon valoni katër flamujt: shqiptar, italian, flamuri i shtetit të Kosovës dhe flamuri dardan.
Motra Rina Bellusci, qëndron te port, nuk flet, duket e heshtur, por nuk vonon dhe nga shpirti i saj dalin si një llavë tingujsh arbërorë. Ata tinguj kanë formën e lotit që dalin nga shpirti. Dëgjohen frazat:
“Skënderbeu zbret nga qielli
Mos humbisni gjuhën tonë,,
e mos bjerrni ritin tonë
…. Japmi dorën oj vëllezër”
Zërit të saj i bashkohet Arbëreshja Antonietta Rimoli, si dhe Michele Greco.
Arbëreshët dinë të emozionojnë me shpirtin e tyre Arbër prej 600 vjetësh të gjallë akoma në këto troje.
Të gjithë bashkë ashtu si petalet e një margarite pranverore hyjmë si rreze dielli, duke mbajtur atë alkimi futemi në bibliotekë.
Aktiviteti letrar u zhvillua në Biblotekën A Bellusci. Merrni pjesë rreth 60 pjesëmarrës.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti (e nën shkruara) Ornela Radovicka, ku midis të tjerave u shpreh:
I nderuar z. Kryetar i Bashkisë z. Angelo Catapano,
I nderuar z. Vehbi Miftari kreu i Missionit të Kosovës pranë Qelisë së Shenjte,
I nderuar Presidenti i Federatës së FAA z. Damiano Gualiardi
Të nderuar Prefosor dhe themelues i gazetës Jeta Arbëreshe z. Agostino Giordano, Profesor Francesco Perri, e Profesor Gennaro De Ceicco, Profesoresha Maria Antonietta Rimoli, mësuesja Lucia de Martino si dhe themeluesja e teatrit arbëresh në Frasnitë.
Pastaj ajo iu drejtua miqve:
Mirë se na erdhët: Zoti Musa Jopulli, kryetar shkrimtarëve dhe i krijuesve në Diasporë, Zoti Mentor Thaqi, si edhe ju miq të mëdhenjë të arbëreshëve Z. Rexhep Rifati, Profesori i pa lodhur dhe hulumtuesi Hazir Mehmeti, Koordinatori i dhjetëra e dhjetëra shkollave në Zvicër Zoti Vaxhid Seidiu, si dhe ju krijues, poetë, e mësuese të diasporës, dashamires arbëresh, shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Të dashur Krijues në mërgatë, ardhja juaj në këto toka të Arbërit, është jo vetëm një shembull për tu admiruar, por është ajo alfa që shërben si themel , për tu ngritur ato baza, që shërbejnë për të krijuar ura midis vëllezërve të të njëjtit gjak, që fati i tyre nuk ishte shumë bujar, por shpirti i tyre ruajti atë farë e Skënderbeut, që pavarësisht se ku jeton, ajo sython duke mbajtur mallin për mëmëdheun, dashurinë për kombin, besën e vëllazërimit.
Të dashur miq!
Mirë se na erdhët në këtë vatër të ngrohtë të At Antonio Bellushi, ku priti në gjirin e saj si intelektualin ashtu edhe bujkun me të njëjtën dashuri e respekt.
Tek kjo shtëpi flitej gjithmon arbërisht, nëse dikush prej fëmijëve fliste italisht, tata dhe mëma të ndëshkonte, as bukën nuk i jepnin. Ishin dinjitoze mëmat arbëreshe, dhe gjuha ishte ligji i edukimit! Pikërisht tek kjo shtëpi të At Bellusci ku frymonte arbërisht u hapën pika e parë e shkollës në diasporë me fëmijët shqiptarë e emigrantë shqiptarë dhe arbëresh të cilët donin të mësonin gjuhën. Në vitin 2001 u fut edhe libri Alfabetizzazioni, me të cilën filluam të punonim “më seriozisht”, sepse mbaheshim vetëm me një tekst Abetare që kisha sjellë nga Shqipëria.
