Gjuha shqipe dhe forca e saj

Nga Spartak Ngjela

Spartak Ngjela

Forca e madhe e gjuhës shqipe, ka ardhur nga forca e mendimit të atyre të parëve që e kanë krijuar sipas fjalëve.
Gjuha Shqipe dhe Forca e saj. Janë tre artikuj të këtij karakteri teorik.
Ky është artikulli i parë. Asgjë nuk ndryshon në realitet po nuk ndryshoi në mendjen tënde.
Por, forca e madhe e gjuhës shqipe, ka ardhur nga forca e mendimit të atyre të parëve që e kanë krijuar sipas fjalëve.
Në të njëjtën kohë duhej edhe forca e talentit të madh të popullit shqiptar që ka zhvilluar në mijëra vjet një gjuhë të madhe si gjuha shqipe.
(Shih veprën e madhe të gjuhëtarit të madh shqiptar Petro Zheji, me titull: Roli Mesianik i Shqipes.)
Sepse…
Gjuha shqipe sot është vërtetuar shkencërisht që është një gjuhë e madhe që, me fjalën e saj, u ka dhënë forcë mendore të gjitha gjuhëve të mëdha të Evropës.
Dhe këtu po japim disa shembuj për gjykimin që shprehem.
Por do të vijojmë edhe më tej, në vijim të këtij artikulli…

I.

Fjala dhe Mendimi
Mendimi ynë që shkon deri te filozofia dhe shkenca, nuk do të ishte krijuar dot pa fjalën.
Po nuk ju ka ndryshuar mendimi për një diçka ose për një fenomen të konceptuar si të tillë, nuk ka ndryshuar as diçkaja që keni parë, dhe as fenomeni që ju e keni konceptuar duke e shprehur me anë të gjuhës tënde.
Është veprim i brendshëm i mendjes tënde që e ka përcjellë dukurinë tek mendimi, por dhe vetë mendimi, nuk do të mund të ekzistonte pa fjalën.
Pa fjalën asgjë, kjo është filozofia e mendimit tonë.

Por…
Ne, nuk e dimë mirë, thonë analistët e thellë të modernitetit, që gjithçka natyrore që njeriu ka parë, e ka emëruar vetë.
Po, duhet pasur kujdes se dy janë enigmat e mendjes: e bukura dhe e shëmtuara – dy koncepte madhore që kanë sjellë edhe artin, edhe egërsinë, por edhe pikturën e bukur si art. Prandaj, është emërimi i sendeve dhe abstraksioni i së bukurës e i së shëmtuarës, si të kundërta në moralin shoqëror, që kanë sjellë paqen në mendjen njerëzore, kënaqësinë e të bukurës, por njëherësh edhe shëmtimin, krimin e luftën si agresion njerëzor kundër të bukurës.
Dhe mu këtu vjen e del edhe konflikti konceptual midis së mirës e të keqes që, në mendimin tonë, është vetë dallimi midis së bukurës e të shëmtuarës.

II.

Por, duhet të kujtohemi se edhe bukuria e gruas, në kohë, ndryshon, por nuk del nga tipi i bukurisë që asaj i ka kaluar rrjedhshëm nga vajzë, në grua.
Dhe estetika moderne, bukurinë ose të bukurën si koncept estetik e sjell nga bukuria e gruas, sepse për gruan është shprehur gjuhësisht në fillim shprehja: “një grua e bukur”.
Prandaj…
Sipas estetikës moderne, koncepti i së bukurës në këtë qytetërim ka ardhur nga bukuria e gruas.
Estetikisht, bukurinë e ka gruaja, prandaj dhe çdo vajzë e bukur, kur vjen në grua, është edhe më e bukur. Ja, shikoni fotot e aktoreve të madha: nga Sofia Loren, Nicole Kidman, Gina Lolobrigita e gjithë të tjerat që kanë ecur nga një vajzë e bukur, në një grua me bukuri magjike.
Por, nuk duhet harruar se është kjo bukuri gruaje që ka sjellë artin, letërsinë pikturën, poezinë dhe romanin e madh.
Kudo gruaja, bukuria e saj, që sjell lumturinë e dashurisë, por edhe urrejtjen, edhe krimin e xhelozisë.
Dhe këtu është mbështetur dhe i gjithë arti, pikërisht te kjo bukuri gruaje magjike, që bashkë me kënaqësinë, shpesh ka sjellë edhe xhelozinë e burrit, krimin dhe vetë luftën, e cila, si tragjedi, fillon në histori për Helenën, në Luftën e Trojës, dhe vijon me të gjitha tragjeditë që vijuan e po vijojnë në historinë e qytetërimit…
Por, le të qëndrojmë ende te koncepti i të bukurës.

III.

