Shkruan: Mustafë Krasniqi
Mërgimtarët shqiptarë për atdheun janë brumosur me idealet e larta kombëtare duke e ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare, ashtu siç e ndien dhe e duan. Mbi të gjitha dëshira për ta parë Shqipërinë në rrugën e suksesit dhe në tërësinë e saj të natyrshme, Shqipërinë Etnike.
Për Shqipërinë e bekuar zgjohen ndjenjat e atdheut, duke i rikujtuar atdhetarët e kombit, ata që na e sollën lirinë dhe shpallën pavarësinë e tërësisë, të ngritur flamurin e lirisë në Vlorën heroik e deri te Prekazi i Jasharave. Këtij rrugëtimi të ndritur i dha një kuptim të plotë lufta e UÇK-së, me idealin e lartë se një ditë tërësia e Shqipërisë do të bëhej!
Për 28 nëntorin- Ditën e Flamurit Shoqata Kulturore Humanitare “Iliria”në Passau, më 02.11.2024, mbajti një program të pasur kulturo- artistike, nën drejtimin e dr.Hamit Manxholli. Në këtë manifestim e pranishme ishte Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Gentiana Mburimi, kryesia dhe mësimdhënësit e LAPSh-it, bashkëkombës e aktivistë të dalluar, të cilët ndoqën programin me këngë e valle. Krahas atmosferës, me muzikë profesioniste, zgjoi një ndjenjë shpirtërore programi i nxënësve të klasave të gjuhës shqipe, që vinin nga shkollat: Passau, Vilshofen dhe Pocking.
Salla, përpos shkëlqimit që i jepnin portretet e heronjve, flamuri kuqe zi, ishte e mbushur përplot me bashkëkombës, prindër e gjyshër të cilët me ëndje duartrokisnin për fëmijët, nipa e mbesa-nxënës të shkollës shqipe. Në fytyrat e tyre të ndezura sikur ua lexonim gëzimin e shpërthyer në thirrje: “atdheun e nderojmë duke i dërguar fëmijët në shkollën shqipe e duken e ruajtur gjuhën amtare”!
Kryetari i Shoqatës “Iliria” e.V. Passau dr. Hamit Manxholli falënderoj kryesinë dhe mësimdhënësit e LAPSh-it në Bavari, të cilët me sakrifica të mëdha ruajnë vlerën më të çmuar të kombit, gjuhën amtare. Manxholli për humanizëm LAPSh-it i dhuroi një çek monetar prej 500 ero dhe i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar e po kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës amtare, gjuha e bukur e Naimit të mos harrohet te fëmijët tanë mërgimtarë!
Urime 28 Nëntori-Dita e Flamurit brohoriste dhe vet salla!