Mirë se na erdhët në këtë tempull 400 vjeçar, ku riradhiten më tepër se 8000 mijë ekzemplarë, revista, libra, e dokument të hershme që nga shekulli 16.
Në këtë tempull keni fatin të shpërndani vargjet tuaja në jehonat e këtyre mureve ku u kënduan këngë arbërore, e dëgjohej zhurma dhe ritmi i atyre argalive që thurnin në rrugicat e gjitonisë.
Të dashur Miq!
Mirë se na erdhët në këtë Bibliotekë, që At Bellusci me shumë mundime e ka krijuar dhe mbajtur të gjallë. Në brendësi të këtyre rafteve do gjeni “Rilindjen” e Kosovës, Revistën “Dielli” të “Vatrës” në Amerikë, gazetën “Drita” të Shqipërisë, Revistën “Arvanoi”, “Dialogoi”, “Besa” organe shtypi të arvanitasve. Do të gjeni me dhjetëra tekste, punim e mbrojtje diplome, revista filologjike.
Ajo që është e rëndësishmja në këtë qendër është organi i “Lidhja”, një revistë në tre gjuhë, themelues i së cilës është At Belluscit. Kjo revistë shpërndahej në të gjitha kontinentet falas me përpjekje të tij.
Puna e At Belluscit 40 vjeçare në Greqi nuk u kurorëzua vetëm nëpërmjet veprave mbi Helladën, por ato shkojnë më tej, ai sentiment mblidhet një korrespondencë mbi 2000 letra me botën arbërore të At Belluscit me ta .
Vëlla Marugo- do t’i drejtohej një ditë At Bellusci, themeluesit të gazetës Dialogoi- Nuk do ishte mirë që të fillonit të shkruanit me alfabetin shqip për tu dalluar nga grekrit ?
Nuk vonoi shumë dhe Maruga filloi të shkruante me alfabetin shqip në revistën e tij .
Një ditë At Bellusci do t-iu drejtohej shoqatës arvanitase Marko Boçari: Vëllezër, nuk iu duket që Revista juaj nga Besa, bëhet Mbesa –
Kështu u hodhën urat që zgjatën mbi 15 vjet mes popullit arvanitas e arbëreshët e Italisë, falë punës së At Bellusci..
Nuk rreshtet at Antonio. Nuk limitohet, vetëm në botën e studimeve dhe hulumtimeve, ku ai regjistroj, kodifikoj, këngë, rrëfime, rite, nëpër fshatra. Nuk u kufizua as si autor i 20 veprave të tij, por At Bellusci ka shpirt Arbëri, dhe preku, lotët e atyre vëllezërve kosovar, e qahu mes tyre për gjenocidin që iu bëhej vëllezërve të tij..
Të dashur Miq. Sot, jemi në Frasnitë. Si shumica e ngulimeve arbëreshe, edhe Frasnita është një qytezë e vogël.
Bien në sy rrugicat e ngushta, atavizma arkitekture të stilit të gjitonisë të cilat të përfshijnë emotivisht. Shumë pak njerëz shikon. Kështu janë mëngjeset e këtyre qytezave, jo të zhurmshme dhe në mbrëmje, në këtë qytezë nën gamën mbretërore të hënës ngjyrë blu zhytur në argjend do të ndjesh siluetat e saj ku ende eshtrat shekullore mes valëve magmatike lëvizin fosforishente në shtëpitë shekullore prej guri, në udhët, sokaqet, në kisha, në këngë, në kostume, e ku thyen rrezet ndër fasadat shekullore.
Ç’do gjë këtu duket e qetë dhe pezull.
Them “pezull”, sepse këtu asgjë nuk është definitive e asimiluar; gjurmët e identitetit akoma frymojnë; Gjuha arbërore edhe pse disi po shpërbëhet por ka akoma është dikush që e flet. Po ashtu edhe kostumi arbëresh gjithë ar thuret dhe vishet në festa e riti bizantin i ruajtur në zemrat e tyre.
Mjafton të ndalosh tek ky gji, dhe kjo pjesëz toke e Arbërisë të pret krahapur.
Siç i pret sot bijët e diasporës.