Gjuha dhe koncepti i të bukurës
Dhe ja disa shembuj ku qëndron thellësia e shqipes në bukurinë e saj:
Folja mendoj.
Është unike dhe në nivel të lartë konceptual, sepse është fjalë që rrjedh nga “mendja” si emër, në “mendoj” si folje.
Asnjë gjuhe tjetër nuk e ka këtë dhunti.
Italisht… Pensare (me mendue)…io penso: unë mendoj – që nuk ka asnjë lidhje me fjalën “mente” që në italisht i thonë mendjes.
Anglisht: l think (unë mendoj) ndërsa mendjes anglisht i thonë: mind.
Por, a e shihni që vetëm gjuha shqipe e sjell foljen mendoj nga mendja si emër, dhe del si emër në trajtën “mendim”, por, dhe edhe në foljen mendoj? – dhe, e gjithë kjo rrjedhë gramatikore vjen nga emri “mendje”. E shihni që një mendje shumë e thellë është krijuesi i kësaj fjale?
Folja, shtyj… Sjell fjalën pë-shtyj dhe parashtesa ‘pë’ nuk dihet ende si është krijuar në gjuhën shqipe, por nga kjo pjesë vjen edhe folja “pështyj”, edhe emri pështymë. Por mos harroni: shikojini sa afër janë më njëra tjetrën fjalët pështymë, pështyj dhe mbiemri – “i pështirë”, që don të thotë: të ngjall krupë, i neveritshëm. (!)
Fjala shtyp… na ka sjellë fjalën përshtypje, sërish, me fojlen shtyp, në kuptinin e saj primar, por është përdorur për kuptimin mendor të asaj që të ka tërhequr dhe e ke menduar menjëherë pasi e ke parë. E cila, sigurisht që, në thelb, një lloj “shtypjeje” është, që krijohet në mendje si mendim për të, në çast, mendim ky që sigurisht do të vijojë edhe me tej në shpjegimin normal të përshtypjes tënde për diçkanë që ke parë…
Folja “përdor”, që vjen edhe si mbiemër – “e përdorur”, por që del edhe si folje në fjalformimin , “shpërdoroj”, domethëne që ti e ke përdorur keq diçka dhe po ashtu, edhe me abuzim, ke përdorur besimin që të është dhënë nga dikush. Sepse ti duhet ta përdorësh atë besim, dhe jo ta shpërdorosh.
Por duhet parë ndërkaq me vëmendje që e gjithë kjo rrjedhe mendore e një fjale, vjen nga emri dorë, që është shqisa kryesore e punës dhe e krijimit në përgjithësi. Por, mendja e shqiptarit të parë, po nga fjala dorë, ka sjelle foljen “dorëzoj”, që vjen e del edhe si mbiemër “i dorëzuar”, domethënë që i ka lënë që të gjitha, përveç jetës së tij.
Edhe kjo një veçori e veçantë e cilësisë së lartë të gjuhës shqipe.

IV.

Por na duhet të theksojmë se ende në gramatikën e gjuhës shqipe dhe në fjalorin e saj, nuk e kemi të përcaktuar parashtesën “shpër” që u shtohet foljeve ose emrave dhe u rrit atyre kuptimin, si për shembull:

Nga laj në shpëlaj
Nga bëhet në shpërbëhet
Nga ndaj në shpërndaj
Nga ngul në shpërngul
Nga hapet në shpërhapet

Dhe në shumë shembuj të tjerë si këta. Dhe kjo sigurisht që është forcë krijuese e gjuhës shqipe që nuk e ka ende asnjë gjuhe tjetër. Por janë pikërisht këta shembuj, që i japin gjuhës shqipe forcën e brendshme mendore, e cila qëndron në larmishmërinë e mendimit të brendshëm konceptual që ka fjala shqipe.
Dhe është pikërisht kjo forcë e madhe konceptuale që ka brenda saj fjala shqipe, e cila e ka bërë shumë të vështirë gjuhën shqipe për ta mësuar të huajt.

V.

Ja disa shembuj…

Një fjalë e madhe në gjuhën shqipe është folja “ndrin”, një folje jo kalimtare kjo, që prej saj vjen edhe folja “ndriçoj”: që don të thotë lëshon dritë, dhe që rrjedhën e ka nga emri i bukur “ndriçim”, por që kuptohet se gjithçka vjen e rrjedh nga emri – dritë – që në gjuhën shqipe është një emër omnipotent. Fjala dritë në fjalorin e shqipes së sotme përcaktohet si: Tërësia e rrezeve që lëshon Dielli ose një grup tjetër i zjarrtë, që kapen nga syri dhe e bëjnë të dukshme çdo gjë mbi të cilën bien.

Edhe fjala “ditë”, rrjedhojë logjike e fjalës “dritë” është.
Por emri “dritë” vjen e krijon në gjuhën shqipe edhe emrat si: ndriçim që vjen edhe në kuptimin e zhvillimit e përparimit arsimor e kulturor që sjell gëzim e lumturi në jetë.
Por, kemi edhe dy të kundërtat: dritë dhe errësirë që kanë marrë trajta të shumta në kuptimin latrar të tyre ne gjuhën e përditshme, por edhe në letërsinë shqipe.
Gjithsesi, këto që analizuam më lart janë një pako gjë në shpjegimin e forcës magjike që ka në mendim dhe në konceptualitet fjala shqipe.
Por ne, herë pas here, do të kemi rast të japim edhe shembuj të tjerë fjalësh shqipe të këtij karakteri, me fjalë edhe më të mëdha në konceptualitetin e tyre ideor. Dhe gjithçka brenda metodës që kemi përdorur në këtë artikull.