Jam Miradije Berisha, nënkryetare e KKAD-së dhe mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe në Austri që nga viti 2001. Me pasion dhe përkushtim e kryej këtë detyrë të shenjtë, të cilën e shoh si një mision për të ruajtur dhe përçuar gjuhën dhe kulturën tonë te fëmijët tanë.
Andaj, ju bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve të mi që të bashkojmë forcat dhe të angazhohemi për të sjellë fëmijët në shkollën shqipe. Sepse aty ku mësohet gjuha jonë, ruhet edhe identiteti ynë.
Le të udhëhiqemi nga motoja: “Të gjithë për shkollën shqipe!”
Si dëshmi e këtij misioni, nxënësi im Bato Bajraktari , ka një porosi për shokët dhe shoqet e tij:
Të dashur bashkëmoshatarë, të rinj e të reja,
Nëse me të vërtetë i duam prindërit tanë, nëse i respektojmë sakrificat dhe përkushtimin e tyre për ne, le të kujdesemi për gjuhën e tyre, për gjuhën tonë të përbashkët – shqipen tonë të bukur!
Le të mos harrojmë kurrë fjalët e të parëve, këngët dhe tregimet që ata na lanë si trashëgimi. Sepse gjuha jonë nuk është vetëm fjalë; është histori, është krenari, është dashuri për mëmëdheun tonë.
Ejani! Ejani së bashku, të bashkuar, në shkollën shqipe. Le ta nderojmë tokën tonë, sepse sa më shumë të flasim shqip, aq më shumë e forcojmë identitetin tonë, rrënjët tona, dhe lidhjen tonë të përjetshme me vendin e zemrës!
Ejani, ejani ta mbrojmë dhe ta duam gjuhën tonë të shtrenjtë, ashtu siç e meriton Atdheu yne!
MËSUESJA IME
Për gjërat që nuk i di
unë dua të mësohem
me mësuesën time
gjithnjë të këshillohem.
Mësuesja na mëson
të recitojmë e të këndojmë
gjithmon të bashkuar
festat ti festojmë.
poezin e shkruan nxënësi i klasës së 4-të, Bato Bajraktari