Arbëria e arbëreshëve është një mëmë e lodhur, nuk ka shumë forca, janë 600 vjet, që tingujt e gjuhës së saj janë dobësuar, fjalët e saj janë të lodhur, dhe gjuha e saj e dërrmuar e shpesh herë dhe e abandonuar. Por, shpirti i poetit di të zgjedh, sepse pikëzën e Ujit e kthen në oqean, rrezen e Diellit e thyen dhe e bën ylber shprese, tika takun e kohës e kthen në refren, e dalëngadalë thur rreshta e nis e lundron si valët e një deti në këtë qytezë 600 vjeçare.
Në këtë ditë të shënuar nuk mund të rrim pa përmendur shkrimtarë intelektualë të Frasnitës; Costantino Arcuri,Vicenzo Dorsa, Bilota, Emanuele Giordano, Michele Bellusci, Domenico Bellizzi, Papàs Lino Bellizzi, Domenico Bellusci, Solano, Beniamin Frascini, Domenico Magnelli, Luca Perrone, la poetessa Maria Miranda Marku.
Mendoni për një çast, që në këto zona kaq të thella, ku u strehuan arbëreshët jetonte dhe vepronte shtypi intelektual të një kalibri europian. Si Torello, krijuesi i Gazetës “Omnic”, Jura , krijuesi i urës pezull e para në Itali, gjatë në Mbretrisë së Dy Siciljeve, gazeta La Nazione, Fiamuri i Arbrit etje, dhe këto foleza, të shpirtit të Arbërit jo vetëm që ishte i gjallë, por ata u kthyen në flamurtarë të ideve, intelektualë dhe patriotë që udhëhoqën botën arrbërore.
Idenë e parë mbi kombin e hodhi Vicenzo Dorsa, dhe Samiu shkroi në bazë të këtij traktati Shqipëria, çka qenë e çdo të bëhet. Mikele Bellusci,i tregoi vendin Peshkopit të Rossanos që ngatërronte Shqiptarët me grekrit duke i thëne se zotëria juaj gabon duke i ngatërruar shqiptarët me grekët, shqiptarët ndryshojnë prej tyre në gjenezë e në kulturë.
Frasnita, kjo qytezë që edhe sot mbart në gjirin e saj mban figura të gjalla intelektuale si Prof Giordano Agostino poeti me pseudonimin “buzëdhelpri” e revista e tij që po i mbijeton çdo stuhie Jeta Arbëreshe, Lucia Martino me teatrin e saj, por edhe, mësueset Katerina Adducci, Antonieta Rimoli, Mikele Greco të cilët sjellin atë afshin e ngrohtë të përjetshme të botës arbëreshe.
At Belluscit i dhemb zemra kur shikon që qytete shqiptare po shpoullohen, kur qytezat arbëreshe po shuhen, e dhe gjuha jonë e bukur po tkurret, kur shikon që riti me liturgjinë arbërishte, thuhet më tepër në italisht se në arbërisht.
Ju,vëllezër të diasporës, keni ardhur sot në këto troje ku shpirti juaj poetik, me siguri do të takojë botën e të gjithë atyre arbëreshëve që shkruan në gjuhën e tyre, si Jul Varibobën, De Radën, Seremben, Santorin, Stratico, e dhjetra e dhjetra të tjerë.
Shpirti i poetit duke mbartur atë hirin e kujtimeve di të futet në këto skute, ku sakrificat, mënçuria, patriotizmi, bukuria njerëzore kryqëzohen, e ju nisni të ndërtoni atë pjesë mozaiku antropik të çmuar të këtij populli ku rrugicat e gjitonisë ende pëshpërijnë shqip, pragje shtëpie mbushur me myshkun e viteve kanë lënë mbi to falangjet e duarve të mundimshme shekullore, por muret me poret e tyre frymojnë ende arbëriesht.
Ja se si e përshkruan Arbërinë sot një nga poetët më të dëgjuar bashkëkohor, Mario Bellizzi:
Hije me copa qielli
Gjendem në një vend i madh,
pjot simbola dhe njerez
me prejardhje gjeografike sa më të ndryshme
vend i ndërlikuar piçkulaç,
i mbitur në shenjtëri dhe peisazhe
zbrazëti, mura të gramisur
(jemi në Jug ndanjë katund jashtë historisë)
para meje shoh një kështjellë
e rrethuar me shpizë si kaliva vetmitarëve
ku jetojnë nanì emigrantet rumunë dhe afrikanë
aty këtu shtohen shfaqje marramendëse
një burim përralor me mbistica
më poshtë kupola bizantine ngjyrë kobalti
ruajnë në lindje, ujërat e kthjellëta
të detit të Magna Graecia-s
ku fanaren Perëndi pjeq
si thonej Euripidi: hije të pajisura me frymë
të bërë me copa qielli, një vegim i mbrazt
Hyjni të tjera nuhasin
aromën e lulevet të nerënxësë
… disa strushëlaren nga malet e Silës pas shtegtimin së kuptimevet
të lakimit, të ritmit dhe tonit
çë rrëzohet drejt heshtjes.
Një trazim i bukur, s’kemi çë t’i thëmi,
ruanj pëllèse dhe qisha,
shpi me ngjyra të larme,
nuanca të zbehta, të ëmbla e të gëzueshme,
të rreshtuar pa ndërprerje ndërsa lakohen,
ndërthuren përgjatë udhë, rrugica, mbështetëse, shkallë, …
me zgjidhje arkitektonike të pabesueshme.
Njerëzimi bëhet bashkësì kur ulet ndër sheshe
me nxilikata të stisura me gurë lumi
të vjedhura ndër gramina të çuditshëm.
Kamare ndër muret me shenjte gojë hapt
pëllumba mbi fijet e dritës
shqëndezit shumëngjyrëshe të ndejtur
ndër ballkunat
megjithatë këtu në Mesdhe,
argalesha pjakarushe
shtìellin boshtat me folje të reja
në kohën e ardhme
tek tiligadhi jashtë historisë,
në historinë më të lashtë,
më të vërtetë, të pafajshëm,
ajo e dheut.
Ora letrare filloi në Bibliotekën e At Belluscit.
Promovimi nisi Peter Shtoka, një arbëresh i Istrias, Slloveni, me librin e tij Atlante Istriano, mbështetur nga Shoqata kulturore shqiptare “Iliria” Koper-Capodistria, kryesuar nga Presidenti i saj Heset Ahmeti.
U lexuan poezi nga arbëreshë dhe shqiptarë të diasporës, si dhe u dhuruan libra bibliotekës si edhe disa libra i lanë për bibliotekat e shkollës. Në mesin e tyre kishte edhe artistë si Milazim Ukëhaxhaj, një artist realist, por me tematik historike siç ishin pikturat e Kullave të djegura në Kosovë. Artisti ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Vjollca Ukëhaxhaj
Punimet letrare vazhduan të drejtuar nga zoti Musa Jopulli kryetar dhe Mentor Thaqi sekretar i saj. Poet e artistë nga e gjithë Diaspora, sollën shpirtin e tyre artistik në qytezën arbëreshe të Frasnitës. Për një ditë, Frasnita ishte kryeqyteti i poezisë në Diasporë.
Punimet e tyre artistike, mbartnin si pathosin, epikën, lirikën për atë mall që shpesh shpirti i emigrantit herë del si një puhizë dhe erë si tufan i egër por të mbushin me ide dhe energji për dashurinë në shërbim të kombit, edhe pse në dhè të huaj.
Buqete lulesh te Busti i Skënderbeut
U vendosën buqete me lule të Busti i Skënderbeut me rastin e ditëlindjes së tij, dhe u krye riti Himni i vëllazërisë.
Maria Antonieta Rimoli, Emanuele Rossanova, Lucia Martino, lexuan poezi nga autorët Arbëresh. Për interpretimin e tyre, si edhe për sforcimet që bëjnë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën në arbërisht iu shpërndan edhe fleta nderi: A. Rimolit, L.Martino, E. Rossanova e Profesor A. Giordano.
Për impegnimin mbi ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe, u nderuan edhe Z. Guagliardi Damiano, Francesco Perri, Gennaro De Cicco.
Midis dy vëllezërve të të njëjtit gjak u krijuan shumë emocione.
Pjesa e dytë, u zhvillua pranë bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
Për nder të figurës së tij, dhe me rastin e ditëlindjes së tij u vendosën buqeta me lule, dhe u lexuan disa poezi me temë kushtuar arbërorëve dhe Gjergj Kastriotit.
Nuk munguan aktivitetet të tjera, si pjesëmarrja në Teatrin arbëresh drejtuar nga mësuesja Lucia Martin, dhe shoqata “Vorea”, të cilën ajo drejton të cilët bëjnë një punë të madhe për ta mbajtur gjallë.
Qendra Albanologjike dhe Biblioteka Internacionale shpërndahu disa Certifikata ”Nderim Arbëresh” dhe “Mirënjohje arbëreshi\e” për pjesëmarrësit në këtë eveniment kaq të rëndësishëm të ardhur nga e gjithë Diaspora.
Ky – ishte një Kuvend- tha At Bellusci- Demonstruam edhe një herë që Arbëreshi nuk është vetëm Folk, Arbëreshi është edhe Gjuhë, Kulturë, është Teatër, është poezi, është krijues me shpirtin arbëror. Ajo që ka rëndësi është se kjo ngjarje nuk u zhvillua vetëm në gjuhën shqipe standarde apo në gjuhën italiane, aty u fol arbërishtja jonë, arbërishtja e ruajtur e Bilotës, e Emanuele Giordanos, e Bellizzit, e dhjetëra e dhjetëra krijuesve arbëreshë.
Ju vëllezër të diasporës shqiptare nga Zvicra, Gjermania, Austria, Sllovenia, Franca, Kosova, Shqipëri, Maqedoni e Veriut së bashku ne sot, lexuam, nxorëm nga shirti ynë tingujt tanë të bukur arbëror, shkëmbyem fjalët mes nesh që dilnin nga shpirti ynë, dhe krijuam një nga ngjarjet më të bukura që kam përjetuar, sepse “na U foltjem arberisht me njeri tjatrin”. Gluhen e mëmës mos harromi”. Treguam se Arbëria jonë nuk është vetëm Vallja, e kostumi, është edhe gluha, e arbëria ka në gjirin e saj poet, artistë, studiues, me gluhë arbërore, me shpirt arbëror!
Arbëreshi nëng mund t vdes!
Gjaku i Arbërit rron!
Merrni pjesë Artelier si Artisti Sokol Ahmetaj Kabashi, me banim ne Paris, e shoqëruar nga e shoqja e tij Asbije Ahmetaj të cilët i dhuruan At Antoni Belluscit, si shenjë nderimi një stemë krijuar apostafat. Për të duke vënë në qendër Dielli dhe duke e krahasuar At Bellusci: Dielli i Arbërisë, një iluminist i kohëve moderne për Arbërinë antike
Në fund u shtrua edhe një drekë, nga LSHKM në Diasporë, ku At Bellusci edhe pse në kushte jo të mira shëndetësore u mundua që të vinte e të qëndronte edhe për një farë kohe së bashku me të gjithë vëllezërit në Europë me të njëjtin gjak.
LSHKM-ja ju urojmë arbërisht: E bëjshit grurë, mel e kukulë shumë.” (Grurë, misër, dhe boca mëndafshi, i cili ky i fundit kultivohej dhe përpunohej shumë në fshatrat arbëreshe)
Grupi i diasporës vazhdoi takimin e tyre në IPS të Ungrës ku kishim lënë një takim për të parë një shkollë ku ka nxënës arbëresh dhe për të krijuar ura dhe projekte për të ardhmen, duke ditur që në Kalabri nuk mësohet nëpër shkolla gjuha arbërore. Këtu u takuam me Diregjentin e shkollës, por për këtë takim, mbi projektet do të flasim herën tjetër.
(Përgatiti materialin Ornela Radovicka, Qendra albanologjike themeluar ng At Bellusci 1980)